Nëna Franë u zgjua nga shtrati me këngën e parë të gjelit. Shtyu perden e dritares të shihte më mirë, nëse kishte shenja se ishte afër agimi. Nuk ishte e sigurt nëse deri atëherë kishte shti gjumë në sy apo vetëm, ashtu, e lodhur dhe e rraskapitur kishte qëndruar në shtrat.
- Po nisem edhe kësaj here, – tha më vete. – Nesër në mesditë duhet të jem para dyerve të burgut, ndërsa nesër në mbrëmje është Nata e Kërshëndellave. Po kësaj radhe nuk do të vij të të shoh. Kësaj radhe, si duket, do të vij të më shohësh për herë të fundit.
Një tis i hollë bore e kishte mbuluar oborrin dhe era me dredhat e saj të lehta, luante me të, sikur po i thoshte je aq e lehtë dhe e papeshë, madje e parëndësishme.
E shikoi edhe njëherë nëse e kishte mbërthyer mirë trastën e mbushur me një leçenik të vogël, pakëz mish të terur e të kriposur mirë, ca kuleçë gështenje dhe disa copa pispili me kungull vjeshte. E peshoi me njërën dorë për të parë edhe njëherë nëse mund t’i mbante në një rrugë kaq të gjatë, në të përpjetëzat dhe teposhtëzat e saj. Nuk e përjashtonte mundësinë që pran saj të kalonte ndonjë këmbësor dhe madje ndonjë kalorës a kamion që bartin dru pishe. Vetëm që të ndalej ndonjëri e ta ndjente dorën e tij, këtë nuk e priste. Pranë nënës së armikut të popullit që ishte burgosur në Burgun ne Spaçit, nuk guxonte të ndalej askush, prandaj as t’ia shkarkonte barrën, sado e rëndë të ishte. Barra e saj në shpinë për të ishte fizike, ndërsa për të tjerët ajo ishte barrë politike.
Pasi i shtrëngoi me sa mundi këpucët e rënda, u nis rrugës së gjatë, të cilën po e përsëriste në të njëjtën datë dhe në të njëjtën kohë çdo dy muaj, tash e tri vjet. Katundi Fëlet i Pukës, flinte. Zgjuar rrinin vetëm qentë e fshatit dhe gjelat. Kaloi mes lagjeve Krosej e Velaj, Xhaurrë, të besimit islam dhe Prendgegaj të besimit katolik. Rrugës së fshatit e përcollën të lehurat e qenve, mjaullimat e përshkuara me dhimbje të maceve të strukura diku në kulmet e stallave dhe ndonjë këngë zgjimi e gjelave.
Ndërsa po e merrte rrugën e gjatë që përmbyllej te Burgu i Spaçit, Nënë Frana po i sillte ndërmend rrugët anësore të fshatrave, krojeve, kodrinave, maleve, muranat e kishave e kështjellave, rrugët, që në të vërtetë më shumë se rrugë ishin rrugica. Do të kalonte buzë staneve e krojeve të Fushëzezës, buzë tumave të fshatit të Darsit, prapa mureve të rrënuara të Kajmekamit të Pukës, ndë Bjeshkë të Nikqit, Kodrës së Kshqelit afër Oroshit, ndërmjet fshatrave Gëziq e Munegjë, krejt afër rrugës së vjetër të Sukës së Gjytetit, Kullës së Bulgrit, do të pushonte te Guri i Lekës, para se të ngjitej Kodrës e Kalasë së Meshurdhit dhe vetëm kur të afrohej te Shkallza e Spaçit do të merrte frymë me besimin se arriti gjallë.
Ndërsa i mendonte kur me radhë e kur pa radhë rrugët e rrugicat, kodrat e luginat, fshatrat e lagjet anësore, krojet e rrjedhat e ujit, shpellat e strehët e pishave dhe shkurreve me të nisur drejt Burgut të Spaçit, Nënë Frana kurrë nuk mbante mend të jetë kujtuar për rrugët që e kthenin në shtëpi. Zakonisht nuk ishin të gjitha të njëjta, kishte shumë rrugë anësore me të cilat ju ikte të përpjetave, kishte shumë maja kodrash me të cilat ju ikte rrëshqitjeve të mundshme gjatë dimrit dhe kishte madje shumë rrugica e rrjedha përrojesh mes të cilave ecte me kujtimin e bukur për fytyrën e të birit, për dorën e ngrohtë të tij, me ëndrrën për ditën kur do të kthehen së bashku në shtëpi.
*
Të lehurat e qenve e zgjuan në të njëjtën kohë edhe sekretarin e parë të partisë në fshat. U zgjua me të shpejtë dhe e kapi orën e vendosur te koka pranë fletores së shënimeve e stilolapsit, sikur ta kapte jo thjesht orën po gojën e njërit prej qenve që po lehte më theksueshëm. Hodhi pallton e madhe mbi krahë dhe doli në ballkonin e shtëpisë të shihte nëse rrugës së lagjes po kalonte ndonjë njeri. Pasi shikoi poshtë e lartë, zërat e qenve e përcaktuan vendin ku një hije e zezë gruaje me një trastë në shpinë, e vetmuar, korbë si vetë nata, po ecte në dalje të fshatit. Drita e hënës dhe tisi i bardh i borës e shquanin mjaftueshëm pamjen e saj, lëvizjen e saj dhe madje kujtesën për të.
- Frana, – tha më vete. – Korba! Duhet të jetë nisur përsëri ta shoh djalin në Burgun e Spaçit. E ka ditën sot apo jo. Duhet ta shoh në fletore, nëse e ka ditën të niset apo jo. Nëse jo, atëherë do të jetë dikush tjetër. Një grua tjetër? Ndoshta një burrë i veshur si grua! Një armik i panjohur i fshatit tonë, partisë sonë, atdheut tonë… Të shohim nesër në takimin e mëngjesit në Selinë e Partisë, – tha më vete dhe u kthye në dhomën e gjumit, me shpresë të mos ja ketë prishur gjumin gruas së tij.
*
Nëna Franë u mendua disa herë të ngjitej kurrizit të Bjeshkës apo të merrte luginën e saj. U kujtua që kurrizit të bjeshkëve zakonisht udhëtojnë ujqit, kur më pak e kur më shumë. Udhëtojnë dhe madje ndalen e ulërijnë, si për t’ju bërë me dije udhëtarëve që më parë sesa ju, ne jemi këtu. Në një kohë të ftohtë si kjo, mendoi më vete, ata edhe mund të jenë të rrezikshëm dhe nuk do t’i japin kohë Nënës Frane të ndezë pishën, prandaj vendosi të merr shtegun e Luginës së Pishave, ku më parë se sa me llavën e ujqërve mund të ndeshej me llavën e derrave të egër. Të ecurit e saj e shoqëronte një heshtje e hapësirës së pafund ndërmjet qiellit dhe tokës dhe një ushtimë e largët që më parë se sa degët e krijonin majat e tyre. Tek po afrohej fundit të Luginës dëgjonte vetëm shushurimat e këpucëve në gjethet e thara e zhavorrin e gurëve. Herë pas herë, sado lart, ia tërhiqte vëmendjen fishkëllima e ndonjë kamioni që shkonte xhades së luginës, zhurma e ndonjë motosharre dhe rënia e zhurmshme e pishave të prera nga Fabrika e Motosharrës.
Gjithnjë duke mbajtur krahun e majtë, kurrizit të maleve, kishte mbërri deri aty sa në muzgun e natës së parë të shihte dritat e qytetëzës së Fusharrëzës, ndërsa tani mbante anën e djathtë tek po e ruante kurrizin e maleve drejt Burgut të Spaçit.
Pasditja e së shtunës Nënë Franën e gjeti në fund të Bjeshkëve të Mushmollave. Bora e Luginës ia kishte këputur gjunjët, por nuk dëshironte të ndalej edhe “për një copë rrugë”. Dëshironte që të nesërmen, një ditë para Natës së Kërshëndellave, të gjendej sa më afër Burgut të Spaçit. Natën do ta kalonte te Shpella e Priftit, te Gropat e Derrave apo nën kurorën e ndonjë shkurreje ku nuk kishte depërtuar ende dëbora.
- Do të ndalem te Shpella e Priftit, – tha më vete. –Sonte ajo sikur më fton aty, -ndërsa mendja po i ikte në historinë e saj.
Ka shumë legjenda për këtë shpellë. Njëra thotë se aty ka jetuar një prift 500 vjet gjatë kohës së Turqisë, një tjetër thotë se aty ka lindur vetë Krishti dhe e ka fshehur Shën Mëria prej romakëve. Në traditën popullore të zonës për këtë shpellë theksoheshin edhe emërtime të tjera, të cilat specifikoheshin edhe me kohën e tyre: Shpella e Komitit, Tek e kanë humbur virgjërinë tri zanat e malit etj. Së fundi në hyrje të saj është vendosur një pllakë në të cilën thuhet se: “Në këtë Shpellë, më 14 nëntor 1941 u mbajt mbledhja e parë e Grupit themelues “DEBATIK” për rrethin e Fusharrëzës”.
Kishte hyrë në vitin e tretë, që kur e bënte këtë rrugë, dimrit e verës, ditëve me vapë e netëve me shi, po asnjëherë nuk ndihej më e lodhur se sonte. E dinte se sa më lart majës së Bjeshkës të ngjitej aq më ftohtë do ta kishte deri në mëngjes, por dëshira që t’i afrohej djalit dhe t’ia dërgonte ushqimet për Natën e Kërshëndellave, sikur ja ngrohte shpirtin dhe trupin.
Tek po ngjitej majës së Bjeshkës vuri re se si bashkë me thellësinë e luginës po e lindte dhe errësirën, ndërsa po hapej qielli, apo hëna po depërtonte më shumë dhe më me forcë në rrugën e saj. Në të majtë të rrugës sytë i zunë një dardhë të egër me trup të lartë e të hapur. Bora e ngarkuar mbi degët e saj sikur e bënte edhe atë të lodhur si vetë trupi i Nënë Franës, sado e lartë e krenare të ishte.
- Eh, – tha më vete – nuk paskam marrë asnjë kokërr mollë, ndërsa kokrrat e dardhave të egra, më mirë se asnjë pemë tjetër mund të shpërndaheshin te shokët e Palit.
Rrezet e hënës sikur i dhanë shenjë për një tufë dardhash të egra në degën e mbuluar me borën që nuk ndalej. U mbështet për trungun e saj dhe lëshoi trastën e ushqimit në rrëzë të saj. Ishte lart tepër lart për krahun e saj. Ndoshta bora që po bie, mendoi më vete, mund ta afroj afër tokës. Ndoshta pesha e saj mund ta thyejë dhe ta hedh për toke. Ndoshta do të zbres edhe ndonjë shpezë mbi të dhe ta shkund me gjithë borë.
Po priste e mbështetur për trupin e trashë të dardhës. Të ftohtit dhe ngrica i vinte nga thellësia e zemrës së Bjeshkës. Tek po i ngrinin këmbët mendja i thoshte të futej thellë diku në ndonjë shpellë, por dëshira për t’i arritur dardhat e egra nuk e lejonin të lëvizte. Në sytë e saj po hapej qielli dhe kokrrat e dardhave po zbrisnin afër saj. Për një çast, një ushtimë e fuqishme sikur doli nga thellësia e tokës apo zbriti nga kupa e qiellit, por në trupin e saj një zjarr i madh po zgjohej.
- Zoti i madh, – arriti t’i thoshte vetes me zërin e brendshëm, duke i mbajtur krahët lart drejt degës me dardha të egra. – Krishti u ngjall! E unë kam edhe një natë e një gjysmë dite rrugë deri te Burgu i Spaçit.
Flluskat gjithnjë e më të madha të borës mbulonin degët e dardhës, sytë e saj, duart e saj, trupin e saj, ndërsa ngrica gjithnjë e më e fortë ja ngrinte edhe trupin nga brenda, sado një zjarr i brendshëm sikur e ngrohte atë më parë se sa ta ngrinte. Një ndjenjë fizike gjithnjë e më shumë po e tërhiqte drejt zemrës së tokës, ndërkohë që një frymë shpirtërore po e tërhiqte drejt kupës së qiellit.
*
Në mëngjesin e së shtunës në Komitetin e Partisë së Fushë Arrëzës ra “Telefoni i kuq”. Shënimi telegrafik ishte i shkurtër dhe urdhërues me një “vini re” të përsëritur dy herë: “VR! VR! Armiku në zonën tuaj!”
Diskutimet dhe projektimet zgjatën gjithë ditën, por realizimi i kapjes së armikut që nuk po vinte rrugës, gjades që lidhë Pukën me Fushë Arrzën, nuk mund t’i lihej ditës tjetër. Duhej kontrolluar malet, natën dhe ditën. Pa ra muzgu! Armiku nuk mund t’i gjente në gjumë e as nuk mund t’i lejonte të flenë!
Grupi i vullnetarëve kundër mbeturinave fetare pasi mbaroi kujdestarinë deri në muzg në rrugët dhe rrugicat që hynin apo kalonin në anësoret e qytetit dhe fshatrave përreth njoftoi Komitetin e Partisë se misioni i tyre kishte mbaruar pa sukses. Duhej ngritur grupi i vullnetarëve, të cilët do të bënin hulumtimin në Bjeshkën e Mushmollës, për të parë nëse ndonjë i tillë kishte dalë të mblidhte dardha të egra a ndonjë frutë tjetër dimëror për Natën e Kërshëndellave. E ai ishte gati. Në të aguar të së dielës, grupi vendosi të shkonte në Shpellën e Priftit. Ishte ftohtë dhe agu i mëngjesit tashmë shoqërohej edhe me një acar të pazakonshëm. Kishin edhe rreth 300 metra t’i afroheshin Shpellës kur vunë re një grua të mbështetur në trungun e një druri. Ju afruan duke mbajtur sytë dhe duke bërë me dorë drejt saj.
- Është një grua, është një grua…, – tha një nga ata. – Duket ta ketë zënë bora këtu. Ku shkonte natën?
- Natën ecin vetëm armiqtë e popullit, – the një tjetër prapa tij.
- … edhe të pagjumët, komunistët, rojet e atdheut, –shtoi një tjetër.
U afruan të gjithë si një dhe u përkulën mbi trupin e saj. Ja shkundën borën nga faqja, nga flokët, nga gjoksi, nga duart, nga këmbët e lagura e të ngrira, kur më lehtë, sikur nuk dëshironin ta zgjonin nga gjumë dhe kur më shpejt, sikur dëshironin ta çlironin sa më parë nga bora.
- Ta shohim kush është, çka në trastën e saj, fruta, ushqim, armë.
- Ta shohim nëse ka dokumente personale dhe t’i verifikojmë pastaj nëse janë të saja apo të huaja. Hapën trastën e lidhur nyje tri herë dhe panë e numëruan duke mbajtur shënim në fletoren e tyre: një leçenik i vogël, një copë mish i terur, katër kuleçë gështenje dhe tetë copa pispili me kungull. Dokumente nuk ka në trastë. Hapën pastaj pallton e lidhur mirë për trupi të shohin në xhepin e brendshëm nëse ka ndonjë dokument. Po. Kishte lejen e njoftimit lëshuar nga zyra administrative e qytetit të Pukës.
- Aha, – tha njëri, – besoja se është nga zyra administrative e Fushë Arrëzës, – tek po e lexonte me zë dhe me kujdes, pothuajse shkronjë për shkronjë: Frane Zefi, fshati Fëlet, Pukë.
- Po ku shkonte kjo këndej?- pyeti më shumë veten se të tjerët, drejtuesi i grupit.
- E di unë! – tha njëri prej më të moshuarve vullnetar të grupit.
- Si e di ti? – u ngut të fliste shefi i grupit.
- Mbiemri i saj më thotë një gjë, për të dyshuar. Frana vjen nga një familje armiqësore Zefi e fshatit Fëlet të Pukës. Janë familje me këmbë në Shqipëri e me kokë në Vatikan. Kjo nënë duket të ketë burrin, vëllain apo djalin në Burgun e Spaçit, të cilët, gjithnjë në frymën e ideologjisë fetare është nisur t’i vizitojë Natën e Kërshëndellave dhe të ju dërgojë ca ushqime tipike për këtë natë.
- Shiko, shiko, se si ka vdekur duke mbajtur dorën lart, me gjasë duke u lutur mbrëmë për Krishtin. Paska dhënë frymën e fundit, si Shën Mëria, – reagoi më i riu.
- Trus! Do ta shpallësh edhe shenjtore! – ndërhyri Komandanti i Grupit.
- Jo, vetëm thash…, – rrudhi krahët rioshi.
- Ta lëmë plaken në vetminë e saj, do të thoshte Migjeni, ta njoftojmë Komitetin e Pukës dhe le të shkojmë e ta hetojmë rastin në Burgun e Spaçit.
- Pse të mos shkojmë në Pukë, në Familjen e saj, po në Burgun e Spaçit. Atje mund të gjendet rrënja e së keqes së kësaj vdekjeje.
- Atje është rrënja e së keqes dhe me atë do të merret Komanda e Pukës, por ne duhet të ngutemi e ta kapim majën e së keqes, e cila gjendet në Burgun e Spaçit.
- Ashtu qoftë! – thanë të gjithë me një zë, duke pohuar me kokë, më shumë se sa duke e shqiptuar me fjalë.
Grupi i vullnetarëve kundër mbeturinave fetare, zbriti me nguti poshtë Bjeshkës, tek xhadeja, ndali kamionin e parë të Fabrikës së Përpunimit të Pishës dhe u nisën drejt Burgut të Spaçit.
Pas një ore u gjetën para dyerve të mëdha të minierës së Spaçit dhe menjëherë u drejtuan në drejtorinë e Burgut. Drejtori i Burgut i priti syhapur. Me lëvizjen, mbajtjen e frymës dhe ngutinë që i shoqëronte, më parë se çdo gjë tjetër, grupi sillte një lajm të keq, një shqetësim a edhe më shumë, një hata.
Komandanti i Grupit, tërhoqi karrigen prej druri me forcë, hapi çantën e krahut dhe nxori fletoren e shënimeve. Pastaj vuri lapsin mes faqeve të hapura të saj dhe u ul me kujdes dhe i rrëfeu drejtorit vdekjen një gruaje në Bjeshkët e Mushmollës.
- Besojmë se ishte nisur këtu te ndonjë i afërt i saj dhe këtë duam ta verifikojnë këtu që të zbulojnë gjithashtu grupin armiqësor që sonte rrezikonte të festonte Natën e Kërshëndellave, – e përmbylli fjalën Komandanti, duke i rënë fort fjalës zbulim.
Ende pa dhënë urdhër, dikush nga krahu i majtë i vitrinës solli një dosje që në ballinë dhe në anësore mbante shkronjën Z.
- Fjala është për Frana Zefin, nga Familja Zefi, e njohur për propagandë fetare armiqësore kundër shtetit dhe partisë. Kjo grua e ka të birin në burgun tonë dhe duke pasur një përgatitje shkollore të mirë, që i dha partia dhe atdheu, ai bashkëpunon me disa shkrimtarë e përgjithësisht krijues me prirje borgjeze, prej rreth 50 të burgosurish, të cilët sonte sigurisht do të përfundojnë në qeli, në vend se të festojnë Natën e Kërshëndellave me ato gjëra ushqimore që do t’i sillte nëna e Palit.
Rreth orës 21.00 të mbrëmjes, drejtori i Burgut të Spaçit ftoi Palin dhe të burgosurit e tjerë: Skënder Dajën, Pal Zefin, Dervish Pekën, Hajro Pashain, Nikolla Qafkën, Skënder Thaçin, Sherif Allamanin, Pandi Sterjon, Fadil Dushkun, Bedri Çokun, Demush Muçajn, Elez Hoxhën, Kostandin Papën, Ndrec Çukun, Njazi Bylikbashin, Naim Fashajn, Murat Marten, Bashkim Fishtën, Uliai Pashallarin, Zef Ashtën, Jonuz Morjen, Merkur Babageten, Stefan Kolën, Spiro Nashon, Nuri Stepen, Tefik Dedin, Pavllo Popën, Gëzim Medollin, Haxhi Benën, Irakli Sirson, Demir Pojanin, Gramoz Spahinë, Vladimir Priftin dhe Tefik Kunsnakun, të cilëve jua komunikoi në gjysmëdritë e në gjysmëterr vendimin e drejtorisë dhe lajmin për Nënë Franën.
“Drejtoria e burgut, e mbështetur gjithnjë nga partia dhe bijtë e saj syçelë, ditën e natën, ka kuptuar se sot në burgun tonë duhej të vinte nëna e Palit, e cila do të sillte ushqimin për Natën e Kërshëndellave për të birin dhe bashkëmendimtarët e tij, të cilët do të festonin këtë natë të mallkuar, – tha drejtori.
- Pse sonte është Nata e Kërshëndellave: – pyeti Dervish Bejko.
- Pse nuk e dinit Ju? – pyeti me ironi drejtori.
- Unë vij nga familjet me trashëgimi myslimane, – vazhdoi Dervishi.
- Unë e di, që Nata e Kërshëndellave është pas rreth dhjetë ditësh, – ndërhyri Irakli Sirso, sikur donte ta përmirësonte Dervishin.
- Kjo do të thotë që ju vini nga familje ortodokse, – ja kujtoi oficeri zyrtar nga drejtoria, që e shoqëronte drejtorin.
- Jo, jo, sonte janë Kërshëndellat Katolike, po ju nuk do të mund të hani asgjë në qelinë tuaj, sepse Nëna Frane vdiq rrugës, në të vërtetë u ngri në borë në Bjeshkën e Mushmollave. Sonte ju mund të luteni vetëm për Shën Marinë, desha të them për Shën Franën, e cila deri në frymën e fundit nuk u ndal së propaganduari opiumin e saj fetar kundër partisë dhe pikëpamjeve marksiste-leniniste e staliniste – nguli këmbë drejtori.
Lajmi për vdekjen e Nënës Frane bëri që grupi të mos vazhdonte as pyetjet, as miratimin e përgjigjeve të drejtorit, sikur po mbante një minutë heshtje, për vdekjen e saj. Megjithatë Zefi u kujtua të pyeste nëse nëna e tij ishte gjetur apo e kishin grindur kafshët e egra të malit dhe përnjëherë kori përgjigjen: nënat e paçliruara nga opiumi fetar e armiqësor kundër partisë e pushtetit popullor nuk i hanë as kafshët e egra.
Ndërkohë që grupi i sapokrijuar Armiqësor i Natës së Kërshëndellave” po e merrte vendimin për të kaluar natën në një çeli të hapur dërrasash me gjemba, drejtori burgut u kthye në kabinetin e tij i shoqëruar nga ndihmësi i tij, përgjegjës për ideologjinë marksiste në Burgun e Spaçit.
- Shoku drejtor, vendimi juaj për dënimin e Grupit Armiqësor të Natës së Kërshëndellave është joserioz dhe në kundërshtim me parimet tona ideologjike, në raport me besimet, mitet e opiumin e mbeturinat fetare. Ju, Zoti Drejtor, me fjalën tuaj, në vend se të dënonit veprimin e një nëne, për iniciativën e rrezikshme brenda burgut tonë, me fjalën tuaj e shpallët shenjtëreshë në sytë e tyre.
- Jo, – ndërhyri, me frikë e me huti, drejtori. – Nuk e kisha qëllimin që e keni nënkuptuar ju, ishte vetëm simbolikë…
- Pikërisht te simbolika e kisha fjalën, pse duhet ta theksonit këtë simbolikë, kujt i duhej kjo? Kërkoj që të reflektoni për këtë deri në mëngjes!
- Kjo do të thotë, të reflektoj sonte apo që sonte t’i bashkohem atij që unë e quajta Grup Armiqësor i Natës së Kërshëndellave.
- Ju e dini shoku drejtor, – tha sekretari i partisë, duke dalë nga dera, pa e kthyer kokën.
*
Të nesërmen në mëngjes, drejtori i Burgut të Spaçit u gjet i vdekur tek themelet e rrënuara të Shën Gjonit të Spaçit, ndërsa në letrën e lamtumirës kishte shkruar:
“Unë Gjon Ukëcama, drejtor i Burgut të Spaçit,
në Vendimin e djeshëm për dënimin e Grupit Armiqësor të Natës së Kërshëndellave, kam bërë një lëshim të rëndë dhe të papranueshëm për orientimet politike e ideologjike të Partisë sonë. Në fjalën time dhe në komentet e bëra para Grupit Armiqësor, kam konstatuar se ndonëse i kam pranuar me vetëdije parimet bazë të Partisë për të luftuar dhëmb për dhëmb të gjitha mbeturinat armiqësore, duke përfshirë edhe ato që vinë me përmbajtje fetare e prapavajtëse, shpirtërisht e kjo do të thotë, në thelbin e ideologjisë marksiste, ende nuk jam liruar nga trashëgimia kulturore e fetare, prandaj duke mos qenë në gjendje që këta dy përbërës: i pari, mendor dhe i dyti shpirtëror t’i bashkoj në shërbim të Partisë e të popullit, kam vendosur që të bëj vetëvrasje pranë themeleve të kësaj Faltoreje, duke u lutur për Nënën Franë!
Qoftë i bekuar shpirti i saj!
Prishtinë, më 1 korrik 2025

