More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBehar Gjoka: Prof. Anton Nikë Berisha, Pelegrin i fjalës letraredhe studimore

    Behar Gjoka: Prof. Anton Nikë Berisha, Pelegrin i fjalës letraredhe studimore

    Paraqitja e kompletit me dhjetë vëllime të zgjedhura, Studime letrare, të autorit Anton Nikë Berisha, një punë e gjerë studimore, e thellë në parashtrime dhe trajtime, një gjurmim i vlerave letrare në letërsinë shqipe dhe të huaj, gjithnjë të vështruara në optikën e verifikimit dhe interpretimit shkencor, është shkasi i parë për të prekur nga afër, ndihmesën e vyer, kontributet e shumëfishta të profesorit në lamitë e ndryshme të studimeve letrare, tanimë e sendërgjuar si një kamer autoriale. Po kaq, përmbledhja e plotë studimore, dhjetëvëllimshe, është shtysë parake dhe e domosdoshme për të rihapur dialogun për këtë personalitet të shquar të lavrimit letrar, që bart mbi supe një përvojë të gjatë, më dhëniemarrje me fjalën letrare, të mbushur me laryshi shkrimesh, në shkrimin e poezive, me një vokacion dhe verb të vetin, të dëshmuar në librat e përveçëm poetik, si “Prushi i bukurisë”, 2014, “Sytë e heshtjes”, 2017, “Hire të vetmisë”, 2021, ndonëse poezitë e parë i ka botuar në vitin 1965, në revistën “Jeta e re”.

    Gjithashtu, leximi i kolanës së zgjedhur studimore, realizuar me finesë dhe përkujdesje sipërore, është një arsye tjetër madhore, për ta përfshirë në mbamendjen letrare të letrave shqipe, prozën e tij, veçmas romanet “Bimorja” (1993), “Gjin Bardhela i Arbresh&Etja e gurëzuar” (2002), “Nëna e dritës” (2004), “Frymëmarrje nate” (2007), ku romani “Gjin Bardhela i Arbresh”, me të drejtë është përcaktuar: “roman i bukurisë së pa mort dhe i trishtimit të pashuar”, duke shënuar njërin nga kulmet e lëvrimit letrar, e prandaj ky tekst është përcjellur deri më tani, me shkrime kritike, eseistike dhe studimore, prej mbi pesëdhjetë autorësh, në një tekst të veçantë “Një libër për një libër”. Duke qenë i lidhur me letërsinë, poezinë apo prozën, pra duke u shfaqur në skenën letrare, qartazi si një pelegrin i fjalës letrare, e cila buron vetëmse prej frymëzimit, me gjasë prej dashnisë për fjalën. Ndërkaq, edhe në lamitë e tjera, të lavrimit dhe latimit të fjalës, tanimë të fjalës studimore, me peshë specifike të rëndë, spikatet pasioni i zjarrtë dhe skrupuloziteti i ftohtë, për ta kërkuar dhe gjetur fjalën, e sidomos për ta venduar aty ku duhet, në rendin e kumtit të pashmangshëm, gjithnjë në shenjim të vlerës letrare.

    Pjesë tepër e vlertë, e veprimtarisë së gjerë shkencore, gjithnjë në marrëdhënie të ngushtë me fjalën, është puna kërkimore në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që kundruar në distancë kohore, mbrujti këmbënguljen dhe profesionalizmin, e një gjurmuesi të thekur të vlerave letrare, fillimisht me përqëndrim në letërsinë gojore, në krye të herës, si dhe në paralelen e hedhur, një konceptim i mirëfilltë, mbi vlerën që bart kjo letërsi, krahazi letërsisë së shkruar. Një nivel të ngritur, të mbërritjeve profesionale dhe shkencore, shënon koha kur ishte ligjërues në universitetet e Mynihut, Kozencës, që në syrin e njohësve të shkrimit letrar, të shqyrtimeve dhe verifikimit të vlerave të veprave letrare, përfaqësojnë arritje profesionale të pashoqe, ku në këto mjedise akademike, përveçohet për thellësinë e mendimit, mishërimin e metodave të reja, në mësimdhënie dhe në marrëdhënie me letërsinë, me tekstin poetik, siç e emërton studiuesi, në punimet e gjera të studimeve letrare, tanimë të përzgjedhura, paraqitur në kompletin me dhjetë vëllime.

    Jemi përpara një dukurie të pazakontë, letrare dhe studimore, në marrëdhënie me fjalën, ku bashkëlidhen shkrimtari, pedagogu dhe studiuesi i paepur, që nuk ndalet kurrë as përpara problematikave të shumta dhe tepër të ndërlikuar, që karakterizon mendimin letrar, kritikën, eseistikën dhe, sidomos studimin letrar, të cilit autori i ka kushtuar gjithë jetën. Në këtë vështrim të shkurtër, do të ndalemi më shumë, në aspektin e studimeve letrare të zgjedhura, një punë e mirëfilltë shkencore, e shtrirë në kohë, që madje përfshin arealin e letrave shqipe dhe të huaj, e realizuar në dhjetë vëllime, tepër voluminoze, e shoqëruar me mijëra citime veprash letrare, libra teorikë dhe fetarë, që përplotësojnë shqyrtimet e tipologjisë shkencore.

    Varësisht shfletimit të serisë së studimeve letrare, njohjes dhe leximit më të plotë të disa prej këtyre qasjeve, tekstore dhe shkencore, tanimë të interpretimit të përimtësuar të fenomeneve dhe teksteve letrare dhe studimore, të një pune kërkimore dhe studimore, të shtrirë nëpër vite, autori ka sendërtuar ngrehinën e verifikimit të plotë të shenjave letrare, sidomos në panteonin e letrave shqipe. Punime të plotësuar dhe ripunuara, ndonëse të rimarra dhe ripunuara disa herë, të përzgjedhura në morinë e punimeve kritike dhe shkencore, gjithnjë shoqëruar me ide, konceptim dhe argumente shkencore dhe tekstologjike, parashtruar duke u bazuar në metodikat bashkëkohore të analizës së tekstit, në lidhje me kompletin e studimeve letrare, mund të hedhim ndonjë ide paraprake:

    E para, kemi të bëjmë me një shqyrtim të plotë dhe të imtësuar, mbi letërsinë popullore dhe të kultivuar, një fushë e parapëlqyer e studiuesit, që madje shumë herët arrin në një përfundim shkencor, se kemi: letërsi gojore dhe letërsi e shkruar, si një përcaktim fundamental që largon nga udha e interepretimit, paragjykimet dhe trajtimet e mangëta, për krijimtarinë dhe visaret popullore.

    E dyta, interesim dhe verifikime shkencore, të fillesave të shkrimit letrar të gjuhës shqipe, veçmas të faktologjisë letrare, në kohë dhe hapësirë:

    – Të letërsisë shqipe, të shekujve 16 – 17, me një kontribut të përveçëm për hulumtimin dhe shpalljen e pranisë së poezisë në librin “Meshari” të Gjon Buzukut, si dhe të figurimit të Pjetër Budit, si poet dhe prozator.

    – Të rileximit dhe vlerësimit tekstologjik, të letërsisë arbëreshe, duke nisur me trajtimin e veprës poetike të Jeronim De Radës, e pa asnjë përjashtim të gjitha poetëve arbëreshë, në kohë dhe hapësirë.

    – Të letërsisë shqipe të shekullit të njëzet, në fillimet e tij, për Fishtën, Koliqin, Poradecin, si dhe për letërsinë shqipe bashkëkohore, ku ndalet në veprën poetike të Azem Shkrelit, në prozën e Anton Pashkut, Kasëm Trebeshinës, Ismail Kadaresë, Jakov Xoxës, Petro Markos, Ramadon Musliut, Nasi Lerës e të dhjetëra shkrimtarëve të periudhës.

    E treta, interes të vazhdueshëm ka treguar për letërsinë e huaj, ku mjafton të sjellim në vëmendje përkthimet e A. N. Berishës të “Epit të Gilgameshit”, të “Këngës së këngëve”, shkrime të shumta për shkrimtarë të shquar të lëtërsisë botërore, si dhe monografia për Aristotelin, për të kuptuar dhe shijuar forcën e fjalës për letërsinë e huaj.

    Larmia e fushave të hulumtuara, e trajtesave të plota, e verifikimeve dhe intepretimeve të thelluara, tekstore dhe shkencore, skicon qartësisht edhe pelegrinit e fjalës studimore, si dhe ka mundësuar ngritjen e “Një kulle arti dhe letërsie shqiptare”, siç e ka formuluar Jahja Drançolli, teksa ka parcjellur kompletin e zgjedhur, që madje ta ndërmend “Kullën e Babelit”. Triniteti ekzistencial, shkrimtar, ligjërues dhe studiues, ka mundësuar lartësimin e ngrehinës studimore, pra verifikimin e panteonit të letrave shqipe, që ndërkaq të sjellë pranë një pohim se: “… shkrimi është e vetmja hapësirë ku ti mund të marrësh frymë lirisht, dhe kjo e bën një urdhëresë absolute.”, të shkrimtares bashkëkohore frenceze, Sofia Kepes (Sophie Képès), te libri “Çpërkatësia (Psikologjia e krijimit letrar)”, që i rri për shtati, fjalës letrare dhe studimore, njëherit përvoja e gjerë shkrimore, dëshmon përmasat e shumëfishta të një individualiteti të jashtëzakonshëm të studimeve letrare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË