KreuLetërsiBibliotekëMira Meksi: Ernesto Sabato në Tiranë

Mira Meksi: Ernesto Sabato në Tiranë

Pasthënia e “Tunelit”

Origjina arbërore e nënës së Sabatos, malet e Shqipërisë si pengu i jetëvdekjes së atij që u quajt një nga tigrat e letërsisë latinoamerikane, por edhe Skënderbeu, lidhen me ekzistencën dhe historinë e çmimit letrar ndërkombëtar që u krijua nga fondacioni kulturor privat “Velija” në vitin 1995. Juria letrare prej pesëmbëdhjetë anëtarësh (kishte edhe personalitete kulturore nga Kosova dhe Maqedonia) e fondacionit “Velija”, të cilin e drejtoja, e pranoi idenë time për të krijuar një çmim letrar ndërkombëtar. Mesazhi ishte i qartë për promovimin e kulturës sonë: në dialogun e madh kulturor të popujve, ku s’ka kultura të mëdha dhe të vogla, mëtonim të hynim si të barabartë mes të barabartësh. Çmimi ndërkombëtar letrar mori emrin e shkrimtarit më të madh të gjuhës shqipe, u quajt “Çmimi Kadare”.

Sfida ishte shumë e madhe: duhej qëlluar në shenjë me emrin e parë, jo vetëm për t’i dhënë çmimit vlerën dhe dinjitetin që meritonte, por edhe për të krijuar traditën e tij. Emri i argjentinasit Ernesto Sabato, shkrimtarit 85-vjeçar,  kishte dritë hyjnore: ishte një nga shkrimtarët e mëdhenj botërorë dhe e dinim që kishte deklaruar me krenari faqe botës se kishte në deje gjak shqiptari. Në studion e tij të punës mbante një pikturë të heroit tonë kombëtar, Skënderbeut. Më kujtohet biseda ime e parë me të në telefon, mbaj mend që nuk e fshihte mallëngjimin e thellë dhe fjalët i dilnin bashkë me ngashërimet: “Nuk doja të vdisja pa parë malet e Shqipërisë, vendin e origjinës të nënës sime, por as që e imagjinoja se mundësia do të më vinte me anë të një çmimi letrar…” Vepra e Sabato-s asokohe ishte botuar në shqip vetëm në Prishtinë dhe Tuneli që unë e përktheva me një frymë u botua në Tiranë më 1996, pikërisht nga shtëpia botuese e Kadaresë, “Onufri”, pas ardhjes së tij në Shqipëri.

Mes shumë peripecive, më 17 prill 1996, Sabato mbërriti në Tiranë, i shoqëruar nga Elvira Fraga, partnerja e tij: ishte personaliteti më i madh i kulturës botërore që kish shkelur ndonjëherë tokën e arbrit. Për një javë të tërë kryeqyteti njohu shumë ngjarje kulturore që lidheshin me të. Tri ditë përpara se të mbërrinte në Tiranë, Sabato i dërgoi me faks Shqipërisë, siç shprehej, Testamentin e tij shpirtëror disafaqësh, një lloj biografie jetësore, biografi idesh, por edhe shpirtërore njëkohësisht, që u botua në shtypin e kohës. E vendosëm në vilën e dikurshme të Enver Hoxhës, Vila 31. Aty nga mesnata më telefonoi në shtëpi i tmerruar (nuk e morëm vesh kurrë se kush ia kish thënë) që e kishim vendosur të jetonte atë javë në shtëpinë e dikurshme të diktatorit. Ndaj të gdhirë mundëm ta rehatonim në një suitë të Hotel Tiranës. Të nesërmen në mbrëmje – nuk u ndava prej tij atë javë që ai ndenji – në dhomën e verërave të restorant “Piazza”-s më besoi zëulët arsyen e vërtetë përse ishte larguar për tërë natën nga Vila 31. “Nuk desha, në asnjë mënyrë, të pikturoja fantazma diktatorësh, – më tha, – sepse, domosdo, do të më duhej ta bëja”. 

E kam ende fletën e shkëputur nga një fletore shkollari, ku kam shkruar ngutazi një varg tangoje (që Sabato e recitoi), i cili thotë: Ku ishe ti Zot/ kur vdiq i dashuri im? dhe ku poshtë tij, po atë mbrëmje te “Piazza”, Sabato pikturoi një lule supernatyraliste. E kishte më të lehtë që në librat apo albumet që na dhuroi të vizatonte një pakogjë si përkushtim sesa të shkruante fjalë. Drita e syve i ishte mpakur shumë. Mjekët ia kishin ndaluar shkrimin, tani vetëm pikturonte. Sapo kisha dalë nga një sëmundje e rëndë. Dy javë më parë kisha përfunduar radioterapinë dhe në dekoltenë time ishte e dukshme gjurma e lëkurës së nxirë prej rrezeve. Ankthi ekzistencial më kaplonte shpesh dhe kish raste kur vetë jeta vihej në pyetje. Sabato ishte, ndoshta, një nga njerëzit që e kish vuajtur më shumë në lëkurë atë gjendje. “Ma ka transmetuar ime ëmë që në bark”, – më shpjegoi. – “Kur linda unë, sapo kish vdekur Ernestito-ja, im vëlla. Mora emrin e tij, bashkë me dhembjen dhe ankthin e nënës sime”. Më pas më shpjegoi se romani Tuneli, roman psikologjik tejet i errët, nga më të dëgjuarit në botë, ishte shkruar nën ndikimin e anktheve të forta ekzistenciale. E kujtoj shpesh këshillën që më dha, madje dëgjoj edhe zërin e tij të ulët, të rëndë dhe të ngrohtë: “Dëgjo sa më shumë muzikë, Mira, që kur hap sytë në mëngjes. Dominoje nënndërgjegjen dhe shndërroji ankthet në fjalë. Hidhi në letër.”

Ceremonia e dorëzimit të çmimit “Kadare” ishte madhështore dhe krejt e pazakontë, në një sallë të madhe të Piramidës ku, mes dhjetëra njerëzve të kulturës të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, mes të cilëve edhe Kadareja, por edhe të shumë personaliteteve të huaja të kulturës, Sabato shpalli se tani që kishte parë malet e Shqipërisë e kish hequr, më në fund, “pengun” e jetës së tij dhe ndihej krenar për origjinën e nënës së vet, ku shkrimtari Visar Zhiti i solli një grusht dhé nga trualli i arbëreshëve të Italisë që ia përndriti sytë dhe ku të gjithë, me krijues dhe dashamirës të çmimit “Kadare”, iu gëzuam triumfit të tij të plotë. Shtypi i rëndësishëm botëror shkroi për ngjarjen.

Kur ia dërgova Tunelin në shqip, botuar nga “Onufri”, i cili vonoi jo pak për të mbërritur në Santos Lugares, në Buenos Aires të Argjentinës, Elvira më tregoi se i gëzohej librit si fëmijë. Kohë më pas nisëm një shkëmbim të dendur me fakse për të saktësuar kujtimet dhe mbresat e tij nga vizita në Tiranë, sidomos emrat e shkrimtarëve dhe të atyre që kishte takuar dhe që i kishin lënë mbresa. Sabato po diktonte librin-testament, të cilin e quajti Përpara fundit. Me Elvirën fola shpesh në telefon ato kohë, gjithmonë në funksion të librit që ishte në proces shkrimi. Ndërsa me Sabaton vetëm një herë të fundit, pasi libri ishte botuar dhe më kish mbërritur një kopje e tij në Tiranë. Më telefonoi për të më thënë se më ishte mirënjohës jo vetëm se i kisha mundësuar vizitën në dheun e të parëve, por edhe për ndihmesën e vyer për të shkruar librin Përpara fundit.  

Në librin-testament shkruante se vokacionin për pikturën e kishte nga damari mesdhetar dhe se mund të vdiste zemërlumtur në çdo çast të ditës që pas vitit 1996, kur arriti të shihte malet e Shqipërisë, vendin e nënës së tij. U shua më 30 prill 2011, pothuaj 100 vjeç.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË