KreuLetërsiBibliotekëMajlinda Rama: Një lexim i librit “Përimtime” të Abdullah Zenelit

Majlinda Rama: Një lexim i librit “Përimtime” të Abdullah Zenelit

Epistemologjia e fragmentit

Në letërsinë shqipe të tri dekadave të fundit janë shfaqur autorë dhe vepra që, duhet pranuar se, i kanë zgjeruar shumë kufijtë e shkrimit bashkëkohor, por në të njëjtën kohë, i pashmangshëm ka qenë krijimi i një lloj mjegullnaje letrare, ku shpesh vëmendja është zhvendosur nga vlera estetike e artistike drejt mekanizmit të promovimit apo rretheve të ndikimit dhe influencës së njërit a tjetrit autor. Në një klimë të tillë, lexuesi i letërsisë serioze thuajse e ka të pamundur të gjejë orientimin e drejtë, porse në shumë raste të detyrohet ta kërkojë vetë veprën që vlen të ketë vëmendje leximi. Në këtë kuptim, edhe vepra që kam në dorë për lexim, hyn tek ato vepra që duhet kërkuar për t’u lexuar, edhe për faktin se, vetë autori e ka një tërheqje, që mund të jetë modesti ose thjesht zgjedhje e tij. Fjala është për librin ‘’Përimtime’’ të Abdullah Zenelit, i cili vjen pas disa botimeve cilësore të mëparshme të tij, përmendim, ‘’Rabini im’’ dhe ‘’Rapsodi për gjethet’’, libra që dëshmuan konsolidimin e autorit si një zë serioz në letërsinë bashkëkohore.

Por, ‘’Përimtime’’, ndryshe nga të parët (me poezi), shfaq një lloj refuzimi të një zhanri të qartë, pra tenton një zhvendosje drejt formave hibride dhe duket më tepër sikur ka qasje të një sistemi fragmentar mendimi. Ç’është e vërteta, në letërsinë shqipe (dhe jo vetëm) të pas viteve ’90, dhe veçanërisht në dy deceniet e fundit, vihet re një kalim gradual nga narrativat tradicionale drejt formave mikse të shkrimit, që mund të konsiderohen edhe si tekste metaletrare. Kjo zhvendosje nuk përbën thjesht dhe vetëm një ndryshim formal, por mëton të shprehë një transformim epistemologjik, ku letërsia nuk synon thjesht ta përfaqësojë botën, por edhe të reflektojë mbi mënyrat e përfaqësimit të saj. Në këtë kontekst, libri ‘’Përimtime’’ është dëshmi e këtij transformimi, pasi nuk ndërton një rrëfim të mirëfilltë, por një sistem mendimi. Ai nuk organizohet rreth personazheve apo ngjarjeve, por rreth koncepteve, asociacioneve dhe strukturave gjuhësore dhe mendoj se kjo e vendos tekstin në një hapësirë, ku kufijtë ndërmjet letërsisë si krijim estetik dhe teorisë si formë reflektimi e mendimit, bëhen të lëvizshëm, duke bashkëjetuar brenda të njëjtit proces shkrimi. Kjo vështirësi kategorizimi buron pikërisht nga natyra e veprës, (‘’Përimtime’’), e cila nuk i përket në mënyrë të plotë as prozës narrative, as prozës poetike, as poezisë, as esesë dhe as aforizmit, por si një metazhanër. Teksti ndërtohet mbi një logjikë makro, por realizohet përmes njësive fragmentare. Vetëm në përfundim të të gjithë leximit, vërehet se këto njësi ndërtojnë një bërthamë të përbashkët kuptimore, brenda së cilës bashkëjetojnë reflektimi, meditimi, asociacioni dhe analizat konceptuale. Këto elemente përbëjnë itinerarin intelektual të një autori, i cili nuk zgjedhë të ofrojë përgjigje të mbyllura, porse gjeneron pyetje dhe zgjeron ose orienton hapësira diskutimi, duke ia lënë lexuesit mundësinë e absorbimit, sipas horizontit të vet interpretues (sipas arsyetimit të vetvetes, si dhe sa e gjen veten, nëse do të mund ta thoshim kështu). Në këtë kuptim, Zeneli shfaqet si autor që e koncepton letërsinë si reflektim mbi vetveten dhe tjetrin, gjë që e bën duke sjellë hapësira të mëdha idesh e përsiatjesh, por duke zgjedhur njësi minimale për ta shprehur (siç janë strukturat fikse me 12 rreshta dhe fjalitë lakonike). Ja psh. vëmë re fragmentin e mëposhtëm: ‘’Dilema konceptuale. Pajtime konsensuale. Të shkruash. Të lexohesh. Të përballesh. Janë shumë. Më mirë me veten. Ia di të mirat. Ia di dhe dobësinë. Vetes? Po kujt tjetër?” (Art, Francastelikë, fq.140), duket qartë se kemi një sintaksë të reduktuar deri në minimumin e vet funksional, ku fjalia nuk zhvillohet në formë narrative, por kondensohet në njësi konceptuale. Teksti (dhe si ky janë të gjitha tekstet) i ndërtuar me fjali të shkurtra, kryesisht emërore dhe foljore, të cilat përmes pyetjeve retorike dhe vetëreflektimit shprehin një dilemë të brendshme të njeriut dhe përballjen e tij me vetveten a botën.

Meqë jemi tek ndërtimi strukturor, doja të shtoja se struktura që autori ka zgjedhur përbën edhe semantikën e tërë librit, nisur nga organizimi i kapitujve, cikleve dhe titujve, të cilat nuk kanë funksion formal/ndarës, përkundrazi, ky lloj kontruksioni përfshihet drejtpërdrejt në shpalosjen kuptimore të tekstit. Po aq domethënës është edhe përdorimi i modelit triadik (tripjesësh), pra të gjitha pjesët organizohet në triptikë, funksioni i të cilëve është i gjerë, gati si një sistem antropologjik të të gjithë lëndës/subjektit.  Kjo prirje lidhet drejtpërdrejt me fragmentin “Strukturë”, psh. ku Zeneli shprehet, “Gjithnjë më ka magjepsur struktura. Ndërtimi. Hapat”, kjo deklaratë mund të lexohet si një nga formulimet që lidhet me organizimin e strukturës së librit, që autori e sheh edhe si estetikë, edhe si parim metodologjik që orienton lexuesin.

Ndërkohë, përtej formacioneve të asaj që duket, përmbajtja ëshët thelbi. Autori ‘lufton’ për dinjitetin e qenies, për pavarësinë e gjykimit, për lirinë dhe për lartësimin e ideve e vizioneve. Njeriu nuk paraqitet si një qenie e mbyllur në vetvete, por si një identitet që formohet përmes marrëdhënieve me tjetrin dhe me bashkësinë, pra të tjerët (ata). Një trekëndësh ky, gati se i pashmangshëm për të gjithë, sepse në të tëra rrethanat është njeriu, tjetri pranë tij dhe ata që janë shumica pak më tutje. Triptiku psh. ‘’unë-ajo-ata’’ mund të lexohet si një çelës interpretues i gjithë filozofisë së veprës, pasi artikulon tri dimensionet themelore të ekzistencës njerëzore që thamë më sipër. Shumica e përsiatjeve zhvillohen brenda tensionit të krijuar ndërmjet këtyre tri poleve. Ky organizim nuk është vetëm formal, por edhe epistemologjik. Kuptimi nuk prodhohet nga një perspektivë e vetme dhe e privilegjuar apo më e përzgjedhura, por nga ndërveprimi i disa perspektivave të ndryshme. Kjo gjë shmang absolutizimin e së vërtetës dhe krijon një hapësira dialogu apo komunikimi, ku çdo ide shihet, siç e thamë, nga më shumë se një këndvështrim. Përmes kësaj logjike, Zeneli sugjeron se njohjet nuk lindin nga izolimet, por nga marrëdhëniet, dallimet dhe tensionet dhe përplasjet apo ballafaqimet e mendimit.

Në të njëjtën kohë, modeli trio krijon ritëm, ekuilibër dhe simetri brenda arkitekturës së veprës. Ai organizon materialin refleksiv në struktura të përsëritshme, duke i dhënë tekstit koherencë të brendshme pavarësisht karakterit fragmentar. Shohim pjesën “Teknikë”. Formulime si: “Letër. Letërsi. Teknika. Shkrimi. Shekuj. Dy shekuj. Nëntëmbëdhjetë. Tjetri… njëzet. Pa këto njëzetat e njëzetenjëshit. Letërsia e krahasuar a nuk të bën të pakrahasueshëm. Po qe se nuk viktimizohesh. Si… si epigon. Si eklektik. Si mediokër’’, (Teknikë, Francastelikë, fq.141), na tregojnë një organizim diskursiv që nuk mbështetet në argumentin linear, siç mëton titulli, por në kuptimin e një procesi, që në këtë rast është mbi letërsinë, kohën dhe identitetin e shkrimtarit, duke vënë në dukje rrezikun e imitimit dhe mediokritetit në mungesë të origjinalitetit, një nga çështjet themelore të modernitetit letrar. Po aq i rëndësishëm është reflektimi mbi procesin e leximit. “Leximi është personal. Leximi kolektiv është propagandë”(po aty), këto dy fjali përbëjnë një nga nyjat teorike më domethënëse të veprës. Përmes tyre, Zeneli shpreh mosbesimin ndaj formave të institucionalizuara të interpretimit dhe ndaj çdo përpjekjeje për të imponuar kuptime të vetme mbi tekstin letrar, (që, në fakt, të gjithë e dimë se propaganda mbi letërsinë dhe vetë letërsia shpesh nuk kanë fije takimi). Në këtë aspekt, ‘’Përimtime’’ afrohet me konceptet bashkëkohore të teorisë së receptimit dhe të pluralitetit interpretativ, sipas të cilave kuptimi i veprës nuk është i fiksuar njëherë e përgjithmonë, (sidomos nga faktorë jashtëletrarë) por realizohet në marrëdhënien dinamike ndërmjet tekstit dhe lexuesit, madje, nuk paraqitet si sistem dogmatik i së vërtetës, por si hapësirë e hapur komunikimi (dialog dhe interpretim).

Në gjithë librin, vihen re dëshmi autobiografike, autori nuk e ka qëllim në vetvete, por ai reflekton bazuar mbi përvojat personale të leximit dhe kulturës/formimit që ai ka dhe kjo i jep identitet autorësisë. Marrim si shembull, triptikun “Francastelikë”, ombrella e tri pjesëve ‘’teknikë, art dhe strukturë’’ përfshirja si referencë e teoricienit francez të artit, Pierre Francastel, nuk paraqitet thjesht për ta treguar atë si autoritet akademik apo burim teorik, por si pjesë e biografisë shpirtërore të autorit. Njëjtë është edhe përmendja e autorëve si, Bokaçio, Servantes, Gëte, Byron, Balzak, Pushkin, Gogol apo Bodler etj., që shpalosen si modele dhe fuqi krijuese. Pra, vija e ndarjes në këto raste është e hollë, në kuptimin e shfaqjes për të shpalosur një katalog dijesh, apo për t’i dhënë lexuesit mundësi të gatshme dhe ftesë të hapur për t’u njohur me këta autorë, jo vetëm si burime referenciale, por si hapësira të mëdha krijuese, që natyrshëm kthehen në frymëzuese dhe orientuese, sidomos për lexuesit e shkrimtarët e rinj.

Libri ka dhe tone ironie. Autori i shfaq mendimet e tij dhe duket se ndërton një sinqeritet absolut me tesktin. Shohim psh. fragmentin “À posteriori”. Aty rol parësor zë figura e kurtizanes, e cila fiton funksion simbolik, pasi nuk shfaqet si personazh në kuptimin tradicional narrativ, por si metaforë komplekse e artit, e bukurisë dhe e lirisë krijuese.  “Secili prostituojmë nga diçka”, thotë autori, duke bërë një skaner të natyrës së ekzistencës njerëzore. Ajo është ironi, por edhe antropologji e veprimtarisë sociale në shoqëri si tonat, ku marrëdhëniet janë shpesh komplekse dhe të ndërlikuara. Po ashtu, një nga fragmentet më domethënëse të ‘’Përimtimeve’’ është pjesa “Formulë”, ku Abdullah Zeneli trajton një nga çështjet themelore të estetikës, mundësinë ose pamundësinë e krijimit artistik për t’u ngurtësuar në kallëpe apo rregulla fikse, teksa ndërton edhe një ekuacion simbolik, një tjetër formë ironike për të vënë në dyshim mundësinë e ekzistencës së një formule të tillë.  ‘’Ore, patetik, nuk është poezia formulë. Si ajo e famshmja, E = mc². P (poezia) = v(vargu)f(frymëzimi)². Nuk tallem. Poezia me vargje. Po do dhe një frymëzim për të qenë’’(Propozim 1, Formulë, fq 143). Pra autori është kritik, duke mëtuar se poezia nuk lind nga këto qasje mekanike. Madje kësaj ideje i shton dhe “Të njohësh ç’është thënë dhe të shtosh ç’nuk është thënë”.

Ndërkohë, pjesa “Hapësirë”, përbëhet nga një varg fjalësh, sintagmash dhe fjalish po ashtu të shkurtra, të cilat krijojnë po aq një rrjet të dendur referencash kulturore, historike dhe letrare, duke e ftuar lexuesin në një proces interpretimi aktiv dhe reflektimi mbi universalitetin e letërsisë dhe vendin e krijuesit në të. ‘’Hapësirë si kjo jona. Edhe gjetkë. Kinë e Paris. Nju-Jork e Buenos-Ajres. Stokholm e Melburn. Xhorxhtaun e ku di unë. Po letërsia një. E shkruar. E dokumentuar’’(Hapësirë, Kritikë, fq 146), vëmë re një fjali “Po letërsia një”, kjo fjali përmbledh në mënyrë sintetike filozofinë e autorit dhe mund të lexohet si një manifest mbi idenë e estetikës në letërsi. Përtej dallimeve historike, gjuhësore dhe kombëtare, letërsia, sipas tij paraqitet si hapësirë e përbashkët simbolike dhe jo vetëm, ku kulturat takohen, dialogojnë dhe e pasurojnë njëra-tjetrën. Në këtë kuptim, Zeneli shpalos një koncept kozmopolit të kulturës, të ndërtuar mbi idenë e komunikimit dhe të ndërveprimit të vazhdueshëm ndërmjet traditave të ndryshme.

Triptiku “Nudiadë”, fq. 23, psh., është prozë poetike, por edhe ai (tripjesësh) ka strukturë të fragmentuar, ku motivi i nudos, funksionon edhe si estetik dhe si psikologji, që lëviz mes realitetit, trupit dhe imagjinatës, duke e shkrirë përshkrimin vizual me reflektimin mbi dëshirën dhe krijimin artistik.  “Nudoja që nuk të do”, kjo shprehje përmbledh tensionin midis objektit estetik dhe mungesës së përmbushjes emocionale, duke e kthyer nudon në figurë të distancuar dhe jo thjesht trup fizik ftues. Teksti karakterizohet nga stilistikë eliptike, ritëm i ndërprerë (që karakterizon tërë librin) dhe përsëritje që vihen në funksion të idesë, dhe, në rastin konkret, lidhen me diskursin mbi trupin, artin dhe mungesën, duke e bërë leximin proces asociativ.

E cekëm dhe më sipër, një nga aspektet bashkëkohore të ‘’Përimtimeve’’ është mënyra se si përcaktohet roli i lexuesit në raport me tekstin. Fakti që kuptimi nuk paraqitet si një e dhënë e përfunduar, por si rezultat i një procesi interpretative e bën lexuesi palë. Atij i duhet të “luftojë” për të mbërritur te perspektivat, reflektimet, intuita apo dhe vëzhgimet e autorit dhe ta interpretojë atë si të mundet, prandaj dhe libri kërkon lexuesit aktivë dhe reflektivë.

Po ashtu, duhet thënë se në këtë vepër, intertekstualiteti nuk paraqitet thjesht si përdorim i referencave apo si shfaqje e njohurive por si organizim mendimi dhe shfaqje kuptimi, ose bërthamë kuptimore nëse do t’i referohemi krejt veprës dhe jo vetëm pjesëzave. Teksti ndërton vazhdimisht dialogë me autorë, vepra dhe sisteme idesh që i përkasin periudhave dhe konteksteve të ndryshme kulturore. Figurat që cituam më sipër, si, Francastel, Bodler, Borges, Bogdani dhe shumë të tjerë, nuk shfaqen si elemente të jashtme të ligjërimit apo objekt i analizës historiko-letrare, por si pjesë organike e së tërës, pra, si ta thuash, nuk citohet tradita, por mendohet përmes saj, nëpërmjet ideve lindin ndërveprime me modele, tekste, autorë, fenomene dhe ndërtohet rrjet lidhjesh. Kjo qasje e transformon tekstin në një hapësirë ndërtekstuale, ku kufijtë ndërmjet zërit të autorit dhe zërave të traditës bëhen më pak të dallueshëm dhe krijojnë idenë e shumë zërave, (ashtu sikurse duhet të ndodhë, dialog mes mendimit individual dhe asaj që përbën kujtesën kulturore kolektive). Ndërkohë, gjuha që autori ka zgjedhur funksionon edhe si mendim edhe proces krijues. Nga pikëpamja stilistikore, autori gjen shtigje drejt reduktimit sintaksor, me elipsë të theksuar dhe densitet semantik, gjë që u jep njësive minimale gjuhësore (siç e thamë) ngarkesë të lartë kuptimore. Një element që bie në sy janë neologjizmat (p.sh. Hominiadë, Skeptriadë, Veniviciadë, Striptizik), të cilat nuk kanë funksion dekorativ, por shërbejnë si kategori mendimi, që zgjerojnë potencialin semantik të gjuhës dhe mundësojnë emërtimin e përvojave apo ideve, të cilat autori i sheh se nuk përfaqësohen nga leksiku standard dhe gjen forma të reja që t’i vendosë në favor të kuptimit.

Për ta mbyllur leximin tim, dua të them se, libri ‘’Përimtime’’ i Abdullah Zenelit, përfaqëson një model të letërsisë postmoderne, ku fragmenti, intertekstualiteti dhe mendimi ndërthuren në qasje estetike dhe epistemologjike. Vepra nuk mund të përcaktohet si një zhanër tradicional, por si një qasje hibride, metatekstuale, me  hapësira reflektimi dhe e hapur ndaj interpretimeve, prandaj dhe mund të lexohet edhe si një poetikë e mendimit dhe si estetikë, që nuk synon të japin përgjigje përfundimtare, por të krijojë mundësi për zgjerimin e horizonteve interpretuese dhe për aktivizimin e mendimit kritik.a

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË