Nasi Lera është njëri nga prozatorët tanë bashkëkohorë më të shquar. Me një varg përmbledhjesh me tregime, novela dhe romane të botuara, ai e lartësoi dhe e pasuroi prozën tonë nga rrafshe dhe aspekte të ndryshme.
Kur i qasesh dhe vendos ta vlerësosh veprën letrare në prozë të Nasi Lerës, atëherë mendimi i parë që të lind doemos është se ajo është fryt i një pune dhe zotimi të vijueshëm për rreth 60 vjet; një krijimtari që në qenësinë e vet bën jetën e vetë autorit. Ajo ka shkuar duke u pasuruar e duke u ngritur pikërisht në rrafshin e artistik e të gjallërisë së komunikimit që ka nxitur dhe nxit në vazhdimësi me marrësin.
Nasi Lera është ndër shkrimtarët tanë të rrallë që di pse shkruan dhe di çka shkruan. Vepra e tij është e lidhur me botën tonë; e shpreh poetikisht këtë botë dhe i kthehet po kësaj bote nëpërmjet artit dhe komunikimit që nxit teksti.
*
Me vepra e botuara me tregime, me novela[1] dhe me romane Nasi Lera e pasuroi dhe e lartësoi prozën tonë, duke dëshmuar në mënyrë konkrete për një botë poetike sa të veçantë aq dhe të pasur[2].
Nasi Lera nga fillimi e deri më sot punoi e krijoi në heshtje, larg grupeve dhe qarqeve të bashkuara me qëllime të caktuara; krijoi vepra të mirëfillta që vetvetiu u bënë pjesë e jetës letrare të botës sonë, që meritojnë të njihen në përmasa sa më të gjera në mënyrë që të bëhen edhe më shumë pjesë e jetës sonë dhe e komunikimit poetik. Njohja dhe ndriçimi thellësor i vlerave të veprave letrare të lartësuara poetike është në të mirë të vetë artit tonë letrar për arsye se vetëm ato heqin peshë dhe i përligjin – përcaktojnë vlerat e mirëfillta dhe vënë drejtpeshim në letërsinë e secilit popull.
Romanet e tij dëshmojnë një rrafsh të lartë të vlerave poetike, përkatësisht bukurinë e të shprehurit përmes gjuhës, përmes fjalës, po dhe pjekurinë dhe artin e madh të romanit tonë në përgjithësi. Përkundër faktit se secili prej romaneve ngërthen vlera poetike të veçanta, ato përligjin një botë poetike të mëvetësishme, një sistem të shprehur të pasur të përftuar me përkushtim.
Në këtë rrjedhë po përmend sidomos romanet “Nata e premierës”, “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr”, “Të gjithë premtojnë Parisin” që dëshmojnë shkrimtarin e denjë jo vetëm të kohës sonë.
Përmes strukturës së tyre tekstore poetike Nasi Lera i përjetëson kohën dhe rrethanat në përbërësit më të rëndësishëm; gjurmon në thellësinë e dukurive e të botës së njerëzve; vrojton dhe zbulon të veçantat dhe të fshehtat; të mirat dhe ligësitë, pësimet dhe tragjikat; zhgënjimin, përbuzjen; shprishjen shpirtërore dhe vetëdijen e trazuar, shpesh të fjetur edhe të përmbysur.
Me mënyrën e qasjes dhe të shqiptimit poetik të botës e të dukurive të saj, me artin e rrafshit të lartë që i cilëson romanet e tij, përmes rrëfimit poetik Lera shpreh tundimet e mëdha të frymëmarrjes në të tashmen tonë dhe, përmes artit, i drejtohet të sotmes e të nesërmes.
Veprat e tij në prozë nuk janë kritika të zhveshura dhe të mbushura me retorikë, po vëzhgime thellësore, ndriçime dhe ballafaqime të realitetit para dhe pas rënies së sistemit komunist në Shqipëri, ku kujdesi më i madh i kushtohet tekstit, të cilin autori e përfton dhe e ndërton me përkushtim. Si i tillë ai ka të gjitha cilësitë për të bërë një ndikim estetik të shumëfishtë në marrësin.
Është e njohur se qenësinë e një vepre letrare të krijuar nga shkrimtari e përcakton para së gjithash mënyra e shqiptimit të asaj që bëhet objekt vëzhgimi poetik; gjuha që përdor, përkatësisht sistemi i të shprehurit; mënyra e ndërtimit dhe e formësimit të tekstit dhe shumësia e mendimeve që e cilësojnë atë. Me fjalë të tjera, është stili që e përdor shkrimtari ynë për t’i shprehur dukuritë, për të shpalosur thelbin e marrëdhënieve shoqërore, ndikimin e tyre në botëkuptimin dhe në shpirtin e individit; përftimi i tablove poetike që ngërthejnë një shumësi simbolesh e metaforash; ballafaqimi, kundërvënia dhe kundërshtimi i botëve konkrete me atë përfytyruese; i botës subjektive të personazheve përballë mjedisit ku jetojnë dhe veprojnë; kundërthëniet dhe pësimet që ngjasin në dy rrafshet: individual dhe kolektiv.
Shkrimtari që në veprat e veta ia del t’i harmonizojë, t’i ngjizë e t’i përmbushë këta përbërës dhe këto veçanti të qenësishme të veprës letrare si krijesë poetike, siç ngjet në veprat e Nasi Lerës, i siguron vetit vendin në kopshtin e artit të pavdekshëm, siç e theksonte me plot arsye nobelisti peruan, Maria V. Llosa “[…] midis prirjes për t’i ikur botës dhe jetës reale dhe për t’u hedhur në botën e përfytyrimeve dhe ushtrimit konkret të letërsisë, shtrihet një humnerë që shumica e qenieve njerëzore nuk arrijnë ta kapërcejnë dot kurrë. Ata që e kapërcejnë këtë humnerë dhe që, përmes fjalës së shkruar, bëhen krijues botësh, janë shkrimtarë, pra, ajo pakicë që ka mundur t’i përforcojë prirjet apo tendencat në saje të ushtrimit të vullnetit, të cilin Sartre e quante zgjedhje[3]”.
Në hartimin e tekstit poetik Nasi Lera nuk ndjek një model; nuk u përmbahet rregullave dhe ligjësive të jetës konkrete, po i jep jetë imagjinatës krijuese dhe përmasës artistike. Vepron në këtë mënyrë për ta zgjuar vetëdijen e për të zvogëluar ose për ta zhbërë shkretëtirën shpirtërore. Parim i shkrimtarëve të mëdhenj.
Pra, të shprehurit e veçantë dhe të pasur poetik i ka mundësuar Nasi Lerës të gërmojë e të depërtojë në thellësinë e gjërave e të dukurive, t’i afrojë e t’i njësojë ato përmes rrëfimit, qoftë kur janë të botës konkrete, qoftë të botës së përfytyruar, imagjinative.
Një botë tërësore shprehëse poetike vërehet veçmas në romanet “Ana Zh”, “Të gjallë dhe të vdekur” dhe “Kishim një ëndërr” përligjet përmes ëndrrës, ëndërrimit të personazheve. Sido që t’i marrim, ëndrrat janë të nevojshme në kohët e tilla, të vrarë në sy, siç do të thoshte poeti, Visar Zhiti[4]. Nasi Lera vepron në këtë mënyrë për arsye se kur personazhet jepen pas ëndrrave, vënë një drejtpeshim mes përditshmërisë dhe asaj që duhej e mund të ishte. Ëndrra është gjakim i asaj që synohet; brenda saj përmbushet çdo dëshirë. Kur mungojnë ëndrrat, atëherë jeta, pa i ardhur fundi i njëmendtë, ka vdekur: “S’ka brez më fatkeq se brezi të cilit i vdesin ëndrrat”.
Ëndrra i shërben shkrimtarit tonë edhe për të ndërtuar një realitet tjetër nga ai konkret; për t’i dhënë jetë përfytyrimit, për të ngadhënjyer mbi dëshpërimin, marrëzinë, heshtjen, vetminë, mbi kotësinë dhe frikën përballë vdekjes. Në këto raste edhe të shprehurit poetik merr përmasa të tjera dhe synimi i autorit që vepra e tij të jetë sa më poetike përmbushet më natyrshëm dhe në mënyrë më të plotë.
*
Krahas çështjeve të përgjithshme që u përmendën dhe e cilësojnë prozën e Nasi Lerës, secila vepër e tij mbrun në vete mëvetësi dhe vlera, të cilat duhet të vështrohen dhe të interpretohen në veçanti.
[1] Nasi Lera, Përtej dritares ishte nata. Tregime dhe novela. Onufri, Tiranë 2021.
Shih dhe Nasi Lera, Frynte shumë erë. Tri novela. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, Beqir Musliu, Gjilan 2023; Nasi Lera, Tregime të zgjedhura. Zgjodhi, përgatiti për botim dhe parathënien Anton Nikë Berisha. Beqir Musliu, Gjilan 2024.
[2] Shih pë prozën e tij librin tim Nasi Lera prozator i kryeveprave poetike. Shtëpia botuese Argeta LMG, Tiranë 2025.
[3] Mario Vargas Llosa, Letra një shkrimtari të ri. Përktheu: Engjëllushe Shqarri. Onufri, Tiranë 2008, f. 10 – 11.
[4] Shih përmbledhjen e Visar Zhitit, Kohë e vrarë në sy. Poezi e zgjedhur. Zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha, “Rilindja”, Prishtinë 1997.


