KreuLetërsiBibliotekëArben Bllaci: Tabuti i Kristo Kromidhës (tregim)

Arben Bllaci: Tabuti i Kristo Kromidhës (tregim)

Sikur të mos kishte qenë porosi e Leko Lekut, atë punë s’do ta merrte përsipër sikur ç’të bëhej. Jo lekë të qenë, po edhe shinik me flori të paskej qenë! Qe palca e korrikut. Perëndia sikur i kishte vënë saçin dheut ta piqte si lakror. Edhe hijeve të gurrës e lisave të Korijes së Madhe të shullëheshe për qejfin tënd, prapë do të zihej fryma e do laheshe në djersë e në sëkëlldi. S’qe parë i tillë korrik që kur se mbahej mend behar atyre anëve.

Mirë po fjala e Leko Lekut nuk kthehej kollaj.

Të dielën e fundit të muajit u martuakej Gole Ligëtira.

“…I ka mbetur vetëm dollapi pa marrë për dhomën e gjumit. Copa-copa nuk mund ta bjerë, se Çanua s’është për punë hafife… Gjer në gjysmë të rrugës, në rrëzë të Topullaraj, do ta bien me një makinë. Ia bëri hall dhëndri që kemi në komitet. Ç’mbetet gjer në fshat…”

– Rroftë kurrizi i Kiços… – u tall me veten Kristo Kromidha. – Me këto ta ha kokën ky. Ec e prishja, po ishe burrë! – i tha vetes me mendje të ndarë.

* * *

Punëtorët e komunales e kishin shkarkuar e lënë në një si ledh të lartë dollapin e madh. Farfurinte në diellin që qe ngritur dy hostenë, ashtu puthitur me rimeso arre e mbytur në lustër. Dukej punë për merak.

“Për dhëndër aq…”, tha me vete dhe mori samarin.

Ngriti kokën në të përpjetën e Topullaraj, si ta maste me sy e të bënte hesap në i arrinte apo jo takati për t’i dalë në krye.

“Sikur i ka vënë dreqi shpatullat në themel dhe e ka ngritur sot…”, tha me vete.

U habit që Topullarajt iu dukën më të larta e më thikë se ç’qenë zakonisht. Ndjeu angështi që nuk i pëlqeu.

“Akoma pa vënë kurrizin barrës i mbushe poturet, o Kiço ziu…”

I kishte folur vetja, se rrotull s’kishte frymë të gjallë.

Samarin qepur e mbushur me kashtë për merak, ia pati punuar samarxhi Saraf Sinoimeri. E kishte dyqanin në të sosur të sokakut që zbriste nga Varoshi, atje ku zinte fill zallishtja.

Qe bërë si i derdhur për Kristo Kromidhën. Kish dhënë e kish marrë andej këtej, po më në fund i qe dorëzuar hamallëkut si zanat. Nxirrte shumë njerëz nga thileja në ato tri copë fshatra ngjeshur brinjë më brinjë prej një jete të tërë. Qe bëra rruga e madhe ndanë luginës së Drinos, gjer në Shën Todhër, po fshatrave s’kishte rrugë të shkonte makina. Shkonin vetëm kafshët dhe Kristo Kromidha ngarkuar si ato, po ndryshe nga ato, ecte në dy këmbë, jo në katër.

I shkoi krahët samarit. Kohën e mori era që fryu në luginën e Drinos. Po pllakoste mesdita, pika e vapës. Zhuzhë e ndezur. Në brinjat e Topullaraj të çante “zhzhzhxhzh…” e cinxurit. Milingonat tërbonin nëpër vilarët e lyer me lëngjet e tyre si me tutkall nëpër shtufin që nxirrte tym.

– Hajt, në këtë botë sekush ka punën e vet. Unë kam timen. – mërmëriti me zë.

Iu qas ledhit, e mati me sy.  Dollapi duhej ruajtur nga drizat dhe degët e thata të shkozave që dilnin mbi ledhe, gjer në rrugën ku do shkonte Kristua ngarkuar që zinte gjerësi sa për dy kafshë barre bashkë.  Dollapi duhej shpurë, po duhej shpurë i paprekur, se ndryshe sa para bënte e shpura.

Në feksëtirën e rimesos dhe lustrës pa veten në këmbë. Në mjegull nga dielli që i binte drejt dhe i deformuar e si në tym, po prapë dukej.

Rrallë herë i rastiste të shihej në pasqyrë, ashtu në këmbë. Në mot-mot një herë, hiç mos në raste si ky i sotmi. Po edhe ndonjë qejf të madh nuk se u kishte pasqyrave edhe pse një goxha burrë. Pa shkelur të tridhjetë e pestat, shtatlartë, shpatull bollshëm, me këmbë të forta e të derdhura si prej hamshori edhe pse kishte mbetur s’dihej pse, pa martuar. Përcillte fuqi burrërore Kristo Kromidha, sido që në ballë i kaltëronin dy sy të butë, vënë gjithë merak në anët e kreut të hundës së gjatë e të drejtë, me majë ovale, e gjerë e me flegra për çudi shumë delikate.

Gojën ia kishte ormisur perëndia si për të thënë tërë jetën fjalë të buta e të ëmbla. Buzët e plota nën hijen e mustaqeve gati të verdha kishin marrë trajtë të përjetshme në të buzëqeshur. Se që fëmijë vetëm qeshte. Kishte aq lulëzim gjithë e brendshmja dhe e jashtmja e tij, sa s’do qe asfare çudi që nëse çirrej gjëkund, të mos i dilte gjak, po klorofil.

U përkul praptazi dhe tereziti buzën e samarit në fund të dollapit. Si u sigurua që e kishte karfosur mirë, i dha trupit përpara dhe u ngrit në këmbë. E peshoi edhe një herë mbi samar, mori shkopin që s’e ndante sa herë mbarte plaçka në udhë të gjatë dhe u nis.

Nuk e ngriti më kokën të shihte të përpjetën e Topullaraj. Do stepej, do ta linin këmbët. Zuri të ecte duke ndjekur rrahun më të gjerë të monopatit të zbuste të përpjetën. Këmba sikur i punonte më vete nga opingat. Këmbët sikur ecnin, opingat sikur s’bindeshin. Maja e të përpjetës iu duk aq larg sa s’do ta kaptonte dot kurrë.

Ndjeu ta përshkonte një si e ngjethur e lehtë, thua fryu veri dhe e gjeti në djersë. Ecte dhe bënte kujdes.

Të përpjetën thikë që iu tremb kur e pa si ta shihte për herë të parë, e ngjiti pa mendje, shumë më lehtë nga ç’e mendoi para se t’i qepej. Ktheu kokën e pa edhe një herë dhe u ndje si i rënë nga qielli drejt e në rrafshin e Topollaraj ku po dilte hap pas hapi.

Kuptoi që zoti e di pse, ia kishte hequr mendjen nga rruga. Ecte si në bosh, si me mendje pezull, endej mbi gjithçka e nuk ulej askund. Ndaj s’e ndjeu thuajse fare tërë atë të përpjetë që trembte ta bëje dhe me duar ne xhep, lere me një dollap dykanatësh në kurriz.

Një zë nga brenda sikur e nxiti të ecte. Vetiu iu dha këmbëve si për të fituar kohë. E ndjeu se do ishte gjendje e përkohshme. Në të vërtetë, thellë – thellë ndihej si asnjëherë tjetër i lodhur. E mbushura me frymë, pas çdo hapi po i bëhej punë e bezdisur. Për çudi do ndihej më mirë po të hiqte dorë fare…

“Ç’është kështu, i tha vetes, sikur m’u sos e sosura…”

Mu kur donte ta rrallonte frymëmarrjen, ndjeu t’i hapeshin flegrat e hundës, iu hap gryka, iu tendos si markuç kur i vërshon uji. Përpara iu shtrinë Blanjat, fusha e gjerë tej e tej, e tëra mbjellë me pjepër në pik të vjeljes.

Duhma e ëmbël e veshi të tërin si një bletë të madhe mbuluar me polen. U bë i tëri hundë e mushkëri. Sikur ta thithte e të mbështillte në gjoks si në shakull, ajrin e Blanjajve që kundëmonte tej e përtej pjepër i pjekur mirë.

Sikur u çlirua nga një ngërç. Më mirë të thuash nga një lajmërim ngërçi që hë e mbërthente tani, hë pastaj qysh se ndjeu në kurriz dollapin. Ngriu ashtu, me dollap ngarkuar, i vërshuar nga shkulme aromash si shkulmë narkoze, trung i çuditshëm, disa herë më i gjerë se i gjatë që e trembte hija e vet…

* * *

“Irena…, i ndriti në mend sikur një vetëtimë të kishte shkrepur e t’ia kishte llamburitur kafkën rrëzë më rrëzë. Irena…”

Ia njihte çapet. Kishte diçka prej keçeje në të shkëputur nga toka dhe diçka tjetër prej fluture në gjendjen pezull sa të zinte shesh prapë, këmba e Irenës.

I kishte bërë këngë. Një herë ia këndoi te muri i kroit.

 “Vallë ke a nuk ke zemër,

 Irenë, moj kec i egër…”

Ajo qe shkrirë së qeshuri pa ngritur kokën. Për fat, sa mbaroi Kristo Kromidha këngë, gjymi u mbush e u derdh, vajza e rrëmbeu nga lugu i kroit dhe fryu përpjetë nëpër sokak.

Koka e verdhë, citë me kaçrrela e Irena Rehovës, dukej natën si hënë endacake, ditën si koka e të bukurës së dheut gdhendur ne dyll.

Le zëri! Zëri i saj e varroste fare Kristo Kromidhën. Ç’bilbila! S’qenë gjë hiç bilibilat. Cicërima e saj qe e ç’qe! Breshër kënge bilbilash i dukej Kristo Kromidhës.

U pështet pas murit të koshtit dhe futi dorën e madhe në xhepin që mezi i nxinte dy kokrra shegë të mëdha, majoshe.

Ashtu, trup e shpirt në një përgjëratë si në përshpirtje, i nxori me nxit shegët dhe tek po ia zgjaste, Irena nxitoi këmbët, thua mori vrapin.

“Samarin… Kristo! Samariiin!”, tha dhe vetëm sa ktheu një çikë kokën me bishtin e syrit.

Sytë i quajti tepër…

* * *

Kristo Kromidha u shkund e u drodh! E përmendën zilet e karvanit të vogël, me tri pela dhe një mushkë, ngarkuar me kofina me pjepër. Koço Kalistiri, kafshari s’e kishte vënë re fare. Në atë pik vape s’qe çudi t’i qe dukur si ndonjë vidh i madh ngulur në mes të udhës.

 Nuk e mori vesh ç’qe ajo e shkuar gjumi në këmbë, nën dollapin që e kishte vënë nën vete. Si s’qe gremisur!

Pa rrotull i humbur dhe i habitur si ditën që i erdhën sytë dhe pa botën për herë të parë. Shkundi kokën leshragjatë, u tendos mirë, rregulloi edhe një herë dollapin në samar dhe zuri të çapitej.

Ngadalë.

Jo se s’kishte fuqi, ndihej mirë. Duhma e pjeprit ia shpuri shpirtin dhe frymën në vend. Po u çudit tek e gjeti veten si të grabitur nga një ngadalësi prehëse. Mendja sikur i mbetej pas hapave, në zallin e hollë të udhës që shtrihej buzë Korijes së Madhe. Aq në buzë, sa në shumë vende derdhej hija e drurëve, lisa e ahe të vjetër. Qe bërë sebep nënkryetari i komitetit, Sevo Sevasteri t’i shpëtonte shpyllëzimit. S’la gur pa lëvizur. Jo ka vlera historike, jo ka drurë që s’gjenden, jo ka zogj e fruta të egra e të rralla… Jo andej, po këtej… Bëri ç’bëri, Koria e Madhe shpëtoi nga çrrënjosja. 

Tani po ziente. Të merrej mendja nga ajo stuhi e papërmbajtur kënge zhuzhakësh e fluturakësh. Dukej si kulm dasme kur gjithë dasmorët janë të dehur.

Ashtu e kishte dashur gjithnjë dasmën Kristo Kromidha. Pa rregulla. Në dasmën e tij njerëzia do vinin të dehur mejhaneve, hazër për të bërë gjullurdinë gazmore në konakët e Kromidhajve.

Dasmë, o dasmë! Do frushullonte kënga. Ja, si kjo zhaurima plot melodira që erdh e iu vesh Kristos si shall në qafë. Si këmishë e endur me pah gjethesh. Si kollare sythash e filizash të mbjellë për të mbirë e për të lulëzuar në qafën, në gushën dhe në kraharorin mbuluar me lesh drizë të Kristo Kromidhës.

Aq e fortë iu bë kjo pandehje, sa ecte, ngrinte dorën e lirë dhe sikur ndreqte kollaren në jakë…

U ndje i dehur, i dorëzuar në krahët e atij gazmendi të natyrës. Të mos kishte dollapin në kurriz, do t’ia kishte marrë valles pa u stepur nga lodrat e pa u lodhur nga ritmi i stuhishëm. U ndje në valle, jo në ecje. Në shpinë sikur kishte një krushk të dehur që e shpinte përposh, në kashtë, jo dollapin e Gole Ligëtirës.

Ashtu, hidh një hap e shih një ëndërr, Koria e Madhe i mbeti pas krahëve. Edhe gazmendi po fashitej lehtë e me këmbëngulje, mu ashtu siç shuhen dasmat ndaj mëngjesi.

Mbajti këmbët dhe ngriti kokën nga rruga

Ndihej i hutuar, ndihej si i goditur. Ashtu la pas zhurmërimën e korijes. Në vete ndjeu sesi iu ngjit si lëbyrje, si vlagë në eshtra, shija e dasmës së drurëve dhe shpezërisë.

Dollapi sa vinte i rëndonte më shumë.

– S’ka ç’të bëjë më tani. Ja dhe pak… – nisi të thoshte me vete, po e tha me zë Kristo Kromidha.

“Ja… dhe paaak…!

Bëri habi e s’u besoi veshëve. Fjalët që ia tha vetes, ullinjtë e Korkoles i kishin ngritur jehonë që si iu vesh ciklon e shtjellë prilli Kristo Kromidhës. Vërshoi sipër, në bllokun e bajameve e si pështjelloi aty, rrahu grykën e Grabovicës dhe u fashit e iu rrokullis te këmbët Shkëmbit të Orrëlës.

Kristo Kromidha që fare pa mendje po e ndiqte si të mos qe ajër po një shtjellë blu që dukej, shqeu sytë.

Ç’bëhej kështu! Ishte fund korriku. Ç’ne bajame, ç’ne…

Blloku i bajameve kishte lulëzuar sikur rregullat e botës të qenë kthyer së prapi. Gjithë ajo brinjë mbjellë me pemë, gjithë ai lulëzim i çuditshëm, arratisur nga një stinë tjetër, iu duk Kristo Kromidhës si një tog i madh me nuse veshur në të bardha e kësula rozë.

Nusëronin e lodronin. Kthyer të gjitha nga djaloshi. Duke fërgëlluar degë e lule, sikur i flisnin secila me melodinë e vet:

“Më zgjidh mua, Kristo! Mua, muaaa!”

Thoshte një tjetër e një tjetër… Dhe bënin të gjitha bashkë një simfoni që plaste gurët. Shkundnin e shkundnin pa mbarim lule që era i mbarte teposhtë dhe ia vishte Kristo Kromidhës si kostum të bardhë.

Ngriti dorën të zgjidhte litarin që mbante dollapin lidhur me veten. Po vetëm e mblodhi hinkë në gojë. Donte t’i thoshte diçka asaj trumbe me nuse. Po nuk diti se çfarë dhe hoqi dorë. Ndjeu dëshirë vetëm të shihte veten në feksjen e dollapit.

Ndjeu të ligështohej. Jo aq sa të mos iu tundte dorën nuseve që e thërrisnin e lodronin. U vu të bënte edhe ato qindra metra për të arritur te kroi i poshtëm i Ajazmës, ku siç e lanë, e priste Gole Ligëtira.

* * *

Harku i madh i kroit iu shfaq menjëherë, hijerëndë, pastaj ndjeu vërshimin e ujit dhe pas hapave të fundit pa dy koritat e gurta. Mbase që kur se kishte lerë sefte bota, ato nxirrnin e nxirrnin ujë.

Kristal. Akull…

Ishte aq i etur sa sikur të mundte, ashtu me dollap në kurriz, jo do kishte vënë buzët në koritë, po do ta gëlltiste ashtu, xhëng guri me fit!

U përkul pak sikur t’i falej kroit, pastaj u kujtua, u kthye praptaz dhe mbështeti dollapin në pezulin e lartë, bërë me gurë e shtruar me çimento.

Si e la në peshë të vet dhe u sigurua që të katër këmbët kishin zënë vend në rrafshin e pezulit, liroi litarët e lidhur në gjoks. Rrotull s’pa këmbë njeriu. Mbase kishte ardhur herët, ose Gole Ligëtira qe harruar pas angarive të dasmës.

– Më mirë! – tha me zë dhe u ngjit nga ana e pasqyrës.

Befas qe kujtuar që dollapi kishte pasqyrë. S’e  mbante vendi sa të shihej. Ndjeu t’i merrej mendja. Mbylli sytë dhe iu afrua duke bërë kujdes të mos i binte xhamit me kokë.

Ndaloi dhe i hapi njëherësh.

Shtangu.

Dhëndër!

Në pasqyrë lulëzonte buzëqeshje Kristo Kromidha, veshur me kostum. Në të bardhën e bajameve dhe në të blertën e Korijes se Madhe. Pasqyra thithte e përcillte një qeshje të pafundme fëmije që sapo i kishin falur botën.

Fërkoi sytë. Pa nga kroi, harkun e lartë, kamaret, koritat, ujët që si gurgullonte pak metra, derdhej në bendin e madh, shtruar me beton dhe mblidhej në katër mure të lartë mbi tri metra, suvatuar me llaç betoni. Llamste nga pastërtia, farfurinte nën diell si pasqyrë përrallash rënë nga qielli…

Doli me vrap në shesh të kroit, para pezuleve. Si së largmi, ndjente tek ziente si kazan në zjarr, koka i gjëmonte si e rrahur vareje thellë Shpellës së Dudit, gjoksi i dhimbtë si t’i kishin futur plorin për t’ia bërë qilizmë…

Zuri të zhvishej. Me kujdes, thua do zhvishte qelqe të hollë.

Zhveshi… këpucët lustrafine, hoqi… xhaketën e bardhë si bora, zgjidhi… kollaren, pastaj këmishën e gjelbër, zbërtheu… pantallonat e ngrira në hekur. I… palosi plot kujdes siç bënte mëma me rrobat e sepetit, u tërhoq pak pas t’i shihte a qenë në radhë dhe…

– Buuukuuur! – tha në ajër tek mori hov dhe u hodh në bend.

Sa të hapje e të mbyllje sytë u dëgjua një shungëllim i thatë. Kolona e ujërave pak çaste më parë të qeta, u trazua egër dhe shtjella u ngrit gjer ne mes të rrapit që varte degët mbi sipërfaqen xham. Shtati i madh i Kristo Kromidhës ra mbi ujë me krahë të shtrirë para si për zhytje. Gropa e ujtë që u hap nën të, nuk u mbush më.

Kristo Kromidhës nuk iu bindën më krahët e shtrirë për të bërë tutje në ujë. Pak lëvizje të çrregullta këmbësh e krahësh, një si përpëlitje qengji me thikë në fyt, nuk mjaftuan që të mund as të zhvendosej, as të ngrinte së paku kokën mbi ujë. I zënë në ngërç si në kurth të lig, u fundos ngadalë në gropën që hapi vetë në mes të bendit. Shtjella e ujit që i ngrit, ra, e mbuloi përzishëm.

Në pak çaste gjithçka u qetësua si të mos qe trazuar asgjë. Nga thellë bendit ku fekste si i lyer me argjend trupi që nuk lëvizi dot më, u ngritën flluska që mbetën pezull mbi ujërat e qeta shtruar si me vaj.

Qe fryma e fundit që dërgonte sipër Kristo Kromidha…

* * *

Çano Çerepi, si asnjëherë më parë e pa veten në prag të turpërimit për mot e për jetë. Në marangozanë s’kishte as edhe një fije të saktë dërrase të mund të mbërthente tabutin e Kristo Kromidhës.

Kishin mbetur dhoga të shtrembra e ta pa rokanisura, S’qe bërë mukajet të furnizohej me ndonjë material për të qenë.  Nuk pritej të vdiste njeri në fshat. Në Ajazmë, rrallë që të mos thuash fare, ndodhte të prishej radha e vdekjes. Ndonjë i mbytur lumenjve a ndonjë e ngrënë gjarpri që nuk proftasej dot, jo gjë tjetër. Edhe kjo bënte vaki aq rrallë, sa i këndohej kënga.

“Prit kur të më këndohet mua kënga tani!”, tha me vete ashtu, pa rrugëdalje dhe i dëshpëruar sa s’thuhet.

Në këto e sipër, jashtë dëgjoi zëra dhe zhurmë. Dera u hap dykanatësh. Në pak minuta katër djem lëshuan në mes të marangozanës një dollap dykanatësh. Fekste si i larë me diell. Llak e rimeso që mbanin akoma erën e punishtes.

– Na tha Golja ta binim, xha Çano. I thoni me këtë do bëhet tabuti i Kristos. Për më shumë fol me Golen, ikëm ne!

Çano Çerepi u ngrit rëndë, sikur dollapin t’ia kishin lënë në kurriz, jo në mes të marangozanës. E kuptoi menjëherë ç’po bënte Gole Ligëtira.

Iu qas dollapit si të qe një tra i befasishëm shpëtimi që ujërat ia prunë mu kur po ndihej i mbytur.

Fekste…

– Punë e bukur, jo shaka! Duket puna me maqineri… S’e gëzove dot, o Gole dhëndri. Paska qenë taksur tabut për Kristo nxirin…

* * *

S’mbahej mend te qe parë atyre anëve varrim si i Kristo Kromidhës. Shkulur i madh e i vogël nga tre fshatrat ngjitur, nga qyteti dhe fshatrat rrotull. Mbi dheun e hedhur me kujdes ndanë  varrit, qe vënë arkivoli punuar me dhembshuri e dashuri nga Çano Çerepi. S’kishte mbetur njeri pa marrë vesh bëmën e Gole Ligëtira më dollapin.

“Ashkosun, ashkosun t’i jetë që nderoi veten!”, s’pushonin së thëni njerëzia.

Ja tek e kishin para syve, tabutin me Kristo Kromidhën brenda, qarkuar me dritë dielli, me llamburitje dhe me kurora. Kurrë më parë, as për më të kamurit e krahinës, s’qe parë i tillë tabut. Qenë bërë me dhoga të mira, veshur me cohë të çmuar, me doreza te argjendta… Lloje – lloje. Po të tillë, kurrë!

– Si në tabut mbreti u fute, o djalë! Të këputet shpirti t’u mbulosh me dhe, o korbi ti, korbi! – tha që ta dëgjonin, Reto Rebi duke fshirë sytë me shami të bardhë.

Pas një fjalimi të shkurtër që u duke edhe më i shkurtër se nuk e dëgjoi njeri, tabuti u kall në varr. Mbi të, si mbi çdo tabut ranë lopatat e para me dhe. Përpara se të mos dukej më asnjë shenjë, nga mes dheut ndriti një si rreze.

E fundit, para se luzma e dritës të mbulohej për t’i bërë tërë jetën e jetës dritë në parajsë Kristo Kromidhës…

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË