Monografia “VASIL RAKAJ”, nga Suzana Varvarica
Kur Zana më telefonoi për t’u angazhuar me fjalën e rastit, mu kujtua menjëherë ajo kohë që sot duket sikur i përket një bote tjetër, vitet kur studionim së bashku në shkollat e artit, në Liceun Artistik dhe në Institutin e Lartë të Arteve! Ishin vite me kufizime të shumta, me mungesa në materiale, me një horizont kulturor të kontrolluar, por me një etje të jashtëzakonshme për dije!
Në shtëpitë tona ende nuk kishte televizor dhe bota e ekranit të vogël ishte pothuajse e panjohur. Filmat që shfaqeshin në ekranin e madh të kinemasë, ishin të paktë dhe të përzgjedhur. Për jetën e artistëve të mëdhenj flitej shumë pak, ndërsa për shumë prej tyre nuk flitej fare. Në atë kohë, dritarja e vetme që na hapej drejt botës së madhe të artit ishte libri. Pa librin, ne nuk do ta kishim kuptuar kurrë territorin e pafund të artit, atë hapësirë të gjerë ku krijonin artistët, përtej kufijve të vendit tonë. Pa librin do të kishim vetëm hartën e vogël të një ishulli të izoluar, ku ne do të krijonin vetëm për njëri-tjetrin, pa e ndjerë frymëmarrjen e botës së madhe!
Ishte libri, ai që vërtetë na hapi sytë. Pak prej tyre arrinim të merrnim në bibliotekë. Më pas kur disa botime u ndaluan, librat që qarkullonin dorazi, u bënë ushqimi ynë më i çmuar. Nëpër faqet e tyre ne njohëm për herë të parë artistët “e jashtëm”, ata që krijonin në një botë që për ne ishte e largët dhe e paarritshme si vetë ëndrat. Secili prej tyre kishte të paktën një monografi. I mbaj mend librat e mëdhenj, të rëndë, të trashë, me kopertinë të fortë, me këmishë lluksoze dhe me një peshë që dukej sikur mbante brenda jo vetëm veprat e artistit, por edhe atë vetë.
Ishin të mbushur me imazhe të veprave, të riprodhuara me një përkujdesje që për kohën dukeshin pothuajse perfekte, të shoqëruara me tekste të gjata nga kritikë, studiues dhe historianë arti. Nuk na shkonte kurrë ndër mend se një ditë edhe ne, artistët e këtij vendi të vogël, do të kishim libra të tillë të personalizuar për krijimet tona.
Libri i një artisti të madh, mua më shëmbëllente me një katedrale. Pse?
Sepse kur ndërtohej katedralja, qyteti bëhej i rendësishëm dhe ngrihej në një status të veçantë. Brenda asaj ndërtese mpiksej e gjithë energjia e kohës. Nuk ishte thjeshtë një ndërtesë e aq, por një qendër graviteti rreth së cilës organizohej e gjithë jeta e atij qyteti. Koha rridhte ndryshe, ku e përditshmëria e zhurmshme mbetej jashtë. Ishte një arkiv i gjallë i kujtesës, pasi në gurët e saj gdhendeshin figura, histori, shenja dhe simbole. Kështu ndërtesa bëhej një libër i madh guri ku shkruhej historia e dukshme dhe ajo okulte.
Në të njëjtën mënyrë, edhe një libër monografik bëhet qendra rreth së cilës orientohet e gjithë qenia e një artisti. Ai mbledh në një pikë të vetme të gjithë udhëtimin, të gjitha përpjekjet dhe të gjitha gjurmët që ai ka lënë në kohë!
Ti, i dashur Vasil, ja mbërrite të ndërtosh katedralen tënde!
Dhe për ta ngritur këtë ndërtesë, zgjodhe Zana Varvaricën si arkitekte, si inxhiniere dhe si muratore të kësaj ngrehine. Ajo mori përsipër një punë, që nuk është vetëm teknike, por e brendshme, sepse një libër i tillë nuk ndërtohet thjesht me informacion; ai ndërtohet me kuptim, me përzgjedhje dhe me një ndjeshmëri që di të dallojë thelbin nga të rastësishmet.
Ashtu si katedralja që ngrihej në mes të qytetit dhe organizonte jetën rreth saj, edhe ky libër monografik ngrihet në mes të jetës tënde si artist dhe organizon kujtesën tënde krijuese. Në faqet e kësaj monografije mblidhen vitet e punës, kërkimet, dyshimet, dështimet dhe sukseset e tua. Çdo vepër vendoset në vendin e vet, si një gur në një mur të madh, dhe papritur rruga që dukej e shpërndarë në kohë merr një formë të qartë.
Nëse katedralja thërriste drejt vetes mjeshtra, pelegrinë dhe udhëtarë, ky libër do thërrasë lexues, studiues dhe dashamirës të artit. Ti dhe publiku mund të komunikoni përtej kohës dhe përtej distancave. Njerëz që nuk të kanë njohur kurrë, mund të hyjnë në këtë hapësirë të ndërtuar me fjalë dhe imazhe dhe do të zbulojnë aty universin tend artistik.
Por ndikimi i librit shkon edhe më thellë. Nëse katedralja transformonte qytetin së jashtmi, libri transformon individin së brendëshmi. Çdo njeri që do e hapi katë libër do të hyjë në një hapësirë të re reflektimi. Faqet e tij do bëhen si dritare nga të cilat, do të hyjë një dritë tjetër, një dritë që ndriçon jo vetëm veprat e tua, por edhe mendimet dhe përvojat e atij që i sheh.
Brenda këtij “qyteti të brendshëm”, imazhet e tua dhe fjalët e Zanës ndërtojnë rrugë. Një vepër tëndja të çon tek një tjetër, një ide e Zanës çel një ide tjetër, dhe lexuesi fillon të ndërtojë brenda vetes një hartë të re, ku arti yt bëhet një pikë orientimi për të kuptuar qenien tënde. Ashtu si në një katedrale ku drita e vitrazheve ndryshon me orët e ditës, edhe kuptimi i këtij libri do ndryshojë me kalimin e kohës dhe me përvojën e atij që e lexon.
Në këtë mënyrë, libri monografik për ty nuk do të jetë vetëm një dokumentim i veprës tënde. Ai do jetë një hapësirë e gjallë, ku energjia krijuese tënde do vazhdojë të qarkullojë. Ai do ruajë kujtesën e një jete artistike, por njëkohësisht do e përhapë atë, që të vazhdojë të ndikojë në mendjet dhe imagjinatën e të tjerëve.
Së fundi, ashtu si katedralet që mbetën për shekuj si qendra të qyteteve, edhe një libër i tillë do të mbetet si një qendër midis shumë qendrave graviteti në kulturë. Ai do të “flejë” në raftet e bibliotekave, por e vërteta është se do të jetojë në mendjet e atyre që do e hapin.
Zana e ngriti këtë ngrehinë tullë pas tulle, faqe pas faqe, duke ndjekur me durim gjurmët e krijimtarisë tënde. Ashtu si mjeshtrat e dikurshëm që kontrollonin çdo gur përpara se ta vendosnin në murin e katedrales, edhe ajo ka zgjedhur me kujdes çdo vepër, çdo periudhë, çdo moment të rëndësishëm të rrugës tënde artistike, që rrëfimi të ndërtohej i qartë dhe i qëndrueshëm.
Një monografi nuk është vetëm një renditje kronologjike veprash. Ajo është një proces kërkimi dhe kuptimi. Ajo kërkon të hyjë në logjikën e brendshme të krijimit, të kuptojë se si lind një ide, si ndryshon në kohë dhe si shndërrohet në formë. Për këtë arsye, puna e autores është një lloj arkeologjie e kujtesës artistike: ajo gërmon në dokumente, në kujtime, në dëshmi dhe në vetë veprat, për të zbuluar lidhjet e fshehta që i bashkojnë ato.
Ti, Vasil, i besove Zanës gjithçka ke bërë në vite: punën e gjatë në studio, kërkimet, eksperimentet, periudhat e ndryshme të krijimtarisë tënde. I besove jo vetëm veprat, por edhe historinë e tyre, rrugën që kanë bërë deri sa janë ngjizur si pjesë e universit tënd artistik. Dhe ajo e mori këtë besim me përkushtim, duke e përkthyer udhëtimin në gjuhën e studimit dhe të reflektimit kritik.
Ajo ndërtoi një rrëfim që nuk është vetëm për veprat, por për rrugën që të ka çuar tek ato. Sepse çdo vepër e një artisti, është një stacion në një udhëtim më të gjatë, dhe vetëm kur këto stacione lidhen mes tyre, fillon të duket qartë harta e plotë e këtij pelegrinazhi.
Në këtë mënyrë, libri që ajo ka ndërtuar nuk është vetëm një dokumentim i krijimtarisë sate. Ai është një strukturë e menduar me kujdes, ku çdo kapitull është si një hapësirë e veçantë, një vend ku lexuesi mund të ndalet, të shohë, të kuptojë dhe të ndjejë më thellë energjinë e punës tënde artistike. Dhe kështu, përmes kësaj pune të duruar, ajo ka bërë atë që bëjnë arkitektët e mirë të kujtesës: ka ndërtuar një hapësirë ku veprat e tua jo vetëm të ruhen, por edhe flasin mes tyre, duke i dhënë lexuesit mundësinë të shohë më qartë jo vetëm atë që ke krijuar, por edhe rrugën e gjatë që të ka sjellë deri këtu.
Unë jam shprehur edhe më parë për punën e Zanës, në promovimin e monografisë së një tjetër piktori. Zana nuk ka ndryshuar. Është po ajo: e përkushtuar, e duruar e qartë dhe kërkuese. Prandaj e gjej me vend të rilexoj mbylljen e fjalës sime të para disa muajve për të.
“Shumë vite më parë jam shprehur se në bibliotekën virtuale të mendjes sime kishte një mungesë të madhe monografish për artistët shqiptarë dhe kjo asfiksi krijonte një përshtypje të mbrapshtë, sikur në Shqipëri artet e bukura të ishin një ‘vrimë e zezë’. Sot bibliotekat tona kanë në raftet e tyre disa libra të tillë me një cilësi të admirueshme, dhe kjo falë studiuesve, ku në rresht të parë bën pjesë edhe Zana Varvarica. Puna e saj është e gjatë. Nuk bëhet në pak ditë, por kërkon muaj të tërë dhe shpesh vite, derisa vepra të piqet. Janë ditë të mbushura me kërkime, grumbullime, seleksionime, balancime, evidentime, takime dhe biseda të shumta me njerëzit që e kanë njohur dhe që kanë qëndruar pranë personazhit që ajo analizon. Është një punë e vështirë, sepse nuk të lejon të rrish ulur, siç do të rrimë ne kur libri të na bjerë në dorë dhe do ta shohim qetësisht në rehatinë tonë.”
Nuk po i përsëris thjeshtë fjalët që kam thënë më parë, por po rikonfirmoj njohjen time për të. Po të njëjtën kthjelltësi në analizë ajo ka treguar edhe në këtë libër dhe, padyshim, e ka bërë me një ndjeshmëri të veçantë. Jo vetëm sepse po shkruan për një artist, por sepse po shkruan për ty, me të cilin kemi ndarë vite formimi, miqësie dhe një pjesë të rëndësishme të jetës sonë!
I dashur Vasil, si fillim, librin e krahasova me një katedrale për nga pesha dhe rëndësia që ai mbart. Por mund të sjell këtu edhe një tjetër imazh plot kuptim për të. Victor Hugo në romanin Katedralja e Parisit, shkruan:
“Kur kujtesa e popujve po formësohej dhe kur mendja njerëzore ishte në fëmijërinë e saj, gjithçka shkruhej në librin e gurtë. Por në çastin kur u shpik shtypshkronja, mendimi njerëzor gjeti një mënyrë më të qëndrueshme dhe më të lehtë për të jetuar. Mendimi u bë zog. Ai fluturon në katër erërat që mbush ajrin dhe hapësirën. Mali do të zhdukej prej kohësh nën ujë, gjatë një përmbytjeje të madhe, ndërsa zogjtë do të fluturonin ende.”
I tillë do të jetë libri i mikes tonë, studiueses Zana Varvarica, shkruar për ty: një tufë zogjsh që do të fluturojnë përtej kësaj dite, përtej kësaj salle dhe përtej kohës sonë, duke mbajtur me vete kujtesën e punës, të përkushtimit dhe të udhëtimit tënd artistik!
Veprat e tua vërtetë jetojnë në hapësirën e tyre natyrale, në studio, në ekspozita dhe koleksione, por libri është ai që do t’u japë atyre një tjetër jetë – kujtesën.
Vasil, të falënderoj që më dhe mundësinë të shprehem me disa rreshta në këtë ngjarje kaq të rëndësishme të jetës tënde!


