Përktheu: Luan Topçiu
Takimi im i parë me Viktor Eftimiun ndodhi në kohën e adoleshencës sime. Isha nxënës i Kolegjit Kombëtar në Krajovë dhe, në një nga mbrëmjet letrare, recitova vargjet ogurzeza nga Gjel i zi, që evokonin figurën e zymtë të Rojtarit të Burgut, rojtar i errësirës së burgut “shtatë mijëvjeçar”, bashkë me familjen e tij prej përbindshash me: “gruan hardhucë” dhe “fëmijët minj”.
Në atë kohë lexoja ato faqe që kanë mbetur të paharruara për mua edhe sot: rrëfimet e ndritura të Krishtlindjes dhe rrëfimin për një regjizor gjenial, i cili ia kishte kushtuar tërë jetën dhe veprimtarinë e tij e kishte vënë në shërbim (tërësisht) të kultit të dramaturgut të pavdekshëm, William Shakespeare-it.
Në vitin e largët 1953 u angazhova për barazimin e nocionit të përkthyesit me atë të shkrimtarit dhe arrita të themeloj Seksionin e Përkthimeve dhe të Letërsisë Botërore pranë Lidhjes së Shkrimtarëve.
Po atëherë u krijuan edhe grupe shkrimtarësh që të përkthenin tërësisht, në gjuhën rumune, veprat e disa prej krijuesve të mëdhenj të letërsisë botërore. Për përkthimin e veprave të Molierit dhe Shakespeare-it (u botuan pesëmbëdhjetë vëllime!), u përpoqën, ia arritën me rezultate me vlerë artistike të jashtëzakonshme, Tudor Arghezi, Ion Barbu, Alexandru Philippide, Adrian Maniu, Demostene Botez, Tudor Vianu, Tudor Mușatescu, Ion Marin Sadoveanu, Alexandru Kirițescu, Ion Frunzetti, N. Argintescu-Amza, Dan Duțescu, Leon Levițchi dhe, krahas meje, miqtë e mi Mihnea Gheorghiu dhe Valentin Lipatti.
Natyrisht, ishte gjithmonë i pranishëm Viktor Eftimiu — i qeshur e shpotitës, fliste dhe shkruante pa të meta gjuhën frënge, bënte vërejtje të mprehta mbi tekstet e përkthyera që i paraqisnim në takimet javore, në përpjekjen për përkryerjen e kryeveprave botërore, përmes një përçapje intelektuale të rrallë, që synonte të dëshmonte se përkthimi është letërsi dhe se përkthyesi është shkrimtar. Viktor Eftimiu, gjithmonë elegant (jo vetëm se vishej plot sqimë), përdorte me mjeshtëri thumbimin e mprehtë, shpesh të drejtuara me mirëdashje ndaj kolegut të tij Demostene Botez-it.
Shtëpia e tij ishte shndërruar në një vend të parapëlqyer takimesh — një shtëpi e ëndërruar dhe e realizuar nga një artist i fjalës — ku zhvilloheshin mbledhje me karakter kulturor, herë-herë takime letrare, të shoqëruara me ftesa bujare për të rinjtë e etur për dije dhe për afirmim letrar.
Viktor Eftimiu ishte, siç dihet, një recitues i jashtëzakonshëm. Ne që e kemi njohur dhe e kemi dëgjuar nuk do ta harrojmë kurrë mënyrën se si ai deklamonte, me sukses të plotë para një publiku të magjepsur, vargjet e asaj që ai e quante Balada e Arit nga kryevepra Gjeli i zi.
Ai i donte udhëtimet dhe i mahniste dëgjuesit me rrëfimet e kujtimeve të tija, veçanërisht ato pariziane. Ishte një nonkonformist i lindur dhe më lejoni të kujtoj rrëfimin e një udhëtimi që një delegacion intelektualësh rumunë — Al. Rosetti, C. I. Parhon, Emil Petrovici dhe, natyrisht, Viktor Eftimiu — e ndërmori gjatë një dimri të egër në Bashkimin Sovjetik. Prej disa ditësh ndodheshim në Moskë dhe prisnim të na priste vetë Iosif Visarionoviç Stalin.
Ditët kalonin nën stuhitë e dëborës dhe acareve të pamëshirshme, ndërsa takimi vonohej. Çdo mëngjes, Viktor Eftimiu e takonte mikun dhe kolegun e tij të Akademisë Rumune, Alexandru Rosetti, duke i deklamuar vargjet e famshme nga L’Expiation të Viktor Hugo-it, që përshkruajnë tronditshëm çoroditjen e ushtrisë franceze gjatë tërheqjes nga Rusia, të pushtuar nga një dimër i pamëshirshëm:
„Sortira-t-on jamais de ce funeste empire?
Deux ennemis! le czar, le nord.
Le nord est pire.”[1]
“Cari” i kohës i priti më në fund dhe Viktor Eftimiu e përshkroi atë si një burrec, një mistrec dashakeq, që u bënte pyetje befasuese intelektualëve rumunë mbi përdhunimet e kryera nga ushtarët e Ushtrisë së Kuqe ose mbi sjelljen arogante të autoriteteve sovjetike. Ndërkohë që fliste, Stalini mbante kokën ulur dhe vizatonte mbi një letër të bardhë profile, silueta njerëzish, skica ndërtesash — një lloj shkarkimi i një tensioni të vazhdueshëm të brendshëm. Në fund të takimit, Viktor Eftimiu guxoi t’i kërkonte Stalinit, si kujtim, një nga vizatimet e improvizuara para delegacionit rumun. Tërësisht i çmeritur, “gjeneralisimi” ia dha, por nonkonformisti nuk u kënaq me kaq dhe i kërkoi edhe ta nënshkruante vizatimin — dhe I. V. Stalin u bind!
Ishte një gjest disi ballkanik i shkrimtarit të krisur, i cili nuk i harroi kurrë qiejt që u harkuan mbi lindjen e tij – si shqiptar, por që i shërbeu gjatë gjithë jetës “Zonjës së Lartë, gjuhës rumune”.
Ndonjëherë e mikloja sonetistin e madh duke i thënë se e kishte tejkaluar Francesco Petrarkën, jo vetëm për nga sasia — Eftimiu ka shkruar mbi një mijë sonete — por edhe për nga larmia tematike, pasi ai nuk ishte vetëm këngëtari i një gruaje të vetme, Laurës. Më vjen keq që kam humbur (apo m’u vodh?) një sonet me tejdukshmërinë e kristalit, që ma kishte kushtuar dhe në të cilin emri Alexandru rimonte tingëllueshëm me căţelandru. (qenushi)
* * *
Ishte muaji maj i vitit 1965. Së bashku me redaktorët Daicoviciu dhe Creangă, ndodheshim në Vjenë, duke përfaqësuar tre universitetet rumune — Cluj Napoca, Iași dhe Bukuresht — në manifestimet e gjashtëqindvjetorit të Universitetit të kryeqytetit austriak. Aty mora lajmin se, së bashku me Viktor Eftimiun, Eugen Jebeleanun dhe Marin Predën, bëja pjesë në një delegacion të PEN Club-it rumun, të ftuar nga homologu francez për dhjetë ditë në Francë.
Më 14 maj në mbrëmje, në stacionin e madh dhe modern të Vjenës, pritëm Viktor Eftimiun dhe Marin Predën (Jebeleanu ndodhej tashmë në Paris). U përqafuam, siç ndodh kudo në botë kur qëllon që njerëz të njohur takohen në vende të panjohura. U përpoqëm të gjenim vende në vagonët e fjetjes të Wiener Walzer-it, por ishte e pamundur. Në vend të kësaj u vendosëm në dy kabina treni bosh të klasit së parë. Kur treni u nis, filluan reshje shiu të rrëmbyeshëm. Ishte një natë e jashtëzakonshme pranë dy krijuesve të mëdhenj të shkrimit rumun. Eftimiu deklamonte me zë të fuqishëm, të magjishëm; Marin Preda dëgjonte, ndërsa unë, në emër të udhëtimit të përbashkët, intonoja vargjet e harmonisë së epërme nga Invitation au voyage të Charles Baudelaire-it. Në orën katër të mëngjesit kalonim pranë Innsbruckut, dhe mrekullia vazhdoi për orë të tëra edhe në Zvicër: male, dëborë e përjetshme, liqene alpine. Ishim tejet të përqendruar duke soditur në vazhdimësi.
Pas Bazelit, në hyrje të Francës, bisedën e kontrolloi me kujtimet “franceze” Viktor Eftimiu, duke ngritur një gotë në vagonin-restorant Beaujolais për fatin e mbarë të udhëtimit tonë. Në Paris na prisnin Yves Gandon dhe Jean de Beer, drejtuesit e PEN Club-it francez, si dhe një këshilltar i ambasadës sonë, Vlad. Me një makinë gjigante, une belle américaine, përshkuam Parisin në momentet e perëndimit të diellit dhe pa trafik.
Ishte e shtunë, fundjavë, dhe qyteti i madh ishte i braktisur nga banorët vendas. Në Rue Pierre Charon, në një ndërtesë të vjetër, selia e Shtëpisë së Miqve të PEN Club-it, u strehuam në një banesë modeste, por të ngrohtë. Bëmë një dush të fortë, por tepër të nxehtë, për shkak të një instalimi hidraulik që mbeti i prishur deri në largimin tonë, objekt i ankesave të gjata, por të kota, të mjeshtrit Viktor Eftimiu, adhurues i madh i “larjeve” të gjata.
Në kuadrin e këtyre shënimeve të përmbledhura për “qëndrimin” tonë parizian, përmend takimin në Société des Gens de Lettres, ku, si miq “të shquar”, u ftuam akëcili të merrnim fjalën. Admiruam edhe një herë frëngjishten e përsosur të bashkëpunëtorit më të vjetër në jetën e gazetës Le Figaro, dekanit të presidentëve të PEN Club-eve, që ishte Viktor Eftimiu; patetizmin e kthjellët të poetit të madh Eugen Jebeleanu; maturinë shprehëse të Marin Predës. Ndërsa unë, mbajta një paraqitje mbi tiparet karakteristike të kulturës rumune, duke theksuar latinitetin tonë ishullor në oqeanin e larmishëm gjuhësor të Europës Juglindore. Ishte një takim mes intelektualësh, i udhëhequr nga vullneti i fortë për të bashkëpunuar në shpëtimin e vlerave shpirtërore dhe të dinjitetit njerëzor.
Kujtoj një koktej në Ambasadën Rumune, ku ishin ftuar personalitete të botës kulturore; një takim tek Suzanne Fasquelle, pasardhësja e shquar e La Rochefoucauld-it. Kishte shumë gazetarë që e rrethonin Viktor Eftimiun, tashmë të njohur për ta. Pastaj në Teatrin “Sarah Bernhardt”, ku aktorët e talentuar rumunë (në krye me Radu Beligan-in) dhanë një shfaqje me Rinocerontët. Atëherë i njoha aktorët që nuk do të vdesin kurrë: Elvira Popescu dhe Eugène Ionesco-n, i cili e vlerësoi shfaqjen rumune të dramës së tij si më të realizuarën artistikisht.
I pranishëm, dominues shpirtërisht, në këto ditë dhe net, Viktor Eftimiu nuk na shoqëroi (duke u justifikuar se ishte tejet e lodhshme për të) në një udhëtim në jug të Francës, në Avignon, Nicë dhe Menton, por ishte i pranishëm më 25 maj, kur Yves Gandon ofroi një darkë zyrtare për dyzet persona, me fjalime, me dëshmi simpatie intelektuale dhe bashkëpunimi të ardhshëm.
Për këtë udhëtim tonin, Viktor Eftimiu mbajti një konferencë të shkëlqyer në radio. Ma dhuroi tekstin e saj dhe unë ia përcolla Muzeut të Letërsisë Rumune. (Shpresoj të mos ketë humbur, si soneti Alexandru–căţelandru!).
* * *
Viktor Eftimiu ka mbetur një shpirt i dritës, që ruan kujtimet tona, në vrullin e një personaliteti tejet të gjallë, me humanizmin e tij mbi botën, jetën dhe artin.
[1] A do të arrijmë ndonjëherë të dalim nga kjo perandori fatkeqe? /Dy armiq na kërcënojnë: Cari dhe veriu.
Ah, më i tmerrshëm është veriu.
Cili ishte akademik ALEKSANDRU BALACI
Alexandru Balaci (lindur më 12 qershor 1916 , Aurora ( Mehedinți ) – vdiq më 7 mars 2002 , Bukuresht ) ishte një italianist rumun , kritik letrar dhe historian , politikan komunist , anëtar i Akademisë Rumune.
Pasi mbaroi shkollën e mesme në Kraiova dhe Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Bukuresht , ai mori doktoraturën në vitin 1943 me tezën Giovanni Pascoli mbi neoklasicizmin italian .
Ai ishte, nga ana tjetër, kryeredaktor në ESPLA, nënkryetar i Komitetit Shtetëror për Kulturë dhe Art, drejtor i Bibliotekës Rumune në Romë të vendosur në ish- Accademia di Romania (Shkolla Rumune në Romë), midis viteve 1981-1990, profesor dhe drejtues departamenti në Fakultetin e Letërsisë në Bukuresht, nënkryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Rumanisë dhe kryeredaktor i revistës Viața românească .
Ai iu përkushtua studimit të kulturës italiane, duke shkruar vepra të shumta referimi dhe duke përkthyer veprat e personaliteteve të saj të mëdha. Ai koordinoi veprën monumentale Historia e Letërsisë Italiane dhe fjalorë të shumtë. Ai ishte anëtar i shumë akademive dhe shoqatave evropiane dhe botërore.


