Një profil i fotografit të njohur shqiptaro-kroat, Luka Mjeda
Fotografi drejton aparatin tek objekti që ka zgjedhur dhe ne i bashkohemi vështrimit të tij, shpesh duke e “harruar” atë vetë. Vetëm, pasi jemi mbushur me mbresa, ide, mendime, vjen një çast dhe e kthejmë kokën pas nga vetë ai.
Ka kaluar më shumë se një vit nga ardhja e fotografit të njohur shqiptaro-kroat, Luka Mjeda, në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, i ftuar nga Qendra e Studimit të Arteve, pranë këtij institucioni. Ai mbajti një lectio magistralis me temë “Arkitekti dhe skulptori Andrea Alessi në thjerrën e aparatit tim”. Përmes fotografive të tij, u njohëm me veprën e arkitektit të madh shqiptar Andrea Alessi, një zë me peshë në arkitekturën e Rilindjes kroate dhe evropiane: arkitekt, piktor dhe skulptor i famshëm. Luka Mjeda, si fotograf, na e sjell përmes objektivit dhe detajeve që zbulohen në librin e Andrija Mutnjaković-it: “Andrea Alessi – Artist i Rilindjes së Hershme”. Në libër zbulohet biografia eAndrea Alessi-t, i cili lindi në Durrës më 1425 dhe u zhvendos në Dalmaci, duke bërë emër në fushën e arkitekturës. Që në rini shkoi në Split të Dalmacisë dhe aty studioi pranë skulptorit Mark Troja. Është autor i statujave të lozhës së tregtarëve në Ankona të Italisë, i 1454 afreskeve në një kishë të ishullit Arabe të Dalmacisë, ndërsa kryevepra e tij mbahet Pagëzimorja e Trogirit e cila ndodhet në katedralen e Shën Lorencit. Megjithatë, gjurmët e punëve të tij ndihen edhe në pallatet e Trogirit përreth, në atë të peshkopit Torlon dhe veçmas në pallatin përkundruall portës kryesore të katedrales, Palazzo di Coriolano Cippico, ku portali disakatësh me dritaret me tri harqe (trifore), në kapelën e Shën Gjonit shihet si kryevepër e Andrea Alessit.
Po kush është vetë Luka Mjeda? I lindur më 26 dhjetor 1952 në Zagreb nga prindër me origjinë nga Prizreni, është një nga fotografët më të njohur bashkëkohorë kroatë. Fillimisht studioi inxhinieri mekanike dhe ndërtimi në Zagreb, por e la për fotografinë pas takimit me fotografë amerikanë si Mary Ellen Mark, Michael O’Neil dhe Jerry Uelsmann më 1975, duke u bërë anëtar i Fotoklub Zagreb dhe duke filluar praktikën e tij profesioniste. Pas punës 5-vjeçare në fushën e dizajnit grafik dhe bashkëpunimit me revista dhe media të ndryshme, Mjeda u bë fotograf i pavarur në vitin 1980. Ai është anëtar i ULUPUH (Shoqata Kroate e Artistëve të Artit të Aplikuar), HZSU (Shoqata Kroate e Artistëve të Pavarur) dhe themelues e president i Qendrës Kroate të Fotografisë që nga 2006. Mjeda njihet për fotografitë e tij me tonalitete të forta, shpesh në bardhë e zi, me fokus tek arkitektura dhe detajet urbane, duke shprehur një ndjeshmëri unike vizuale dhe reflektim historik
Luka Mjeda, artisti kroat me origjinë shqiptare, e ka shprehur disa herë se fotografinë e ka mësuar në mënyrë autodidakte dhe mësues ka pasur të gjithë ata fotografë me të cilët është lidhur nëpër aktivitete të ndryshme. Kthesa ndodhi pas një seminari në Zagreb në vitin 1975 ku u njoh me disa fotografë amerikanë dhe shfaqi një interes të madh në fotografi.
Studiuesit e artit fotografik të Mjedës, kanë vënë re menjëherë, se një pjesë e rëndësishme e fokusit të tij krijues është fotografimi i ndërtesave. Këtu luan rol edhe njohja e tij e thelluar e arkitekturës. Fotografia e tij e parë e këtij lloji është realizuar në Venecia, kurse pas katër viteve, ai u vendos në Francë ku filloi edhe ciklin e tij Crystal Sky, për të vazhduar më tej në Amerikë, Gjermani dhe Kroaci.
Sipas tij, ndërtesat tregojnë që njeriu ka nevojë të ngjitet çdo herë lart e më lart, kurse vetë cikli i fotografive paraqet filozofinë e jetës së tij në të cilën ngjyrat nuk kanë rëndësi. Ai shprehet se në procesin e të kujtuarit, ka harruar edhe tonalitetin e ngjyrave prandaj për të vetëm e bardha dhe e zeza kanë rëndësi. Fotografitë bardh e zi të ndërtesave, por edhe të njerëzve, mbesin gjithmonë të bukura.
Siç është shprehur ai, fotografia sot ka marrë përmasë universale: të gjithë që kanë një fotoaparat apo kompjuter mund të bëjnë fotografi, por për të qenë fotografë duhet të realizosh cikle të tëra me fotografi të mira dhe jo vetëm një.
Luka Mjeda ka zhvilluar shumë portretin në fotografinë e tij. Ai është autori i portreteve të 80 artistëve kroatë, porositur Ministria e Kulturës në Kroaci.
Ai ka prezantuar punën e tij në shumë ekspozita vetjake në vende të ndryshme gjatë viteve ’80 dhe ’90 si Varaždin, Split, Kopenhagen dhe shumë qytete tjera evropiane. Të parën ekspozitë publike e hapi më 1984, në Zagreb – Galeria Gjuro. Ka ekspozuar veprat e tij në Muzeu i Arteve dhe Zejeve (Zagreb) në 2006. Më vonë edhe në Nottingham, UK (Gallery 1851), 2001, në Los Angeles – Photo Independent, 2015. Në Prishtinë – Galeria Kombëtare e Kosovës, 2016 (ekspozitë personale me cikle si “Blue box”, “Crystal city”). Ai ka gjithashtu ekspozita specifike dhe tematike si: “Andrea Alessi” – Muzeu Mimara në Zagreb (2019): ekspozitë fotografike kushtuar veprave të skulptorit dhe arkitektit të hershëm rilindas me origjinë nga Durrësi (Albania), Andrea Alessi. “Portret Hrvatske 2020” – Muzeu Mimara (2020): projekt dhe ekspozitë që paraqet portrete të qytetarëve të Kroacisë
Ka marrë pjesë gjithashtu në ekspozita kolektive me fotografë të tjerë, përfshirë: Zagreb Salon (45th Zagreb Salon), Muzeu Mimara – Aktualno series, ekspozita në São Paulo (BRA), Buenos Aires (ARG), Santiago (CHI) me projekte të fotografisë kroate etj. Ai ka gjithashtu disa botime dhe monografi me veprat e tij, si autor dhe portretist.
Një nga ekspozitat e tij më të famshme është “Teeth as Art” – Atelier LM (Zagreb, 2024): ekspozitë ku ka prezantuar fotografi kreative të dhëmbëve të neandertalëve të kapura përmes lenteve të fotografisë si formë arti. Për të cilën antropologu David Frayer shprehet: “Çfarë sheh artisti Luka Mjeda? A janë thjesht dhëmbë apo fosile të vjetra e të pista? Jo për të dhe jo për këta dhëmbë. Përtej rëndësisë së tyre antropologjike, këta dhëmbë përmbajnë një komponent surreal – një koncept të ndryshimit të vazhdueshëm dhe zhvillimit të njerëzimit gjatë historisë së lashtë. I intriguar nga kjo ide, ai i lejoi vetes të manipulojë imazhet origjinale dhe të krijojë një perspektivë të re dhe një homazh ndaj mënyrës se si ne shohim dhëmbët si art…”
Ndërsa antropologu tjetër i njohur John Hawks, thotë: “Fotografia dokumentuese e frymëzoi Mjedën të bënte diçka të veçantë: ai filloi të konceptojë dimensionin artistik të dhëmbëve, përmes ngjyrës dhe modelit. Mjeda krijoi një seri printesh artistike që luajnë me format e këtyre dhëmbëve, duke nxjerrë në pah një seri portretesh befasuese dhe evokuese.
Redaktorja e Teeth as Art është shkrimtarja kroate Edda Dubravec, e cila duke reflektuar mbi punën e Mjedës, shqyrton se si detajet e dhëmbëve lindin vizionin e artistit: “Dhëmbë që përtypnin ushqimin, dhëmbë që ndoshta dhembnin sepse kishin karies ose ndonjë dëmtim tjetër, u bënë imazhe të pazakonta, abstrakte dhe realiste njëkohësisht, të cilat ne mund t’i shohim dhe t’i përjetojmë si forma kristalore, imazhe në të cilat mund të hyjmë në një lloj spiraleje kujtese, ndoshta edhe njohjeje…”


