More
    KreuLetërsiBibliotekëOdise Kote: Burrat e mirë kthehen… (poezi)

    Odise Kote: Burrat e mirë kthehen… (poezi)

    1- O pylli me ferra …

    O pylli me ferra, boronica, manaferra,
    ku këndon gushkuqi e fishkëllen era.
    Qeshin ca çapkëne, çmenden ca leshprera,
    rroku – rrokulilsen përmbi luleshqerra,
    buçasin në vena ndjesi të pandjera.
    Vijnë ca miturake, ikin ca të tjera,
    fustane të kuqe, fustane të verdha,
    grisen dekolte, shqyhen ca dantella,
    në furi aromash, def – dëfren hareja.
    Hypin maje pishash edhe laureshat,
    ujëra kristali bredhin në rrekezat,
    rreze diellore,
    eh gjethe lëpjetash,
    pasqyra të bujshme …
     
    shpirt i shpirtit ti o pylli me ferra,
    shtrëngatë e padukshme …


    2- Luftën e fituam …

    Luftën e fituam! Më mirê mos kish nisur fare.
    Në samit dinak ushtoi bori fituesi.
    Bota egërsuar krejt, u bë mê barbare,
    Si nê epokën e gurit, gjahut, papirusit.
     
    Luftën e fituam! Po paqja nuk duket askund,
    Na thanë:paqja po vjen, arrihet, duhet të ecim!
    Në lumenj gjaku, në psike, furi e luftës s‘humb,
    dhimbja e plagëve bën të flasë dhe memecin.
     
    Luftën e fituam! Tani është kohë e mirê pazari,
    dhe pse të rënët nuk kanë një kryq e një varr.
    Kërkuan: duhet ta nisni me harresën së pari,
    kujtimet e së shkuarës gjithnjë marrin hak …
     
    Luftën e fituam! Më mirë mos kish nisur fare!


    3- Fotografi

    Si mund të rrijë foto e trishtuar në mur, gjumi mërgon,
    i merr me vete të gjitha pendimet dhe ikën të flerë.
    Dhimbje e pabesueshme, mëri e zotit si flakë përvëlon,
    venat e gjakut në fije zjarri, ngjiten lart, lart në qiell.
     
    As adoleshentë me sy te nxirë, nuk kam parë nëpër dhoma,
    është si t’i japësh dikujt që s›e do, një libër të keq.
    Le t’i presë më vonë të gjithë drurët e kujtesës koha,
    gjurma e dhunës mbetet muranë kulti për dreq.
     
    Kurrsesi nën varëse floriri, qafat e nxira, me shenjat mavi,
    nuk zbukurojnë sallone, as dhoma muzike më tutje.
    Ato nuk e zhbëjnë dot të bërën, as murgj e priftërinj,
    në meshëzat private ku derdhen mijëra fjalë e lutje.
     
    Kudo ka vetëm fotografi që shkëlqejnë, çmim’ i heshtjes,
    rrëfen atë që rri fshehur, të vërtetën a enigma terri.
    Magjepsje pas origjinës a të përpjeta protagonizmi,
    në sezonin kur nocion’ i së rremes është bërë qytetar nderi. 


    4- Nënëmadhja …

    Pëshpërit Nënëmadhja; veç ëndrrës së natës,
    retë edhe shiu janë më afër Parajsës.
     
    Retë edhe shiu janë më afër Parajsës,
    bëhu lundërtar, kapiten i varkës!
     
    Bëhu lundërtar, kapiten i varkës,
    jeta është me dallgë, me shkëmbinj të ashpër.
     
    Jeta ështê me dallgë e shkëmbinj të ashpër,
    fije e hollë e ndan, Ferrin me Parajsën …
     
    Fije e hollë e ndan, Ferrin me Parajsën,
    retë edhe shiun nga ëndrrat e natës …
      
    Historia nuk eshte sentimentale.
    Sentimentale jane budallenjte e kohes.


    5- O lum lumi …

     Kam lindur në fshatin e vogel ndanë një lumi
    dhe si lumi kam vërshuar papushim,
    o lum lumi.
     
    Nuk jam rrjedha që shkon kuturu,
    më frikeson ëndrra që është e mjaftueshme,
    ëndërrimtar i padorëzuar kurrë,
    o lum lumi.
     
    Jam rrokullisur nëpër shkëmbinj e gurë.
    Por do të vijë një dite që ndryshimi,
    e di që një ditë ndryshimi do të vijë,
    o lum lumi.
     
    Udhët do të ndahen, siç ndahen idetë,
    se udhëtar jam, dhe një lundërtar,
    që çdo ditë zbuloj një lumë të ri
    brenda shpirtit tim,
    o lum lumi.
     
    Se paqja arrihet vetëm përmes ndalesës…


    6-  Mahnitja …

    Kohët ikën larg, ti mbete prapë Mahnitje.
    Ç›alkimi biblike e ngjiz atë nur?
    Herë shfaqesh si dritëz gjasme në fikje,
    herë vetëtimë që zemrën ma sëmur.
     
    Kam dashur të harroj, nuk dija se si,
    nuk gjeta asnjë lutje, mesazh apo psalm.
    Shkenca e dorëzuar krejt në pafuqi,
    mahnitja nuk spjegohet dot me fjalê.
     
    Më ka ndjekur pas dhe kur jam rrëzuar,
    kur askush si ndjeu frakturat e plagët.
    Ajo ish aty – qepallë përpëlitëse,
    që fliste e ndizte pasionet e flakët.
     
    Edhe i ciflosur, brisk e trishtim,
    sulmuar prej vulgut, nga e parëndësishmja.
    Vendosur si mullagë aty për shërim,
    qe gjithnjë ajo, shpëtim – Mahnitja.
     
    Gjithë jetën pyeta: a ka shpirt Mahnitja?
    Ç›alkimi biblike e ngjiz atë nur?
    Herë shfaqesh si dritëz gjasme në fikje,
    herë vetëtimë që zemrën ma sëmur …


    7-  Frashër o Frashër …

    Sa nevojë kemi të të shohim çdo ditë,
    por ti je larg, larg, gati i paarritshëm,
    si një meteor në lëvizje.
     
    Ti je atje mbi male, atje dhe shtëpia.
    Ku mund të ishin tjetër përveçse atje,
    Abdyli, Naimi dhe Samiu – tri majëmale,
    dhe ëndrrat tona të pamjaftueshme …?
     
    Dua t’i takoj çdo ditë, po s‘mundem,
    pasi rritemi duke u rrëzuar,
    vdesim duke qëndruar poshtë,
    dhimbja është gjuha e heshtur e braktisjes.
     
    Pa rrugën që të shpie atje sipër,
    e nesërmja nuk është e sigurt.
     
    E vetmja dëshirë e vërtetë që përvëlon,
    është një dorë për t’u mbajtur…
     
    Mos e vrit mendjen ku të çon ajo rrugë,
    Kujdesu vetëm për hapin e parë,
    ndërsa Shqipëria mendohet ende …


    8- Një qytet ku të bjerë dëborë …


    Reporterët u ndalën tek një fillikat,
    djalkë nëntëvjeçar, me një gjymtyrë më pak,(parakrahu nën fasha kullonte akoma gjak)
    CNN, BBC, ZDF, me rradhë.
     
    E pyetën për të kuptuar mistikën e ferrit,
    psikikën e fëmijës të cfilitur, shpresëvrarë,
    prej Moisiut apo Muhametit:
    A ke një dëshirë, një ëndërr të zjarrtë?
     
    Djalka nuk tha: të pushojë lufta në Gazë,
    as të ketë ujë e ushqim për çdo vakt,
    psherëtiu thellë si të qortonte Sinain,
    dhe ata qe poshte endrrave vene zjarr.
     
    Për t‘i treguar botës formulën e ribërjes:
    „Dëshiroj një qytet ku tê bjerë dëborë, tha,
    me drita, muzikë e festime pa cak,
    ku të luajmë të gjithë bashkë…”
     
    Diç të ngjashme me përrallat e Andersenit,
    me jetën në Suedi, Finlandë e Danimarkë …


    9- Labova e Kryqit …

    Pa më ftuan tulipanet, luleboret
    në sheshin e Kishes,
    atje, ku njëmijë e gjashtëqind vjet më parë,
    perandori Justinian vu kurorë me Theodhorën.
     
    Me ftuan në një valle vashash
    me fustane ngjyra – ngjyra,
    që shkëlqejnë diellit e shkasin gishtrinjve,
    dhe shenjtëria më mori gojën e ia dha bukurisë.
     
    Këtu perandori Justinian solli Kryqin
    dhuruar në Romë prej Justinit, larë me ar,
    me drurin e shenjtë të kryqëzimit,
    Jezu Krisht,
    as tridhjetë vjet ngjitur lart në qiell.
     
    Kercej me vashat, hedhim valle marramendese,
    rrotullohemi fugë,
    në Laboven e Kryqit, mbi pëllëmbë të malit,
    me ujra, burime e rrëkera dëbore,
    me ftonj, arra e hije,
    pemë, bashtina, vreshta pjellorie.
     
    Dhe drita që mbi fytyrat tona bie,
    ketu është tjetër dritë …
     
    Hajde mos e merr këtë dritë me vete,
    që ta kesh deri sa të vdesësh.
    Në qafë paç veten…!


    10- Lermë të iki …

    Lermë të iki, të largohem,
    kur të bjerë dëborë e parë.
    Nëpër lugje, nëpër kroje,
    në dhjetor a në janar.
     
    Pas gabimesh do të kapem,
    që të tretem pak e pak.
    Të gjej shpirt e fije shprese,
    të bie si lis i thatë.
     
    Di që kjo e fundit herë,
    kullon dhimbë e kullon gjak.
    Pelegrin derë më derë,
    i harruar, vetmitar.
     
    Do lexoj çdo peng në gur,
    veç me ujë e bukë thatë
    do dëgjoj çdo zë në mur,
    do të fle si murg i ngratë.
     
    Do të fle si murg i ngratë.
    Të betohem që s’do flas!
    Si një libër lart në raft,
    vetëm nëse s’do pëlcas… 
    Lermë të iki, të largohem,
    kur të bjerë dëborë e parë.
    Nëpër lugje, nëpër kroje,
    të harrohem si një psalm.


    11- Lumi i kësaj vere …

    Lumi i kësaj vere është përmbledhur keqas,
    duke humbur befas, lozonjëri e hire,
    në ca të vogla, gjire e ngjire.
     
    Humbën delta e rrjedha,
    triumfe të mjera,
    sikur i janë vënë pas një dredhie,
    të shijojnë brengën e mëkatit,
    që çarmatos fatin.
     
    Po e çuditshme dashuri e peshkatarëve,
    shtuar shpirtrash, kushedi prej çfare,
    me fijet e një sage,
    që i heq nga lista e vetvrasësve,
    me pasion shkretëtinor.
     
    Orë të gjata hutie, në brigje vetmie,
    me adhurim çmendie,
    (soditja e zogjve falas)
    në muzgje e netët e gjata,
    ku gërhasin metamrfozat dhe gjinkallat,
    në ankth të padurueshëm…


    12- Burrat e mirë kthehen …

    Jo gjithmonë burrat e mirë kthehen ngadhnjimtarë,
    ka erë fshikulluese fusha dhe baltë tejendanë.
    Kodrave me kamxhik shtrengate rrihen muzgjet,
    dhe pengjet ulërasin si ujqër të bardhë.
     
    Plag’ e mahisur bën gjumë si deti n’zheg t’verës.
    Jo gjithmonë burrat e mirë kthehen ngadhnjimtarë.
    Si lulja që sjell gaz, fshehur aty midis ferrës,
    drita e shpirtit dhe jo erresira, lë errësirën pas.
     
    Jo gjithmonë burrat e mirë kthehen ngadhnjimtarë.
    Çfarë thotë botë e fabulës për paqen që flijohet?
    Homeri shkruan: paqja do luftë më shumë se një dekadë,
    ku vdesin gjithë të dashurit e Troja shkrumbohet.
     
    Lumturi e kulluar ekziston veç në plastikën rozë,
    në këtë botën tonë të papërsosur e tinzare.
    Burrat e mirë, ngadhnjimtarë nuk kthehen gjithmonë,
    e paqja ngjan fantazi e lindur nga lëndë tradhëtare.
     
    Nuk kthehen gjithmonë ngadhnjimtarë burrat e mirë,
    harrojnë urrejtjen, dashuria bën diçka të tillë …


    13- Ujvara e ujit të mirë …

    Ç’fuqi e shkuli atë brinjën e malit,
    lumi mbijetesës, kalë – revan u nis.
    Ç’dhimbë e bujari, dhuratë e natyrës
    trill, si një algoritëm futurist.
     
    Ujë i mirë, larë në njëmijë zaje,
    kurora dhe trupi lëshuar në gremina,
    U tund krejt toka kur doli dhe qau,
    ajo bukuri nga shpellat tektonike.
     
    Ujvara e ujit të mirë, atje në Fterë,
    trill, si një algoritëm futurist.
    Aktet e përjetshme në sakrificë e skaj,
    u bëkan gjithnjë për hir të dashurisë …
     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË