More
    KreuLetërsiShënime mbi libraElona Baçi: Drita Çomo, kronikat e fshehta të një jete - ditari...

    Elona Baçi: Drita Çomo, kronikat e fshehta të një jete – ditari dhe dosja

    Ditari i Drita Çomos është ndoshta ditari më i njohur në Shqipëri nga ata që janë botuar gjer më sot. Është konsideruar edhe një  lloj “Ana Franku shqiptare” dhe ditari i saj si një fenomen në dokumentimin e jetës së një të reje shqiptare që pati një jetë të shkurtër në Shqipërinë komuniste për shkak të sëmundjes së tumorit në mushkëri.

    Drita Çomo (19 mars 1958-19 shkurt 1981) ishte e bija e vogël e dy ish-funksionarëve komunistë, Liri Belishova dhe Maqo Çomo. Fati i saj ishte fati i të gjithë fëmijëve të prindërve të dënuar dhe persekutuar. Për shkak të burgosjes së babait dhe internimit të nënës, ajo jetoi me të ëmën dhe vëllain në internim në qytezën e Cërrikut. Edhe pse, sipas ligjeve të kohës fëmijët nuk ishin të internuar, afërmendsh mund të jeton të lirë pa prindërit e tyre. Në këto kushte u rrit Drita Çomo, të cilën bashkë me të vëllain, Petritin, e rriti gjyshja, derisa iu bashkua së ëmës kur ajo u internua në Cërrik, pas disa kohësh që qëndroi në Progonat ku u internua si fillim.

    Në vitin 1960, kur shteti shqiptar prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovietik, Liri Belishova, ish-anëtare e Byrosë Politike dhe ish-Sekretare e Komitetit Qendror nuk u dënua, nuk pati për të një gjyq, por menjëherë bashkë me të shoqin, Maqo Çomo – ish-Ministër i Bujqësisë – u zhveshën nga funksionet publike dhe politike e u dërguan në Progonat. Pak më vonë Maqoja, i vetëm, u internua në Zvërnec të Vlorës. Fëmijët e martesës së tyre, Petritin dhe Dritën, i mbajti e ëma e Lirisë në fillim në Tiranë pastaj në Elbasan, Bulja. Dy vajzat e Maqo Çomos nga martesa e parë i mbajtën familja e tij. Liria me dy fëmijët e saj u bashkuan në vitin 1968 në Progonat, dhe më 1970  në Cërrik[1].

    Drita ndoqi shkollën tetëvjeçare “Qemal Stafa” në Elbasan dhe shkollën e mesme të përgjithshme gjimnazin në Cërrik. Ajo nuk arriti të merrte dëftesën e pjekurisë në vitin 1976 pasi në vitin e fundit të shkollës së mesme asaj i shfaqet sëmundja e kancerit në mushkëri. Në fund të prillit (26 prill 1976) Drita shtrohet në sanatorium dhe në maj transferohet në spitalin onkologjik. Ajo kalon mbi 3 muaj larg familjes dhe nuk arrin të përmbushë detyrimet shkollore për të vijuar me provimet e maturës (Drita nuk kishte kryer punën prodhuese, kusht ky për marrjen e diplomës, edhe pse me raport mjekësor). (Çomo: 2004, botimi i tretë, f. 30). Edhe pse mjeku rekomandon të mos merrej me asnjë punë fizike apo mendore (Çomo:2004, botimi i tretë, f. 27), për të përfituar kempin (pagesën e paaftësinë për punë) asaj i duhej të fillonte marrëdhëniet e punës në ndërmarrjen komunale në Cërrik. Përgjatë 5 vjetëve Drita bën vajtje-ardhje Cërrik-Elbasan-Tiranë e anasjelltas, derisa mbyll sytë në 19 shkurt 1981.

    Fati i ditarit të Dritës

    Përgjatë gjithë kohës Drita mbante shënime në fletore në formë ditari. Ditari i Dritës përbëhej nga tri fletore të trasha dhe një bllok shënimesh. Fletoret ishin fletoret më të mëdha në tregun e asaj kohe me format më të madh dhe me kapak kartoni, me çmim 6 lekë dhe njiheshin si fletore 60-lekëshe. Sipas asaj që ka thënë Liri Belishova janë rreth 600 faqe të shkruara. Dy fletoret e para humbën në mënyrë të pashpjeguar për familjen.

    Nga leximi i dosjes së Drita Çomos[2], në arkivin e AIDSSH-së, ka pasur një interesim të ditarëve të Dritës nga ish-Sigurimi i Shtetit, nëpërmjet një dy bashkëpunëtorëve në mjedisin e shkollës: nxënësja me pseudonimin “Flutura” mori detyrën ta lexonte dhe ta kthente përsëri: “Do të synohet që t’i merret sekret ditari personal  dhe në rast se ka interes, ta fotografojmë dhe ta kthejmë përsëri.[3] Ditari në dosje përmendet të paktën tri herë  (f. 24, f. 38 dhe f.40)” dhe ka qenë në shkollë me shumë mundësi që të jenë marrë dy fletoret e para të ditarit. Dhe as nuk gjenden në dosje. Një bllok shënimesh të cilin Drita e merrte kur lëvizte, edhe ai i është grabitur Dritës, por fatmirësisht është kthyer pas botimit të parë të librit (Çomo: 2004, f.17). Është vetë gruaja e një ish-oficerit të sigurimit që e ka gjetur këtë bllok, me siguri pas vdekjes së tij, dhe nga përmbajtja e ka kuptuar se bëhej fjalë për vajzën e Liri Belishovës dhe ia ka dorëzuar kësaj të fundit. Këtu duket se kemi një shkëputje të zinxhirit funksional të ish-Sigurimit, operatori i të cilit nuk e ka dorëzuar në qendrën e punës, por e ka mbajtur atë për vete. Arsyet nuk dihen, por ndoshta këtë fat kanë pasur edhe dy fletoret e para të ditarit që konsiderohen të humbura që nga koha e saj e shkollës. Nga leximi i dosjes kemi arsye të besojmë se, sipas porosisë së lënë në një relacion të dhënë nga bashkëpunëtorja “Flutura” për Dritën, dhënë më datën 17.6.1975, të ketë qenë ajo që ka marrë ditarët e Dritës. Fakti që nuk është raportuar marrja e bllokut as edhe e ditarëve, hedh hipotezën se dy fletoret nuk janë dorëzuar asnjëherë, por mund të gjenden në ndonjë arkiv personal, në rast se nuk janë asgjësuar.

    Ditari dhe libri

    Ditari është botuar nën titullin “Dritë që vjen nga humnera”, ditar dhe poezi. Sipas Liri Belishovës është botuar një e katërta e gjithë asaj që ka shkruar Drita dhe kjo sipas përzgjedhjes që Ismail Kadare dhe Elena Kadare i kanë bërë ditarit. Shumë shënime në ditar lidhen edhe me pjesë të shkëputura nga autorë të mëdhenj, lista librash që kishte lexuar dhe që donte të lexonte, pjesë shumë intime e personale, listë piktorësh e kompozitorësh që preferonte, etj.[4] Për fat të keq edhe një pjesë e mirë e poezive kanë humbur në dy vëllimet e para.

    Libri njohu ribotime të njëpasnjëshme pas botimit të parë në vitin 1997. Bashkë me përzgjedhjen ditari u shoqërua nga një parathënie prej Ismail Kadaresë. Ai u përkthye në italisht nga Klara Kodra dhe në frëngjisht nga Edmond Tupja. Botimin në frëngjisht familja e ka përjetuar si një kthim në jetë të Dritës: “Sado e çuditshme të duket, ndjeja një ngushëllim të madh, por edhe gëzim. Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Në gjallje Drita e kishte shumë të vështirë të komunikojë me moshatarët e saj, të kishte shok e miq si një fëmijë normal në një vend normal”[5]. Ky botim në tri gjuhë u pa si një mundësi për bashkëbisedim me rininë e sotme, komunikim i cili iu mohua Dritës për shkak të persekutimit të saj familjar. Ditari ka pasur jehonë duke u krahasuar me ditarin e Ana Frankut, duke bërë të mundur që nga izolimi politik, social, intelektual, të mund të nxjerrë një dëshmi të jetës së familjeve të privuara nga jeta normale, një dëshmi të ndjesive, pervojave, forcës rezistencës

    Ditari dhe dosja e ish-Sigurimit të Shtetit – Dy kronika të një jete

    Ditari i Dritës mund të konsiderohet me të vërtetë një ditar intim dhe i mbajtur në privatësi. Privatësia e ditarit dhe ruajtja e ditarit është e rëndësishme për diaristin jo vetëm sepse e ndihmon të mbushë atë boshllëk përballë të cilit gjendet, por edhe ta ruajë mos ia marrë dikush: “Përsëri vendosa të shkruaj. Uroj që kjo fletore të mos ketë fatin e dy të tjerave.”, nis ditarin Drita pas “humbjes” së dy të tjerave, që në fakt kishte qenë një marrje me qëllim, pjesë e masave të Sigurimit për të.

    Ditari synonte të “gjurmonte” jetën e përditshme, ngjarjet, librat, takimet, por edhe jetën e saj të brendshme: frikërat, dashuritë, ndjesitë, dyshimet, dilemat e një adoleshenteje në kohën e komunizmit. Ishte një kronikë e shkruar me vullnetin e saj, vetëdijen, lirinë apo censurën që ajo vetë përzgjodhi për tekstin e saj.

    E premte, 7.X.77

    Sot morëm letër nga babi. Dy letrat e para që na kish dërguar akoma s’i kemi marrë. Kjo është e treta.

    10 vjet. Përsëri nga e para. Akoma nuk e dimë motivacionin e dënimit. Por kjo as që ka rëndësi. Përsëri nga e para. Loja “mos u nxeh”.

    ****

    Liria është një nga pasuritë më të shtrenjta që mund t’u ketë dhënë qielli njerëzve. Të gjithë thesaret që fshihen në gjirin e tikës dhe në thellësitë e detit nuk mund të krahasohen me të.

    Servantes (Çomo: 2004, botimi i tretë, f. 64)

    Tekstet e ditarit janë vërtet komplekse lidhur me raportin që kanë me të vërtetën, frikën për të mos u lexuar, nevojën për të shkruar dhe autocensurën. “…disa poezi e shkrime me përmbajtje direkt kundër diktaturës i shkruante në fletë të veçanta dhe i mbante të përziera me shumë fletë të tjera, me shënime e detyra shkollore, me fletoret e librat e shkollës; që të mos binin në sy në rast kontrolli. Fatkeqësisht disa prej këtyre, si një variant i “Dashuri siberiane”, një poezi e gjatë mbi Nako Spirun, disa shënime mbi “Dimrin e vetmisë së madhe”, tre strofat e poezisë “Skifteri” (për diktatorin) etj., nuk i kam. Si duket i ka grisur në momente të acarimit të situatës.”[6]

    Nga ana tjetër hapja e dosjes së Drita Çomos ishte në një farë mënyre një tjetër kronikë e jetës së tij. Dosja ka një datë fillimi (24.12.1974), një datë mbarimi (7.4.1977), datë arkivimi (18.3.1983), numër (3497), kategori (2-A). Sipas fletë-kontrollit në kartotekë, ajo rezulton se “figuron e regjistruar si kontingjent lidhje antiparti , me të dhënat përkatëse: emër, atësi, mbiemër, datëlindja, vendlindja, vendbanimi, vendi i punës, profesioni, specialiteti, kombësia, shtetësia.

    Dosja përbëhet nga një metodologji e zbatuar me përpikëri nga operatorët e ish-Sigurimit ë shtetit nëpërmjet vendimeve, planeve të masave, orientimit (vijë sjelljes) së bashkëpunëtorëve të disa niveleve, dokumenteve relacione të hartuara nga bashkëpunëtorët, raporte, regjistrimeve me teknikë operative (TO), implikimit të strukturave, njerëzve me vullnet të lirë apo të shtrënguar.

    I gjithë ky mekanizëm kompleks, në mënyrë të fshehtë, pa dijeninë e personit (por jo pa intuitën se mund të ishte i survejuar),[7] vihej në lëvizje dhe hartonte një tjetër kronikë të jetës së saj. Çdo dosje niste me një “biografi”, biografi e mallkuar, tjetër një institucion ndëshkues që sajoi diktatura e Enver Hoxhës, një sindrom që ajo e përhapte si tumor malinj nga “prindi me faj”, tek “fëmijët reaksionarë”, tek miqtë e të afërmit[8]  Biografia kështu ka të dhëna mbi gjyshin, prindërit dhe vëllanë e Dritës. Vetë Drita në këtë kohë është në vit të dytë dhe vetëm kaq është shkruar për të.

    Raportet nuk nisnin nga ngjarje të rëndësishme personale, familjare apo të botës së brendshme, që mund të ngacmonim vetëdijen e diaristit, por nga veprime apo fjalë që rezultonin në dëm të sistemit politik: “Burimi tregon një ditë kur kishin informacion politik se në djalë i klasës, krahas lajmeve të tjera, tha : – Kina hyri në tregun e përbashkët. Në këtë kohë Drita dhe B.M. (vajza e T.M) u hodhën përnjëherë dhe thanë njëkohësisht: jo, krijoi marrëdhënie diplomatike me tregun e përbashkët.” (raport dhënë nga b.p. Flutura, dosja nr. 3497-A, f.23). Kriteret për hapjen e dosjes së Dritës nisën qysh nga fakti i të qenët asaj kontingjent antiparti, përgjimet që iu bënë nënës së saj ku u tërhoqën disa konsiderata që ajo kishte për letërsinë e realizmit socialist (…librat shqip flasin për jetën, por ato perëndimore flasin më bukur. Ato kanë vepra të shkrimtarëve të mëdhenj, nuk kanë vepra të shkrimtarëve të vegjël si këtu), raportimet nga komandantja e sektorit i hekurudhës ku ajo ishte në aksion, konsideratat për luftën ideologjike (…po gazetat këtu thonë se kjo luftë që bëhet sot në Shqipëri kundër revizionizmit është shumë më tepër heroike se ajo e Skënderbeut –qeshin me ironi), modernizmat në veshje, shprehje të dala nga letra dërguar të atit në burg (..të uroj që jeta të mos tregohet aq e ashpër me ty, siç është treguar deri tani, sepse ti je i fortë dhe e ke duruar çdo gjë i qetë, sepse ti megjithatë gjithmonë e ke dashur jetën), shoqërimet me njerëz me përbërje të keqe politike. Nëpërmjet këtyre informacioneve ne mund të krijojmë një kronikë të jetës së përditshme të Dritës, e cila edhe pse mund të jetë korrekte, nuk është plotësisht e vërtetë. Janë evidentuar ditë dhe ngjarje të përshkruara nga raportimet e Sigurimit dhe ditari njëkohësisht.

    Është e habitshme, kur njihesh me dosjet e ish-Sigurimit kur shikon se sa njerëz kontribuojnë në hartimin e kësaj kronike. Bashkëpunimi i  popullatës në denoncimin e kundërshtarëve politikë dhe shërbimi vullnetar si provokatorë nuk janë sigurisht të pashembullt, por në vendet totalitare, ata janë aq mirë të organizuar, saqë puna e specialistëve është pothuaj e tepërt (Arent:2002, f.541). Kështu në dosjen e Dritës kemi plot 11 bashkëpunëtorë të niveleve të ndryshme (agjentë, rezidentë, bashkëpunëtorë) të cilët në mënyrë të vetëdijshme dhe të palodhur plotësojnë për policinë sekrete jetën e armikes së shtetit.

    Në anën tjetër ditari i Dritës është një kronikë jo vetëm ditore por edhe e brendshme, ku diaristi flet me veten dhe për veten. Poezitë që janë pjesë e ditarit dhe që janë shkruar në fletoren e ditarit na japin një dorë në plotësimin e kronikave ditore. Duke bërë një rigrupim të shkrimeve dhe poezive, sipas datave, mund të mësojmë më shumë mbi njerëzit që kanë ndikuar, protagonistë të ngjarjeve të bukura e të hidhura të jetës. Mund të bëjmë një grafik të gjendjes së saj shpirtërore sipas vijueshmërisë së sëmundjes, ndjenjës së vetmisë, mërzisë, dëshirës për jetën, për veten etj.

    Ditari dhe kujtesa

    Ditari i Drita Çomos, edhe pse ka hyrë në fondin e letërsisë shqipe, të zhanrit të shkrimit për veten/ditarit, përbën edhe një dokument autentik me natyrë autobiografike që na ndihmon në përfytyrimin e përditshmërisë së jetës shqiptare në mesin e periudhës diktatoriale, vitet ’70-’80, sidomos për atë shtresë të popullsisë larg syve të jetës publike për shkak të persekutimit politik. Pasojat e persekutimit shkonin nga prindi te fëmija, apo në rrethin më të gjerë familjar: familja e origjinës, nëna, vëllezërit, fëmijët e tyre. Siç e shpjegon filozofja Hannah Arendt: “Me qëllim që të shkatërronin të gjitha lidhjet sociale dhe familjare, spastrimet bëheshin në atë mënyrë që të rrezikonin me të njëjtin dënim të pandehurin dhe të gjithë të afërmit të tij të zakonshëm, nga të njohurit e thjeshtë deri te shokët e tij më të afër e farefisi”. Kjo solli krijimin e një shoqërie të shpërbërë e të individualizuar, të ngjashmen e së cilës nuk e kemi ndeshur kurrë më parë, ngjarjet dhe katastrofat e së cilës vështirë se do të ishin shkaktuar pa të. (Arendt: 2002, f.417, 418)

    Teksa sheh me imtësi dosjen e Drita Çomos kupton lehtësisht se, nëpërmjet një rrëfimi intim,- edhe pse të autocensuruar, të grabitur, jo të plotë,- ditari i saj është jo vetëm një dëshmi, por edhe një rrëfim me anë të të cilit mund të thellojmë eksplorimin mungesës së lirive nën totalitarizëm si dhe të kuptojmë edhe më qartë shumë nga mekanizmat e veprimtarisë së ish-Sigurimit dhe të mënyrave të rezistencës e të mbijetesës së viktimave.


    [1]  Të dhënat janë marrë nga dosja e Liri Belishovës, arkivi i AIDSSH-së

    [2]  AIDSSH, fondi operativ, dosja nr. 3497, Drita Maqo Çomo (Berishova)

    [3]  AIDSSH, fondi operativ, dosja nr. 3497, Drita Maqo Çomo (Berishova). Raport dhënë b.p. “Flutura”, datë 17.06.1975

    [4]  Arkivi personal i gazetares Elsa Demo. Intervistë e Liri Belishovës për Drita Çomon

    [5]  Arkivi personal i gazetares Elsa Demo. Intervistë e Liri Belishovës për Drita Çomon

    [6]  Arkivi personal i gazetares Elsa Demo. Intervistë e Liri Belishovës

    [7]  Ledi Bellishova, vajza e dajës së Dritës, një foto e të cilave hap dosjen e saj të Sigurimit, e cila ruan ditarin origjinal, dëshmon se edhe pse në moshë fare të vogël, kur e shoqëronte gjithmonë në Elbasan, thotë se ata e dinin dhe e kuptonin që dikush i ndiqte gjatë gjithë kohës.

    [8]  Demo Elsa. Të lindësh me biografi “të mallkuar” : [Liri Belishova, tregon kalvarin e të bijës Drita Çomo, pas botimit të ditarit të saj “Dritë që vjen nga humnera”] Shekulli, nr. 188, 11 korrik, 2004, f.19.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË