KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Alfred Çapaliku: De Rada për Shkodrën – Shkodra për De...

Prof. Dr. Alfred Çapaliku: De Rada për Shkodrën – Shkodra për De Radën

Në 123-vjetorin e vdekjes së Jeronim De Radës

“Më 1836, nga dashuria për emrin e Atdheut, u ngrita i pari dhe, si i vetmi shqiptar, qita në dritë të diellit, pothuajse si në një palestër të përbashkët, fiset e ndryshme që tregojnë virtytet e tyre.”

Jeronim de Rada*

DE RADA PËR SHKODRËN

Lidhja e parë e Poetit të kangjeleve me Shkodrën erdhi përmes letërsisë, kur më 1836 botoi në Napoli librin “Poesie Albanesi del secolo XV. Canti di Milosao, figlio del despota di Scutari” – “Poezi shqiptare të shekullit XV.  Këngë të Milosaut, bir i sundimtarit të Shkodrës”. Qasja ndaj qytetit historik të Shkodrës shihet qysh në titullin e  kryeveprës së tij dhe të mbarë poezisë shqipe. Jeronim de Rada, si mjeshtër i portretizimit, vëllain protagonist Milosaon dhe motrën e vogël deuteragoniste Letician,  i ka trajtuar si personazhe me detaje domethënëse e me tipare karakteristike, në të cilat shquhet fisnikëria e djemve dhe e vajzave shkodrane të shekullit XV. Milosao largohet nga qyteti i lindjes për të studiuar e më pas për të luftuar, por rri përgjithmonë në kujtesën e kombit si një simbol qëndrese:

“Gjaku im te lumi i Vodhit . / Hapeni  shatoren,

O ushtarë, që të shoh /  Shkodrën edhe time motër.” (1)

Edhe pse ka humbur familjen (nënën, gruan, djalin) dhe i ka mbetur te shtëpia veç motra e vogël, heroi romantik Milosao në amanetin e fundit kërkon që të ketë para syve të tij fillimisht Shkodrën dhe menjëherë mbas saj motrën.

Studiuesi Jup Kastrati ka vënë re: “Për të parën herë në historinë e letërsisë shqiptar paraqiten guximi dhe trimëria e popullit shqiptar në një vepër artistike. Milosau, përshkruar aq fuqishëm nga pena deradiane, bie theror për mbrojtjen e atdheut. Shuhet pranë liqenit të Shkodrës, te lumi i Obotit. Në këtë poemë De Rada shpreh nostalgjinë dhe dashurinë për atdheun e etërve të tij.” (2)

Portretizimi i motrës është bërë me fije të arta thurur me delikatesë përmes shkrimit eliptik të llojit “vedo non vedo”. Motra e vogël e tij  rrezaton pastërti virgjërore falë gërshetit vajëror kapur me lidhëse të bardhë. As porosia e fantazmës së Rinës për të gjetur shokun e jetës, as këshilla e Milosaos për martesë me një trim arbër, nuk e tundin nga përkushtimi deri në vetëmohim ndaj vëllait. Prandaj heroi i poemës liriko – epike e rendit atë përkrah Shkodrës në fjalët e fundit. Motra ia ndrin jetën vëllait duke e lënë veten e saj në hije. 

Studiuesja Fatbardha Hoxha ka spikatur se: “Kulti i gruas, aq i preferuar për romantikët, është përvijuar edhe në figurën e Leticies, ku De Rada ka derdhur me densitet t pakrahasueshëm sakrificën e pafund të motrës për vëllain.” (3)

Lidhja e dytë e Jeronim de Radës me Shkodrën erdhi përmes publicistikës, kur ai themeloi në Corigliano Calabro revistën “Fiamuri i Arbërit” -“La bandiera dell’ Albania” (1883 – 1887), një nga tribunat më të rëndësishme të shtypit shqiptar të Rilindjes sonë Kombëtare. Mjaft figura të shquara kulturore të Shkodrës, kohanike me Jeronim de Radën, shquhen nëpër artikujt publicistikë të shkruar me elegancën e pendës së shkrimtarit arbëresh.

Lavdërim për Leonardo de Martinon 

“At Leonardi për t’iu dhënë guxim dhe për t’ua zgjeruar mendjet hartonte një dramë të shenjtë shpirtërore, që qe e para dramë shqiptare, shfaqur nga nxënësit e shkollave popullore në kishën e françeskanëve në Shkodër natën e Krishtlindjeve më 1880.”  (4).

Kjo konsideratë e Jeronim de Radës për pionierin e teatrit shqiptar doli në shtypin periodik arbëresh më 1884. Vite më pas, më 1896, në një antologji shqipe të përgatitur prej tij, ai i bëri një tjetër lavdërim, po aq të merituar, arbëreshit shkodran Leonardo de Martino:

“Sigurisht i vlerti De Martino ka meritë më tepër se të gjithë ne për ringritjen e shpirtërave në Shkodër dhe në krahinën e saj, ku ai qëndron.” (5)

Profil për Prenkë Doçin

“Po i botojmë këto vargje të një atdhetari të ndritur nga Shkodra, për t’iu përgjigjur para së gjithash nevojës që të bashkohemi në gjuhë (e cila është detyrë e Fiamurit të Arbërit). Dhe pritëm për t’i vënë përbri, jo gjithaq si shfrim dashurie, por si adhurim i vërtetë, të cilëve, me ndjesi të thjeshta e të natyrëshme, ata u rrinë në krahë si bij të një kombi.” (6)

Portret për Filip Shirokën

“Kur Fuqitë e Europës ndërhynë për copëtimin e parë të Shqipërisë, një djalosh shkodran, Karolipo Shifi (anagram i poetit Filip Shiroka) hartoi hymnin e luftës italisht, i cili paraqet një paraftyrë të vendit të sotëm të Shqipërisë.” (7)

Lartësim për veprën e çmuar të Pashko Vasës   

“Shih disertacionin e shkëlqyer të Vaso Pashës, sot guvernator i Libanit, botuar gjermanisht në Berlin më 1879”. (“E vërteta mbiShqipërinë dhe shqiptarët. Një studim kritik historik”. Shën. im: A. Ç.). (8)

Epistular me Zef Jubanin 

Jeronim de Rada mbajti letërkëmbim me një nga udhëheqësit e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare, me folkloristin e njohur shkodran Zef Jubani (Ndokillia). Një letër,  ajo e shkruar në gjuhën italishte dhe dërguar Zefit më 12 korrik 1870, u bë publike nëpërmjet shtypit arbëresh.  

Shkodra dhe Buna  

Shkodra- Skutari përmendet si toponim pesëmbëdhjetë herë në krijimtarinë letrare dhe në publicistikën deradiane, ndërsa Buna – Buena, lumi që rrjedh pranë qytetit të Shkodrës, i del si hidronim tri herë në opus. (9)

SHKODRA PËR DE RADËN

Në korrespondencën nga Krakovi i Polonisë  për në Grac të Austrisë me albanologun Gustav Majer, te letra VIII e 6 dhjetorit 1892, poeti i ri Ndre Mjeda interesohet për jetën e De Radës. Ndërsa në letrën XII të 16 marsit 1893 duke dashur që të njohë një kontribut të rëndësishëm filologjik të Jeronim de Radës i shkruan shumë të shkëlqyeshmit zotit Profesor: “Unë gjithnjë vazhdoj ta shtoj, ndonëse me ngadalë, koleksionin tim të vogël të librave. Deri tani i kam grumbulluar të gjitha gramatikat e shqipes, me përjashtim të asaj të De Radës dhe të Likut …” (10)  

Më 1903 – 1904 si pasardhës i Jeronim De Radës në detyrën e profesorit të gjuhës shqipe në Kolegjin e Shën Adrianit u emërua gramatikani dhe poeti nga Shkodra, Gaspër Jakova – Merturi. Më tej në vitin shkollor 1911 – 1912, si mësues i gjuhës shqipe, ishte aty intelektuali shkodran Nikollë Martin Zamaj.

Për ndriçimin e figurës së apostullit të Rilindjes Kombëtare Jeronim  de Rada (Maki, Kozencë, Kalabri 29. 11. 1814 – 28. 02. 1903) kontribuan me 230 artikuj shkencorë edhe 46 studiues nga areali shkodran. Autorët, sipas rendit mbiemëror, janë: Ermira Alija, Kolë Ashta, Vehbi Bala, Izet Bebeziqi, Hamit Boriçi, Martin Camaj, Alfred Çapaliku, Stefan Çapaliku, Tonin Çobani, Gjovalin Çuni, Palokë Daka, Miaser Dibra, Andreas Dushi, Filip Fishta, Gjergj Fishta, Luigj Franja, Karl Gurakuqi, Luigj Gurakuqi (ish – nxënës i De Radës në kolegjin e Shën Adrianit, Shën Mitër Korone), Mark Gurakuqi, Artan Haxhi, Nertila Haxhia – Ljarja, Fatbardha Hoxha, Kolë Kamsi, Paulin Kamsi, Valbona Karakaçi, Eleni Karamitri, Jup Kastrati, Ernest Koliqi, Gazmend  Krasniqi, Ledri Kurti, Mati Logoreci, Ardian Marashi, Vinçens Marku, Ndojë Mhilli, Filip Ndocaj, Shefik Osmani, Tomor Osmani, Arshi Pipa, Fadil Podgorica, Arben Prendi, Gëzim Puka, Sami Repishti, Justin Rrota, Gjovalin Shkurtaj, Tefë Topalli, Zef Valentini.

Brilant është vlerësimi i folkloristit të mirënjohur Kolë Kamsi rreth personalitetit të Jeronim de Radës: “E pernjimend ky burrë qi ja kushtoj Shqypnìis fuqìin e mèndes, qetsìin e shpirtit e ja fali gjithë gjàan e jeten e vet, kje nji luftàar per komin t’ onë, pènda e tìi kje e prehtë si shpata e Skanderbeut.” (11)

Edhe sot e kësaj dite vijon interesimi i madh për këtë figurë poliedrike të botës shqiptaro – arbëreshe, nga pedagogët e gjuhës e të letërsisë, studentët filologë, doktorantët e Gjuhës shqipe në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si dhe nga  anëtarët e Qendrës së Studimeve Albanologjike në atë instutucion të arsimit të lartë shqiptar..

Kësisoj marrëdhënia Jeronim de Rada për Shkodrën dhe Shkodra për Jeronim de Radën rri në simbiozë.

EPILOG: VJEN DE RADA

“Te shtëpi e Zotit e ka varrin,

Ku kangjelja feks si një qiri,

Por ndriçimi nuk ia shuan mallin 

Për çdo lis me erë Arbëri.

Anëdetit klith porsi lumbardha, 

Brigjet diellore mban ndër sy, 

Kala – Shkodra, lule mac – Saranda,

Vjen De Rada si një bard aty:

-Si të lashë prap të pashë ty!” (12)

REFERENCA:

*G. De Rada: “Canti istorici albanesi di Serafina Thopia, moglie del principe Nicolo Ducagini”. Tradotto in prosa italiana. Napoli, della Tipografia Boeziana, 1839, p. 82.

1. Jeronim de Rada: “Këngët e Milosaos”. XXX, v. 3 – 6. Vepra letrare 1. Tiranë, 1987, f. 127.

2. Jup Kastrati: “Krijimtaria e Jeronim de  Radës”. Jeronim de Rada. Vepra letrare 1. Tiranë, 1987, f. 12.

3. Fatbardha Hoxha: “Poema “Këngët e Milosaos” në optikën e sotme të leximit”. Letërsi e interpretuar. Shkodër, 2003, f. 88.

4. Girolamo De Rada: “Leonardo De Martino”. Rev. “Fiamuri i Arbërit” – “La Bandiera dell’ Albania”. Anno I. Nr. 6. Corigliano Calabro. 30 marzo 1884, p. 7.

5. Girolamo De Rada: “Leonardo De Martino”. Antologia albanese. Napoli, 1896, p. 74.

6. Girolamo De Rada: “Prenkë Doçi nga Shkodra”. Rev. “Fiamuri i Arbërit” – “La Bandiera dell’ Albania”. Corigliano Calabro. Anno I. Nr. 11. 30 settembre 1884, p. 7.

7. Girolamo De Rada: “Filip Shiroka”. Rev. “Fiamuri i Arbërit” – “La Bandiera dell’ Albania”. Anno II. Nr. 7. 20 ottobre 1885, p. 3.

8. Girolamo De Rada: “Vaso Pasha”. Rev. “Fiamuri i Arbërit” – “La Bandiera dell’ Albania”. Anno III. Nr. 9. Cosenza. 20 gennaio 1886.    

9. Jeronim de Rada: “Tregues i emrave gjeografikë”. Vepra historike dhe filologjike. Përkthyer prej italishtes, me një studim hyrës dhe me shënime e komente plotësuese nga prof. dr. Jup Kastrati. Tiranë, 2020, f. 78, 94, 304, 305, 347, 452, 459, 605, 680, 681, 705.

10. Ndre Mjeda: “Korrespondenca. Dymbëdhjetë letra të Ndre Mjedjes, shkruar italisht, dërguar albanologut Gustav Majer gjatë vitit 1892 – 1893”. Ndre Mjedja. Vepra letrare 2. Tiranë, 1988, f. 140, 146. 

11. Kolë Kamsi: “Jeronimi De Rada. 1814 – 1903”. Shqiptarët e Italisë. Shkodër, 2006, f. 354.

12. Alfred Çapaliku: “Vjen De Rada”. Harmoni. Lirika. Shkodër, 2015. f. 55.       

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË