LIMAN I VOGËL
Zemër e kaltër
që ke përherë vend
për anijen e madhe
të përmallimit
tim.
***
Gjysmë monedha e hënës
vërtitet në Qiell.
Të varfërit në Tokë do të
kenë ende uri.
***
Mjellmë e ujërave të kaltra
pa ty liqeni do të ishte
një pellg i harruar uji.
***
Gjethet e fundit të mallit tim
(këtë natë të stuhishme dimri)
do të bien mbi udhën
që të priti gjatë gjithë vjeshtës.
***
Të paktën në dashuri
do të doja të flisja me gjuhën
e zogjve
në dashuri të paktën.
***
Të ngrira marrëdhëniet midis teje dhe meje
të ngrira.
Akull gjithandej.
Prej ditësh jam mbyllur brenda ngrehinës
të trupit tim.
Të dal nëpër rrugë
kam frikë se mos thyej krahët e pritjes.
Ti vazhdon zemërthyer.
RIKTHIM
Pikërisht m’u në mes të dimrit
pikërisht m’u në gjysmë të janarit
u rikthye pranvera
si kujtimi i ditëve të rinisë
në shpirtin e trazuar të një burri të thyer
në moshë!
QYTETI BUZE DETIT
Qetësi e betontë njëherazi e ujshme
asgjë e papritur kurrgjë e bujme!
***
Padyshim ai nuk po kalon Rubikonin
as nuk është varkëtari Karont
që çon dikë në Had
ai burrë i ligur është një peshkatar
që po kalon perëndimin
dhe nëse stuhia e janarit nuk
do ta degdisi natës së errët
s’di se ku
në mëngjes herët do ta gjesh tek limani
duke shitur atë pak peshk
në kovën e tij plastike.
Mos harro kovën e tij
blu e zbardhur me buzë
të ngëna.
***
Maskat ranë
por ata (të cilëve u ranë)
para syve tanë u përkulën
në gjunjë
i morën dhe i vendosën
prapë!
Janar 2022
***
Unë nuk e di as vitin as muajin
as datën kur ke lindur ti
po me siguri ti do jesh shfaqur
në kohën
kur u shfaqën tulipanët.
PERËNDIM MBI JON
Përëndoi Dielli i ditës së parë
të vitit
Në mbrëmje vonë Toka do të veshë
mantelin e natës
dhe do të vështrohet në portretin e Hënës
si një nuse që vështrohet në pasqyrë
para se të shkojë në shtrat
natën e parë të martesës.
PRANË VENDLINDJES
As bardhësia e dëborës
nuk e lëbardhi sado pak
të zezën e pikëllimit!
As bardhësia e dëborës!
TRËNDAFILAT E DIMRIT
I kuq mes grisë.
Nuk është shi dhjetori
ky mbi kurmin tend.
Janë lotët e majit të merakosur
që iku
shpirti i të cilit ende
kujdeset për ty.
***
Kjo gjysmëhënë dhjetori
si gjethe e vonuar vjeshte
shkëputur nga kopshtet
e Zeusit!
***
Kanë një rrezëllim të ujshëm
sytë e tu
si burimi i parë i Tokës
fill pas krijimit të saj
***
Gjysmë hënë e dhjetorit
më vështron pafajësisht
përmes gjetheve që la vjeshta.
Gjysmë hëna e kësaj mbrëmje
e brishtë dhe lozonjare
vajzë
pa botox dhe filler.
***
Në muzg gjërat dhe sendet e
humbasin formen
dhe trajtën e tyre
thonë se edhe mendimet e ndryshojnë trajtën
thonë se edhe dashuria bëhet më drithëruese
thonë se të gjitha gratë duken të bukura
në muzg.
***
O zog i bregdetit
a e di se këtyre anëve
dimri ndjen të ftohtë
edhe vetë?
GJENDJE NË DET
Tjetër trumbetoi
se do të kapte peshqit
më të mëdhenj,
tjetër i kapi.
Ndërsa këta peshkatarë të ngratë
rreken të kapin dy peshq
të vegjël,
për t’u rrekur mandej përsëri
për t’i ndarë në mënyrë
të barabartë.
***
I trazuar Perëndimi
prej të cilit ne prisnim
Lindje të Mëdha!
***
Më pate thënë se do të vijë
para se të binte ghethi i fundit
i vjeshtës
Gjethet ranë
ra dhe kjo gjethe.
Sikur të mos ishte e fundit!
DITËVE ME SHI
1
Pikë shiu të isha
mbi qerpik të syrit tënd
të qëndroja!
2
Pikë shiu të isha
në cepin e buzës sate
të bija!
SHFAQET BOTA
…Dritare pas dritaresh
qelqe pas qelqesh
shpresa pas shpresash
derte pas dertesh!
***
Sa pak drita
sa pak
në qytetin tënd dhe timin
feksin në terr
si sytë e një maceje
të zezë.
Ku të të gjej?
***
U kthye pranvera në mes nëntori
apo ti erdhe dhe ike
pa lajmëruar?
***
(sipas O. Elitis)
Vera u vra me pikën e parë
të shiut
vjeshtra s’e ndal vajin për ikjen
e saj!
***
Të piva në një kupë çaji Dafinë
kolla m’u zbut
iku
por jo brenga për fatin tënd!
PERËNDON
S’më ngazëllen gjysma e diellit,
që unë shoh,
se sa më pikëllon gjysma tjetër,
që ka perënduar!
***
***
Të prita tek lokali buzë detit.
Nuk erdhe.
Në retinën e syve të mi pasqyrohej
vetëm udha.
Ika.
Kamerieri mori të hollat
që lashë mbi tavolinë
dhe kafen time
të pafilluar.
***
Unë nuk di si quhen ditët
e javës.
Thjesht të gjitha ato
kam filluar i thërras
me emrin tënd.
HIRI
Rrotull Vezuvit ecën shpenguar,
mbi hirin shkel pa drojë,
s’mendon për llavën tek sheh kraterin,
çdo gjë e merr si lojë.
Veç një vullkan je dhe ti vetë,
një llavë brenda vetes mban,
mban urtësi edhe përçartje,
njëherësh fllad edhe tufan.
Flaka, prushi, llava na mësuan,
një tjetër syresh Feniksi na e dha;
prej hirit (ri)lind jeta vetë,
dhe dashuritë e mëdha.
Përqark kraterit sillem dhe unë,
veç mendja m’ikën n’arrati,
s’e s’më magjepsi jo Vezuvi,
sa ç’më magjepse ti!
***
Mes dimri, acar,
anëdetit fryn një erë shtrigane,
e marrosur.
Flamuri i kuq valvitet nxitimthi
më të majtë më të majtë
më të lartë
si flaka e një zjarri
që brambullon


