More
    KreuLetërsiBibliotekëBiser Mehmeti: Macja me një sy

    Biser Mehmeti: Macja me një sy

    Fragment nga romani, “Buzuku”, Prishtinë, 2025

    Duhej të kishte kaluar mesnata kur pas një dite të stërlodhur nga puna e mundimshme rashë për të fjetur, edhe pse isha i bindur se nuk do të isha në gjendje të flija. Derisa mendja zuri të sorollatej nëpër një humnerë të zbrazët e të errët, pa dëshirën time m’u kujtua Kron Mati, i cili para një jave ishte gjetur i masakruar në mënyrë të tmerrshme në periferi të qytetit. Para se ta vrisnin njerëzit e pashpirt i kishin shkaktuar dhimbje të llahtarshme duke ia nxjerrë syrin e majtë, duke ia prerë gjuhën dhe krahun e majtë… Mundohesha ta largoja nga mendja trupin e tij të masakruar, po ai më ishte ngulitur në mendje si një gozhdë sa më dukej sikur gjendej në një skaj të shtratit, madje shpesh e ndjeja dorën e tij si ma miklonte fytyrën me skofi… Me Kron Matin dikur shtëpitë i kemi pasur afër. Gjatë shkollës fillore dhe të mesme kemi qenë në një shkollë, madje shpesh edhe në një bankë. Edhe në fakultet kemi qenë së bashku. Pas kryerjes së fakultetit ai hyri profesor në një shkollë të mesme, kurse pas gjashtë muajve unë mezi arrita të gjej një vend pune si arsimtar në një shkollë fillore, madje në një fshat malor. Disa muaj pasi përfundoi lufta, te dytë e braktisëm punën me nxënës. Ndoshta do të vazhdonim të punonim edhe më tutje sikur në fushën e arsimit të mos ishte krijuar një kaos i tmerrshëm, të cilin nuk ishim në gjendje ta përballonim. Miku im i dashur u përkushtua në politikë, i bindur se aty mund të arrinte sukses të madh, kurse unë e gjeta rastin t’i kthehem pasionit tim nga koha e studimeve, andaj u angazhova në gazetari. Nga një aktivist i zakonshëm partiak miku im arriti të bëhet kryetari i partisë PPK. Në zgjedhjet e fundit demokratike u zgjodh kryetar i komunës, po ditën e tretë të punës u gjet i vdekur në një korije në dalje të qytetit. Trupi i tij i gjymtuar si mos më keq ishte mbuluar me degë e gjethe të lisave të vegjël. Ndoshta trupi i tij nuk do të gjendej edhe një kohë të gjatë sikur disa kalimtarë të mos i shihnin disa qen endacakë si e copëtonin trupin e tij.

    Lajmi për vdekjen e mikut tim të dashur më shkaktoi tronditje në shpirt sa disa çaste më ishte dukur sikur dikush më kishte vrarë me shtatë plumba në kokë. Është dashur të kalonin disa orë derisa mendja më është këndellur pak. Me ndjenja të mpira e shpirt të plagosur i kam telefonuar vëllait të tij, Liksin, i cili është dy vjet më i vogël se Kroni… I di vrasësit e vëllait tim, më tha me zë të përvajshëm pas disa çastesh… Janë në struktu-rat udhëheqëse të partisë rivale, e cila i humbi zgjedhjet… Pse nuk shkon në prokurori t’i denoncosh vrasësit e tij pasi i ke faktet, i thashë derisa vajin nuk isha në gjendje ta frenoja. Ai lëshoi një qeshje të dhunshme e pastaj më tha: kam qenë në prokurori, po prokurori më ka thënë: vëllai yt është vrarë nga kundërshtarët politikë! Një gjë besoj që e di edhe ti: vrasjet politike nuk janë në mandatin tonë, po në mandatin e ndërkombëtarëve… Shko ankohu te ata nëse mendon se ke fakte… Ndoshta edhe e marrin parasysh rastin e vrasjes së vëllait tënd… Mirëpo edhe ata shumë vrasje nuk janë në gjendje t’i zbulojnë.

    E ftova Liksin të vinte në lokalet e gazetës që të bisedojmë më shumë për këtë krim të llahtarshëm… Kam frikë se do të më vrasin edhe mua rivalët politikë të vëllait, më tha me zë të frikësuar… Edhe vetë e kupton çfarë gjendje kaotike është duke mbizotëruar pas luftës në vendin tonë. Kam frikë se kjo gjendje do të përkeqësohet edhe më shumë. Aktivistët e shumtë të PPK-së po vriten e vrasësit nuk po zbulohen. Ndërkombëtarët nuk po angazhohen në këtë drejtim sa duhet. Ata në raste më të shumta po bëjnë vetëm sehir…

    Me Liksin kemi biseduar një kohë të gjatë për vdekjen tragjike të vëllait të tij. Në fund i premtova se do të shkruaj një artikull në gazetë, i bindur se dikush do të merrej me zbulimin e autorëve të këtij krimi makabër, i cili shkaktoi tronditje të madhe në skenën politike të vendit… Më mirë mos shkruaj fare për këtë vrasje, më tha i dëshpëruar. Kam frikë se do ta fusësh veten në telashe të mëdha nga të cilat mund të kesh pasoja tragjike… Dyshoj se pas vrasjes së vëllai qëndron një grup i organizuar kriminal.

    Disa minuta pas bisedës me Liksin, derisa qëndroja në lokalet e gazetës, u dëgjua një detonim i fuqishëm sa dyshova sikur ndërtesa po dridhej nga tërmeti i tmerr-shëm. Sapo bëra të dal jashtë e të shoh çfarë ka ndodhur, kur në zyre hyri rojtari i ndërtesës Liti. Nga shqetësimi mezi merrte frymë. Më vështroi me një shikim të çuditshëm… Është djegur vetura jote, më tha me zërin që i dridhej nga keqardhja… Dikush i ka vënë eksploziv!… Dola jashtë pa frymë. Vetura ime, të cilën e kisha blerë para gjashtë muajve me kredi, ende ishte në flakë… Këmbët m’u prenë në gjunjë e sytë m’u errësuan. Përmes këtij veprimi dikush po ma tërhiqte vërejtjen të bëja kujdes, ndryshe mund të më gjente fati i Kron Matit, i thashë vetes. Edhe dy vetura të tjera që gjendeshin afër veturës sime në parkingun mbrapa ndërtesës kishin pësuar dëmtime të vogla. Vetëm të nesërmen erdhi policia, e cila për pak minuta bëri ekspertizën për djegien e veturës sime. Prita të më thirrin në prokurori për të dhënë deklaratë, po kurrë nuk më thirrën… E dija që autorët e djegies së veturës sime kurrë nuk do të zbuloheshin. Nuk mund ta largoja dyshimin që më hante si një krimb i varrit se veturën time e kanë djegur të njëjtit persona që e kanë vrarë Kron Matin.

    Duhej të kishte edhe pak orë derisa nata të davaritej e vendin e saj ta zinte mëngjesi i pazakonshëm kur nga humnera e mendimeve më nxorën disa zhurma të thekshme, të cilat sikur jehonin nga një botë e largët, në të cilën dyshoja sikur isha nisur të shkoja, po që rrugën nuk isha në gjendje ta gjeja. Me sytë e mbushur me copat e një gjumi që dukej sikur më vështronte nga një skaj i dhomës zura të shikoj nga dritarja e dhomës, nga ku dëgjoheshin do krisma të thekshme, të cilat sikur më godisnin në kokë… Vetëm edhe ky shi i ftohtë i kësaj vjeshte që ka ardhur para kohe dhe e cila nuk do të largohet pa më marrë me vete, ka qenë mangut në jetën time, mendova me vete. Disa çaste e kam vështruar shiun që përplasej mbi dritaren e dhomës sime pa ditur pse e bëja një gjë të këtillë. Diçka më thoshte sikur gjatë gjithë ditës shiu nuk ishte ndalur, po vetëm tash e hetoja prezencën e tij. Ndoshta ai shi i çuditshëm për inat timin nuk do të ndalej edhe shtatë ditë të tjera… Eh, dikur kur gjatë natës qëndronim në shtrat duke bërë dashuri me Annikën çfarë kënaqësi të madhe më sillte shiut, thashë me vete edhe pse nuk dëshiroja të thosha asgjë. Ajo kohë më dukej e largët tepër sa disa herë dyshoja sikur nuk kishte ndodhur në realitet, po në një ëndërr që nuk isha në gjendje ta harroja…

    Pas disa minutash përsëri u afrova para kompjuterit e pastaj i thashë vetes me zërin që më dridhej nga do parandjenja ogurzeza: nuk do të heshti përballë këtyre krimeve që po e tronditin gjithnjë e më tepër vendin, të cilit ende nuk i janë tharë plagët e luftës. Ende ka familje që i kërkojnë të dashurit e tyre që nuk dihet nëse janë të gjallë apo të vdekur… Do të shkruaj një artikull për vrasjen e mikut tim Kron Matit! Kam vendosur të mos frikësohem nga pasojat që mund t’i kem. Koha është të tregohem sypatrembur para sfidave të jetës… Disa çaste qëndrova i shtangur, ngase nuk dija nga t’ia filloja. Në kokë kisha një turbullirë të paqartë sa më dukej sikur një zgjua milingonash sorollateshin tërë kohën duke u ushqyer me mendimet e mia të kalbura…

    Nuk vonoi dhe e braktisa dëshirën për të shkruar artikullin në gazetë. Të pamundurën nuk jam në gjendje ta bëj të mundur, mendova… U shtrina në shtrat e pastaj u mundova të flija. Kurrë më parë nuk kisha ndier një luftë të këtillë brenda vetes. Kisha frikë se në fund të asaj lufte do të dilja i humbur, pa asgjë në jetë, mbase edhe i turpëruar… Në një çast, për dreq, m’u kujtua Annika, e cila pas 13 vjet martese u largua prej meje pa kurrfarë shpjegimi. Të kaluarën së bashku e hodhi si një leckë në koshin e mbeturina. Iku prej meje si prej djallit duke më lënë në kthetrat e fatkeqësisë… Sikur të ishte ajo pranë meje do ta ndjeja veten më të qetë, sepse ajo sikur më jepte fuqi sa shpesh si me ironi i thosha: kur je pranë meje jam në gjendje të fluturoj pa krahë, të shoh pa sy e të flas pa gjuhë! Tash kur ajo nuk është pranë meje më duket sikur gjendem në një labirint nga i cili kurrë nuk do të mund të dal i gjallë… Derisa nuk e shkruaj atë artikull nuk do të mund të qetësohem, i thashë vetes derisa e shtrëngoja kokën me duart që më dridheshin nga pesha e shqetësimit…

    Sërish jam ngritur nga shtrati i dërrmuar sa disa herë më bëhej sikur isha zgjuar somnambul dhe sikur kërkoja diçka e nuk e dija çka. E hapa dritën e dhomës ngadalë sikur të kisha frikë se përmes saj do të hynte ndonjë hije e panjohur. Me sy gati të mbyllur zura të vështroj shiun që binte ngadalë e prajshëm. Në një çast e ndjeva ajrin e ftohtë si zuri të ma dëbonte peshën e gjumit që më mbështillte si një vello e tejdukshme. Disa minuta e kam vështruar hapësirën që shtrihej para meje si një pikturë e leckosur nga shiu. E gjithë bota ishte kredhur në një heshtje të frikshme, e cila dyshoja se nuk do të përfundonte derisa të kalonte ajo stinë e ftohtë e në vend të saj të shfaqej një stinë e ngrohtë. Diçka më thoshte sikur vetëm unë në atë interval kohor isha i zgjuar, madje sikur deri në mëngjes do të qëndroja zgjuar, ngase me duart e mia e kisha vrarë gjumin… Nuk më kujtohet pas sa kohësh e mbylla dritaren. Edhe pse nuk dëshiroja të afrohesha te kompjuteri një fuqi e panjohur më ka nxitur të afrohem pranë tij. Derisa e vështroja me sy të zgurdulluar kompjuteri më shëmbëllente në një qenie të gjallë, që më vështronte në mënyrë enigmatike… Nga të filloj shtegtimin tim të mundimshëm nëpër fushën e minuar, i thashë vetes. Të gjitha fjalët si të isha flutura me krahë të thyer fluturonin nëpër hapësirën e mendjes së rënduar. Në një çast më duket sikur ato kanë dalë nga koka ime e pastaj me sytë e vagëlluar i kam parë si shpërndaheshin nëpër hapësirën e dhomës së ftohtë akull. Më kaploi dyshimi sikur një acar i madh ishte grumbulluar në shpirtin tim, i cili së shpejti do të shndërrohej në akull… Nëse s’e përfundoj deri në mëngjes këtë artikull do të çmendem, i thashë vetes. E ndjeja një dorë të padukshme si më shtrëngonte në qafë me fuqi të madhe duke dashur të më ngulfaste…

    Derisa i shtypja tastet me gishtat që më dridheshin, më bëhej sikur me një kazmë të rëndë e godisja tokën e fortë, e cila lëshonte shkëndija të mëdha… E di se në mes të tjerash kam shkruar: u bënë shtatë ditë që kur kryetari i qytetit Kron Mati, i zgjedhur me votat e lira të qytetarëve, u vra e autorët e vrasjes nuk janë gjetur ende… Ekzistojnë dyshime se vrasësi ose vrasësit janë të njohur për organet e drejtësisë, po qëllimisht fshihen faktet… Ky vend po vlon nga krimi e korrupsioni i organizuar… Kur e përfundova shkrimin m’u bë sikur një shkëmb i rëndë rrëshqiti nga shpirti im…

    Sapo jam shtrirë në shtrat për të shtatën herë, i bindur se tash jam i qetë për të fjetur, kur një zë i largët më ka depërtuar në veshin e majtë nga një largësi e pacaktuar: a je i vetëdijshëm se je duke luajtur me jetën tënde!… Nëse e dërgon këtë shkrim në gazetë, do të kesh pasoja të rënda!… Vrasësit e Kron Matit mund të të vrasin edhe ty!… Përsëri e pashë trupin tim si përpëlitej në mes të jetës e vdekjes nëpër valët e detit të tërbuar. Nuk do ta dërgoj shkrimin për botim, këmbëngula… Pasi ma kanë djegur veturën radhën e kam të ma djegin edhe trupin!… Nga ky mendim trupi dhe shpirti m’u rrëqethën. Teksa e sfilisja shpirtin për ta ndjell gjumin e arratisur përtej shtatë bjeshkëve, në një skaj të imazhit m’u shfaq Kron Mati, i cili më vështronte me sy të përvajshëm… Të lutem, nxirre të vërtetën nga errësira në dritë, më tha me zë të mallëngjyeshëm… Do ta dërgoj atë shkrim në gazetë edhe nëse më vrasin kriminelët që të kanë vrarë ty, i thashë me zërin që më dridhej nga frika, e cila ishte strukur në një skaj të shpirtit… Frika po e zëvendësonte frikën tjetër edhe më të rëndë.

    Në një çast shikimi m’u gozhdua në çarçafin e bardhë, i cili i shëmbëllente një qejfi të leckosur. Nuk e di si ndodhi e i thashë vetes: ngjyra e bardhë e këtij qefini po më shkakton çrregullime të mëdha në kokë… Po më duket sikur dritarja e dhomës është hapur e nga aty shiu depërton brenda e pastaj bie mbi trupin tim… Pas pak në vend të çarçafit me ngjyrë të bardhë jam mbuluar me një çarçaf me ngjyrë të kuqe. Menjëherë më kaploi bindja sikur trupi më ishte mbuluar me gjakun e trupit tim sa fillova të dyshoj sikur një njeri i panjohur, të cilin nuk arrija ta shikoja nga errësira, mundohej të ma këpuste kokën me një thikë të ndryshkur dhe gjatë asaj kohe gjithnjë lëshonte do ulërima të thekshme që u ngjanin ujkut të tërbuar. U ngrita nga shtrati i lemeritur. Një kohë të gjatë kam dyshuar sikur më mungonte koka… Çarçafi i kuq më sjell kob, i thashë vetes. Sërish jam mbuluar me çarçafin e bardhë. Trupi zuri të më dridhej nga të ftohtit. Jam ngritur ngadalë duke shikuar me dyshim në të gjitha anët e dhomës. Diçka më thoshte sikur Annika qëndronte e fshehur në një vend të padukshëm. Më duket sikur në një çast kam arritur të kridhem në kthetrat e një gjumi të rëndë nga i cili dyshoja se nuk mund të zgjohesha as pas vdekjes…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË