KreuLetërsiShënime mbi libraRafaela Marteta: Një mik këshillues si ky libër

Rafaela Marteta: Një mik këshillues si ky libër

“Dil nga ajo dhomë” Alberto Pellai, Barbara Tamborini
Përktheu: Ana Sheldia, “Dituria”

Bashkautori i librit në fjalë, Alberto Pellai është psikoterapist për moshën pediatrike. Bashkë me të shoqen Barbara, psikologe dhe autore e teksteve për psikologjinë e zhvillimit kanë shkruar Dil nga ajo dhomë. Si dhe pse t’i rikthejmë fëmijët në botën reale?

Titulli është në vetvete një manifest (pedagogjik): shpall qëndrimin ndaj një dukurie dhe propozon një ndryshim. Dukuria është tërheqja (veçimi) e fëmijëve dhe e të rinjve në moshën e zhvillimit nga jeta reale, nga ambientet fizike dhe përvojat analoge, me qëllim për të kaluar më shumë kohë në ekrane digjitale.

“Dil nga ajo dhomë” sot për sot është shprehja më familjare për prindërit që kanë fëmijë në paraadoleshencë dhe në adoleshencë. Përveç urdhërores “dil!” cili prind nuk ia ka bërë vetes apo të afërmve pyetjen, si t’ia bëj ta nxjerr nga ajo dhomë, nga ai ambient ku ngujohet? Pellai-Tamborini, megjithatë qysh në krye të herës pohojnë se ky libër nuk është një qasje klinike ndaj tërheqjes përfundimtare të të rinjve nga jeta shoqërore: «Dil nga ajo dhomë flet për fëmijët që vazhdojnë të ndjekin shkollën, që ndoshta nuk heqin dorë as nga sporti që e kanë nisur që në vegjëli, por që njëkohësisht kanë pak shokë, pak jetë shoqërore, sepse ajo që gjejnë brenda dhomës, i josh e i tundon më fort sesa ajo që ndodhet jashtë». (Pellai-Tamborini, përkthyer nga Ana Sheldia).

Dobia e këtij leximi qëndron në zhvillimin e aftësisë për të ngritur pyetje, por edhe për t’u dhënë përgjigje pyetjeve tuaja ekzistuese dhe të reja. Personalisht, jam gëzuar që ky libër ka ardhur edhe në gjuhën shqipe. Në rolin e prindit, mendoj se një lexim i tillë është një këshillues i mirë për momentet e pasigurisë: jemi duke vepruar mirë, si çift, si prindër? Është një lexim bashkëshoqërues, përmban dëshmi konkrete prindërish që bashkëndajnë shqetësimet, dyshimet e tyre, që ngjajnë me tonat. Na ndihmon të kuptojmë se nuk jemi vetëm dhe pavarësisht se shqetësimi ynë na dhemb në vetë të parë është mirë të dimë se jemi pjesë e një bashkësie prindërish, edukuesish, profesionistësh që kanë për zemër mirëqenien e bijve dhe të rinjve që kemi në familje, apo që na janë besuar t’i edukojmë.

Si profesioniste jam edhe një herë më shumë entuziaste për daljen e këtij titulli në gjuhën shqipe. Si çdo sektor, edhe ky i edukimit dhe i këshillimit është i tejmbushur me tituj sensacionalë me përmbajtje të diskutueshme e të vakët, që synojnë suksesin e tregut, e disi më pak shqetësimin e vërtetë të prindërve dhe të edukuesve. Tituj që premtojnë zgjidhje magjike ose që e alarmojnë prindin, edukuesin duke paralizuar aftësinë e tij për të vepruar në të mirë të subjektit. Pellai dhe Tamborini ndërthurin përvojën e tyre si prindër të katër fëmijëve me ekspertizën e tyre profesionale për të nxitur një debat të rinovuar mbi mënyrën sesi e konceptojmë hendekun ndërbreznor.

Disa pyetje janë të ripërsëritura, thuajse ato që i ka bërë vetes çdo brez prindërues para nesh. Por përgjigjet e gatshme dhe të përgjithshme sot nuk bëjnë më punë. Përdorimi gjithnjë e më i hershëm i pajisjeve inteligjente dhe mbizotërimi i teknologjisë digjitale në të përditshmen tonë kanë ndërruar skenarin e edukimit, por edhe vendin ku ndodh edukimi, rritja dhe zhvillimi. Pavarësisht se Pellai-Tamborini sqarojnë se marrëdhënia midis teknologjisë digjitale dhe proceseve të të nxënit në shkollë nuk është objekti i librit, ata shprehen se temat e trajtuara në libër nuk mund ta përjashtojnë rëndësinë që ka pasur përdorimi i mjeteve digjitale në moshë të hershme. Ndikime që kanë dobësuar autoritetin e të rriturit përgjegjës për edukimin. Me fjalët e Pellait dhe Tamborinit jemi “prindër të brishtë përballë botës online”, për shkak të rreziqeve që ajo paraqet ose pamundësisë për të shfrytëzuar mirë dhe drejt potencialin e botës online. Arsyet e brishtësive tona si prindër dhe edukues, por edhe të fëmijëve si një brez me përjetime me ankth të shtuar janë të shumta: paqëndrueshmëria dhe zhbërja e çiftit që prindëron, angazhimet personale dhe profesionale, gara e shtuar për të mira materiale dhe afirmim shoqëror. «… një i rritur mund të jetë i paqëndrueshëm  edhe për shkak të ndryshimeve socio-ekonomike të tregut që e ekspozojnë ndaj një pasigurie të padëshiruar. Dhe kush e ka përjetuar këtë gjendje, e di sa energji i vidhet detyrës edukuese dhe rolit prindëror» (Pellai-Tamborini).

Për të gjithë prindërit, edukuesit, të rriturit përgjegjës për edukimin Pella-Tamborini sugjerojnë disa ndryshime që mund ta fuqizojnë rolin e të rriturit dhe të ndërgjegjësojnë fëmijët, adoleshentët. Mbi të gjitha, ndryshimi i narrativës, mënyrës së si rrëfehen, promovohen, përdoren dhe brendësohen mjetet digjitale dhe krejt kultura që kanë krijuar dhe prodhojnë përditë. Kjo narrativë kolektive, për të qenë e njëmendtë kërkon një angazhim institucional serioz «që të jetë realisht në mbrojtje të interesave dhe mirëqenies së fëmijëve dhe të rinjve tanë”.

Prandaj disa propozime të autorëve shkojnë në favor të ambienteve analogeve, ku fëmijët në moshë të hershme të mund të kalojnë kohë pa ekrane; edukim prindëror i hershëm që i ndërgjegjëson prindërit për rreziqet e mbizotërimit të teknologjisë digjitale në jetën e fëmijëve; angazhim institucional për rregullim kombëtar dhe ndërkombëtar të përdorimit të videolojrave, dhe promovim rishtas i lojës në bashkësi të njohura dhe familjare.

Problem-propozime për zgjidhje-dëshmi personale është trekëndëshi që cilëson këtë libër. Pasi lexuat për dy komponentët e parë, gjeni më poshtë dëshminë shpresëdhënëse të Pellait dhe Tamborinit: «Nuk mund t’ju themi se jemi prindër të përsosur, përkundrazi. Kemi bërë një varg gabimesh, por ato na kanë ndihmuar që të qëndrojmë gjithmonë me këmbë në tokë, të mos besojmë se jemi gjithmonë të zot të bëjmë gjënë e duhur apo më të mirën. Por jemi këtu dhe jemi ende në udhëtim nëpër jetë”.

*Pedagogjiste e familjes, këshilluese për proceset edukuese me teknologjinë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË