KreuPanairAida Baro: Një laborator kulturor ku testohet jo vetëm çfarë shkruhet në...

Aida Baro: Një laborator kulturor ku testohet jo vetëm çfarë shkruhet në shqip, por edhe si mund të jetojë kjo letërsi në botë

Edicioni i dytë i Albanian Book Festival në Toronto shënon një zgjerim të dukshëm të hapësirës letrare shqiptare në diasporë, duke e kthyer festivalin në një platformë të strukturuar dialogu kulturor. Me rreth 350 autorë, afro 5,000 libra dhe 750 tituj të shpërndarë në dhjetë stenda tematike, festivali nuk është vetëm një ekspozitë librash, por një arkitekturë e gjallë e qarkullimit të letërsisë shqipe.

Programi i këtij viti ndërtohet rreth tri boshtesh kryesore: përkthimi, letërsia për fëmijë dhe shkëmbimi letrar ndërkulturor. Këto nuk trajtohen si kategori të ndara, por si zona që ndërthuren vazhdimisht në mënyrën se si letërsia prodhohet, transmetohet dhe lexohet sot, veçanërisht në kontekstin e diasporës shqiptaro-kanadeze dhe lexuesve jo-shqipfolës.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet fëmijëve dhe takimeve me autorë. Këtu letërsia nuk shfaqet vetëm si produkt kulturor, por si një formë edukimi emocional dhe gjuhësor, ku krijohet marrëdhënia e parë me librin dhe imagjinatën. Kështu, do të jetë e ftuar dramaturgia për fëmijë, Suzanne Lebeau, ajo vetë është kanadeze dhe në Shqipëri është botuar pjesa e saj teatrale “Këpucët prej rëre”, përkthyer nga Anjeza Murati e botuar nga Dita Books. Është një risi për tregun e librit në Shqipëri, i cili vuan nga mungesa e larmisë së zhanreve letrare. Kjo vepër është vënë në skenë edhe nga Teatri Metropol.

Në të njëjtën kohë, programi hap një diskutim të thelluar mbi natyrën e shkrimit bashkëkohor. Në bisedën me Ardian Vehbiun, vëmendja zhvendoset drejt kufijve gjithnjë e më të paqartë mes fiksionit, autofiksionit dhe kujtesës personale, duke ngritur pyetje mbi mënyrën se si ndërtohet e vërteta letrare në një epokë ku rrëfimi personal dhe historia ndërthuren vazhdimisht.

Nga ana tjetër, takimi me Rita Petro e vendos letërsinë në një territor më të drejtpërdrejtë ekzistencial: si akt lirie dhe si mënyrë e të qenit në botë. Fjala nuk mbetet vetëm tekst, por bëhet qëndrim, rezistencë dhe formë vetëdijeje sociale.

Në këtë ekosistem kulturor, një rol gjithnjë e më të rëndësishëm po merr edhe Aida Baro Literary Agency, e cila vepron si ndërmjetëse mes autorëve shqiptarë dhe tregut ndërkombëtar të librit. Agjencia letrare nuk kufizohet vetëm në përfaqësimin e autorëve, por ndërton ura mes përkthimit, të drejtave të botimit dhe rrjeteve editoriale jashtë Shqipërisë. Në një kontekst ku letërsia shqipe ende varet shumë nga iniciativa individuale për të dalë jashtë kufijve gjuhësorë, një strukturë e tillë synon të krijojë vazhdimësi dhe profesionalizëm në mënyrën se si prezantohen dhe qarkullojnë në tregjet e huaja autorët shqiptarë.

Në një plan më të gjerë, festivali përfshin edhe diskutime mbi historiografinë osmane dhe burimet arkivore, mbi letërsinë e mërgimit dhe mbi mënyrat se si e formon përvoja e largimit identitetin dhe kujtesën kolektive. Këto tema e zgjerojnë horizontin e festivalit përtej letërsisë si art, duke e vendosur atë në kryqëzimin mes historisë, ligjit, migrimit dhe kulturës.

Në qendër të gjithë këtij programi qëndron një ide e thjeshtë, por e vështirë për t’u realizuar: që letërsia shqipe të mos mbetet e mbyllur në kufijtë e saj gjuhësorë, por të qarkullojë, të përkthehet dhe të lexohet në hapësira të reja. Kjo kërkon jo vetëm autorë, por edhe përkthyes, redaktorë dhe ndërmjetës kulturorë që e bëjnë të mundur këtë kalim.

Në këtë kuptim, Albanian Book Festival në Toronto funksionon si një laborator kulturor ku testohet jo vetëm çfarë shkruhet në shqip, por edhe si mund të jetojë kjo letërsi në botë.

NJË KOMENT

  1. Tashti letërsia , krijimi letrar në ,,DIASPORË është në një nivel vlerash,të ngritura, pa dyshim ndonëse ënde ka ngecje , aty , këtu edhe hezitim nga shtepia prej ku BURON, por , që kadalëdalë ajo ngjitet në ..pyrgun komunikues,t’zëshëm , lexues , po thuaj së në shum meridiane t’globit tokësor, sidomos në shtetët, qutetët ku është vendosur, integruar diaspora Shqiptare. Ky premtim koha kohës po merr përmas gjërërsie, interesimi jo vetëm nga gjuha e shruar e saj, por edhe nga interesimi miqësorë , lidhët me vendorët kulturën integruese të cilët vjetëve t’fundit kanë emigruar nëpër kontinete t’botës. Shembulli konkret , që jo vetëm jep shpresë, por edhe bindé për një integrim të denjë kulturorë është pikëriht edhe KANADAJA e ;largët, por që afrohet kulturëlidhët nëpërmes gjuhës, shkrimeve, krijimeve letrare kulturore , leximit- reciprok ; LIBRIT… MERGIMTARI

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË