minimum
e pres
çdo vit
këtë çast
se edhe unë zukas
e lidhi nji nga nji
fijet e hjedhta të ditës
e qetsinë s’e la
me xanë vend kurrnji
e tokën mbushi plot
me lule t’vdekuna habijet
si fëmi mbetun pa gojë
gaz e gjallni shpijet
e du shumë këtë çast
kur më lidhet jeta
kur qetsia lutet
e oborri dhambëzon t’parat
shkronja t’stinës s’re
nji re
ngritë në qiell
çu në mësim
hanen thotë përmendsh
Bora e shpëtimit
Bora ngeshëm
rrin faqes s’malit
thik
ty t’del nji puçë
e idhtë
pa kuptim
Perëndia kryen
veprën e shpëtimit.
Frymujk
Jetoj mes të gjallëve
aty ku jeta rron me ç’t’i gjindet.
Ngjitë me të,
e akullt, e mpime, me çark të ngrehun,
ujq t’parahatuem e miq harrakata,
hedh shtat kallamisht
pajeta,
me trup të rrshitshëm e xhufka për maje,
me qen besnik pa emën
e dy dadi supet per nji dimën të tanë.
A ke si mos m’e lanë qenin pa emën
për hatër tem?
A ke se si me u rrokë pa u puthë?
A ke si me ma liru kambën?
A mundesh me m’dashtë n’qytet,
mes njerëzish të shumtë,
si m’deshte ndër pyje
mes borës pa shkrimje
e frymës ujk?
Borapor
Prind n’pardesy,
rrallëherë fëmi
pa xanë ndo’iherë morra,
lshojnë korrent n’qiell
hedhin krypë n’re
e qymyr nëpër oborre.
Prind seriozë
langverdhë
t’urtë çubardhë n’laktozë,
sot xajnë
detin kos
e borën bozë.
Prind kristalin
këshillash me gloç
e moral pushor,
kërkojnë me i bindë fëmijtë
se bora
e bukur asht,
por.
Tash po t’rrahi!
Eh, sa mirë
Bashkia ngriti nji kand lojnash në nji grimë
lulishtë
Prej atyne mbetë për t’u numru me gisht
Në qytetin e fëmijve pa vend.
Gjith jek tjetërkund
Gjyshat domino
Në këtë kand lojnash gjyshet dominojnë
Ndonji kërcen edhe konop, por veç nji hop
E s’prajnë duke thanë
Si gjyshet ma
Që e thonë, por s’e bajnë:
Tash po t’rrahi-e!
Tash po t’rrahi, he qen!
Tash po t’rrahi pse s’han!
Tash po t’rrahi me e ba!
Tash po t’rrahi! shenj duke i ba
Tash po t’rrahi e po t’mbys!
Tash po t’rrahi mos me diftu!
Tash po t’rrahi e t’kuqi!
Tash po t’rrahi si kushi!
E, ma vocërrakët koten mes zhurmash
e turlisoj britmash
Por konop, s’dorëzohen
Diç n’karrocë belbëzojnë
Por gjuhën e tyne veç ato e kuptojnë;
Veç me t’amblin za të gjyshes
Tash po t’lahi!
Vjen gjumi e merr djalin.
Le t’biejnë shi me shtamba
Le t’biejnë shi me shtamba!
A m’ka puthë Joana,
Me shtamba le t’biejnë!
Le ta ndiej n’asht lagshtinën!
A m’ka puthë Joana,
N’asht t’ndiej lagsht!
Le t’shkojnë gjaku deri n’gju
Le t’rrijnë tanë gupicigu
Le t’msojnë krriçi me pingru
Le t’nisin vera me u ku
Le t’nxajnë murgesha me fishkëlly
A m’ka puthë Joana?
A m’ka puthë Joana?
M’ka puthë Joana e pikë.
Le t’bahet vonë me hangër!
A m’ka puthë Joana,
Kujt i bahet vonë?
Puthë m’ka Joana!
Shtang
Si nji tel që s’ka qitë za
Si kitarrë që pret në terr
Si nji qiell ende pa t’zonë
Flok n’hava pa krye t’vetin
Njashtu
Të preku
Dhe lëshon
Tingull të pare
E mendoja si do t’ishte
The babë
dhe babë
m’tingëlloi aq mrekulli
Unë
baba yt
fushë e gjakut fëshfëritës
qiell i dheut t’përhimë
me hanën blu
The babë
dhe portat vëngëroshe panë pjeshkat
në mur
u zgjatën, u hapën, kërcitën së lashti
dhe syve u shkoi goja lang
dhe gojës i shkuen sytë qëndisi
Tek i ke!
Shumë pyetje kam për gjyshin,
por ai tashma ka vdekë
përgjigje të shumta ai mblodhi jetet
përpara se unë me le.
Gjyshi fjetë e unë çuet.
Merr me zgju unë gjyshin
e ai fjetë se fjetë
merr me m’çu gjyshi mu
pa le unë se pa le.
Ku ta marr gjyshin sot?
Jetën e gjyshit me timen
askush s’e afroi,
vdekjen e tij me jetën time, po
sikur kjo u interesoi!
S’u takova me gjysh
S’u lidha me të
Nuk m’kaluen n’llogari përvojat
E zanit: Tek i ke!
Andrra e grues së Pilatit
ashtu siç ia tregoi fije për pe të shoqit
Ti urdhnove:
Të kryqëzohet,
por në mënyrë që asgjë t’mos i mungojë.
Të përndiqen,
por me trefish nderim para e pas buke.
Kur të pyeta për pushimet vjetore,
ti ma shumë fole me vete:
A pushohet në kryq?
A merret nji sy gjumë?
A luhet shrregull mes gozhdash?
Me kamxhik,
a luhet si me shkop magjik?
A ndeshet kupa “Për të mirë!
me ushtarë që mendjen e kanë ndarë?
Atëherë sikur u pendove a s’e di:
Ma ulni kryqin!
U ktheve:
Ju jeni familja e tij?
Sot e tutje do të rroni me ne në pretorium
me ç’të na gjendet.
Mandej edhe ma përçart:
Atëherë kamerier:
Luminal po qe se trandet dheu.
Kamomil në rast ëndrrash të këqija.
Jastëk me pupla enkas për kurorë me spica.
Kompresa me uthull për buzë të fshikura
nga puthja.
Një frigorifer plazhi për çdo të pafalshëm faj.
Një varg hudhra në hyrje të varrit vdekjes
për mësysh.
Plus një legen ujë me permanganat
për ndërgjegje të vakët.
Urdhër-porosia hyn në fuqi menjëherë.
Firma Vula
Zog frige
Nji zog frigu flutroi natës ma t’shpejtë
Si ai që vendin e gabuem paguen me jetë
Nji drithmë kaloi n’oborr
Ndërsa ndër t’qeta isha shtri
Nji hall n’za n’gjoks m’u ngul
E m’la tanë thepa nji trishtim
Me të u dashka me mbyllë sy
Nji zog i kaloi n’gojë natës
Me klithma ditës ia mbërrin
Imshtë
Gjith jetën me nanën
vështrimin kullu të saj.
Nuk fliste për të shoqin
s’më tregonte për babën.
Në çastet e fundit, gojë i hapet:
“Ke sytë e tij.”
Dhe vrikem përnjiherë pasqyrës
të shoh babën, ma në fund.
Kthej, i tham: “E pashë!”
Humbas sytë e saj.
Det nëpër ty
Deti kacavjerret nëpër perde
… baj sikur s’e shoh
Deti ngjitet në tavan
… baj sikur s’e ndiej
Deti zbret e më zblon
… baj sikur jam fëmi
Ekzakt kështu kam vepru me ty, N.
kur sa me u shejë kishe fillu
Ishte zheg e s’kishte asnji
E unë sapo ngjizë që aq dija
sa me zblu gjinjtë e tu
E pashënueme n’hartë
Ti ishe e mshehun
e kyçun diku
me nji tis të gurtë
T’mendoja larg
nën shtresa
Asnji shenj nga ti nuk vinte
asnji shenj nga vetja s’kisha
E, gjith ç’kujtoja prej teje
ishte nji ditë me mure t’buta
tek flisje nën za
me mu flisje
kur ngriheshe përpjetë, kallëz
e shtatin nga çdo nyje zgjidhje
Nji gjeth u desht me shty me dorë
aq pak
kaq pranë


