Ora 23.30, 31 dhjetor. U ul i vetëm në tavolinë me një fletë të bardhë dhe laps në dorë. Dritat e rrugës reflektonin brenda kthinës së apartamentit. Edhe këtë fundviti bëri ritualin e përvitshëm: bilancin financiar! Filloi të shkruante një listë me shpenzimet që kishte bërë gjatë gjithë atij viti. Ato që për një buxhet si i tij quhen shpenzime luksi.
Filloi me udhëtimin në Paris. Një qytet që kishte ëndërruar ta vizitonte prej vitesh. Kishte kaluar disa ditë duke zbuluar rrugët, kafenetë në lagjet e Montmartre-it, duke u ndalur për një croissant në mëngjes, për një gotë verë në mbrëmje buzë Senës. Çdo cep mbante peshën e shekujve. (Lexuesi mund të thotë: është frazë klishe. Edhe klishetë janë pjesë e jetës, i dashur lexues. Ndiq rrëfimin, të lutem). Numëroi biletat e muzeve Luvri, Orsay, Pompidou, kafenetë dhe restorantet që kishte frekuentuar, shpenzimet për hotelin. Mendoi: vlera e Parisit nuk qëndronte thjesht në faturat; ishte ajo ndjesi e veçantë që ta mbushte shpirtin me një lëndë të padukshme dhe mendja kthehej mbrapa në kohë. Shënoi një shifër të rrumbullakosur.
Kaloi te pika e dytë e listës së shpenzimeve: një pelegrinazh në një vend të shenjtë. Kishte kaluar orë të tëra në rresht, mes mijëra njerëzve, duke pritur të shprehte lutjet e tij. Kishte ndier një paqe të brendshme, një ndjenjë se ishte pjesë e diçkaje më të madhe, më të thellë, që shkonte përtej tij. Sa vlerë kishte kjo? A mund të këmbehej ajo paqe në para? Sa vlente në kursin ditor të këmbimit një lutje ku njeriu i dorëzohet një force madhore? U përpoq të maste minutat që kishte kaluar në heshtje dhe në lutje, në gjunjë, në atë vend të shenjtë. Në fund, ia doli duke i dhanë atij momenti një vlerë. Një çmim të rëndësishëm për shpirtin… një shtatë me disa zero pas…
Lista vazhdonte me një shfaqje teatri që kishte parë para ca muajsh. Kishte marrë avionin nga qyteti i tij për në qytetin e teatrit. Kishte mbërritur një ditë para premierës së dramës The Flick, me autore Annie Baker. Subjekti i shfaqjes ishte minimalist: tre të rinj punojnë në një kinema të vjetër që po i afrohet fundit të epokës së filmave me rrotulla. Gjatë orëve të gjata të punës së tyre të zakonshme, pastrimit të sallës, drejtimit të projektorit, rregullimit të audios, ata ndajnë momente të heshtura, tensioni në përpjekje për të kuptuar njëri-tjetrin. Si ndikojnë ndryshimet teknologjike në ndjenjat e tyre… Atë mbrëmje, ulur aty, në errësirë, kishte ndier emocione të një vepre që ngjante me fragmente nga jeta e tij. Përpiqej të bënte llogaritë: çmimi i biletës, shpenzimet për transport, orët e kaluara në pritje, kthimi. Mbi të gjitha, pyeste veten: sa vlen kjo? Sa mund të kushtojë galdimi i një momenti, apo dhimbja e një skene që ngjall kujtime të fjetura? Në fund, vendosi një numër…
Galeria e artit ishte shpenzimi i radhës. Një ekspozitë që e kishte lënë pa frymë. Ngjyrat, format, idetë e fiksuara në piktura dhe skulptura. Kishte shpenzuar para për biletë, për katalogun, madje edhe për një suvenir të vogël. Përpiqej të kuptonte diçka më të thellë: sa vlen një eksperiencë që të zhbirilon mendjen dhe të detyron ta shohësh botën ndryshe? Sa mund të kushtojë një moment i tillë? Këto pyetje i vinin pa përgjigje të qarta. Gjithsesi, e vendosi një numër. Sa më e gjatë bëhej lista, aq më të gjata bëheshin vargjet e zerove.
Kaloi te ndeshja e futbollit. Ulur në stadium, mes mijëra tifozëve, duke brohoritur ndërsa ndjehej pjesë e diçkaje përtej sportit. Llogariti biletën, ushqimet, pijet, kohën që kishte humbur apo fituar duke u argëtuar. Ishte një llogari që mund të bëhej lehtë pa dert. Nuk e kishte të vështirë; për një ndeshje futbolli e vendosi një shifër pa pishman.
Në fund, erdhi ajo: përpiqej të llogariste atë që kishte ndierë. Sa vlente ajo dashuri? Sa vlenin bisedat e pafundme në darkë? Sa vlente secili moment i puthjeve, i buzëqeshjeve, i dhimbjes? Mëtonte të llogariste sa kohë kishte kaluar duke e menduar, duke ndjerë mungesën e saj. Sa zero mund ta mbushnin atë hon që tani derdhej thik mes tyre?
Sytë i mbetën të fiksuar mbi fletën e bardhë, lapsi i rëndonte në dorë. Filloi të shkruante një nëntë me disa zero që e ndiqnin si vagonë treni. Shtoi zero…, zero…, zero…, zero…, zero…, zero…, zero të tjera, filloi kryeradhën me zero derisa kaloi në faqen tjetër ku gjithçka ishte e bardhë pa asnjë shenjë… ngriti kokën. Dritat e qytetit kishin filluar të zbeheshin. Nga dritarja që shihte atë pjezës qielli që i kishte rënë për hise, shqoi një yll që pulsonte. Një pikë drite që kishte miliarda vite që ndriçonte falas mbi botë… Një pikë drite që ajgëtonte paq mbi vetminë e botës… si zero absolute.