More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVisar Zhiti: “Mençuria e idiotëve”, një libër - një paradoks i zmadhuar...

    Visar Zhiti: “Mençuria e idiotëve”, një libër – një paradoks i zmadhuar nga shkrimtari Luan Laze

    Një libër – një paradoks i zmadhuar nga shkrimtari Luan Laze, që priti sa priti dhe na u vërsul për të na treguar se ku kemi arritur, marramendshëm sa lart edhe ku, në një vend të vogël, të shtrydhur midis dy kulturave të mëdha botërore, të artit, filozofisë dhe demokracisë së drejpërdrejtë të antikitetit Grek dhe artit prapë, institucioneve të demokracisë prapë dhe drejtësisë të perandorisë Romake. Për paradoks,  të dy këto kultura në epokat e lavdive të tyre, që vunë në qëndër Njeriun dhe Rilindjen e tij, ishin shoqëri me skllevër.

    Prej tyre njerëzimi ka trashëguar vepra të pavdekshme arti si dhe arenat e amfiteatrove dhe të koloseumeve, ku përlesheshin skllevërit   me shpata në duele të përgjakura, vriteshin me njëri tjetrin nën brohërimat e spektatorëve shkallëve të mermerta, pra të popullit tjetër. Një të tillë e kemi zbuluar dhe ne mu në qëndër të qytetit të Durrësit. Kulmi arrihej, kur në arenë futeshin nga bodrumet nën tokë kafshët e egra, të uritura, luanët, që shqyenin me dhëmbë dhe kthetra mishin njerëzor.

    Gjithsesi unë dua të merrem me Luanin tim…

    Luan Laze. Sipas asaj që ai e thotë dhe vetë në një aforizëm për emrin e tij: më vendosën këtë emër se e dinin që do të jetoja në një shoqëri kafshësh, duket vërtet si një luan në arenat e reja, në qytete, rrugëve të tij, në shtëpi e zyra, në punë e klube, në biseda me të tjerët, me veten, në ëndrra e delire, ecën i shkujdesur, duke parë të tjerët shkallëve, në stadiume, teatër, partira, parlament, shkallëve të avionit, shkallëve të pallateve pa leje… ashensorë karrierash… ballkone ballë për ballë, etj, etj.

    Luani sheh që kthetrat nuk janë më, por janë bërë ironi e tij, dhëmbët janë zemërimi, qortimet, tund bishtin hokatar, realiteti i ngjan një cirku, gazmor në dukje, ja dhe teli i ekuilibrit të rrezikshëm, të hungërish paqësisht duke i ngazëllyer spektatorët… Sot si dikur. Dikur si sot…

    Në fakt ky është libri, ky libër…

    PO E SHFLETOJMË…

    Keqkuptimi është një dhuratë për të kuptuar më mirë.

    Hija e njerëzve është më interesante se vetë ata.

    Shpëtoni prej atyre që keni brenda vetes, të shijoni veten.

    Po! Po ç’ishte ky zell për të treguar me pakëz fjali ose dhe me një të vetme, në mijëra paradokse, realitetin përreth, njerëzit që njohim dhe nuk njohim, adhurim apo kritikë apo frikë shpotitëse nga jeta, nga alienimi i shoqërisë njerëzore, mbase kështu do të thoshte studiuesi gjakftohtë, futje në vorbullat e ngjarjeve të aktualitetit, do të vazhdonte ai, ndoshta dhe mundësi për të qeshur me veten, do të shtoja, në kohën kur qeshet aq shumë me të tjerët, një vetvete tjetër? Apo të gjitha bashkë nga pak a asnjëra aq shumë?…

    Shkencat sot kanë arritur zhvillime të paimagjinueshme, por jo nga ata që zbulojnë dhe shpikin, kur Inteligjenca Artificiale, AI siç quhet, pra “ai” në shqip, ai tjetri, që po na kërcënon me mençuri të hatashme, se nuk duket e largët dita që do të mund të sundohemi jo më nga vetvetja, por nga vetvetja e shpërngulur   te makinat, në robotë, me mendjen të zbrazur në një elektroteknologji të skajshme, në kompjutera gjithfarëlloj, në univers pranë, por dhe larg, të futur nën lëkurën e njeriut, sepse mençuria jonë ishte kaq shumë injorante, sa… s’e di, etj, etj.

    Luan Laze, edhe pse e kishte nisur ndryshe, si me një shaka të padëmshme, sikur donte të kalonte kohën, tani është në përballje, në vorbull, përkundruall kohës, qëndrestar, pa e marrë përsipër si mison, kështu duket paradoksalisht…

    Ka 48 vjet që shkruan aforizma & paradokse, kështu thotë, i ka nisur që kur ishte ushtar i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, më i gjatë emri se vetë atdheu, pra, në vitet 1976 -78, kur Shqipëria kishte dalë nga kampi socialist, nga përandoria komuniste, dhe nuk kishte shkuar asgjëkundi, ishte vetëmbyllur, regjimi ruhej me armë, me gjyqe, tela me gjëmba, pranga, dënime shkrimtarësh dhe librash, shpëlarje trush, etj, më shumë se nga armiqtë, pra, ruhej nga mençuria… e Luani ynë vit pas viti shtonte aforizmat dhe paradokset, gjithnjë e më të rrezikshme.

    Po pse s’u mjaftua me 20 sentenca, aq sa kishte moshën, kur ishte ushtar? Apo me 48, aq sa vite ka që i shkruan, fundja dhe ‘76 a ‘78 sa numri i viteve, kur i nisi? Do i jenë dukur shumë aq, po le t’i pakësonte atëherë, t’i bënte 100. Prapë shumë. Duhen më pak. Mirë pra, fiks 183 aq sa nene ka Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë. Më pak, më pak. Sa Kanuni i Lek Dukagjinit, ai ka 199 nene? Sikur t’i bëjmë 200? Apo 300, 500? 525, aq sa nene ka “Kodi i Procedurës Penale…”, se ai është më modern dhe merret drejpërsëdrejti me sentenca e hetime, paradokse e tortura. Dhe e ndërsjellta, pothuajse me to merret dhe autori Luan Laze. Eh, prapë duheshin pakësuar, do mjaftonin 1000, apo sa 1001 netët, ne jemi popull i lidhur me Orientin, gati orient. Jo, janë shumë, duhen më pak. Sa, 2000? 3000 atëherë…

    Dhe meqënëse jemi shqiptarë dhe bëjmë më mirë hesapet e tjetrit, them se sikur Luani të kishte shkruar nga një në ditë, do t’i duheshin afërsisht 14 vjet pa afërsisht 100 ditë për 5.000 aforizmat dhe paradokset e tij. Në fakt janë tonat. Ai këmbëngul se ka 48 vjet që i shkruan, pra i dalin mangut dhe 34 vjet, të konveruar në sentenca, i mungojnë dhe 11.410 të tilla. Defiçiti është i dënueshëm… dikur shitëset e djathit dënoheshin me defiçite kësisoj dhe unë gjej ngjashmëri midis djathit dhe sentencave, gjersa një katedër albanalogjie në Angli merrej me gatimet e supës në Ballkan. Por le të vazhdojmë me shkencë, se:

    Injoranca ka ecur përpara, ne kemi mbetur në vend.

    BISEDË ME AUTORIN

    (retrospektivë e…)

    Po të kalojmë tek libri, më konkretish te autori. Ashtu si Shvejku i romanit të famshëm për brezin tim dhe të Luanit, “Ushtari i mirë Shvejk”, edhe ne nuk i ndahemi ushtrisë, kujtimeve të saj, por pa vajtur në front.

    Një ditë afër repartit, aty në fshat, – tregon Luani i 5.000 aforizmave dhe paradokseve, – pashë tre burra, thernin një buall. I thashë një shoku nga Tirana se ky, i gjori buall, nuk e di fuqine e vet, se nuk do të kishte burrë që ta therte. Bualli është populli, mendova, por nuk fola…

    Pse?

    Si pse?… Më tërhiqnin humori, ironia, sarkazma. Si puna e therjes. Kishte mënyra plot dhe jo vetëm buaj…

    Pas dy vjershave, botuar në gazetën lokalë “Adriatiku” me ndihmën e Komandantit tim Shpend Topallaj, tani shkrimtar se atëhere nuk i lejohej, se ishte përjashtuar nga partia, kur u lirova…

    Nga burgu?

    Nga ushtria, botova te “Hosteni” e “Drita” poezi, satira, paradokse.

    Ushtarake?

    Jo, civile. Ndërkaq përkthyesi Lili Bare kërkoi të më takonte. Nuk e njihja. Me pyeti kush jam, nga jam dhe pse jam dhe i befasuar nga ato që kisha botuar me tha: Nëse t’i pëlqen ndonjë i burgosur politik, i ke vërtet të bukura.

    Po ku do ta gjeje të burgosurin politik? Burgu s’ishte leje krijuese, që të shkoje…

    E mora si provokim. Më vonë mësova se ishte shok me Dritëroin dhe kishte vajzën në Rusi.

    Dhe?

    Siri Sulejmani, shkrimtar e mik i madh imi, me siguroi se nga Lili nuk të vjen e keqja.

    Natyrisht. E keqja s’dihet nga vjen, se po ta dish, i ruhesh…

    Një nga ato paradokset, që i kishte mbetur në mendje, ishte: përderisa është vdekja, çfarë na duhen lindja?

    Lindja? E kishe fjalën për Vendet Lindore, Bashkim Sovjetik, Kinë, Mongoli, Poloni, Hungari, Gjermani Lindore, Çekosllovaki, Bullgari, Jugosllavi, Shqi…

    Jo.

    Për regjimet e tyre, desha të them. Jo.

    Pse, nuk të pëlqen të kesh qënë disident? Është me leverdi sot. Mund të blesh dhe një dëshmi përsekutimi…

    E di. Do më japësh tënden?

    Nuk       kam. Mbaruan fletët, i kishin marrë përsekutorët…

    Atje shtypja dhe unë. 

    Çfarë shtypje?

    Shkrimet e mia. Në fillim ia jepja vajzës 70 vjeçare të Hilë Mosit, Rina Mosi Gjergji, gruaja e Pjetër Gjergjit, këngëtar në Estradën e Tiranës. Ajo ishte një nga gratë më të zgjuara, që kam njohur. Kishte makinë shkrimi, dhuratë nga Jonuz Dini. Kur u plak shumë, ma dhuroi mua me lotë në sy. Sa herë shkoja në shtëpinë e saj, me drejtohej me të folurën shkodrane: Po ku je, mor ta marsha? Hajde, Debatiku i vogël! Sepse më shikonte që rrija me fqinjin, shokun e fëminisë, Shpëtim Zani (Coli, te filmi “Debatik”). Sa herë merrja materialet e shpypura, Rina më uronte: Të rujt Zoti, mor bir, me kto gjona që shkruen! Satira është gjini që e di dhe e do Partia, i thosha. Që e di, edhe unë e di. Por që e do, këtë nuk e di, thoshte e paharruara Rinë. Ajo ishte lexuesja e parë e këtyre… Më pas botova tregime e skica, pa hequr dorë nga paradokset. Me ‘86 u botuan disa te “Drita”. Midis tyre edhe ajo e buallit, unë e bëra demi.

    Mirë e bëre. Demi ishte më i lidhur me Partinë, kemi dhe heronj.

     Por më thirrën në Komitetin e Partisë, ishte viti 1989.

    Kaq vonë? Për t’u bërë anëtar Partie?

    Jo. Më thanë: Armik, bën agjitacion e propagande, shkon në burgje e takon shokë atje, tregon barcoleta dhe bën satira kundër.

    Të paskan lavdëruar.

    Sigurisht që i mohova. Por me që nuk ke bazë klasore për armik i pushtetit, siç më thanë aty, Partia po ta fal, por kujdes se nuk na i hedh dot… Dionis Bubani më tha se kur t’i botojmë herë tjetër, do të vendosim një okelio në krye: nga bota borgjezo- revizioniste.

    Pra, nga Shqipëria e ardhme.

    Ashtu u botuan shumë të tilla, midis tyre: Trimi për shokun lë kokën, frikacaku për kokën lë shokun! Me Dionisin ose Xhaxhin, si e thërrisnim, kur ndaheshim, më thoshte me humor: Unë nuk të vij dëshmitar! Kur Sami Çabej i tha Teodor Laços: thuaj atij djalit të sjellë librin për botim, ashtu bëra, se i kisha gati tregimet. Sipas rregullit të Shtëpisë Botuese më pyeti se kë doja për recenzent. I thashë njërin me mbiemër të një ene kuzhine, sepse ai në Konferencën e Talenteve të Reja në Durrës ma kërkoi vetë këtë gjë. Recenzenti tjetër ishte Profesoreshë Floresha Dado. Pas një muaji Samiu më tha se ena e kuzhinës kishte shkruar se me këtë autor, dmth me mua, duhet të merrej Ministria e Punëve të Brenshme dhe jo Lidhja e Shkrimtarëve apo botimet. Poeti Xhevahir Spahiu e kapi enën e kuzhinës e i tha: nuk të vjen turp të fusësh në burg një djalë 25 vjeçar?

    Siç dukej duhej të prisje dhe një vit e gjysmë, se mua 26 vjeç e gjysmë më arrestuan.

    Floresha për të njëjtin tregim, “Realiteti i një ëndrre” shkruante ndryshe, është i paarrirë artistikisht. Kaq. Libri është i botueshëm, thoshte. Një herë tjetër më shpëtoi Vito Koçi, e kisha mik shtëpie. Harroje këtë  fabul, më porositi, jo më ta çosh për botim.

    U binde ti?

    …në artistiken “Migjeni” më kanë ardhur dy letra nga një përson që kurrë nuk e njoha. Më shkruante me superlativa për ato që lexonte në “Drita” e “Hosteni”. Në fund të dy letrave shtonte: zgjuarsia që nuk kujdeset për veten, është e dëmshme! Ndoshta ishte provokim, ndoshta jo. Nuk e vrava mendjen.

    Por unë kisha miqësi me Inxhinier Ismail Farka, e di që e ke patur mik në burg, edhe përsonazh në librat e tu, ishte burrë i ditur, m’u lut një herë të mos e lavdëroja, se prej tyre e kishte pësuar…

    Ndërsa në një darkë me Dritëro Agollin, më mori Siri Sulejmani, që ai e donte shumë, pasi pinë sa deshën, Dritëroi e lëshoi gojën, pastaj u kujtua që isha dhe unë dhe u kthye nga Siriu: O mustaqë, more ky djalka, që bën ato paradokset, është i yni apo…? Në çast u përgjigja unë: Të isha juaji, do ngrihesha e do vija atje te vendi… Po me ty pse vepruan ashtu, drejt e në burg?

    Mos nuk e kisha me aq shaka. Dhe ata s’bënin shaka…

    Kjo është! Pastaj, po në atë zyrë, ku më kishin thirrur ata të Partisë, më vonë unë do të punoja si gazetar në “Sindikalisti” së bashku   me   bashkëvuajtësin tjetër tëndin, me ish të burgosurin e Spaçit, edhe ky personazh, mik i përbashkët dhe ky, Zyd Morava… Kur një vend e udhëheqin paradoksalët, marrëzia është disafish. Me këtë zhanër unë mund të them çdo mendim, urrejtje, përbuzje, dashuri. Me pëlqen filozofia…

    Po jo ndonjë libër filozofie. Saktë. Më pëlqen humori…

    Por s’ka humoristë. Megjithëse është vetë jeta…

    …ironia, argëtimi. Që kur isha adoleshent, kur thoshin: ejani në mbledhjen e pionerëve, apo në aksione, pastrim territori, mbledhje misrash në fermë, më kapte një e qeshur, s’e di pse, më vazhdoi dhe më pas në rini, burrë, në diktaturë, në posdiktaturë, qeshja me çdo gjë serioze, përveç fatkeqësive, pse qesh ti, më hakërreheshin dhe unë qeshja akoma më shumë.

      Nuk përballohej ndryshe realiteti, antikomedia dhe antidrama e absurdit, etj, etj.Dëgjo, drama dhe komedi, madje dhe tregimi më duken të gjata për t’i dhënë këto…Romani i shkurtër është më i shkurtër. Dhe të mos i shkruash fare… kjo është vepra më e mirë, e pashkruara…Në 12 librat e mi me tregime, novela e roman ka thënie paradoksale. Shoh se i pëlqejnë. Dhe vendose të shkruash 5000 të tilla gjatë viteve, që të mos e lodhësh lexuesin me romanin a tregimet… Pak a shumë kështu… Tani përtoj të shkruaj gjatë dhe e marr punën me “akord”. 5000 aforizma dhe paradokse vërtet është shumë shkurt…

    Në SHBA, në superfuqinë e botës, në median shqip më botoi Dalip Greca disa prej tyre. Dhe ky është një paradoks. Të kujtohet një anije kozmike që nuk u nis dot atë vit? E ç’lidhje ka kjo me paradokset e mia?… Ne u pranuam në Shoqatën Satirike të Ballkanit, sukses ky! Në Lidhje, kur kishte ende lidhje…që të lidhte…  …erdhi Jordan Popov, Kryetari i Shoqatës, kërkoi të njihej me mua. Isha me Buxhelin, Çakulin etj. Më dha një gazetë “Satiricki Ballkan” Te faqja e pare me gërma të mëdha kishte një thënie që unë nuk e kuptoja. Është paradoksi yt, më tha.   “Në një vend, ku pëlqejnë aq shumë gënjeshtrën, është budallallek të bësh profesion tjetër, veç atij të politikanit” Kjo, tha, është fiks për vendet tona lindore. Më pas më tregoi se në të gjitha faqet e gazetës kishte nga tre ose katër paradokse të miat. Kujtoja se do të takoja një burrë të vjetër, më tha. Më keni parë pas 50 vitesh ashtu, ia ktheva me humor.

    Paska qënë largpamës, – thashë dhe unë.

    Më largpamës je ti me mua, kur më botove një sasi me aforizma në gazetën “RD”. Desha të të bëja një dhuratë, më duket se ishe bërë gjysh atëherë dhe ishe… sa vjeç? 43.

    Gjyshi më i ri në Ballkan. Atëherë bëja faqën letrare në gazetë, një herë në javë. Dhe po pëlqehej. E donin, e prisnin të dielën e saj… Pikërisht atëherë ma mbyllën, se nuk kishte para gazeta, më thanë. E bëj pa pagesë, thashë, për dëshirë, se më erdhi zor të thosha “për ideal” me ata… Por, jo, porosi nga lart, duhet mbyllur. Nuk e kuptova qëllimin.

    Paradoksal. As ke për ta gjetur pse. Por ama gjeta ç’shkruaje për mua në shënimin që paraprinte ato që kishe zgjedhur për botim:

    “Në epoka mashtrimesh dhe parodish tragjike, kur ngjyrat e ditës bëhen simbole të egra të politikës, ndër gjërat serioze mbeten ndoshta frika dhe humori. Si pjesë e qëndresës intelektuale. Shkrimtari Luan Laze është ndër emrat e paktë, që me krijimtarinë e vet ndjek hap pas hapi ditën, shqetësimet e saj, paradoksin, krizën e vlerave shoqërore, që për fat të keq në alkiminë e shkrimtarit bëhen vlera letrare. Ndërkohë humori, shpesh herë i zi, mbush faqët e bardha të shkrimeve të Luan Lazes. Sarkazma është lufta paqësore që shkrimtari i bën së keqës”.

    Chicago, Roselle, verë 2023

    (Botohet me shkurtime. )

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË