More
    KreuLetërsiBibliotekëArben Velo: Hachi, Përrallë e vërtetë

    Arben Velo: Hachi, Përrallë e vërtetë

    Një mbresë nga Japonia e largët

    Kisha dy ditë në Tokio dhe pas leximeve në internet, këmbngulja të shihja Asakusa, Tokyo Tower, Skytree, me të drejtën që të thosha më pas, në Shqipërinë time, shqiptarëve të mi, se unë e “kam parë Japoninë”

    Ende nuk kisha parë deri ato momente asgjë nga Tokio. Atë pasdite, kur  diç po kërkoja me ngulm nga Tokio si qytet, mbase doja  të më ofronte nga ato shumë zakone, doke, bukuri, tradhëti të fshehta që çdo metropol i ruan brenda vetes, atë pasdite pra, në atë qytet me më shumë se 12 milionë njerëz dhe mbi 40 milionë të tjerë vizitorë nga të gjitha anët e botës, unë e kisha të vështirë ta konfiguroja dhe të gjeja pak nga identiteti dhe psikologjia e tij. U gjenda pranë stacionit, ‘’Shibuya Station’’ Në të fundmet hije të dritës, që besoj jo vetëm mua më ngjanin ngjyrë rozë, hijet më përktheheshin si “dëbora e petlave” ( sakura snow ) që nuk është asgjë me tepër se thjesht çelja e luleve të qershisë, më të bukurat në Japoni. Nën kindat e atyre hijeve u ndesha befas me një varg, radhë të stërgjata njerëzish.

    Radha ecte ngadalë, anës një muri të mbushur me vizatime kafshësh, sidomos ato shtëpiake, e veçanërisht të një qeni mjaft të njohur si racë në atë vend. Kisha humbur rastin ta shikoja një pjesë të mirë të qytetit me teleskop nga Tokio Tower. Kisha dështuar në përpjekjet e mia për të hipur pikërisht në atë ashensor rrokaqiejsh, dhe tashmë po ndiqja instinktivisht me sy e pastaj nga anash,atë drejtëz, që shthurej në një lakore njerëzish, lakore që mbështillej si një grykëz qeni, rreth minisheshit.

    Kur ndesha në fundin e atij gjarpri hijesh, m’u faneps një shtatore më shumë se dy metra e lartë. Ishte Statuja e qënit besnik, Hachiko.

    Fillimisht m’u bë sikur statuja këpuste ndër dhëmbë rrezet ngjyrë vjollcë si petla lule qershie, të asaj mbrëmjeje dhe pasi i përtypte brenda pritjes së gjatë për të zotin e vet i hidhte tejfund mbi shtatin e mjegullës, që do të vinte patjetër.Njerëzit përkuleshin para shtatores dhe dukej sikur ato petla ngjyrë vjollcë pasi i mblidhnin, nën bekimin e rrezeve të mbrëmjes, i kthenin në tufa, buqeta dhe i vendosnin nën themelet e shtatores. Dhe nuk harronin të përkuleshin thellë gati deri në tokë në shenjë mirënjohjeje. E kisha parë me dhjetëra herë filmin shumë prekës ‘‘Hachi: A Dog’s Tale’’. Kisha përjetuar gati mes vorbullës së lotëve sjelljen e atij qeni shumë besnik dhe profesorit Parker. Kisha lexuar se Hachi ose Hachiko, i njohur si “Qeni Besnik”, kishte ditëlindje dhe ditë ( ngordhje) vdekje të tij. ( Lindi më 10 nëntor 1923 në një fermë pranë qytetit Odate, Japoni e ndërroi jetë (ngordhi) më 8 Mars 1935), pikërisht pranë stacionit,‘’Shibuya Station’’, ku unë gjendesha atë çast. Që nga prilli i vitit 1934, një vit përpara se qeni të ngordhte, atij iu ngrit ajo statujë. Hachiko ishte dhe është ndoshta qeni i vetëm në rruzullin tokësor që ka parë dhe përcjellë nëpër sytë e tij, përurimin e shtatores së vet.

    Që nga ajo ditë, çdo vit pranë asaj statuje, në sheshin ku ndodhet edhe stacioni hekurudhor, organizohet një ceremoni solemne për nder të Hachit. Në ceremoni marrin pjesë qindar në mos mijëra miq dhe adhurues, të cilët dijnë se si ta vlerësojnë lart Hachin, i cili nuk e harroi deri në vdekjen e vet mikun e tij.

    Pikërisht, nga ajo pasdite në Tokio, përballë bustit të Hachiko, m’u faneps Baloja, qëni besnik i familjes, atje, nën hijen e gjetheve të manit, në fshatin tim të lindjes. Ishte prilli i vitit 2020, atëherë kur sapo largohej jargavitja e fundit e Covid 19. Atë natë babai im u kthye në shtëpi, me një qen të vogël, njësoj si profesori Ueno, në shtëpinë e vet, në pranverën e vitit 1924.

    E vendosi kafshëzën e vogël përballë kolibes, ngjitur me derën e kasolles ku mbretëronin dy dele dhe një dhi. Të dy përditë ushqenin njëri – tjetrin me dashuri. Qeni i përcillte babait mirënjohje, me mëngjeset si lule kumbullash dhe mbrëmjet si lule manash. Babai, eh babai, ai e di se çfarë i ka dhuruar përveç ushqimit.

    Kurrë nuk e kuptova, atë pasdite qershori, disa vite më vonë babain tim, teksa kuvendonte me heshtjen e tij. Dukej e zhdukej nga sytë e mi, përzier mes hijesh që lëshonin gjethet e manit.

    Trishtimi i tij më ngulej tamam si një sfurk me shumë dhëmbë. Sfurk që mblidhte bashkë hije dhimbjeje. Hije që i kthenin në të verdheme gjethet e gjelbërta të manit

    Një natë më parë ishte kthyer nga Italia. Pas shumë vitesh, mezi iu mbush mendja për një vizitë te nipi dhe mbesa, të lindur atje. Vetëm dy javë, asnjë ditë më shumë, kishte këmbëngulur. Asnjë ditë më shumë iu thashë! Sikur parandjente se vetëm dy javë mund ta priste në gjallje, Baloja i tij. Një besë e pashkruar, mes kafshës dhe të zotit. (Kujdes! Veç një minutë vonesë, dhe qeni jep shpirt).

    Duke afruar fytyrën e vet pranë qenit të pajetë, ishte gati të rrufiste dritën e diellit dhe ta lëshonte brenda gojës të mbushur me pajetësi dhe me jargë. M’u bë sikur kafsha e gjorë kishte këputur e mbante ndër dhëmbë dy javë pritjeje, të kthyera në dritëhije gjethesh mani. Gjethet e kthyera në shtëng në fyt gjatë përtypjes, mund t’i kishin bllokuar frymën.

    Doja t’i flisja. Nuk po mundesha. Mbase nuk dija të gjeja fjalë. Kurrë s’kisha dëgjuar modele fjalësh ngushëllimi për ikjen nga kjo botë të kafshëve të dashura.I pajetë përballë tij shtrihej gjerë e gjatë në tokë Baloja. Atë çast babai, dukej si një perëndim i menduar, teksa hijet reflektonin ca dritëza, nëpër bulëzat e lotit në sy dhe djersës së ftohtë në ballë.

    Atë pasdite pra ku diç po kërkoja me ngulm nga Tokio si qytet, pranë ‘’Shibuya Station’’në Tokion e largët, ku mijëra njerëz qëndrojnë mbledhur në shesh,nën kindat e hijeve të grataçelave, njësoj si unë, ata po njihnin një pjesë të mirë të shpirtit të Tokios, vetëm nga busti i Hachikos.Rreth dhjetë mijë kilometra larg,  në Shqipëri, në Adë, fshatin tim të lindjes, babai, rrufiste dritën e  diellit dhe bashkë me ato rreze dhe  kujtimin e një qeni besnik, ikur nga kjo botë, nën hijen e një mani.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË