More
    KreuLetërsiBibliotekëFaruk Myrtaj: Njeriu vdes për librin e të tjerëve (tregim)

    Faruk Myrtaj: Njeriu vdes për librin e të tjerëve (tregim)

    “Kjo kohë pa tru,” po thoshte Sadriu.

    “Paska pasur ndonjë kohë me tru?!”

    “Kurrë deri në këtë farë feje!”

    Trishtimi meritonte të pohohej, pastaj duhej rrëzuar e thërrmuar pa zhurmë, pa bujë e edhe nëse me dhimbje. Si gjithë gjërat në zonë mundimesh vullkanike.

    “Liria vjen si shpresë se bëhemi më të mirë pas rënies së mëhershme të saj.”

    “Nuk po bëj shaka…”, tha ai. “Sot më dhanë pesë milion…”

    “Nuk dukesh sikur ke pranuar dhuratë!”

    “Sepse jam i fyer!”

    “I shpërblyer dhe i fyer, s’po të marrë vesh?!”

    “Bashkë-fajtor dhe bashkë-vujtës!”

    Si të kishim këmbyer portat, më mbeti mua t’i jepja nerv bisedën.

    “Paguaj unë, sot e sa të jemi, me një kusht: Do të më shoqërosh deri tek shkallët e pallatit tim!”

    Po e vështroja, ngultas. Si t’i lutesha për hollësi e të dhëna për të ngritur padi për korruptimin e të fundit mik në qytet. Aq më hahej muhabeti me të sa doja të besoja se vetëm mua më kishte mik. Mora një cigare, nga paketa e tij. Kësaj here kishte “Dunhill”, kur zakonisht digjte “Slims”.

    “Ka shkak të të braktis edhe unë?!”

    “S’beson ti që jam bërë me para?! Ja tek i ke!”

    Hapi paksa zinxhirin e një çante dore meshini të kadifenjtë, që e mbante mes këmbëve. Prej atje brenda bënë sy tufa kartëmonedhash.

    “S’besoj se janë para të vjedhura!”

    E cika gotën me të tijën. Njeriu që s’ka vjedhur sa është bërë burrë, nuk vjedh më pastaj. Ata që vjedhin edhe kur janë bërë burra, kanë vjedhur gjithnjë.

    Thyerja e madhe e vertebrës në këtë vend, veç së keqes mitologjike te njeriu me daljen nga kopshti Eden, kishte ndodhur kur e shpërfytyruan, kur e detyruan të hiqte dorë nga e drejta për të qenë individ, kur e lanë pa mendim, besim dhe pronë të vetën. Në momentin kur individi u katandisë të vet-qortohej për faje që s’i kishte bërë, kur s’pati më asnjë të fshehtë veç për veten dhe, më në fund kur nisi të mburrej për varfërinë si lumturi, s’kishte mbetur kurrgjë prej njeriu. Çfarëdo boshllëk tjetër të shfaqej më pas tek ai, ishte veç ajo çfarë kishte fshehur aq gjatë.

    Sigurisht s’besoja se Sadriu kishte marrë para të ndonjë tjetri.

    “Me dikë vetëm sa përshëndetesha. As emrin s’ia dija. Më telefonoi para nja një jave…”

    “Nuk të pyeta!”, i thashë.

    “Ti më duket se shkruan libra, më tha!” vazhdoi rrëfimin Sadriu.

    “Me që s’merrem dot me tjetër gjë!”

    “U paguajnë ndonjë çikë?!”

    “Sot, shkruhet vetëm për lavdi dhe për tu përkthyer jashtë shtetit!”

    “Punë është edhe kjo. Unë të marrë në punë të më shkruash një libër. Ti ma shkruan librin që dua dhe unë…të numëroj paratë! Lavdia nuk është mirë të mbetet ajër!”

    “Ke të drejtë, por kush paguan për libra në këtë kohë?!”

    “Unë paguaj. Një mik më ka lënë amanet t’i shkruhet një libër për jetën e tij. Ka lënë edhe paratë. Pesë milionë për ty. Ti di ta shkruash!”

    “Pesë milionë për një libër?!”

    “Tre milionë i ke në dorë, në këtë çantën që po ta lë këtu por të pesta janë të tuat. Ai më ka lënë histroinë e tij, të dhënat, dokumente, një si ditar, dorëshkrim. Kur ta botojmë librin që do shkruash ti, ke dy milionët e tjerë. Hajde mirë u pafshim!”, më tha.

    Po e vështroja Sadriun si njeri të minuar. Mund të shpërthente në momentin tjetër.

    Mos o zot, se si u bëka njeriu kur bëhet me para të shpejtë! Edhe thjesht se ulemi në tavolinë me të, jemi të kërcënuar. Ndokush prej atyre që kanë hedhur këtë para të madhe, vjen e hedh ndonjë bumje, shkreh ndonjë karikator, aktivizon lëndë detonuese të fshehur në pirgun e parave dhe…!

    “Ngrihemi, unë s’jam mirë…”, thashë, si me shaka.

    “Ti je rehat, vëlla! Unë jo. Unë jam milioner! Më premtove se do të më çosh deri tek shkallët!”

    Sa herë ishim tallur me të tjerë që kishin humbur shpengimin, lirinë, duke u bërë me para të madhe, me ca të tjerë që për shkak të ligjit shoqëroheshin me roje personalë dhe me të tjerë të sotëm që shkojnë bëjnë dy-tri vite burg për të gëzuar më pastaj paranë e vjedhur.

    Rrugës për në shtëpi të tij, mu bë se vërtet po kujdesesha t’i rrija si roje personal! E mbaja pak përpara, e shtyja të zhvendosej nga ana tjetër e trotuarit, të kalonim vetëm në rrugë me dritë, i vështroja me sy dyshues ata që fare rastësisht vinin përballë, por edhe ndokënd që vinte nga prapa. Ndokush që më njihte dhe nuk e mori vesh pse nuk i përshëndeta mbase thanë: i paskeni hedhur ca gota sot, ë?!

    “A më shoqëron deri lart, te kati im, të lutem!” më tha Sadriu, kur arritëm tek pallati i tij.

    Edhe mua, jo më Sadriut, më dukej se gjithë bota e dinte se ne kishim miliona me vete. Edhe fqinjët e tij, në të gjithë katet, mbase e dinin, edhe pse askush s’u pa në shesh-pushim apo të hapte derën e vet.

    Më në fund, kishim arritur te hyrja e tij.

    “Dje, e bëra derën super-sekrete, e sheh?!”

    Më tha kështu dhe trokiti në derë. Trokiti në derën e shtëpisë së tij.

    U dëgjuan hapa nga brenda dhe unë u tërhoqa, sigurisht mbase u binda që ishte zëri i gruas së tij! Dëgjova derën që mbyllej më çelës nga brenda, plotë tri rrotullime, rrëshqitja e shulit…dhe zbrita shkallët.

    Teksa mora rrugën për në shtëpi, shkova ndërmend se mund të isha edhe unë i rrezikuar. Nuk kisha asnjë lekë me vete, por ndokush-i që dinte se Sadriu ishte bërë milioner, mund të merrte me mend se një pjesë të tyre, për të zvogëluar rrezikun ndaj vetes, m’i kishte dhënë mua.

    Vonë fare, telefonoi. Sadriu: “S’po më zë gjumi, si i bëhet?!”

    “Harroje veten duke shkruar!” Ç’t’i thosha tjetër?!

    “Po kur ta mbaroj atë libër, si do t’ia bëj?!”

    “Shkruaj një libër për veten që u pagua për atë libër!”

    “E pastaj?”

    “Pastaj vjen fundi…”

    “Kaq kollaj sa e thua ti?”

    Dorëzoi librin për jetën e Tjetrit dhe ia dhanë dy milionët e tjerë nga ndërmjetësi, u takuam sërish.

    “Ndonjë libër për dëshmorët?”

    “Jo mor’ vëlla jo!”

    “Për ndonjë martir apo për diversantë?!”

    “Për një ish-të burgosur. Që ka vdekur së fundi…”

    “I afërt i këtij që paguan?”

    “Ndërmjetësi im, edhe ai i rastësishëm në jetën e atij që s’rron më!”

    “Pesë milionë lekë s’i ke marrë për gjithë librat që ke botuar deri tani!”

    “E vërtetë…”

    “Hajde gëzuar për të vërtetat! Premtove se do merrnim edhe një birrë të dytë!”

    Kamerieri i solli menjëherë. Si t’i kishte pasur veshët te ne. Sadriu e ktheu gotën me fund dhe nisi të rrëfente.

                                                                                                                    ***

    Ai që kishte paguar, në mungesë, si i vdekur, paskej dalë nga një burg i gjatë politik si njeri pa njeri. Askush s’i kishte shkuar në burg. As gruaja, as vëllezërit, për be. Prindërit vdekur kur ishte atje brenda. Sapo qe liruar, kishte ardhur në kryeqytet. Vinte vërdallë selisë së partisë së parë opozitare.

    “Kjo më nxori nga burgu…” thoshte. Edhe të panjohurve ua thoshte, por asnjëherë s’provoi të hynte brenda oborrit të saj. Deri ditën kur pa të hynte fytyra e një njeriu që i kujtoi burgun.

    U dëshpërua, ia tha dikujt që ndodhi aty pari. A thua në këmbim të rrëfimit të arsyes së shkrirjes në lot, i kërkoi tjetrit dy dopjo raki. Kaq ishte mjaft për ta dehur trupin e tij të rrënuar.

    Tjetri, si fajtor për dehjen e marramendjen e të panjohurit, e kishte marrë në shtëpinë e vet…

    Që t’i biem shkurt, ky ishte njeriu që më dha mua tre milionët! As ky vet, s’e mori vesh pse e bëri një gjest të tillë! E futi në banjo të munduarin, e lau, duke e qortuar e përmendur ëmbëlsisht me ca pëllëmba. Pasi e solli në vete, i dha për të ngrënë dhe natyrisht mendoi se në rastin më të parë do duhej ta nxirrte deri në rrugë, aty ku e kishte parë, te selia e opozitares që ishte bërë në pushtet.

    Aty mori vesh se ish-i burgosuri kishte një pasuri të tërë pronash.

    “Të gjitha pronat e mia bëhen të tuat, nëse t’i i rregullon me shkresa. Kujt t’ia lë tjetër unë?!”

    “Mua të m’i lësh, pse jo!”

    “Ty do të t’i lë! Aq më shumë kur as ti s’paske njeri në këtë botë!”

    Ky birbua, dhuruesi im, i solli menjëherë letër, bojë e penë dhe ai i bekuari i hodhi në letër të gjitha. Kur kishte parë atë njeriun e burgut duke hyrë serbes te selia e partisë, qe ndjerë pa shpresë për kthimin e pronave, ndaj mendoi të provonte mos ditët e mbetura i mbyllte nën kujdesin e një njeriu si ky që e futi në shtëpinë e tij pa asnjë interes.

    Pas kësaj, bamirësi e mbajti edhe më mirë. E veshi me kostum, me këmishë e kollare, e këmbenin ndonjë teke së bashku. Sëmundjet e burgut i lulëzuan aty, por tjetri pajtoi një zonjë plakë për t’i shërbyer. Kjo botë qenkej plotë me të vetmuar që i gjendeshin njeri-tjetrit. Edhe plaka paguhej prej parave që do dilnin prej pronave kur të legalizoheshin dhe shiteshin mirë e bukur.

    E vetmja kërkesë e ish të burgosurit, qenkej t’ia paguhej kuota e anëtarësisë në partinë e opozitës, edhe pse kjo tingëllonte si shaka e një jete të pashpjeguar dot kurrë.

    Vetëm kur i erdhi hera që ai rob Zoti të mbyllte sytë, ky bamirësi im mori vesh se burgu i gjatë kishte ndodhur prej ëndjes së pandreqshme të atij për të lexuar libra të ndaluar…

    I kishte bërë një qivur të mrekullueshëm, varr prej mermeri të shtrenjtë. Mbase ngaqë kurrë nuk kishte pasur shtëpi. Një herë në muaj i shkonte në varreza. I ndizte dy qirinj te kryet dhe një në fund të këmbëve.

    “I jam në borxh atij njeriu, më tha…Nuk di ç’të bëj tjetër për të. Mbase mbylli sytë me idenë se isha unë bamirësi i tij, por e vërteta është tjetër…”

    “Ai është edhe bamirësi im, që shkrova libër për të! Njeriu vdes për librin e të tjerëve!”

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË