UNË JAM VJESHTË
Unë jam vjeshtë,
por
pranverën e njoh mirë,
e kam parë shkrirjen e akujve
çative në sy të pranverës,
kam ndier rrezet e diellit
e kaltërsinë e qiellit,
edhe fluturimin gazmor
të zogjve e kam lakmuar
fort,
kam parë si çelin nën borë
aguliçja e lule vjollca,
edhe blerimin e prillit
parë e kam,
edhe rritjen e barit, lulëzimin
e lulemollëve e pjekjen
e dredhëzave kur pikin
plot ngjyrë e ëmbëlsi i kam shijuar,
edhe erën pranverore
e kam ndier
në flokët e mi, sepse:
dikur kam qenë pranverë.
Unë jam vjeshtë,
por
edhe verën e njoh mirë,
kam parë si piqen qershitë,
si piqet gruri ngjyrë ari
e si lidh kalliri i misrit,
por kam parë edhe
si digjet e si mbetet në arë
tërfili i livadheve,
kam ndier përcëllimin e diellit
si saç mbi kokë
dhe afshin e vapës e djersët curril,
edhe shterimin e puseve
e tharjen e lumenjve
i kam parë,
eh, sa herë kam ndier therjen
e këmbëve nga ecja zbathur,
kam ndier edhe flladin e pishave
e freskun e lumit
t‘rrjedhshëm,
sa shumë i kam dëshiruar
atëherë, sepse:
edhe verë kam qenë dikur.
Unë jam vjeshtë,
po, po unë jam vjeshtë
me plot ngjyra,
me tryezën plot larushi e shije,
shoh ende diell e kaltri qielli,
por edhe lagështi ajri e erë
mjegulle përzier me timin
e oxhaqeve,
ndiej shije vjeshte e pika shiu
që trokasin ne dritaren time
që lëkundet nga era e fortë
dhe te ftohtët,
sot ec lodhshëm mbi gjethet
që kërcasin si eshtrat e mi,
ah, gjethet e rëna, të thara,
të rreshkura e pa jetë, shumë
nga ato tashmë të shpërndara
kushedi se kah nga era
e rreptë vjeshtore,
prandaj s‘eci më përpjetave
veç luginave të buta,
po përgatitem për pushim,
për jetë të re,
s’kam mërzi,
vërtet s’kam mërzi,
vetëm dua qetësinë,
si gjithçka në natyrë, sepse
unë jam vjeshta
dhe kam bashkuar stinët e mia.
Unë jam vjeshtë
sepse:
dimrin ende s’e njoh mirë
edhe pse e kam provuar pëlcitjen
e tëmthit e pëlcitjen e anit,
edhe mërdhirjen e plasaritjen e duarve
e të këmbëve,
edhe mërdhezjen e hundës
e të faqeve e kam ndier shpesh,
edhe nxehtësinë e zjarrit
e djegien e drurëve në oxhak
i njoh fort,
i kam parë edhe fjollat e borës
kur i lëvizte era e ftohtë
pamëshirshëm
dhe njerëzit e mbyllur nga bora,
por edhe pamëshirën e ortekëve
të borës në bjeshkë,
kur rrokulliseshin teposhtë,
e kam parë edhe pastërtinë,
bukurinë e bardhësinë e borës,
kur mbulon qetas, prajshëm,
në heshtje gjithçka,
që është nën qiell,
edhe pse më mërdhin kjo
mbulesë e bardhë, më pëlqen,
sepse:
do të bëhem dimër.
NËNTOR
Eci ngadalë në këtë ditë të ftohtë, era fytyrën egër ma pret.
Ditë vjeshte me diell dhëmbëmprehtë.
Shkeli barin gjysmë të vdekur, hapat më zvarriten jo lehtë.
Ndiej mall, oh, sa qiell, tokë e det.
Babë, ti s’më sheh, s’më ndien, pushon prej vitesh i qetë.
Jam me ty, ndihem me faj të thellë.
Erëftohta prish heshtjen e gjetheve të rëna përtokë pa jetë.
Moti s’kam qenë n’tënden kështjellë.
Hapat e mi ndihen butë në tokën e thatë t’plasaritur pa shi.
Ti s’ flet, fëshfërijnë veç gjethet.
M’vijnë para sysh dromca jete plot mall e shumë ndjenjësi,
trupin e zemrën m’i zënë ethet.
Babë, sa shumë vite pa ty u ndrynë në timen arkëkujtesë,
pa tënden fjalëporosi s’plaka asnjë ditë.
Dhe kështu do të ikin ditët palë-palë me mall e shpresë,
derisa frymës sime t’i fiket e saja dritë.
KAM MENDUAR
(ose: të bëhesh nënë)
Kam menduar:
se s’ka më bukur se kur çel agun dielli,
se s’ka më frymëgjerë se i kaltri qielli,
se s’ka më t’hijshëm se i ngjyrëti ylberi,
ndërrova mendje kur shtatin tim le ti
Kam menduar:
se s’ka më liri se fluturimi i zogut n’ajrí,
se s’ka më t’kthjellët se gurra në malësi,
se nuk ka më të bardha se retë në lartësi,
sa e paditur paskam qenë derisa linde ti.
Kam menduar:
se s’ka në botë sa oqeani i paanë gjerësi,
se s’ka më prekjebutë se bari në gjelbëri,
se s’ka më qetësi se kur shikon në yllësi,
derisa në atë të lume orë hape dy sytë ti.
Kam menduar:
se s’ka më t’erandshëm se i kuqi trëndafil,
se s’ka muaj më shpirtëror se i diellti prill,
se s’ka më natyrëpastër se pranverori shi
derisa t’shtrëngova n’krahë e t’mora n’gji.
Kam menduar:
se s’ka më të shenjtë se engjëlli në gjithësi,
se s’ka më mëshirëplotë se natyra n’rruzulli,
se s’ka më strehëngrohtë se e ëmbla shtëpi,
derisa provova shenjtërinë e të pasurit fëmijë.
Kam menduar
se s’ka më të çmueshme se shëndeti në rini.
se s’ka më të dëshirueshme se kesh mirëni,
se nuk ka më bukur se të shikosh në gjithësi,
por kur të linda ty, krejt bota ime u bëre Ti.
KUR “VDESIN” GJETHET NË GËRMI
Ti ende je i vogël për të kuptuar e ditë
se gjethet e rëna kanë pasë jetë e shpirt,
se kanë zënë fill e rritë me shumë dritë,
se fuqi e tyre ishte dielli e shiu përditë.
Ti ende je vocërrak për t’i parë e ndier,
se ç’dashuri për vit në zemra kanë zier,
se ç’mrekulli falte valëvitja e tyre n’erë,
se ç’vallëzim bënin në t’blertën pranverë.
I vockël je për t’ditur si ishin gjethet dje,
se ç’kanë ndier ato kur qielli zihej me re,
kur era e stuhia sillnin rrufe pandërpre’
e jeta e tyre e brishtë varej në t’hollin pe.
I njomë je ende s’i njeh të natyrës ligjësi,
se gjedhet jetojnë të veten rini e pleqëri,
se ato provojnë e ndiejnë shumë mizori,
e nesër sërish do të ndiejnë të tyren rini.
Sot n’vjeshtën shumëngjyrëshe t’pamatë,
kur sytë na i kënaq fort qilimi i tyre i artë,
historia e gjetheve shkruhet me shi e lot,
e lumtur që ty atje s’të shkon mendja dot.
NË TË HYRË TË DIMRIT
Erdhi dimri patrembshëm, si për vit,
vjeshtës i vodhi pamëshirshëm ditë.
Vuri brof kurorën e stinës së bardhë,
me pak rreze dielli, lagështi e acar.
Erdhi si përherë me miqtë e vet gri,
me mjegull, re, lagështi, borë e shi,
shikoj n’dritare atje tej, gjë s’lëviz,
as gjedh, degë, zog, flutur, as mizë.
Vetëm mendja ime s’rri urtë e qetë,
lyp një kohë t’ikur që vjen e zbehtë.
Sytë bredhin në të vegimtat imazhe,
mbetur peng në të blertat peizazhe.
Me sy të paqetësuar e kokën zjarr,
me kujtime që ikin e vijnë si valë,
më zë përdore malli e marr udhë,
po ku të gjej shteg që më përudhë?
Pres t’më vijë e buta imja vajzëri,
përreth me lugje e të butin vërri,
para më dalin pishat veshur nuse,
plot me borë pranë t’akulltave puse.
E unë me hundë e duar që mërdhinë,
ngroh duart me të valën timen frymë.
Pres t’ndiej zë nga shtëpia n’rrafshinë,
kot, ai zë i ëmbël moti “fle” n’kodrinë.
SYTË E MI
Sytë
ujëvarë e liqe që nuk njohin skaj as fund,
më t’kthjellët se çdo rrjedhë, gurrë e lumë,
më të njelmët se kripa në çdo det e oqean,
pushtues hapësirash universi këtej e matan’.
Sytë e mi
në ag dielli, nur hëne e ylli – zgjuar prore,
në mjegulli e errësirë nate – dritë sipërore.
Dje, sot e n’mot armë që mund shtrëngatë,
në të nisur e sosur jete – hyjnorja dhuratë.
Sytë
sa mrekulli e shenjtëri kam parë për t’gjallë,
sa kujtime e ngjarje falë tyre ruaj për mall.
Sa shëmti e pashpirtësi kam ndier e parë,
sa dhembje e pikëllime me lot m’janë larë.
Sytë
dy ninëza drite sa mirësi e dashuri fshehin,
sa pafundësi e paskajësi ndjesish shprehin,
dy bebëza të vogla t’pambarimta ngjyrash,
mbushin zbrazëti, zbusin melankoli fytyrash.
Sytë
Me sy shoh si i dua unë tokën, detin e qiellin,
“prek” malin, livadhin, lulen, bletën e diellin,
shoh thellë të paparën, ndiej larg të pathënën,
përkëdhel e puth edhe timen të ndjerën nënën.
NË NJË TË HËNË
Në një të hënë nëntori kur im atë na la,
pullazi i shtëpisë mbi kokë se ç’ na ra.
Por, kur një të hënë gushti dhe nëna iku,



MUND të quash vetën ,,VJESHTË, por tjerët të qujn ,,stinë pranëvere – VERE, pranej…zonja Shefkie