KreuLetërsiShënime mbi libraVisar Zhiti: Kuintet për Migjenin në vjeshtë

Visar Zhiti: Kuintet për Migjenin në vjeshtë

“Vargjet e lira”,  90-vjetori i një prej librave më të rëndësishëm të poezisë shqipe

Fat i përhershëm në letrat shqipe  që erdhi Migjeni dhe dhimbje po ashtu që iku aq i ri, as 27 vjeç…  dhe u bë poeti i të rinjve, por dhe i së resë, – kështu themi dhe e ndjemë… 

Dhe ka qenë mësues fshati… si ne, – na pëlqente të thoshim mes nesh. Mbase ngushëllonim dhe veten dhe na kapte gjithë ajo keqardhje, në fillim si nxënës shkolle, pastaj si mësues të po atyre moshave, teksa flisnim dhe shpjegonim Migjenin dhe ai vdiste çdo vit, po u plakur kurrëi…

Gjithmonë vdiste larg atdheut, atje, në Veri të Italisë, siç e dimë, në një sanatorium afër Torinos… dhe nuk do ta shihte pushtimin e Atdheut nga Italia fashiste një vit më pas. E ç’do të mund të kishte shkruar? Dhe mynxyrshëm, sa mirë, thosha, s’e përjetoi fare Realizmin Socialist që do të sundonte në letrat shqipe, duke e shpartalluar kohën e Migjenit, Vitet ’30,  aq të begata në letrat shqipe dhe në mendimin kritik pluralist, që sigurisht ai, Migjeni, do të ishte ngatërruar me ata, të pastajmët e regjimit, partiakë e shkrimtarë, edhe pse e trajtuan përdhunshëm si pararendës të tyre.

A do t’ia dilte Migjeni të shkruante siç do të donte, po të mbetej gjallë? Dhe përsëri na sëmbonte ikja e tij e pandreqshme. Uragan të ndërprerë, do ta quante Kadaré.

Dhe ishte një kohë që shokë të Migjenit vriteshin,  në luftë, po dhe pas saj, në kohë paqeje. Do të  pushkatoheshin dhe burgoseshin në vazhdim poetë të rinj, do të dënoheshin dhe me akuzën se shkruanin të ndikuar nga Migjeni, nga revolta e tij.  Do të përndiqeshin madje deri edhe lexues e do të ndaloheshin libra…

Çuditërisht ai ka dhe një poezi për të burgosurin. Parandjenjë? A thua do të përfundonte burgjeve dhe Migjeni? – bisedonim me njëri-tjetrin.  Apo ishte mpatia për më vonë, që do t’i mungonte poezisë? Prandaj dhe ikur. Se siç duket, poetët e vërtetë dinë kur vdesin. Migjeni zgjodhi fundin e një vere të huaj

Ka kaluar java nga ajo datë, 26 gushti, ndodhi 88 vjet më parë. Çfarë thanë, pati artikuj, studime, konferenca, ekspozita? Është dhe 90 vjetori i librit të vetëm me poezi të Migjenit, “Vargjet e lira”. Unë do ta përkujtoj sipas vetes. Trishtimi i ikjes së Migjenit është vjeshta, stina kur shkruhet më mirë për atë.

1. “SI KA MUNDËSI T’I THUHET KJO GJË MIGJENIT”

Kur isha student në Shkodër, shkoja shpesh në shtëpinë ku kishte banuar Migjeni, një muze nën hijen e Kishës së Françeskanëve, që asaj kohe e kishin kthyer në Kinema “Punëtori”, me kullën e Kambanores të shëmbur. Mes relikeve të pakta, më emociononte shumë stilografi i Migjenit…

Mësues në fshat, Lulin e tij të vocër, ashtu të grisur, e shikoja te çdo nxënës.

Migjeni kishte qenë mësues në Pukë. Edhe pse kishte studiuar në Manastir, në fillim në gjimnaz dhe më pas në Seminarin Ortodoks “Shën Gjon Teologu”, ku u përgatit drejt jetës dhe të shërbimit fetar, mbase dhe  prift. I detyruar? Natyrisht që jo. Por nuk e ushtroi atë profesion, ai mori një qëndrim kritik ndaj klerit, institucioneve të fesë dhe punoi si mësues. Ndjeu thirrjen e shkrimtarit, në 5-6 vitet e fundit të jetës së tij u përqendrua në veprimtarinë e të shkruarit. Fat për letrat shqipe…

Kur më arrestuan, vjeshtë ishte e vitit 1979… punoja mësues në një fshat të largët të Kukësit… kishin kaluar 41 vjet nga vdekja e Migjenit… hetuesi më pyeste shpesh, se i pëlqente përgjigjja ime e njëjtë:

– Sa vjeç je?

– Aq sa ç’ishte Migjeni, kur vdiq…

Dhe do të kishte në akuzën ndaj meje diçka që lidhej me Migjenin. Ja, ç’shkruanin akt-ekspertizuersit e poezive të mia, redaktorë shtetërorë të botimeve, antarë të Lidhjes së Shkrimtarëve:

Në poezinë ‘Ç’do t’i thosha Migjenit më 1937’ gjen jehonë një mendim i disa studjuesve kosovarë për «subkoshencën» në veprên e Migjenit («Ti (Migjeni) brenda teje ndjen një ulërime ujku të përzierë me yje «). ‘Gravata s’do të kishte kuptim / nëqoftëse s’do të bëhej litari i varjes’ – si ka mundësi që t’i thuhet kjo gjë Migjenit!

Dhe shpallesha armik më përpara se ta vendoste gjyqi. Dhe në pretencën e prokurorit do të përmendej Migjeni, unë, sipas tyre, i isha kundërvënë vargjeve: “Qeshu, rini, qeshe, se bota asht e jote”. Po kështu dhe në vendim.

“Si ka mundësi t’i thuhet kjo gjë Migjenit” – më kumbon mynxyrshëm ende kjo fjali, kur kishte mundësi të dënohësha me 10 vjet burg për atë që doja t’i thosha Migjenit në një poezi timen. Po e quaj migjeniane. Është në Dosjen Hetimore, e mora nga AIDSSH (Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetitt). Një fetë e daktilografuar, me vizime poshtë vargjeve, me pikëpyetje e X-se, në anë është shkruar me laps: konceptuar gabim. Ta shohim:

Ç’DO T’I THOSHA MIGJENIT NË VITIN 1937

Të vjen keq për fletët e grisura 
                                      të një libri të bukur,
por ç’të bësh kur rrobat o tua janë të reja
dhe të tjerët janë të leckosur, zhele-zhele,
më keq se ëndrrat e tyre të varfëra?
Shih këpucët e shqyera si gojé 
që duan të të hanë. 
Oh, ti brenda teje ndjen 
një ulërimë ujku  të përzjerë me yje
mbi borën e bardhë të vdekjes.
Borsalinës së bukur ke se ç’t’i bësh,
e flak në një qoshe, 
bile mund ta godisësh me shqelm
si një qen të bezdishëm.

Pestaj dihet që rroga e mësuesit të fshatit
është tepër e vogël
në vendin me zotërinj.

Palltoja do plaket, pavarësisht nga pasionet,
këpucët s’dijnë asgjë për rrugët 
që ti ke qejf të shkosh,
ato çahen.
Se si të lehtëson arni i parë mbi kémishë,
pastaj i dyti. Si dy sy  të tjerë
për të parë mjerimin.
Kështu u afroheshe njerëzve
më shumë, më shumë. Gravata 
s’kish më kuptim,
nëqoftëse s’do të bëhej litari i varjes.
Kopsat ranë. Edhe yjet bien.
Ti po leckosëshe si të tjerët. Ç’gëzim!
Oh, dhembje e madhe 
që bota ishte e leckosur!

Kjo poezi ishte pjesë e një cikli për Migjenin, 10-15 poezi, që i kam ende, nëntekstet ishin të qëllimta, ua dija rrezikun, mendoja se mund të kalonte ndonjëra si metafora letrare. Nuk ia kisha treguar kujdo, veç ku besoja e që mendoja se besonin si unë. Në Lushnjën time ia kisha lexuar poetit Faslli Haliti dhe shkrimtarit Halil Jaçellari dhe i pëlqyen shumë dhe m’i kujtonin shpesh, edhe pas burgut.

Nuk e di pse nuk i kam botuar ende. Edhe për të treguar ndikimin e tij ose një mënyrë të vështruari si ai. Ne e donim Migjenin. Tani dhe më  shumë, ndryshe nga atëhere. 

Dhe ja, që kishte mundësi t’i thuhej ajo gjë Migjenit. Edhe të vdekur. Se ai e dinte kur duhej ikur…

2. MIGJENI NË SANATORIUM, NË VERI TË ITALISË…

Kur punoja në Itali, më ka ndodhur të shkoj dhe në Torino dhe në të gjitha herët kam kujtuar me dhimbje Migjenin, për të mos thënë që edhe më është shfaqur fantazmë rrugëve.  

Duhet të ketë ecur nëpër k;eto trotuare, nën portikë, – mendoja… kur erdhi atëhere nga Shkodra… mbërriti në Torino pak para Krishtlindjeve… 1937… Lexoj kujtime… që e priti motra e tij, Olga, studente e matematikës. Kur vëllai i saj i vetëm të shërohej nga tuberkulozi, shpresonin shumë, Torinoja s’duhej të ishte stacioni i fundit i jetës, Migjeni pastaj do të vazhdonte studimet e larta në fushën e artit dhe letërsisë.

Po a do të ketë vajtur Migjeni në “Via Po”, buzë lumit që në shqip thotë “Po”, patjetër do ta ketë vizituar të famshmen “Mole Antonelliana”, sot Muzeu Kombëtar i Kinemasë, do të ketë vajtur në “Piazza Castello”, po dhe në Katedralen e Shën Gjon Pagëzorit… do t’i jetë kujtuar Manastiri… ? Në atë katedrale ruhet që nga viti 1578 Sindona, qefini me të cilin mbështollën Krishtin? Besoj se do këtë folur për to me të motrën, me shqiptarët atje. 

 Kur Kadare erdhi një herë në Torino, jepej një çmim i njohur letrar, isha dhe unë dhe i thashë të shkonim ta shihnim Sindonen e Krishtit, rast i rrallë për ne, po radha e njerëzve ishte tepër e gjatë, a shkojmë te kjo kafe? – më tha Kadare. E ditë tjetër s’kishte më për vizitorët. 

Dhe kujtuam Migjenin… Krijimet e tij kanë një marrëdhënie konfliktuale me Zotin dhe fenë, por kjo nuk është e njëjtë me një deklaratë të prerë shkurt: “Unë jam ateist.” Do të ishte tepër absolute ta quajmë Migjenin të tillë, mendoj.

Shëndeti i tij tashmë ishte shumë i rënduar, lexoj kujtimet. Në spitalin San Luigi, pranë Torinos, ndejti rreth pesë muaj. Vizitat e miqve dhe të motrës Olga e gjallëronin. Bisedonin për politikën dhe madje bënë humor mbi një temë krejt të pazakontë: mizat e ngordhura nga formalina.  

Në një shënim të tij, Migjeni e përshkruan sanatoriumin si një “shtëpi të të dëshpëruarve”. Po ndihej keq dhe po vuante më shumë shpirtërisht.

Migjeni shpërngulet në “Ospedale Valdese”, në Torre Pellice, në Torino prapë. Vendi i pëlqeu, dy ditë mundi të dilte në kopshtin e spitalit, ndoshta në këtë gjendje shkruajti një nga parabolat e tij më të bukura dhe të fundit, “Kanga e trumcakut”, që “tash e kuptoi mirëfilli se duhet të vuejë nga fataliteti i gjanave”. Fatkeqësiht faqja e parë e këtij dorëshkrimi ka humbur. Apo ishte e padurueshme? Ai kishte shkruar dhe “Vetvrasja e trumcakut” dikur… Si kafkiane më duken…

Pastaj Migjeni në sanatorium pësoi një krizë të rëndë dhe iu desh oksigjen. Shëndeti po i përkeqësohej me shpejtësi.

Në këto kohë, tregon e motra,  ai e kuptonte plotësisht se çfarë po i ndodhte… Migjeni mbylli sytë përgjithmonë në Torre Pelice…

Dokumentet italiane të vitit 1938 janë veçanërisht prekëse. Olga dhe kolonia shqiptare e Torinos falënderonin spitalin, stafin e “Villa Elisa”-s, pastorin Giulio Tron që drejtoi funeralin dhe të gjithë pjesëmarrësit. Kishte Pastoral? Duhej? Apo…

Duke u endur nëpër Torino, njëra nga këto rrugë, ndonjë pjesë  edhe mund të merrte emrin e Migjenit, thosha me vete, apo një pllakë mermeri mund të vihej në muret e pallatit ku ndejti a në sanatorium… Ambasada duhet të bëjë ndonjë nd:erhyrje, thosha. E kisha këtë shqetësim… Kam dhe një poezi, vetvetiu më erdhi në shkodrançe… pikat e shiut të Torinos më bëheshin retiçenca pas fjalëve… Dhe e futa në përmbledhjen time me poezi, “Thesaret e frikës”, botuar në Tiranë në 2005. Ja:

FANTAZMË SHIU NË TORINO

…bie shi i huej, të lag njëlloj ……… eci nën portikët
e përsëritshëm… si ditët Niçeja pati të drejtë ………
që vendosi me u çmendë këtu. Po unë i çmendun erdha…
kërkoj nji sanatoriumin … atë t’Migjenit… s’di a asht larg,

…këndej shkohet? Po, andej nga dhimba… M’kamb’?…
Me tren… autobus?…… apo taksi? I vetmi mjet që të çon…
asht loti. …… Varri i Migjenit bosh…….. për t’na kujtue
ndoshta se poetët s’kanë vdekje? Na thoshin

nëpër shkolla kështu… E thonë prapë? Se ata aq shumë
vdesin… ndoshta sa për t’gjithë … Me një arkëmort
mbi supe……… eci… fantazmë shiu… i Torinos…
…………………………………………….. si refugjat i mallkuem…

…………………………………………….. si refugjat i mallkuem…

Fakti që një pastor valdezian ka qenë pranë Migjenit kur po vdiste, më vinte në mendime. Lidhej me zakonet fetare të institucionit apo e thirrën? Sido që të ketë qenë, kjo nuk provon “rikthim në besim”, mund të thuhet. Por unë nuk gjej te Migjeni mohim a mungesë besimi, por atë revoltën e tij ekzistenciale ndaj Zotit. Duhet dalluar kjo, edhe shqyrtuar.

Kur flisja në burg për Migjenin me Dom Zef Simonin, ai kishte njohur dhe Atë Gjergj Fishtën, më thoshte se ai, Migjeni, ishte blasfemist. Por blasfemist nuk do të thotë se nuk beson…

3.LIRIA E VARGJEVE TË LIRA

Në shkollë na thoshin se libri i vetëm me poezi i Migjenit titullohet “Vargjet e lira”, sepse futi me të parët vargun e lirë, ndërsa unë, që gjimnazist, kam menduar se arsyeja duhet të ketë qenë liria e autorit dhe jo forma e vargjeve.

Poezia guxon ndonjëherë dhe më shumë se autori, pra ai, ashtu është ndjerë, kur shkruante, i lirë. Ky mendim m’u përforcua edhe më, kur Profesori i letërsisë me emër turk M. Na tha se poezitë me vargje të lira ishin më pak se ato me strofë të rregullt e me metrikë të përcaktuar, megjithsëse Migjeni nuk është fare rigoroz e nuk i respekton dot ato si Lasgushi. Ia thashë mendimin tim Profesorit të letërsisë, por nuk ma pranoi, madje ngulmoi në të kundërt me një lloj paniku. Atëhere nuk e pata dhe aq të qartë pse, se në kohën e Monarkisë nuk duhej të kishte liri, as për popullin e as për poetët, por shtypje dhe vuajtje dhe censurë. Për lirinë e brendshme as që bëhej fjalë, nuk duhej ta mësonim, kishte vetëm një liri, atë që na kishte sjellë Partia dhe lufta Nacional Çlirimtare. Vetëm në socializëm ishim të lirë. Migjenit censura e kohës së satrapit, Mbretit Zog I, ia kishte ndaluar librin.. Po ai as ishte dënuar dhe poezitë e tij dhe i kishte botuar më parë e më pas në shtypin e kohës. Në shtypin perparimtar, na thoshte Profesori, sepse Migjeni është paraprirës i Realizmit Socialist.

               Në kohë, mbase. Se pastaj s’ka asgjë tjetër… Ka dhe këtë, thuhej shpesh se «Vargjet e lira» kanë qenë të ndaluar, u cesurua dhe vetëm pas çlirimit u botua Vepra e Migjenit, kur “Vargjet e lira” dolën postume, në vitin 1944.

               Po ç’ndodhi me botimin e vitit 1936 që Migjeni e priste me një lloj padurimi? Dhe u shtyp dhe nuk u shpërnda dhe megjithatë dhe e kishin, madje dhe bibliotekat e kohës.  

Po a ka një dokument që të vërtetojë që “censura e ndaloi”? – Kjo pyetje u ngrit në vitet ’90, pas rënies së perandorisë komuniste dhe zhbërjes së diktaturës… 

Studiuesi, Profesor Vehbi Bala, që në vitin 1974 shkruante se në verën e 1936-s “Vargjet e lira” ishin bërë gati për qarkullim, por censura ndërhyri dhe e bllokoi në shtypshkronjë. Studiuesit Dhimitër Shuteriqi dhe Nasho Jorgaqi ndjekin po këtë rrugë zbulimi dhe në të gjitha tekstet shkollore të letërsisë ishte ky pohim: Migjeni u ndalua…

Po është dhe një dëshmi e Arshi Pipës e vitit 1944, sipas së cilës Migjeni vetë e pezulloi botimin, kur tirazhi prej rreth 1,000 kopjesh kishte përfunduar, por libri ende nuk kishte kopertinë dhe indeks. 

Po në këtë vit Mitrush Kuteli jep një shpjegim tjetër,  ai e lidh mosdaljen e librit me ndryshimin e situatës politike. Sipas Kutelit, kur Migjeni e çoi librin në shtyp, kishte një klimë më liberale nën qeverinë e Mehdi Frashërit, madje ajo quhej dhe “Qeveria e të rinjve”. Por dhe qeveria e mëpastajme, ajo Kostaq Kotes nuk është se bëri ndonjë kthesë kushediçfarë, sepse edhe kjo qeveri ishte nën autoritetin e Mbretit Zog. Megjithëse klima u bë më pak tolerante ndaj opozitës dhe liria e shtypit u ngushtua.

Sipas disa burimeve të tjera,  thuhet shprehimisht se bllokimi i “Vargjeve të lira” lidhej me shlyerjen e pagesave/faturave të shtypshkronjës, dhe se nuk gjendet në arkiva dokument që provon censurën, por dhe as të kundërtën.

Një mik i Migjenit, shkrimtari Lazer Radi, që mbas burgut dhe internimeve të gjata, kur bie komunizmi, del vepra e tij e plotë, mes të cilave dhe “Një verë me Migjenin”, shkruan:

“…opinioni shqiptar ishte njoftue publikisht për botimin e librit “Vargjet e Lira”, qysh prej fillimit të prillit. Lajmrimi qe shpallë prej revistës “Illyria” në dy numrat e saj: 51 dhe 52, të datave 11 dhe 18 prill 1936.

Botimi po vononte dhe lajme atje në Pukë ku ishte mësues Migjeni,  s’vinin. Lazri, edhe me porosi të Migjenit, niset vetë të pyesë në Tiranë, në shtypshkronjën “Gutenberg”, pronarin dhe drejtuesin e saj, z. Ismail Osmani.

“..askush s’ka ardhë ma me pyet, e m’u interesue për librin…”, tha ai. Pra,  “…censura e kishte ndalue botimin e vjershave”. Po urdhëri kishte ndonjë shkresë apo ishte gojarisht? “Vepra s’mundet të qarkullojë… dhe shtypshkronja asht vu nën kontroll”, – shpjegoi botuesi..

Megjithatë Lazër Radi, siç shkruan, ka fatin të marrë prej tij, të lidhura, 5 kopjet e para të librit të Migjenit.

Si çdo shkrimtar i madh, edhe Migjeni  do të ishte shqetësues qysh në fillimet e veta. Gjithë risi dhe revoltë, ironik, blasfemues me tempujt dhe institucionet bashkë, me priftërinj e hoxhallarë, me deputetët e deri dhe me median, do të kishte kundërshtarë dhe që nuk do ta donin veprën e tij.

 Me interes është një deklaratë e motrës së Migjenit, Ollga Nikolla (Luarasi), në korrik 1947, ku ajo vërteton se botuesi Mal’Osmani kishte bërë në vitin 1944 botimin e Vargjeve të lira, në 3.000 kopje, për llogari të saj. Është po ky botues i 1936-s, që duhej të nxirrte1.000 kopje dhe asnjë e tij e mëparshme nuk e dokumenton ndalimin nga censura, por dëshmon procesin e përgatitjes së librit për botim.

Unë besoj se shtypshkronja atëhere, pronari i saj, sigurisht ka dëgjuar pakënaqesitë e atëhershme zyrtare dhe jo zyrtare, fjala mund t’u ketë vajtur edhe si urdhër verbal dhe duke mos dashur të shtojnë telashe për vete, as për Migjenin, – ndërkaq s’ka dokument që pritej pagesë tjetër, që Migjeni nuk ka qenë korrekt me shumën e caktuar siç nuk ka dhe urdhër për ndalimin politik, – dhe libri kështu ka pritur në magazina, i ndaluar pa u ndaluar, i lirë pa qarkulluar lirshëm, ndërronte qeveria e libri po aty, edhe mund ta gjeje dhe s’kishte ku ta merrje, në bibliotekë po… etj, etj, dhe Migjeni ikën nga kjo jetë, një humbje e madhe për letrat shqipe, vjen Lufta II Botërore dhe libri (ri)del. Në kohë robërie “Vargjet e Lira” do të ishin të lira.

Tirana e asaj kohe është me të vërtetë interesante, madje dhe e mrekullueshme herë pas here. Si armë lirie do të përdorej dhe libri. Shtoheshin lëvizjet klandesine, themeloheshin organizata e parti, por hapeshin dhe librarira. Bashkëkohësja e Migjenit, shkrimtarja Musine Kokalari, i nxori librat e saj gjatë pushtimit, në kohë lufte, Migjeni s’ishte më. Edhe ajo do të burgosej dhe do të përndiqej gjatë gjithë jetës së mëpastajme.

Kishte ardhur Realizmi Socialist.

4.KANGA E TË BURGOSUNIT

NGA MIGJENI

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme

shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë

edhe shof diellin sa një pare serme

– aq larg asht qielli nga e emja gropë.

E kjo gropë e eme e ka emrin burg.

E dini se burgu nuk asht për dëfrim.

Prandaj burg’ i em asht shum i ultë

dhe më bani palmuç dhe më mbyti në trishtim.

Hekrat e kryqzuem dhe ndërgjegj’ e eme,

dy anmiq të betuem, luftojnë dit’ e natë;

por hekr’ i fortë  e mund ndërgjegjen teme

dhe në dëshprim përplasem si një qen i ngratë. 

E kur nata vjen dhe xhixhillojnë hyjt

gëzohem fort,  se hekrat nuk m’i kryqzojnë syt’,

por t’u sjellmen mbrapa shof dritën e smutë

edhe hijën teme tu’ u zgjatë në murt

si një kërcnim ligji, posi një dajak.

Dhe atëher tërbohem dhe urrej pa masë                                      

dritën, hijën, vetën, muret edhe hekrat

edhe e ndjej vetën lua të ndryem në kafas.

Nëpër hekra të kryqzuem të dritores seme

shof qiellën të coptueme  në katërdhetë copë

dhe zemra e eme ndien po aq të breme

n’mes të katër murve si në një gropë.

Parandjenjë, empati? – pyes prapë. Thelbi nuk është vetëm burgu fizik, mbyllja dhe trishtimi, poshtërimet, por dhe lufta mes ndërgjegjes dhe mureve, që shpesh ishin më të mëshirshëm dhe më mbrojtës se njerëzit.

Poezia e Migjenit merr një aktualitet të hidhur. Hekurat e burgut mund të vazhdojnë të jenë në ndërgjegje dhe të atyre që mund të mos kenë qenë në burg, në kujtesën kolektive, në fjalë dhe në mënyrën se si shoqëria i sheh dhe i trajton ata, që e përjetuan burgun, hekurat janë dhe në marrëdhënie..

Migjeni na flet kështu për njeriun që i është copëtuar edhe qielli dhe burgu nuk është vetëm hapësira e mbyllur, por dhe gjendje shpirtërore. Një shoqëri edhe mund t’i heqë hekurat e burgut, por mund të vërë hekura të tjerë: harresën, përçmimin, heshtjen dhe mosmirënjohjen.

Burg është edhe kur të mohohet e vërteta dhe është dënim prapë harresa e qëllimtë e dashkeqe.

               Liria e mendimit nuk duhet të kthehet në goditje ndaj atyre që u burgosën per mendimin e lirë.

Një Ish-i burgosuri politik nuk është një relike e së kaluarës, por dhe dëshmitar i gjallë i asaj që ndodhi, – edhe për ty. Dhe një shoqëri që praps dëshmitarët e saj, rrezikon të kuptojë dhe pse duhet liria.

               Poetët vdesin, por që të mos vdesë dhe poezia e tyre, është detyrë e të gjallëve.

5. NJË PYETJE SI EPILOG;

– Kafka dhe Migjeni? –

Vonë, kur u lejua dhe mund të gjenim libra të Franz Kafka-s, shumë parabola më ndërmendën Migjenin tonë, skica të tij, po ajo estetikë mynxyre e tronditje, dhimbje dhe sarkazëm. A e kishte të njohur Migjeni Kafkën, sado pak, veprën e tij dua të them. Sikur gjej dhe ngjashmërira…

E pyeta dhe mikun e Migjenit, Dr. Lazër Radin. Jo, më tha, me të drejtë, Kafka nuk dihej atëhere. Po ka njohje pa u njohur siç ka mosnjohje duke u njohur.

Ndërkaq interesi botëror për shkrimtarin Franz Kafka filloi pas vdekjes së tij, në vitet ’30 – ’40 të shekullit të kaluar, teksa fama i rritej, Migjeni po shuhej dhe nuk besoj se ishin kushtet që ta gjetur atë, por diçka e fshehtë, mistike, diabolike dhe e shenjtë njëkohësiht, i përbashkon, kam menduar, koha përcjell dhe unë besoj në emigrime idesh, subjektesh, metaforash… vetëvrasja e trumcakut… dërri i kënaqun… shndërrimi në insekt… 

Dhe më përafrohet shpesh Migjenin me Kafkën.    

Dy jetë të shkurtra, dy vdekje larg vendlindjeve, të dyja nga një sëmundje e pashërueshme atëhere..

Franz Kafka vdiq në 1924, në moshën 40-vjeçare, në sanatoriumin e Kierlingut, pranë Vjenës, i prekur nga tuberkulozi, Migjeni 14 vjet më vonë, vetëm 26 vjeç, në sanatoriumin “San Luigi” në Torre Pellice të Italisë, gjithashtu nga tuberkulozi.

Të dy shkruan për vuajtjen dhe vetminë… dhe për absurditetin e ekzistencës. Dhe, ndoshta më e trishta,  të dy nuk e panë plotësisht madhështinë që do të merrte vepra e tyre pas vdekjes.

Dy zëra të ndryshëm, por me një fund të ngjashëm, që besoj, ngjashmëri të mëparshme të sjellin në terminale të njëjtë. Letërsitë e tyre  mbetën shumë më gjatë se jetët e tyre. Ka diçka të pashërueshme dhe te letërsia.

Po Migjeni, pra, a mund të quhet “Kafka shqiptar”? E për se? Megjithatë, do të ishte  interesant mbase, të vazhdonim me krahësimin Të dy kanë një ndjeshmëri të fortë ndaj tjetërsimit të individit, kanë një atmosferë të rëndë ekzistenciale, përballjen me një realitet që shpesh është shtypës dhe pa rrugëdalje. Të dy kanë një gjuhë që, në mënyra të ndryshme, sfidon optimizmin dhe romantizimin e jetës. Kafka është tmerrësisht i ftohtë dhe i zymtë, i pashpresë, Migjeni ka rebelim, pra më shpresë, të dyve u dhimbet njeriu, deri në copëtim zemre. 

Për Kafkën nuk mund të thuhet se ishte ateist, nga që s’ishte besimtar tradicional. Edhe ai shpreh dyshime, makth dhe ndjenjën e largësisë ndaj Zotit, që e ka dhe Migjeni, mbase më shumë.

Por dallimet mes tyre i kanë edhe më  të mëdha. Kafka është më absurdist, dhe alegoria e tij s’duket, është vetë realitet(i), ndërsa Migjeni është më social dhe i drejtpërdrejtë në kritikën ndaj varfërisë, hipokrizisë dhe padrejtësisë shoqërore.

Natyrisht Migjeni nuk është Kafka shqiptar, por në letërsinë shqipe ai mund të shihet si një shpirt i afërt me Kafkën më shumë se me këdo pranë. A ngjan me ndonjë Ballkanas? Me kroatin Miroslav Kërlezha, thonë. Po unë nisem dhe nga vdekja. Se si vdes tregon dhe si ke jetuar. Kërlezha jetoi më shumë se Kafka dhe Migjeni bashkë, etj, etj. Të cilët rrethoheshin nga një botë që nuk i ofroi as pleqëri e as shumë shpresë.

Kafka e vendosi njeriun përballë alienimit. Migjeni e vendosi përballë mjerimit. Kafka tregoi njeriun që gllabërohet nga një botë e pakuptueshme dhe e  pamëshirshme. Migjeni tregoi njeriun që përplaset me një shoqëri të varfër, shtypëse dhe kuptohet, të pamëshirë. Te Kafka, njeriu s’ndryshon po të kërkojë të dalë nga labirinti, te Migjeni njeriu kërkon të dalë nga mjerimi, më saktë autori, që dhe e ndjen diellin alegorik. Por të dy kanë atë ndjenjën e fortë të ankthit dhe pamundësisë për ta ndryshuar botën. Ndjehen viktima? Personazhi i njërit ndjehet i lodhur nga dinjiteti, personazhi i tjetrit s’e di si është dinjiteti.

Dhe këtu qëndron paradoksi i madh: edhe pse Migjeni nuk do ta ketë ditur fare se kishte Kafkë, ashtu të ndarë nga mosnjohja, nga gjuhët, kulturat, rrethanat, të kaluarat, por ka një çast që nga dritare të ndryshme ata panë të njëjtën plagë njerëzore si një trëndafil të sëmurë në kopshtin e sanatoriumit.

Dhe s’ka pse të ishte Migjeni Kafka shqiptar, madje as dishepull i tij, që të ndjente të njëjtën errësirë ekzistenciale, vetë e arriti përmes një udhe shqiptare.

Fat që shkruajtën.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË