KreuLetërsiShënime mbi libraDimitrov Popoviq: Mes vargjeve me vlera të përhershme

Dimitrov Popoviq: Mes vargjeve me vlera të përhershme

Jam lindur në një familje, që të themi drejt, jo gjithmonë i kanë tepruar thërrimet… Sidoqoftë, kurrë nuk e kam pasur dorën e shtrirë me i lypë dikujt për kafshatën e gojës. Si të gjithë ju, edhe të mitë u kujdesën për mua e fëmijët e tjerë më shumë se sa i mbaj mend sot me syrin e viteve që kaluan e të cilave kemi mall t’u kthehemi herë pas here. Im atë përmendte shpesh që mundohu deri në ditën e fundit me zanë shokë e miq, kushedi si sillet puna...se jo kot populli ynë ka thënë se “borxhi i vonë e gëzon të zonë”. Por edhe shlyerja e një borxhi të hershëm, të gëzon e të jep forcë që vetëm ai që e provon ja din vlerën. Ndoshta është kështu edhe për mikun  “e vonë”, për librin e të cilit po bashkëbisedojmë sot.

Fillojmë: Libri si një mesazh nderimi e përkujtimi

Më ka ndodhur edhe mua kështu, ndërsa po mbyllja një borxh, ose më mirë një detyrim, thuaja si të duash, që më lidhte me një mik të hershëm të jetës sime që në gjimnazin e Durrësit, poetin e ndjerë Moikom Zeqo. Ia kishim botuar një libër të përkthyer në gjuhën malazeze “Përjetësi me qira” dhe kishte shumë dëshirë që libri të promovohej në Tiranë. Ishin ditët e fundit të jetës së tij. Dhe duke u munduar që ai ta mbyllë sa më mirë rrugën e vet poetike, nga spitali në Tiranë, me një çantë të varur në qafë me aparate mjekësore vjen të asistojë në paraqitjen e librit të tij të përkthyer në gjuhën e një komshiu… Shumë do të kisha hyrë borxh që ta shlyeja ashtu si duhej këtë dëshirë të tij. Mbledhur shumë njerëz te stenda jonë, miq e shokë të tij, e ndiqnin syhapur çdo lëvizje të tij. Edhe unë bëja ashtu… Por mbi të gjithë e theu heshtjen dalja e guximshme e një personi që më ndihmoi me shlye borxhin ndaj tij, por duke më futur në borxh të ri te personi tjetër, pikërisht te ky që na ka mbledhur sonte, poeti i madh i fjalës e i gjuhës shqipe, i thjeshti dhe i thinjuri Agim Vinca. Nuk është kollaj të gjesh epitete të bukura që fillojnë me  – th – , … se këtë shkronjë do ta përmend prapë më vonë në këtë diskutim. E kam atë fotografi gjallë, sa me u shlye para jush, se nuk kam shtuar asgjë për ndonjë elozh. Por më vjen mirë, ashtu si i kishte ardhur mirë secilit, kur dikush të kujton e më shumë të ndihmon me u shlye burrërisht.

Asnjë kërkesë nuk kam pasë as unë e as enti prej poetit Agim Vinca që të botohet tek ne. Unë vetëm kam këqyrë mundësinë për ta botuar dhe kur jam siguruar se ekziston në programin tonë mësimor me poezinë Driloni, i jam drejtuar Kryetarit të KK të shqiptarëve zotit Faik Nika, duke i thënë se e kam propozuar për këtë vit veprën e tij poetike për ta botuar në dy gjuhë. Faiku, si gjithmonë, e ka mirëpritur dhe shumë i gëzuar ma ka uruar botimin e saj, bile edhe një takim me të, në Ulqin, pikërisht takimin e sotëm. Çfarë mësojmë në poezinë e Vincës?

Vazhdojmë: Libri si një mision për të gjithë…

Që nga titulli “Falmi sytë e tu Homer” të duket se je para një muri të Jerusalemit apo rreth Mekës dhe shikon drejt tij për të kërkuar diçka. Muri nuk ka vrima dhe ti e kupton se dikush duhet të të dëgjojë, të të shohë. Muret nuk kanë as duar që të afrojnë. Nuk kanë as gojë të të thërrasin. Por ti e ndjen se ke nevojë t’i drejtohesh dikujt që të kuptojë atë që ke brenda, që do të shfrysh për t’ ia thënë së paku ashtu si e ndjen. Nuk e gjen…ose më mirë e gjen në zgavrat e syve të Homerit të madh dhe i lutesh: Falmi sytë e tu të verbër dhe e shkruan vertikalisht fjalën, pra emrin  Homer… me vargjeshkallë-shkallësikur do ta zbresësh prej qiellit hyjnor drejt tokës ku ndodhet i verbër syri i poetit dhe të gjitha hallet e kësaj bote. Dhe këtë e bën me forcën e poezisë, së cilës i ka vënë misionin e madh që në hyrje te poezia e parë Të jesh poet, me fjalët e para të saj:

Të jesh fanar mes errësirës

Të mos harrosh se në botë ka

kaq shumë të verbër.

(Nga poezia Të jesh poet)

Pra ai ka vendosur të mos jetë i verbër në shikim, por i pranishëm kudo dhe i gatshëm të tregojë për çdo gjë që ndeshim në udhën e jetës. Të jesh poet bën të jesh i vogël, bën të jesh i varfër, bën të jesh me një sy, ose pa të dy si Homeri ynë, por nuk bën të mos jesh guximtar, që siç shprehej Azem Shkreli “Mos u bëj poet nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë.” Duke i hapur e kaluar fletët e librit një e nga një, të del jo pak punë, nëse merr mbi vete të futesh në spektrin e shqetësimeve të tij që janë të shumta, bash të shumta. Si një djalë e baba i mirë, si një gjysh stoik, si një vëlla i përkushtuar për pjellën e vatrës, si një bashkëbisedues koherent, si një krijues modern, por i thjeshtë, si një shok i kohës, si një mysafir kryeqytetesh e qytetesh botërore, si një kalimtar doganash dhe së fundi një njeriu që me një zemër të pastër e shpirt të butë të paraqet ato që ti kollaj thua “se i paska shkruar për mua” ti menjëherë kështu nuk thua asgjë më shumë se njërën nga cilësitë kryesore të poezive të tij, atë për të cilën edhe ajo krijohet, pra përgjithësimi, për të qenë e të gjithëve.

Jemi aty: Poezia e tij është e drejtpërdrejtë. Me leximin e saj menjëherë kupton se po ecën në një rrugë që është e krijuar qëllimisht për ty, se edhe ty të kanë përcjellë ato takime e ballafaqime, sepse jemi nënash dhe prej shpirtit të tyre bartim kudo detyrimet për motrën, për plakun, për mbesën etj. Këtu nuk ka kohë për moralizim, këtë sëmundje të kohës së poetëve të paformuar. Janë fjalë të tjera të thëna “ndrysh” prej të përditshmes, ku nuk je tepër, pavarësisht si thuhen. Pas tyre fshihet një e thënë në mënyrë të figurshme që ta afron më ndjeshëm njeriun tënd. Po më kujton dhe afron një vlerësim të Çabejt në revistën “Nëntori” nr. 4, viti 1965, kur shkruan për poezitë e Nolit duke thënë se: “Ai i ka jetuar ato, ka  jetuar ai vetë nëpër to, në figurat e heronjve”. Te poezia Ninullë dimri (mbesës sime Borës) – e pata nxjerrë në fejsbukun tim pa i marrë lejen autorit dhe të them drejt jam mrekulluar me komentet në mesazhet e njerëzve të mirë. Ja sa ndjeshëm shkruhet aty:

Fli, Borëz, princesha e gjyshit. Mbylli sytë e kaltër –

Njëri liqen i Prespës, tjetri liqen i Ohrit – dhe fli.

Dimër është e nata është e gjatë

Jashtë bie shi e flokon borë; pikojnë strehë e çati.

Po ti fli, fli! (Fq. 45)

Poezia e familjes dhe e lidhjes me të është e pranishme thjesht e pa himnizime. Ajo është e shpërndarë nëpër libër me kujdes dhe në çdo lexim të afron një përkujtim të heshtur diku brenda teje. Çdo motër do të krenohej për së gjalli me vëllanë e vet dhe për të do të bënte më shumë se një poezi…Por poezia Këputa një degë jargavani është shumë më tepër se kaq. Përmes një simboli të thjeshtë siç është dega e një jargavani dhe ja strofa e hyrjes:

Këputa një degë jargavani

Dhe e vura mbi varrin tënd.

Thjesht, pa ceremoni.

Një degë jargavani nga oborri ynë i vjetër

i rrethuar me avlli.

Apo prapë për motrën, në udhëtimin e fundit të saj, motrës që me sëmundjen e keqe kthehej në shtëpi /Si në baladën e lashtë të fjalës së dhënë/ që s’ e tret dheu/.

Si në baladën e lashtë

Të Konstandinit të Vogël

Unë e ti, motër.

Metafora shumë e bukur, por edhe krahasimi shumë i gjetur.

Shkoj edhe më tej: Gjeografia poetike e shkrimtarit është shumë e gjerë, ajo ka përcjellë vendqëndrimet e kahershme të tij që fillojnë qysh me lindjen në një qytezë në Maqedoninë e Veriut e me radhë në Prishtinë etj. etj. dhe duke kaluar shpesh kufijtë e shteteve ka bërë që të nxjerrë natyrshëm e të përkufizojë një konkluzion se të vetmet qenie të gjalla që s’ kanë nevojë për pasaportë, ndonëse kalojnë gjerë e gjatë globit, janë zogjtë. Ah sa ndryshojnë ata nga shtegtari ynë mendjendritur, kur duhet të sqarojë brenda gjuhës së vet të artë se nuk duhet ngatërruar “th”- ja me “s” si tek emrat kufitarë Qafa-s-an (Qafëthanë) apo Vu-th-aj me Vu-s-anje etj. Por mbi të gjitha dashuria e gjeografisë fizike i jep vlerën e një atdhedashësi të përkushtuar ndaj vendlindjes, ku plepat e rrugës, këta “vëllezër buzëdrinas” ulin kryet për ta nderuar… Jam mahnitur, por s’ jam befasuar kur kam lexuar poezinë Baladë për Malin e Thatë.

Është një mal në jug

Me emrin Mal i Thatë

Në mes dy liqeneve

etj. Sa do ta dëshiroja që këtë poezi ta kishte lexuar Poradeci i pavdekshëm, kur shkruante: “Fryn veriu në Mal të Thatë / thotë vasha lele, ngriva”. Si një mjeshtër i madh i krijimit na ka sjellë një figuracion letrar të fuqishëm. Një antitezë e fuqishme  në bazën e kësaj  poezie dhe konkretisht: Mali është i thatë, e ndodhet mes dy liqeneve –  të Ohrit dhe të Prespës, dhe askush nuk di të thotë si mbet ky mal i thatë mes ujërash. Ose pranë tij shtrihet një lëndinë me emër të çuditshëm – lëndina e lotëve – e askush nuk di thotë si mbeti ky mal i thatë edhe pranë lotëve…dhe e konkretizon “Mal i thatë/ pa bimë, pa drurë, pa zogj/ i vdekur për së gjalli”. Dhe për ta mbyllur këtë kundërshti pyetjesh, zgjedh një krahasim që i përshtatet aq bukur “Si një njeri / i tharë nga malli”. Ta them drejt, në një konkurs letrar ose muzikor, do të doja që ky tekst të recitohej e këndohej me një ndjeshmëri të lartë.

 Dhe ndalem këtu: Poezia atdhetare e qytetare e Vincës  përbën bazën e të gjitha poezive, se të jesh atdhetar i mirë, duhet ta duash vendin e kombin tënd, ta gëzosh dhe ta lëvdosh, ta nderosh dhe ta mbrosh, ta bësh më të bukur dhe më të fuqishëm. Dhe kjo bëhet duke vënë pranë kështjellave të mëdha të botës jo veç Rozafën, por edhe Eifelin, edhe Trojën, edhe Çanakalanë edhe Termopilet, që të shkosh jo vetëm në Nju-Xhersi e Nju-Jork, Paris, Lugano etj. por të shkosh edhe në Pogradec, në Mitrovicë, në Drenicë, në Shën Naum etj. dhe përkrah personazheve të mëdha të historisë e kulturës botërore të vësh të mëdhenjtë e kombit tënd që u ngjasojnë atyre ose maten me ta, siç janë Skënderbeu, Nëna Terezë, Naimi, Migjeni, Lazgushi, Fan Noli, Kostandini, Shen Nikodimi, Moisiu, Kadareja, Dritëroi,  Thoma Kacori, Podrimja, Ndoc Gjetja e sa e sa të tjerë që përmenden këtu pranë Homerit, Shekspirit, pranë Hygosë, pranë Apolinerit, Bajronit, Pushkinit, Lermontovit, Mopasanit, Markiz de Sad, Brehtit, Sartrit, Milerit, Bukovskit etj. Të gjitha këto do t’i gjeni në këtë libër në dy gjuhë – shqip dhe gjuhën malazeze, do të thoja mes vargjeve me vlera të përhershme.

Kam të drejtën e shtëpisë sonë botuese ZUNS – të drejtoreshës A. Hajdukoviq, të kryeredaktorit R. Novoviq  e M. Dragoviq dhe të tjerëve që janë këtu, të përshëndes dhe të falënderoj përkthyesin e mikun tonë Smajl Smaka. Me kujdesin e duhur ai e ka përgatitur përkthimin e këtij libri. Ai ka përkthyer në gjuhën malazeze për shtëpinë tonë edhe Moikom Zeqon, poetin e madh e të paharruar. Njëkohësisht falënderoj dhe nderoj redaktoren në gjuhën malazeze zonjën Lida V. Tabash, që arriti të përgatisë botimin duke iu dhënë mundësi edhe nxënësve të pakicave të tjera në Malin e Zi që të njihen me krijimtarinë e poetit Agim Vinca, që jo vetëm ta lexojnë, por edhe ta përfshijnë në programet e librat e antologjive të tyre për klasat e ndryshme në shkollën fillore e gjimnaz. 

Duke e mbyllur këtë shkrim të thjeshtë, theksoj se e kam për nder që botoj në gjuhën shqipe, që jam njëri nga redaktorët e këtij libri dhe po ri përmend se poeti e akademiku Agim Vinca ka lindur në Veleshtë të Strugës, ka shkuar në Prishtinë, ka “bredhur” në Gjermani, në Francë e në Amerikë, ka qenë edhe në burg, ka kaluar edhe Qafëthanën…, sot ka kaluar edhe dy dogana – Morinë e Sukobinë… e ku nuk ka qenë, dhe pas gjithë këtyre ecejakeve, duke forcuar thyesën e tij në favor të numëruesit, po ashtu si e do e mira jonë e përbashkët, sonte e kemi këtu, mes nesh, (bashkë me Zonjën e tij) pak i lodhur nga rruga e gjatë, por i gatshëm të na dëgjojë dhe të ndajë me ne kujtime të tjera shtesë, porosi e mirëdashje.

Mirë se erdhe, profesor e poet i dashur Agim Vinca!

*Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore

Podgoricë, 22. 4. 2026

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË