More
    KreuLetërsiBibliotekëMehmet Kraja: Boshti sillet rreth tokës

    Mehmet Kraja: Boshti sillet rreth tokës

    Në botën e të vdekurve unë arrita me dy plumba në trup, pasi isha nisur të kaloja këmbë kufirin e Shqipërisë, aty ku katundet tona ndahen krejt befas: në një anë Skjeja me pyll shkoze e frashër të butë, kurse në anën tjetër Zogajt me kaçuba lajthish e mrinash, që iu vjen një duhmë si në derë të purgatorit. Në atë kufi kishte kohë që nuk ishte vrarë njeri, meqë në Shqipëri kishte rënë komunizmi dhe shteti nuk kishte forcë as për të hangër mutin e vet. Kështu thuhej. Mua, ndërkohë, një plumb më kishte marrë në tëmth, kurse tjetri ma kishte shpuar dërrasën e kraharorit. Vdekja kishte qenë e menjëhershme dhe kalimi në botën e territ i kishte ngjarë një ecjeje nëpër teh vetëtime. Më pas ndodhi shpërbërja e kujtesës dhe humbja e disa ekuilibrave të tjerë, ndërsa rindërtimi i ngjarjes, e cila më kishte privuar nga jeta, ishte shumë i ngatërruar: unë kisha mbetur i shtrirë në barkën e vogël gati për një ditë të tërë dhe me sytë hapur shikoja lëvizjen e reve nëpër qiell. Në të vërtetë, siç mund të merret me mend, qielli, retë dhe era ishin përfshirë nga një boshllëk, të cilit nuk mund t’i gjendet një shpjegim i thjeshtë, me konceptet e zakonshme për botën reale.

    Tani unë nuk mund të them me aq qartësi sa kohë qëndrova i shtrirë në atë sul, sepse ekziston një dallim shumë i madh ndërmjet mënyrës si matet koha në botën e të gjallëve, nga mënyra si perceptohet ajo në botën e të vdekurve. Ndërkohë, një peshkatar, i parruar dhe me një kasketë të vjetër në kokë, një përfaqësues tipik i gjeneratës së fundit të kooperativistëve të Shqipërisë, si e pa se isha i vdekur, e la sulin e vet në cektinë dhe ngarendi deri në mes të fshatit, aty ku ende mund të shiheshin rrënojat e një pularie dhe muret e rrafshuara të kazermës së vjetër. Së fundi aty ishte hapur një klub, teksa atë ditë dy policë pinin raki nga një faqore gjysmëlitërshe. Pas gjysmë ore policët u shfaqën në breg të liqenit, njëri zbrazi fshikëzën e urinës pranë një kaçube, ndërsa tjetri m’i futi duart nëpër xhepa, duke m’i marrë të gjitha paratë që kisha me vete. Kjo situatë nuk shkaktoi tek unë ndonjë ndjenjë pakënaqësie, sepse e dija se në botën e të vdekurve, ku tashmë kisha arritur prej disa orësh, paratë nuk do të më hynin në punë për asgjë.

    Por asnjëra nga këto rrethana nuk shpjegonin gjë, si ndodhi që unë u gjenda i vdekur në atë barkë, pikërisht në ditën e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe pikërisht në kufirin që ishte vënë pranë katundeve tona, këtu e njëqind vjet të shkuara. Duke qenë se në botën e amshimit nuk ka paravendosje apo prapavendosje të ngjarjeve, sepse të gjitha ngjarjet duken sikur ndodhin në të njëjtën kohë, në një rrethanë të tillë, pra, sapo më shpallën të vrarë në kufi, pasi u mora me të gjithë shkaktarët e kësaj situate paradoksale, erdha në përfundim se vrasjen e kishte bërë Kiçoja, i vetmi toskë që sillej ende në këto anë. Kiçoja kishte qenë partizan, pastaj ishte bërë ushtarak dhe, si veteran që ishte, uniformën nuk e kishte hequr kurrë nga trupi, ndërsa në kasketën e madhe që i zbriste deri te veshët, Kiçoja kishte qepur një yll të kuq pesëcepësh. Në një kohë më të hershme, Kiçoja kishte qenë i martuar me një kooperativiste dhe njerëzit pandehnin se kishte luajtur nga mendja, kur kishte parë të hiqej busti i shokut Enver nga oborri i shkollës në Zogaj. Tani Kiçoja mbante krahaqafë një automatik të vjetër, flinte në një garazh, mësonte përmendësh citate nga veprat e shokut Enver dhe çdo ditë i bënte një inspektim të kujdesshëm kufirit, që nga liqeni e deri lart pjerrinave të Taraboshit. Ndonjëherë shihej ulur mbi një mur betoni te vau i katundit, gjuante zaje në ujë dhe pyeste veten përse bota kishte ca ligjësi që nuk kuptoheshin. Shoku Enver kishte vdekur, ndërsa thuhej se toka sillej e patrazuar rreth boshtit të vet. Ncuk! Boshti sillej rreth tokës. Kiçoja i buzëqeshi vetes. Pikërisht kjo ishte! Një çarje e çmendur në mes të logjikës së gjërave!

    Duke qenë se të vdekurit i dinë të gjitha gjërat, më duhet të them këtu, jo pa keqardhje, se Kiçoja nuk arriti të fshihte nga unë atë që kishte në mendje, në çastin kur m’i dha plumbat në kokë dhe në trup. Ta qi pithkën e nënës, gegë i mutit, mu aty do ta bëj gropën! Kiçoja, më pastaj, u kthye me vrik dhe mori rruginën që çonte nëpër shkurrnajë, u fut në pyllin e shkozave dhe që andej u ngjit në karakollin e vjetër, u fsheh atje dhe nuk u duk më. Ndërkohë, dy policët u kthyen edhe një herë në klubin e fshatit, pinë edhe nga një dopio dhe biseduan për gjëra që nuk kishin ndonjë lidhje me vrasjen time. Gjysmë ore më vonë, njëri nga policët nxori telefonin celular nga xhepi i brendshëm i uniformës dhe thirri dikë nga eprorët e tij. Pas pak ata u ngritën me përtesë dhe shkuan te zallina afër vaut, kontrolluan edhe një herë nëse kufoma ime ishte ende në sul, pastaj u ulën mbi guriçkat e bardha të zallinës dhe pinë duhan në heshtje. Tymi i duhanit u përzie me vetminë e vaut të braktisur dhe i dha liqenit një çehre mërzie. Një çast më vonë, nëpër sytë e mi të vdekur fluturuan ca pulëbardha të hutuara. Në përgjithësi, nga ai çast vdekja ime nuk m’u duk e mërzitshme.

    Dy orë më vonë kufoma ime ishte shtrirë në vigun e një autoambulance me drita të kuqe dhe me drita të kaltra, e cila e bënte me ngut rrugën që çonte për në Shkodër. Në ulëset e para të makinës rrinte një mjek i ri me syza të bardha, një infermiere truphollë dhe shoferi babaxhan dhe i heshtur. Mjeku i ri më bëri një kontroll rutinë dhe konstatoi vdekjen time të pakthyeshme, teksa infermierja truphollë nuk doli nga autoambulanca dhe u shikua dy herë në një pasqyrë të vogël që nxori nga çanta. Mjeku i ri u ul pranë infermieres dhe në çdo luhatje të makinës fërkohej i tëri pas trupit të saj. As infermierja nuk e fshehu se ndihej e eksituar. Vetëm shoferi babaxhan atë mbrëmje kishte një nostalgji për diçka të largët dhe të panjohur. Ai fishkëllente me cepin e buzës refrenin e një kënge të vjetër dhe dukej sikur me autoambulancën e tij ngarendte për të kërkuar një prehje që nuk do ta gjente askund.

    Autoambulanca me batërdinë e dritave kaloi Shirokën, shpejtoi nëpër urën e re dhe nga ana e Nënkalasë mori kthesën të hynte në Shkodër, në njërën nga ato kthesa trupi im u lëkund mbi vig dhe mbulesa shkau anash, tani koka më mbet e zbuluar dhe unë, edhe një herë, arrita të shihja botën nga perspektiva e një të vdekuri, pash brendinë e autoambulancës dhe ato gjëra të pakta që mbrëmja e vjeshtës i ravijëzonte në xhamin e turbullt, sipër Kalasë ndizeshin fishekzjarrë verdh, kuq dhe përsëri verdh, Bunës nën urë i vinte erë kalbëzim dhe peshk i ndenjur, dritat e makinave përshkoheshin nëpër mugëtirën e ënjtur të mbrëmjes, në një kryqëzim rrugësh në xhamin e autoambulancës u shfaq një godinë banimi me shumë dritare, në një dritare në katin e poshtëm kishte zënë vend një grua e vetmuar, dritarja tjetër pranë saj ishte pa drita dhe ngjante me një varr të zbrazët. Mjeku i ri iu fërkua pas trupit infermieres dhe i pëshpëriti diçka rrëzë veshit. A do ta bëjmë sonte pas darkës, kam çelësin e një dhome të zbrazët në repartin e onkologjisë. Infermierja qeshi me zë, hodhi kofshën mbi kofshë dhe ndjeu tangat e holla që iu futën në mishin e butë midis këmbëve. Jo, tha ajo, në atë repart nuk më pëlqen, e kam bërë një herë në një dhomë të errët, ku ishin hedhur dy burra të vdekur një mbi një. Kur u ndez drita, pata ndjesinë se e kisha bërë me një të vdekur. Pranë autoambulancës, nëpër trotuar kaluan një grup të rinjsh që qeshnin me zë të lartë. Shoferi e ndali autoambulancën në cep të trotuarit, e fiku makinën dhe zbriti nxitimthi nga dera anësore. Dilni, tha ai me gjallëri, sikur t’i kishte rënë ndër mend diçka krejt papandehur. Sonte kam një dëshirë të tmerrshme që të bëhem tapë! Dritat e rrugës ishin të verdha, trotuari ishte i verdhë, xhamat e kafenesë matanë rrugës shikonin kalimtarët me një apati gjithashtu të verdhë. Sillet boshti rreth tokës! Zot, fjalët kishin humbur drejtpeshimin!

    Ndonjë orë më vonë, sipas perceptimit të kohës në botën e të gjallëve, unë qëndroja i shtrirë në morgun e spitalit. Terri aty vinte i ndragur dhe të ngjitej pas lëkurës si qerojsë. Nga autoambulanca më hoqën dy burra të bëshëm, njëri me mantel të bardhë dhe pa flokë, tjetri me mantel të bardhë dhe i parruar. Më shumë se kaq nuk qesh i interesuar të shihja. Bota kishte marrë detyrën e rëndë, që të formohej nga kaosi dhe njerëzit të mos ishin të lumtur. Korridori i morgut të spitalit ishte i ngushtë dhe i errët, shkallët ishin të ngushta dhe të errëta. Njëri nga burrat ndezi një dritë të mekur, e cila nuk ndriçonte gjë, përveç se prodhonte hije. Ata më hoqën nga vigu dhe më çuan në një vend që nuk mund të them se çfarë ishte tamam, një si prag betoni, i përbërë nga errësira dhe përfytyrimet. Dy burrat u larguan shpejt, njëri fiku dritën, tjetri mbylli derën. Hapat e tyre nuk u dëgjuan më. M’u hodh të bërtisja, mos më lini këtu, por shpejt hoqa dorë, sepse nuk kisha një argument të qartë përse duhej ta bëja këtë, përse nuk u dashka të rrija në një morg të errët dhe të qelbur, përderisa isha i vdekur. Drita dhe errësira në botën e të vdekurve nuk kishin asnjë kuptim, këtë e zbulova së fundi, as vetmia, as pozita shoqërore, as patriotizmi. Mua më kishin vrarë në kufi të Shqipërisë, në trup kisha vrimat e dy plumbave, nuk dihej se cili kishte qenë më vdekjeprurës se tjetri. Pragu i betonit, ku më kishin vendosur, vinte i lagësht dhe i ftohtë, përjashta ishte mbrëmja 28 Nëntorit dhe kremtohej njëqindvjetori i pavarësisë së Shqipërisë, aty poshtë, në bodrum, një asgjë e molisur kishte mbushur krejt hapësirën me masën e saj pa trajtë.

    Ndërkohë që unë e vrisja mendjen për t’u gjetur një shpjegim kuptimeve të fshehta të botës së amshimit, ishte bërë gati ceremonia e varrimit tim, nuk e di se ku dhe nuk e di se si. Derisa të gjallët mblidhen pranë varrit dhe nëpër komemoracione, të vdekurit, në numër të paditur, mblidhen në një përmasë të hapësirës që nuk mund të përcaktohet, mbase është diçka si jonet e errëta në një dritë që shndrit verbueshëm, ose neutronet e heshtjes që futen në mes një buçime. Mund të mos jetë as kjo. Më shumë ka të ngjarë të jetë një hapësirë johapësinore në një kohë që ecë së prapthi. Pra, unë isha atje, kur ndodhi që në botën e të gjallëve u mblodhën njerëz të më jepnin lamtumirën e fundit, disa i njihja, por nga vendi ku isha, të gjithë m’u dukën kopje pandjesore të një bote që nuk kisha dijeni për të. Bota e vërtetë nuk ishte aty. Pamjet që më kalonin para sysh, nuk ishin pamje të vërteta, por zbrazësia e përmasës ku rrinin ato.

    Mbaj mend se në komemoracionin tim u mbajtën fjalime dhe u tha se unë kisha vdekur për një kauzë të madhe, teksa unë e kisha përqendruar vëmendjen diku tjetër, te zhgardhnimi i mendjes dhe te ai perceptimi i çuditshëm, se toka nuk sillej rreth boshtit, por boshti sillej rreth tokës, rreth tokës, rreth tokës…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË