Që në poezinë e parë të lexuar nga Jasmina, pata përshtypjen se po kontaktoja me Migjenin. Po ndeshja atë forcë vargu, atë gjallëri, atë shpërthim shpirti të poetit të madh tragjik, vetëm se paksa ndryshe. Me më shumë butësi, lirizëm, delikatesë, elegancë e ndjesi femërore. Ndoshta ishte dhe gegnishtja e njëjtë që më dha përshtypjen e parë, por duke lexuar më shumë, kuptova se Jasmina Kotrri ishte tjetër. Një poete krejt e veçantë, që skalit me durim e këmbëngulje profilin e vetë poetik.
Me një vështrim të përciptë dhe nëse do duhej të thoshnim kujt rryme letrare i përket poezia e saj, do përmendja hermetizmin, veç në formën e tij më të qartë. Ndryshe nga të tjerët, sidomos ata që e kthejnë hermetizmin në mani e për qëllim kryesor kanë të ngelen sa më të pakuptueshëm për lexuesin, duke rrëshqitur në delire madhështie e ngujuar në bunker metaforash krejtësisht të pazbërthyeshme. Dhe këtu poezia e Jasminës e bën dallimin, duke qenë hermetike aq sa duhet. Aq sa të të grish në një botë të dukshme, në padukshmërinë e saj. Të të ngacmojë kureshtjen për të hulumtuar e kërkuar të zbulosh më shumë. Duke mos patur kurrfarë manie për të befasuar, dukur interesante me figuracion të bujshëm, por duke mbetur ajo që është, tepër e vërtetë dhe e sinqertë. Duke të dhënë në pëllëmbë shpirtin e vetë.
Brenda hapësirës së mendimit të pjekur e mesazhit gjithë njerëzor, poezia e saj është më së shumti poezi shpirti. ‘’Këngë e pakëndueme’’, që ia vlen ta dëgjosh e nga e cila duhet të kthesh sytë. Është poezi që të fal ndjesi të fortë mrekullimi që në vargjet e parë, provë bindëse e artit të fisëm e elitar. E metaforave sa befasuese po aq dhe origjinale, nën ritëm e ëmbëlsi të spikatur muzikore. Të ndjenjës së thellë e botës së pasur shpirtërore, mendimit të arrirë e zhbirimeve të përkora psikologjike. Poezi që mund të mos shpjegohet e vetëm ndjehet. Preket, për të gjetur çdo lexues një përvojë të vetën aty. I referohet një gjendjeje a përjetimi të caktuar emocional, si pasqyrë e vetvetes, brenda kornizës së kohës në të cilën jeton. Është poezi shpirti të brishtë, ndjesie të thellë e mendimi të bukur. Që përmes një gegnishteje të mrekullueshme të stofit migjenian e penave më të shquara të veriut të Shqipërisë, heq udhën e një profili që pretendon të ngelet i veçantë e i papërsëritshëm. Ndërtuar me vargje të lira, pa rimë klasike dhe pa metrikë të rregullt. Zgjedhje që u jep frymëmarrje vargjeve, hapësirë, duke bërë që imazhet dhe emocionet të rrjedhin natyrshëm. Me metafora, antiteza, paralelizma, gjuhë të figurshme prirur drejt solemnitetit e muzikalitetit shpesh herë tragjik. Të një stili ku kombinohet lirizmi intim me një ngjyrim paksa ekzistencial. Me një frymë moderne, ku poezia duket përgjithësisht si një këngë e pamundur për tu kënduar. Por edhe me një si refren të brendshëm që ngelet pezull, si mes mungesës dhe shpresës, errësirës dhe dritës, trishtimit dhe gëzimit.
E pasur me imazhe poetikë, që tingëllon si një kërkim i brendshëm përmes dhimbjes, mallit, mungesës, shpresës e zhgënjimit. Prirur më tepër për nga motivi i dashurisë, ku shprehet përjetësia e ndjenjës. Përmes vargut, autorja hyn në labirintet më intime të njeriut. Poezia nuk të flet vetëm me fjalë, por dhe me heshtjen, të pathënën ngelur në mes vargjeve. Flet për ato ndjenja që çdo njeri mund t’i ketë pasur, por nuk ka guxuar t’i shpreh. Për dashurinë e mbetur në heshtje, që vazhdon të jetojë brenda nesh, ndoshta edhe pa mundur kurrë të marrë formë. Të një shijeje të ëmbël e të hidhur njëkohësisht, pasi rrijnë bashkë gëzimi i përjetimit dhe trishtimi i humbjes e mungesës. Mungesë si rikthim e pa pikë përfundimi. Në të njejtën lartësi rri dhe një motiv tjetër, ai i mallit për vendlindjen, atdheun, historinë, njeriun, rrënjët. Dhe, meqë jemi te rrënjët, do t’i referohesha më gjerë njerës prej poezive të saj për Shkodrën, të cilën e do jashtëzakonisht shumë dhe në një mënyrë krejt të veçantë. ‘’Shkodrës teme’’.
Një poezi dashurie të përjetshme për vendlindjen, mbrujtur me mall, krenari, trishtim e dhimbje. Të poetes a ç’dokujt për vendin ku u lind e u rrit dhe kudo që të ndodhet do ta mbart me vete. Për t’i ndjerë frymëmarrjen e jetuar përmes frymës së tij. Për t’i folur me një gjuhë të skajshme intimiteti, si ajo mes fëmijës e prindit. Për poeten Shkodra nuk është thjeshtë një hapësirë gjeografike, është shumë më tepër se kaq. Është historia, atdheu, gjaku, identiteti. Është kujtesa e të gjithë brezave, janë gëzimet, hidhërimet, janë të gjallët dhe të vdekurit. Poezi sa e ditës aq dhe e gjithë kohëshme. E krenarisë dhe keqardhjes. Poetja dhe qyteti janë të pandarë, një e vetme. Poetja nuk është mirë kur nuk është mirë Shkodra. Dhemb kur rënkon qyteti i saj. E mësuar me madhështinë e tij të hershme, s’mund të mos i gjendet pranë në rënien a mjerimin e tanishëm. Të mos i afrohet ngrohtë, ëmbël, mos i flasë me gjuhën e zemrës e të shpirtit. Poetja dhe Shkodra, si në të mirë, si në të keqe, nuk e lëshojnë kurrë njëri – tjetrin. Pasi janë lidhur si mishi me kockën, si pema me tokën..
‘‘Sa herë të lëkunden rrënjët,
unë dridhem me ty!’’…


