More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKlevisa Bardeli: Vazhdimësia e imazheve pas leximit të “Poemës së mungesës”

    Klevisa Bardeli: Vazhdimësia e imazheve pas leximit të “Poemës së mungesës”

    “Poema e mungesës” epoetes Rita Petro, vjen si një reflektim i thellë mbi të vërtetën shpirtërore dhe atë shoqërore, ku vargjet shndërrohen në hapësirë meditimi mbi qenien njerëzore dhe mungesën e saj.

    Vepra i ngjan një udhëtimi të brendshëm që nis me Prologun mbi dashurinë, vargje të ndërtuara mbi përsëritje ritmike dhe antiteza të fuqishme, ku dashuria shfaqet njëkohësisht si forcë krijuese dhe shkatërruese. Për dashurinë/Që janë shkruar libra/Për dashurinë /Që janë bërë luftëra. Për dashurinë /Që na fut nën dhé/Për dashurinë/Që na ngre mbi re.(fq. 8-9)

    Ky prolog, duket se çmitizon idealizimin romantik, duke e paraqitur dashurinë si energji transformuese që prish kufijtë moralë, biologjikë dhe shoqërorë. Kalimi nga pafajësia në pjekuri dhe nga joshja në mbrojtje tregon se dashuria nuk është gjendje statike, por proces i vazhdueshëm tensioni dhe kundërvënieje. Për dashurinë /Le të vdesim sot/Që të rilindim /Të dashuruar nesër. (fq. 9)

    Si rrjedhojë,  prologu e sheh dashurinë jo si ndjenjë sentimentale, por si parim ekzistencial që lëviz njeriun mes rënies dhe shenjtërimit, duke përgatitur terrenin filozofik në të gjithë veprës.

    Ky udhëtim në skutat shpirtërore (që vendos ta quaj pas leximit veprën) përballet me boshllëkun e Shtratit Gjysmëbosh, ku dashuria dhe vdekja bashkëjetojnë në një tension të heshtur, por thellësisht ekzistencial.

    Nëse ndalemi te poezia e parë “I njëjti mall të solli?!” që hap nënsythin “Dashuria”, ajo ndërton një meditim filozofik mbi mungesën, përkohësinë dhe iluzionin e vazhdimësisë, ku përvoja intime shndërrohet në reflektim ekzistencial. Simbolika e yllit që ndriçon edhe ditën, përmbys rendin natyror: drita e yllit nuk i përket më vetëm errësirës, por bëhet parim orientues i vetëdijes gjatë ditës. Ylli që shfaqet dhe zhduket pas reve vendos gjendjen e autores në një lëvizje të pandërprerë mes Jetës dhe Vdekjes, jo si cikël biologjik, por si gjendje të ndërgjegjes: prania është jetë, mungesa është vdekje, dhe ku kjo lojë nuk ka mbyllje siç shprehet autorja. Më shfaqesh e më zhdukesh pas reve/një lojë kjo pa mbarim: Jetë – Vdekje.(fq. 12)

    Poetja është e vetëdijshme për paprekshmërinë e botës tjetër “Shpejtësinë e erës në parajsën tënde nuk e mat dot”, megjithatë, kujtesa dhe imagjinata e rikthejnë të munguarin “të gjallë”,  duke e bërë të pamundurën të mundur. Koha ndalet vetëm për të pyetur, jo për të marrë përgjigje.  Po, kur të sjell të gjallë para meje/mundem ta ndal për pak kohë /sa të të pyes/Edhe ty/ i njëjti mall të solli? (fq. 12)

    Pyetja retorike mbi mallin nënkupton se mungesa është reciproke, por kurrë e verifikueshme. Në vargun e fundit “mua më ngrinë krahët hapur”  përmbledhin dramën filozofike të tekstit: njeriu mbetet i hapur ndaj tjetrit, edhe kur tjetri mungon. Është gjendja e një subjekti që nuk mbyllet dot, sepse mbyllja do të ishte pranimi i fundit. Kështu, poezia pohon se dashuria dhe malli nuk e pranojnë fundin; ato e shndërrojnë mungesën në formë të vazhdimësisë.

    Te nënsythi “Vdekja” interesante në poezinë “Ne jetojmë me vdekjen..”  shfaqet këndvështrimi i poetes për vdekjen. Poezia e zhvendos vdekjen nga prania e vazhdueshme drejt  ngjarjes finale. Metafora e shtëpisë e paraqet jetën si hapësirë të mbyllur ku vdekja është gjithmonë e pranishme, por e padukshme, ashtu si sendet e harruara. Kjo krijon një kontrast mes dukshmërisë së jetës dhe fshehtësisë së vdekjes, duke sugjeruar se ajo nuk është e huaj, por e përfshirë në përditshmëri. Ne jetojmë me vdekjen në një shtëpi/nuk e shohim, si dhe shumë prej sendeve/që nuk ua hedhim sytë… (fq. 83)

    Në vargjet e kësaj poezie, vdekja vjen e përshkallëzuar në tre momente:

    Vdekja e padukshme – bashkëjetuese e heshtur, e pluhurosur nga harresa.

    Vdekja si paralajmërim – shfaqet si hije dhe perceptohet përmes trupit (ritmi i zemrës), çka tregon se vetëdija biologjike reagon përpara ndërgjegjes racionale.

    Vdekja ballore – momenti i përballjes absolute me vdekjen, ku çdo pyetje bëhet e pavlefshme dhe koha reduktohet drejt fundit.

    Në aspektin gjuhësor, përdorimi i një ligjërimi të thjeshtë, pothuajse prozaik, i jep vdekjes një karakter të zakonshëm, duke shmangur patetizmin. Fjalët si “pluhur”, “hije”, “mure” krijojnë një leksik të mbylljes dhe të ngurtësisë, që përforcon idenë e jetës së jetuar në izolim emocional dhe kohor. Koha për të thënë lamtumirë  siç pohon poetja përmes vargjeve vjen një ditë. Këto vargje ngërthejnë një reflektim të thellë ekzistencial mbi përkohshmërinë e jetës dhe domosdoshmërinë e ndarjes. Nuk mund të shijosh nga jeta asgjë/nëse nuk ndahesh nga diçka që dhemb. (fq. 83)

     Dhimbja këtu nuk është dobësi, por provë e lidhjeve të forta që, nëse mbahen gjatë, shndërrohen në mure që izolojnë zemrën dhe mendjen. Vargu i fundit “Për çfarë jetova?!” e zhvesh individin nga çdo justifikim dhe e vë përballë përgjegjësisë për zgjedhjet e veta, duke e kthyer tekstin në një thirrje për vetëdije, përpara se koha të shndërrohet në një lamtumirë të papritur.

    Intermezzo e Popullit të vogël, që qëndron mes Dashurisë, Vdekjes dhe Vetmisë e bën më interesante strukturën e veprës por edhe atë çfarë trajton. Poezitë në këtë sythë vijnë si kohë reflektimi dhe ndërprerjeje në rrjedhën e librit. Tensionet shoqërore ndërthuren, duke krijuar një dialektikë poetike midis personales dhe kolektives. Poetja dallon pakicat e rralla të liderve shpirtërorë, që udhëheqin me integritet dhe vizion, nga turmat që ndjekin pushtetin pa reflektim.Vargjet godasin të vërteta drithëruese për popullin tonë, drejtuesit e saj, si dhe individin shqiptar. Pavarësisht tematikave të ndryshme që përcillen përmes poezive , prania e mungesës së njeriut të dashur duket se e shoqëron bashkarisht çdo varg të poezisë. Ngjarjet globale renditen si një kronikë e ftohtë faktesh, ku bashkë me këto ndryshime pesha e ikjes së njeriut të dashur rëndon më shumë. Përmes disa poezive në këtë sythë poetja sfidon lexuesin të shohë përtej diskursit zyrtar dhe të dallojë interesin e fshehur pas moralit të shpallur, duke e kthyer reflektimin në një akt demaskimi kritik ndaj hipokrizisë institucionale.

    Rroftë politika!

    Që në thelb është biznes

    Sikurse dhe institucioni fetar,

    Po jo aq i sinqertë sa biznesi, që deklarohet i tillë

    Që fitimi apo pushtimi i tregjeve është synimi i tij,

    Biznesi nuk ka nevojë për maskë,

    Sikurse:

    Politika – maskë e mirëqenies sociale

    Religjioni-maskë e mirëqenies shpirtërore (fq. 122)

    Në vargje shpaloset një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj strukturave të pushtetit që operojnë përmes maskimit moral. Politika dhe religjioni paraqiten si forma të rafinuara të biznesit, por me një dallim thelbësor: biznesi e pranon hapur interesin e fitimit dhe nuk pretendon shpëtim kolektiv apo shpirtëror. Politika, nën petkun e mirëqenies sociale, dhe religjioni, nën premtimin e paqes shpirtërore, ndërtojnë legjitimitetin e tyre mbi iluzionin e shërbimit altruist. Kështu, maska shndërrohet në mjet pushteti, ndërsa sinqeriteti i munguar krijon një hendek mes fjalës dhe veprimit.

    Vetmia për poeten është e bukur, e mençur, është paqe, liri, refleks, urti. Ajo  e universalizon vetminë, duke e nxjerrë nga kufijtë personalë dhe duke e shtrirë në përmasa kozmike. Vetmia shfaqet si gjendje e ekzistencës, ku njeriu, yjet dhe gjithësia ndajnë të njëjtën heshtje.  Vetmia s’është vetëm e imja/është e njeriut, është e yjeve që shuhen pa emër/e planeteve rrotullohen pa dëgjues /e gjithësisë hesht /brenda vetvetes. (fq. 128)

    Në vijim,  Mungesa Universale shfaqet si gjendje themelore e qenies, që kapërcen kohën, trupin dhe marrëdhëniet konkrete. Përballja mes Shpirtit dhe Trupit, si tension mes lirisë trupore dhe kufizimeve shoqërore, ku trupi përjetohet si burim kënaqësie dhe ndjeshmërie, por njëkohësisht turpërohet dhe maskohet nga normat morale.

    Po pastaj?

    Pas çlirimit nga avujt e fërkimi,

    Çfarë ndodhi me trupin tënd?

    Pastaj më thanë:

    Kaq ishte, shko e vishu!

    E mbylla trupin e brengosur me zinxhir

    Në fustanin pis të zi,

    U shndërrova në djallin që vishet me Prada. (fq. 168)

    Në epilogun e mbylljes së veprës  na shpërfaqen imazhe dhe reflektime mbi ikjen e kohës dhe thirrjen ndaj të rinjve, të cilët duke u përhumbur në arrogancën e tyre rinore, harrojnë të kujtohen se vitet ikin dhe jeta është cikël. Në çdo varg poetja kërkon të ndezë ndërgjegjen e të rinjve për të shijuar jetën por pa harruar se rinia nuk zgjatë përgjithmonë. Përmes ironisë së përdorur prekë indiferencën e të rinjve ndaj plakjes. Na e përplasni në fytyrë arrogancën rinore/ mospërfilljen për moshën tonë të kaluar/ e mos na dëgjoni ne/ që duam vazhdimisht t’ju kujtojmë/ se një ditë do t’ju vijë dhe juve pleqëria. (fq. 176)

    Kliko librin për ta porositur

    Poezia e fundit e epilogut  ndërtohet mbi një ligjërim simbolik, ku përmes simbolikës së tokës, jepet raporti i njeriut me trashëgiminë, kohën dhe humbjen. Poetja e zhvendos vështrimin nga përvoja individuale drejt një reflektimi universal, duke vënë në qendër iluzionin e pronësisë dhe pamundësinë për të ruajtur të paprekur atë që ndërtohet me mund, pasion dhe dashuri. Në këtë kontekst, poezia shfaqet si një meditim mbi përkohshmërinë njerëzore dhe transformimin e pashmangshëm të vlerave nga brezat pasardhës. “Toka” nuk është vetëm hapësirë fizike apo pronë materiale; ajo funksionon si metaforë e jetës, identitetit dhe përpjekjes njerëzore. Fëmijët, që janë farat e vazhdimësisë, shfaqen këtu si porta hyrëse e “të panjohurve”. Trashëgimia nuk ruan domosdoshmërisht thelbin e origjinës; ajo e transformon, e deformon ose e shkatërron.

    Ata shkelin pa teklif në tokën tonë/ mbjellë me farën më të mirë dikur/ disa përpiqen ta ruajnë/ por ndryshojnë farat, formën, kufijtë/disa e lënë djerrë dhe shurrojnë mbi të. (fq 190)

    Në fund, përmes ironisë, poetja na kujton se e vetmja trashëgimi  nga ne, do të  mbetet veç fotografia.

    Dhe do ish vërtet mrekulli/ nëse do ta varnin në mur foton tonë /e vetmja trashëgimi/mbetur prej nesh, do të thonë.(fq. 190)

    Mbyllja e Poemës me Imazhet e Fundit si reflektim final mbi ciklin e jetës dhe tensionin midis breznive, i lënë lexuesit një hapësirë reflektimi të hapur, ku mungesa nuk shuhet, por shndërrohet në kujtesë dhe vetëdije. “Toka tani ka aromën tënde dhe të njerëzve të mi të shtrenjtë, që i humba rrugës…” (fq.191)

    NJË KOMENT

    1. Mbas Lexinit tri herësh të kësaj ,,analize të thukët, realiteti , -sinqeriteti , mendova, e mendova, fillimish me erdhi një thénje e një njeriu të madh që tërë jetën udhëhoqie një shtet me mbi 20 milion bnorë. Pueti një gazetar si ndiheni … po dukeni jashtëzakonisht i relaksuar- disponar , aq i GËZUESHEM “ai u përjigj : Me kët popull, sidomos me kët RININ unë kurrë nuk mplakem, kurrë nuk ankohem, krr nuk jam pa disponim,pa dashuri të madhe për kët vend. Pra duke lexuar thukt vlerësimin për ,,POEMËN … e zonjës R> Petro në gazetën kulturore gjithashtu ,, VLERE që na sjell, mëson KULTURËN jo vetëm TONëN, por gjithë BOTËS lirisht do shprehem, opinionem së rrallë shum rrallë lexoj një shkrirje përkushtimi analizimi të vlerësuar paskajshem të një POEZIE ,…POEMA… zonjës R. PETRO . Nga ajo që të thuhet edhe shumçka tjetër po e përfundoj me kaq që të tilla shkrime – analiza kaq të sakta, kaq t”w sinqerta, , kaq VLERËSUESE të kemi gjithnjë në EXlibris …. ERIGMATI

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË