More
    KreuLetërsiBibliotekëAleksandër Bardhi: Bota fik dritat, e unë bëhem zë (poezi)

    Aleksandër Bardhi: Bota fik dritat, e unë bëhem zë (poezi)

    RRUGË 

    Kam hyrë në një lojë me shënjëza nëpër terr
    Në udhëzën e humbur për mijëra vjet.

    Dhe s’di, s’di nëse do mund ta gjej dot
    Atë marrëzi, fat, lumturi apo gjëmë,
    Të pi nektarin, a helmin e hollë
    Të një bote që s’është
    a ndoshta s’na është dhënë!..

    Se kush më tha një ditë se çelësat e asaj bote të mistershme
    i mban të fshehura diku një poet.
    Që ka bërë pakt me djallin në thundrën e një kali
    Dhe me një bulkth të vogël ëndrre
    që këndon nëpër netë.


    KANTATË

    Binte borë
    me hënë të zezë.

    Ne ishim si grunjërat
    në moshën e dyllit.

    Retë rendnin
    Si hije skifterësh.

    Kostra e motit
    qante mbi gurë,
    Toka ime, moj!


    NUK DIHET ASGJË

    Asgjë nuk dihet për të,
    asgjë.

    Nuk dihet
    as se kë do më shumë,
    jetën apo vdekjen.

    Kaq vite te baraka
    ndanë urës së qytetit,
    me sopatën e hënës
    si bekim te koka.


    MERIMANGA E DRITËS

    Askush nuk e pa
    atë gjestin
    e pavëmëndshëm,
    tek largonte nga fytyra
    merimangën e dritës.
    Ishte natë e vonë.
    Terr legjende.
    Në rrethin e hënës
    plakeshin ylberet.
    Unë lexoja
    qiellin e të kremtes.

    Askush nuk e shihte
    burkën e të zezës,
    tek thurej ngadalë
    plot zafirë dhe yje.

    Pastaj ikën të gjithë.
    Në shesh mbeta unë
    dhe komshia im
    i verbër.

    Ai tanimë
    çdo ditë më thotë,
    se merimanga e dritës
    ishte blici optik
    i hënës së zezë,
    që do të përgjakte çdo ditë
    syrin tim
    dhe drita do shkonte
    larg e më larg.


    DHIMBJE

    Ngul sytë
    në ballin tënd të dylltë.
    Dhimbja
    shkon drejt e në gjak.

    Vetëm nikotina më mbetet në eshtra,
    si drita e shirave
    ne palcën e gurit.


    PUSI ME HËNË

    Nuk di pse shpesh
    e kam dyshuar të vërtetën.

    Më është dukur
    si gënjeshtra më e vjetër në botë
    që ende vazhdon
    të bëj dritë mbi tokë.

    E shpesh kam kujtuar
    atë oshënarin e plakur,

    që shkonte çdo natë te pusi me hënë
    me shpresë të shikonte
    kallogrenë e bukur.

    Gjersa një ditë
    u gdhi krejt i verbër.


    MËKATARËT

    Lumi shkonte rreth e rreth
    Si një tresh me dy fole.
    Unë dhe cigank’ e vogël
    Lakuriq e të pafe.

    Gjersa vinin vet ata
    Të padukur, të pazë.
    Digjnin gjithë teshat e trupit
    Pastaj mbyteshin
    një nga një…


    LISA TË UDHËS SIME

    Lisa të thatë të udhës time.
    Hijen ja u veshën
    në trup udhëtarët.

    Mua udhëtarit të fundit
    më falni ndonjë lot
    Tek mbështetem tek ju mbrëmjeve të qeta.
    Se unë e di ç’mund të jetë një hije
    Që rënkon diku thellë
    zgërbonjave të veta.


    LUFTRAT NUK I VRANË

    Endrrat i patëm
    si dragonjtë e qiejve
    që netëve shkonin
    në beteja të mëdha.

    Luftrat nuk i vranë,

    po ato do të vdisnin
    në një botë pa luftra.


    NJË EMËR

    Shpend të ngordhur gërmat e një emri
    Ranë mbi ujrat e pasioneve të verdha,
    sikur shkruan epitafin e shkretanit të gjorë
    ngrirë në dëborën e puplave të nxehta.

    Dhe unë rri mendoj sa hire, mistere
    vidhisen, kreshpërojë, kthinave të errëta,
    Ku shkruhet epitafi i shkretanit të gjorë
    ngrirë nën dëborën e puplave të nxehta.


    MESHË E PANDARË

    Kam hapur dyert e mortit për të vërtetën time
    po askush s’po më vjen,
    askush s’po duket në derë.
    Askush.
    As të afërmit, as komshinjtë
    as miqtë, as armiqtë,
    as shokët e përbashkët
    me trupin plot plagë.
    Askush.Thonë
    janë lidhur kokë e këmbë
    me gënjeshtrat e tyre
    e secili ha meshën
    e mortit të vet.

    Vonë, shumë vonë, përvidhem në ëndrra.
    Lart në kodër shtriganët e kuq
    zhdërvjellin prej brezit litarët e fatit
    ku thundrapërgjakur prej kripës
    ca dele të zeza 
    kullosin barin e tyre të harresës.
    Trëmbem.
    Një i vdekur në errësirë
    ma rrëmben meshën nga duart…


    KUPA E NATËS

    Kush të piu
    e s’u shërua,

    Kush të derdhi
    e s’u helmua,

    O shpirti im i bruztë
    holluar me hënë!


    E DJELË PASDITE

    Ç’mërzi e vagullt pëllumbash!…
    Ç’terrnajë trëndafilash pasdites së djelë!…

    Ca muzgje hënorë
    gërhijnë poshtë në pllajë
    Si dasmorë të vonë që pija s’u del.

    Ku shkoi ajo satanikja e vogël
    ku shkoi,

    Më thoni: ku jeni o djem?!

    Katund’ i degdisur në shkretëtirat e etjes.

    S’di se ç’po ndodh
    po mua do më gjeni diku buzë një varri
    te dehur, sarhosh
    prej bukurisë së vdekjes!…


    DËSHMI

    Gjithçka flijohet
    në një çast të vetëm.
    Ç’ka shkon me vdekjen?!
    Çfarë mbetet me jetën?!…

    Punoj, rropatem
    fitoj…..po pastaj?!
    Ah, të ngrija një kishë
    me emrin e saj!..

    Dhe në gjyq të fundit
    dëshmitar të coj,
    Lumin tim të mëkatit                     .   
    dhe kishën që meshoj.


    ZJARRE TË BARDHË

    Ra një zjarr i beftë ndër shokë
    Zbardhi tërë faqen e malit,
    Se dikush kishte bërë be
    Për lejlekun e Sherif Balit.
    Ecja, dhe qeshja me vete
    Sa në rrugë më ndal një polic.
    Ti je – më tha – ai që mbledh
    perëndimet e shuara
    E i ndez nga e para, atje mbi Ardenicë?!…
    Po – i thashë – shoku i Arben Velos
    Që një lak Vjose i shtërngon te këmba,
    Po sot ka ikur me shërbime shteti
    Në një fshat të largët
    me shumë hëna.
    S’të pyeta – më tha – dua Nuri Plakun
    Që i lidh kepucët
    me këngën e gjelave të parë,
    Mban pa leje donatorë metaforash
    E ndez këtyre anëve
    zjarre të bardhë!…
    ….Ishte prill.
    Frynte juga e luleve
    Zogjtë ngriheshin në qiell. Bëheshin
    rrathë – rrathë.


    BOTA FIK DRITAT

    Ke kohë që ikën
    ikën, largon
    e s’po mundemi dot
    të shihemi më.

    Po unë e di mirë
    ti diku ndalon,

    bota fik dritat,
    e unë bëhem zë.


    LUMI I BURRAVE

    Vetëm burrat e dashuruar
    i njohin misteret e klithmave të ujit
    në çastin kur lidhen me tokën e zhuritur.

    Ndaj një natë ata
    u kthyen në lumë,
    Ku rërën dhe baltërat ende kësaj dite i shoshin
    vajzat dhe gratë e një katundi të varfër.


    E PAZËSHME

    Një e fshehtë e pazëshme,
    pengu im që kurrë s’u shua
    më përvidhet gjumit, netëve
    me pak zë të marrë hua…

    Një e fshehtë e pazëshme
    shkoi në varr, e më pret mua.


    NJË KOMENT

    1. E si mos dashurohesh me vargje të një POETI si ALEKSANDËR BARDHI që,në gjykimin tim,është një”fat i bardhë i POEZISË MBARKOMBËTARE SHQIPTARE”.Jo vetëm i shijova këto poezi,por dhe i uroj:krjimtari të mbarë e të bardhë!

      Tiranë,9 shkurt 2026

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË