Parathënia e vëllimit poetik “Ëndërr e falur” të Resul Shabanit
Ëndërr e falur titullohet përmbledhja me poezitë që ka zgjedhur vetë autori Resul Shabani për të na dhënë një antologji të jetës së tij dhe si poet. Po ç’është ajo? Ëndrra është një dhuratë që na vjen nga lart, si nga qiejt, kështu besohet, del nga fati, e fshehur nga vetë nënvetëdija. Të të falet një ëndërr, është një mënyrë për të thënë: “Të është dhënë një mundësi për të parë përtej reales.” Dhe sa bukur kur kjo dhuratë është poezi! Ëndrra e falur është edhe një lloj frymëmarrjeje shpirtërore, do të thosha, por po aq edhe akt i mëshirës kozmike. Ëndrra bëhet edhe një falënderim i heshtur ndaj ekzistencës: “Faleminderit që më është falur të ëndërroj.” Dhe ëndrra të bën edhe poet. Dhe e fal ëndrrën si poezinë, pra, e dorëzon – me kuptimin “që e lëmë pas” si diçka që jo se s’do ta kemi më, por e dhamë për të tjerë. Ëndrra është edhe dashuri, shpresë, vetë idealja, të shtrenjtat që mund të kemi dhe falja e saj është edhe akt lirie, i natyrshëm si ajo.
Poeti ishte krejt si bari, lexojmë në këtë antologji. Poeti Resul Shabani përcakton ëndrrën e tij, rolin krijues të saj, kredon. Ëndrra si besim ka edhe një kuptim më mistik, thirrjen për adhurim të vetë ëndrrës që na ngre mbi realitetin, të besojmë në atë bukuri “që do ta shpëtojë botën”, sipas Dostojevskit, në fuqinë krijuese për të ndriçuar errësirën me dritë të brendshme. Dhe kjo s’është vetëm ëndërr. T’i lëmë mënjanë ëndrrat mashtruese, ankthin dhe tmerrin le t’ia lëmë urrejtjes, por të dimë të duam. Këtë porosi na ka lënë edhe Shenjtja jonë Nënë Tereza, e cila lindi në Shkup, atje ku jeton dhe shkruan edhe poeti Resul Shabani.
Në thelb, Ëndërr e falur është një oksimoron poetik, sepse falja nënkupton edhe dorëzimin, ndërsa ëndrra nënkupton edhe dëshirën. Këto dy përvoja të larta të njerëzores bashkohen si në një pikë drite te poezia Shfletim si në ëndërr.
Në brigjet prej ëndrre të liqenit të Ohrit, aty ku uji i derdhet zallit si kujtesë dhe lumi Drin merr jetë dhe bëhen këngë, poeti deshi ta dëgjojë botën me veshët e shpirtit. Zëri i Resul Shabanit vjen nga ato anë ku janë vendosur kufij që ndajnë edhe tokë edhe ujë, por jo frymën dhe ëndrrën. Quhet Maqedoni e Veriut – e Jugut për ne, shqiptarët, do të thosha – dhe aty ushtojnë ëmbël edhe meloditë e qëndresës dhe të identitetit. Në poezinë e Resul Shabanit vendlindja, atdheu, Ballkani, bashkohen dhe dhembin si një plagë, ndërsa Mesdheu frymon si horizont i hapur për bashkëjetesë dhe me poezi.
Poezia e tij është meditative dhe gjakon të përkorën, atë lloj heshtjeje që flet me agullimën e atyre vendeve, duke e bërë fjalën një akt sublim. Shumëzohej nga të prekurit me sqep/ të zogut grabitqar, shumëzohej me fjalët e veta, dënes si grua/ pa turp. Është poezia kështu dhe poeti bashkë. Zemrën “e vë në një pjatë me ujë të valë”. Përfytyrimi i flijimit artistik, njeriu naimjan që digjet për të ndriçuar të tjerët. Kur thotë: Çudi ishte poeti, krejt si ti, ai i kthen lexuesit pasqyrën – për ta bërë pjesë të së njëjtës ndjesi e ndërgjegjësim. Në poezinë Drini i Zi është lumi që bart mallin dhe historinë, por edhe poezinë: Zbriti me ujë e me valë rrëmeti/ si zemrën pikëllimi e brehu tokën. Këtu rrjedh jo vetëm uji, por edhe gjaku i jetës që kërkon lirinë e jetës. Drini bëhet metaforë e unitetit të copëtuar, mund të ndahen brigje, por jo ardhmëria. Ai mbledh vëllazërisht të gjitha dhembjet e Ballkanit dhe i shndërron në këngë. Në ujërat e tij sheh veten çdo vetvete, që rrjedh, por nuk shuhet. Shën Naumi përfshin shpirt të vendlindjes, që magjeps me trupin që ka, zemër mbi zemra. Hyjnia dhe njeriu, bukuria që ndriçon, por edhe djeg. Nuk e di sa e bukur je, sirenë e Mesdheut, me alga detit mbuluar, me koralin e verdhë. Kjo shtrirja largësive nga Ohri në Mesdhe, në këtë udhëtim, Ballkani i tij është dhe qendër e një universi që përzien besimin, artin dhe dashurinë. Në poezinë Zhulieta edhe vdekja përmendet me një butësi tronditëse: Si mund të jetë kaq e freskët vdekja/ në buzët e mia trëndafila?! Zhuljetë është vetë poezia. Dashuria dhe vdekja nuk janë ndarje, por takim, ku çasti arrin përjetësinë. Ja, edhe Hamleti me plis të zi dhe …mos më thoni / se heshtja ime s’është urtësi. Hamleti shqiptar mban kafkën e historisë së tij ndër duar, pa klithmë e përsiatje të thella, nën pelerinën e qetësisë. Plisi i zi bëhet kurorë, simbol i krenarisë që nuk kërkon sundim.
Ëndërr e falur shënon kulmin e një udhëtimi shpirtëror. Kur fjala bëhet lutje, çdo poezi është një rit i brendshëm katarsi. Në ciklin Artefakte dafine kujtesa shfaqet si peizazh mitik, ku Dru e gur, zhur e valë/ vetëm ngjyrë dhe vetëm pikturë. Realiteti si pikturë në lëvizje, ngjyra uji kullojnë si vegimet. Në ciklin Erosi mbi mjegull dashuria është dritë e butë pa vetmi. Në Tri balada, liqeni, nata dhe agimi flasin për qerthullin e pambarimtë të ndjenjës, ndërsa Trishtim i vakët sjell një melankoli të qetë që shndërrohet në kujtim e përshpirtje. Që rrjedhin si ujë i thellë dhe nuk kërkojnë të befasojnë, por të zgjojnë. Nëpër vargje ndihet ritmi i brendshëm i gjuhës, fryma e malit dhe shushurima e liqenit, një melos që pikon nga shpirti i fjalës amë. Në fund ai pohon me një besim të qetë: Këmbët vetë përpara më shpien./ Do të arrij sidoqoftë… Dhe kjo vetë është arritje. Resul Shabani është poet i gjuhës së tij dhe i heshtjeve që flasin, poet i urave të padukshme ballkanike, ku bie hija e legjendave. Poezia që na vjen prej andej, nuk është vetëm lexim, por dhe përvojë, mënyra më e bukur për të (mbi)jetuar.
Tiranë, tetor 2025


