KreuLetërsiBibliotekëNdue Dedaj: Ati ynë që je në tokë

Ndue Dedaj: Ati ynë që je në tokë

DITËLINDJE

Më shkrep të gjej fjalët e një urimi
Ditën e të lemit tand në bjeshkën e bortë
Të shkruaj, si këso rastesh, një kartolinë…
Asht fillim prilli, po vijnë Pashkët,
Çfarë mund t’i thuash më shumë njeriut
Se fjalët e Zotit – në ringjalljen e tij?


ME TË DASHT TY

S’e njoh gjithësinë si nji lundrues qiellnajsh
Me tejqyrat ngritun mbi grataçelat e nalta,
S’e di nëse toka sillet rreth diellit a dielli rreth tokës,
Apo secila prej tyne asht thjesht nji lodër?…

S’e di nëse mesnata asht fundi a fillimi?
Sa gjana të tjera s’di e s’kam me i ditë kurrë
S’mi thotë tejqyra ngado ta kthej hapsinës,
Aq ma pak kur shoh si andrrimtar kah qielli,
Jo për gja, po me dasht ty asht çeshtje shpirti
Në tokë, mes drandafillesh, jo mes yjzish!

Me dasht ty do me thanë me kcye vals
Deri në krye të ditës, deri në muzg të jetës.

Grue ti e ban botën të rrotullohet rreth teje,
Pa ty ajo s’do të kishte ditë me qesh,
Thuej po deshe që s’je i vetmi planet?


MOSKOHË

Të shoh si ecën me hap të shpejtë
Udhës së qytetit shtruar me gur të shkrue,
Gjithnjë vrikon të njëjtës rrugë, përditë,
Ku shkon si një drenushë e hutueme?
Askush s’të pret prapa muresh veç meje,
Askush s’të lanë me shkumën e detit
Pos duarve të mia që zgjatën në pafundësi,
Të të rrokin për mesi si një shtojzovalle.
Nxiton të mbërrish diku në moskohë
Ku bota nuk shihet, por është po ajo…
U mësuam me këtë ritual pagan,
T’i ikim njëri-tjetrit, a thue se jemi në faj?
Si mundet kjo mos me qenë dashuri!
Ngado që të shkosh e sado të mos vish
Ti je prapë ajo e para, je ti…


LUL(J)A E RUBIGUT
Fabian Barkatës

Ku je? Unë të njof. Ku më paske humbun
Askush nën kët’ shkrep s’asht se ti ma e bukur!

Lulja nuk mund të bahet nuse më thanë
Askush s’mund të thirret dhandër prej saj
Lula asht zanue prej zanës së Velës,
Do ta mbysin me gurë si Maria Magdalenën,
Jo njerëzit, se ata janë makatarë si ajo
Po shtrigat a kulshedrat a katallanët
Qeniet e frikshme me nji sy në ballë!

Nuk mund të hysh për Lulen dorëzanë
S’mundesh me e shpëtue për të gjallë,
Veç për së vdekuni mundesh, hinin e saj!…


ATI YNË QË JE NË TOKË

Ati ynë që je në tokë,
po të lutem si i lutej Ndoc Gjetja
Tën’Zot – ani se ti je rob.

Rueje shpirtin nga t’zhigatunit
nga erenitë zemrake lindun prej gjakut
nga hajnat e bracat për çdo ferrë,
rueje në ballë një gisht nder…

Po të lutem ty që nuk je zot
rueje shpirtin nga shkimja e virtytit,
rueje gjakun mos të bahet uji,
ruejna nga qoftlargu me vulë.

Ati ynë në tokë – që je unë
lutu që i mbinalti At’ i qiellit
mos të na lë në anën e hijes…


MOLLA E NJUTONIT

Ajo kokërr mollë
shkëputet nga dega si një meteor
e bie lehtë në dorën time
e kuqe, e verdhë, e gjelbër,
unë asnjëherë s’e mbaj për vete
ta hedh ty në prehër…

Nuk di si do të kishte qenë
nëse molla s’do më binte mua
si një globth në dorë
po do ngjitej drejt qiellit,
me siguri do zihesha me Njutonin,
ku të gjeja për ty një tjetër mollë?

Mollën e Adamit e kishin ngrënë
gjith’ njerëzit para nesh me babëzi…
Atë mollë që tash sa mot
ti e ndanë me mua përgjysmë,
i pandërruar ky ritual
kjo alkimi…

Këputet ajo kokërr mollë
e bie në sytë tanë si një meteor;
të mos binte në tokë si farë,
njeriu do të mbytej nga vetvetja
ngase s’do të mundej
me ra në dashuri.


KANTATË E RE
Besianit

Ti ecën nëpër tokën “me gjuhë të fshehtë”,
Kozencë, Shën Mitër Koronë, San Cosmo Albanese,
Gjithkah me fytyrën e të madhnueshmit Skanderbe,
Ti e njeh atë gjuhë, asht folja jote e lisit të gjakut
Shkojnë e vijnë zogjtë e detit tash pesëqind vjet.
Ka ardhë sot për ty i madh e i vogël arbëresh
Milosao degën e ullinit ta lidh mbi krye kunorë,
Burrave iu qet kupat me venë të kuqe Kalabrie
Rina sajdis vashat me kanistrat plot mollë…
De Rada përkulet mbi regjistrin dymijëvjeçar
Shkruen solemnisht përgamenën tande dyzet e nji
Asnjëherë nuk kryen Rapsodia e tij…

25 shtator 2025


KA MUNGESA

Po ecja qytetit mesit të majit
ndërmend ktheva kryet anash
andej kah duhej të ishe ti,
u nisa të ngjisja shkallët…
ndoshta mes nesh kishte mbetun
pa u thanë ndonji amanet,
s’kishin mjaftue njëqind vjet,
ndoshta moti po mbante i vranët
e ti doje diell për ne në çdo hap,
porositë tua ndoshta s’kanë krye
e s’kanë me krye asnjiherë –
treqind e gjashtëdhetë e pesë ditë
s’qenkan asgja për mungesën tande,
ka mungesa që gjithë jetën
s’do të mësohemi me to…

15 maj 2026


ALEKSANDRI I MADH

Kaloj përherë rrugës “Aleksandri i Madh”,
I lagjes tonë të re ai ngjanë si nji kumbar,
Kundrojmë lëvizjen e pluhunt nën Dajt,
Ai si perandor i rruzullit, ne si qytetarë.

Nuk jep konferenca shtypi për ngjarjet n’botë,
Ani se i di të gjitha dhe ka shumë se ç’thotë,
Vizitën e presidentit amerikan Trump në Pekin
Turrin për te Xi Jinping të shefit rus Putin.

Kështu e do gara, maratona e luftës e paqes
Si mos të mbyten në Hormuz fuqitë e naftës,
Si mos të bien predhat breshën mbi Hiroshimë
Si të lindë dielli me rreze prap mbi Ukrainë.

Çelin mimozat, harlisën degët, bien gjethet
Rroposën në vetvete shekujt para e pas Krishtit;
Ai mbërthye në një tabelëz në Unazën e Re
Mes blinëve e rrapeve djersitun prej trafikut.

Kaloj herët e vonë rrugës së Lekës së Madh
Si gjind epokash rrufisim kafet në të njajtin bar,
Ne qeshim pa shkak – ai i menduem si Aristoteli:
Ah të mund ta endnit botën si Homeri!…

Tiranë, maj 2026


TAKAT BLU

Mund të ndodhë mos me u njoft ma për fytyrë
Nga pluhuni i moteve mbi flokët tanë ngjyr’ar,
Mund të ndodhë mos me u njoft nga ecja si dikur
Kërrusja e lehtë e shtatit si shelg lotues,
Por do të njof patjetër nga zani yt i gurëzuem,
Sytë sy kroje të kulluem ahesh bjeshke,
Muzika e takave blu nëpër korridor
Që më shumë ikën se vjen tek unë…


U TUTA

Të kam pa veshun me të gjitha ngjyrat,
të shkonin aq shumë, të rrinin aq bukur,
po sot të pashë me një xhaketë të purpurt
dhe u tuta, zemra si asnjëherë m’u drodh
nuk due që këmishën tande të pikturueme
ta veshë një stinë, që nuk asht e jona…


FRYMË

Në tapinë time s’ka asgja landore
kurrfarë sendesh që shiten e blihen
mademe vezullues e vreshta si të Dionisit,
përrenj malor që kërcejnë shkrepave si ketrit
dete të gjallë kumbues e dete të vdekun
ara që mbillen me grurë e kallamoq,
toka që pushtohen mbi e nën dhé
kufij që vihen ditën e prishën natën –
në bujtinën time me flatra tingujsh
pres e përcjell kalorës të lashtë e rinj
të kësaj bote me lahutë e xhaz…


LUFTA E TRETË
(rapsodi moderne bese)

Mbas Luftës së Parë, Luftës së Dytë,
Luftave që vrasin tokën e qiellin
Javë për javë, ditë për ditë, orë për orë
Shiut të përgjaktë si atëherë n’Trojë
N’mëni të dragojve e kulshedrave –
Due me i marr gjithë njerëzit në besë,
T’i mbështjell mes krahëve Ajkunat,
Omerët e sapolindun t’i ruej në gji…
Djallit t’ia heq gishtin nga kambëza,
Globit i asht hollue aq fort lëvozhga
Sa mundet me iu thye si një vezë…
Kurrë mos pastë gurgac, unur e eshkë
Me kall t’nemunën Luftë të Tretë!


KOHË PASHKËSH

A i ndjen si këndojnë krushqit e lahutës?
Ata kanë ardhë nga larg për ne
Shtegtojnë Egnatias nga era e re.

Ah të ishin ato motet tanë të dikurshëm
Do kisha marrë detin në kambë si Serembe,
Ani se lirikat do i përpinin dallgët…

S’mbahet mend qysh se jemi dashtun,
Po afron me u mbush një faqe njéri
Nën këtë diell të pagëzuem në shi.

S’e dimë dhe sa lule do mbajmë në duer
Sa shira do na lagin, sa erna do na terin,
Sa eshkë me unur e gurgac do ndezim.

A i ndjen si këndojnë krushqit e lahutës?
Ata kthehen veç për ringjalljen
Shtegtojnë e s’ndalin nga era e re…


TRANDAFILA

Ka humbun era e luleve parqeve të blertë
Lulishtarët tash rrisin lule të ftohta pa erë,
Kanë humbun nuhatjen dhe qentë e rrugës
Ndihet veç era e Kopshteve të Babilonisë!…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË