1.
Mëngjes. Hap sytë si për të disatën herë gjatë natës. Prej dhomës pa perde shikoj të njëjtën pamje: një qytet që po shndërrohet dalëngadalë në një përbindësh, me gjymtyrë agresive të përbërë prej tullash të kuqe me damarë prej betoni dhe hekurash të mbetur në ajër, përpjetë. Mandej, shumë shpejt del dielli, çfarë e bën pak më me shpresë zgjimin. Pamja nis e qartësohet dhe e humbet atë dozë agresiviteti që shfaqet për herë të parë. Dal në ballkonin mbas apartamentit tim, për të ndjerë më mirë temperaturën e ditës që po nis, dhe verifikoj për kushedi të satën herë se qyeti po bëhet një konvikt i madh. Ai tashmë i ngjan një fjetoreje, që po zgjerohet e po zgjerohet si barku i një obezi të pashpresë. Pallatet e ndërtuara që në kohë të komunizmit, tani mbasiqë fituam lirinë, po shtohen në mënyra nga më të shëmtuarat. Pallateve po i dalin gunga, zgjatime idiote, çibane…
Dal prej shtëpie, ulem diku, dhe hap derën e zyrës sime. Zyra ime është laptopi im dhe dera është kapaku i tij. Nuk është me rëndësi se ku ndodhem, në shtëpi, në klub, në park apo diku tjetër. Zyrën time unë e kam me vete. Urrej çdo gjë konvencionale. Zyra ime konvencionale është në qendër të qytetit, krejt afër me shtëpinë time, por unë nuk hy atje pothuajse kurrë edhe pse është 550 hapa larg.
E pra 550 hapa nuk janë asgjë, por fati im i mirë që askush nuk më kërkon një orar fiks për t’u paraqitë në punë. Askush nuk më kërkon llogari. Sepse puna ime bëhet ngado. Kudo është vend i mirë pune për profesionin tim, përveçse në zyrë.
Jam gazetar. Punoj për agjencinë telegrafike më të vogël, më të parëndësishme, më të pabesueshme dhe më të varfër të Europës, që quhet ATSH apo për së gjati: Agjensia Telegrafike Shqiptare. ATSH e ka humbur tashmë krejtësisht vlerën e vet. Atë që ka pasë dikur në kohën e komunizmit, kur si çdo media tjetër thoshte të vërteta, gjysëm të vërteta dhe gënjeshtra. Aso kohe e vetmja e vertetë që dilte prej saj qe dita dhe data; gjysëm e vertetë qe shërbimi sinoptik dhe të gjitha të tjerat qenë veç gënjeshtra.
Megjithatë, pra megjithëse i ka ikur koha, shteti i varfër postkomunist shqiptar vazhdon ta mbajë ATSH-në. Se pse e mban, nuk e di askush prej nesh që punojmë për të. Askush. Madje as drejtori vetë që vjen prej rradhëve të ngjeshura të një partie politike në pushtet.
Por ama ATSH bën ndonjëherë edhe gjëra të mira, siç është kjo e fundit përshembull dhe që ka lidhje me dërgimin tim me shërbim në Vjenë. Po. Ajo, agjencia pra, ka vendosur të më dërgojë me shërbim në Vjenë, prej nga duhet të raportoj për funeralin e të fundit pinjoll të familjes së Hapsburgëve, Otto von Habsburg.
Kështu pra duhet të bëj gati valixhen time të vogël, atë që nuk merr më shumë se dhjetë kile plaçka, se për aq ma kanë prerë biletën, si dhe për çantën time të laptopit, bashkë me ndonjë libër për ta lexuar gjatë udhëtimit apo në hotel.
Kam para aq sa për të zënë një pension të vogël, të vjetër, të mjerë, diku në breg të Danubit, fort larg qendrës dhe vendit ku do të ndodhë eventi, për të cilin edhe po nisem. Merret vesh se pensioni nuk e përfshin mëngjesin në çmim. Kam dy rrugë për mëngjesin: ose ta ha diku te ndonjë kioskë, ose mos ta ha fare. Kam idenë se do fitojë ky versioni i dytë, se edhe jam shëndoshur ca.
Avioni për në Vjenë niset shumë herët. Në avion të ofrojnë vetëm pak muzikë nga Shtraus në zbritje, por ngandonjëherë edhe në nisje, si dhe një gotë me ujë, nëse kur kalon andej pari stjuardesa nuk të gjen në gjumë. Unë zakonisht nuk flë nëpër avionë, pasi gërhas, prandaj e përfitoj ujin. Ime shoqe si gjithmonë, më ka përgatitur nja dy sanduiçe. Kam në krah një çift pleqsh shqiptarë të cilët kanë për destinacion New York-un, ku prej vitesh u jetojnë djemtë. Eshtë hera e parë që hipin në një fluturak kësisoj, por ama janë të lumtur se kurrë nuk ua kishte marrë mendja se djemtë do iknin nga fshati i tyre malor dhe do bëheshin të suksesshëm në New York.
Në aeroport më ka dalë me më pritë një shoku im i kahershëm i fëmijërisë, i cili ka emigruar herët në Vjenë, ku punon si bojaxhi. Ai ka lënë punën për të më dalë para me makinën e tij të mbushur kova, rrula, pika boje dhe vegla stukimi. Edhe pse nuk ka ecur në zanat, ai ka bërë goxha para dhe jeton në një vilë të veten diku në periferi të Vjenës.
Edhe pse mu lut të shkoja te shtëpia e tij, unë refuzova, duke menduar se do jetë më mirë ta eksploroj qytetin i vetëm. Në avion hëngra vetëm njërin sanduiç, tjetrin mendova ta lija për të nesërmen në mëngjes.
2.
Sot përpara se të dal nga pensioni im i vobektë hënga sanduiçin e dytë, të cilin e kisha harruar pa u futë në frigorifer. Kishte një shije të çuditshme, por unë megjithatë e hëngra dhe dola.
Ishte mëngjes herët kur dola nëpër rrugët e Vjenës. Sillja në mendje të gjitha ëndrrat që kisha pasë mbasi ra Muri i Berlinit. Edhe unë doja të ikja nga Shqipëria, edhe doja të bëhesha dikushi në profesionin time, edhe unë doja të bëhesha i pasur, edhe unë doja të isha i famshëm. Por ja që nuk ndodhi asgjë prej tyre, por megjithatë isha mirë me shëndet dhe kjo më jepte njëfarë optimizmi.
Ndërkaq më erdhi të shkoja në banjo. Nuk e di si fundksionon këtu. Kam përshtypjen se po të hysh në një bar, nuk është nevoja të porosisësh për të hyrë në banjo. Megjithatë… ja ta provojmë. Po, duhet porositur. Duhet të marrësh diçka më thotë kamerieri. Marr më të lirën. Një kafe. Dhe shkoj në banjo.
Dëshira për të fotografuar WC-të e klubeve, restoranteve, bareve, stacioneve, klinikave mjeksore, teatrove, kinemave dhe gjithçkaje tjetër publike, më kishte lindur që kur më kishin paisur ata të punës me një aparat fotografik, të cilin nuk e hiqja kurrë qafe. Këtu në Vjenë kishte plot situata interesante për të bërë fotografi, por unë preferoja ato të undergroundit, që pothuajse nuk i fiksonte askush. Siç e dini të gjithë turistët rrinë me kokën përpjetë drejt monumenteve a godinave madhështore. Kurse unë jo.
Kur dal për të vijuar rrugën, ndiej se kafja më ka bërë edhe më keq. Duhej ta dija se ajo është njëfarë diuretiku, madje i fortë.
Kështuqë edhe sot, ditën që do mbahej eventi për të cilin kisha shkuar, duhej të hyja në një kafe, ku ta kisha banjon pranë. Te Kleines Cafe e Vjenës përshembull, një prej klubeve më të vjetër të atij qyteti. Atjë është një bar i vogël, tamam ashtu siç e kishte emrin “Kleines Cafe”, që gjendej në Sheshin e Françeskaneve, në shpinë të katedrales së Shën Stefanit.
Është 16 korrik 2011, siç e thashë, dita kur do varrosej i fundmi i dinastisë së Haubsburgëve, Otto von Habsburg, i njohur gjithashtu si Otto i Austrisë, ish-kreu i Shtëpisë së Habsburgëve dhe sovran i Urdhrit të Qethit të Artë, ish Princi i Kurorës që kishte vdekur hiç më pak veçse në moshën 98-vjeçare.
Simbas traditës, Otto qe vendosur të varrosej në Kriptën Perandorake nën Kishën Kapuçinëve në Vjenë, kurse zemra e tij do varrosej një ditë më vonë në Pannonhalma Archabbey në Hungari.
Futem prapë në tualet dhe i përkulur ashtu mbi wc-në allafrënga, lexoja në gazetë sesi kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë ceremoni shumë personalitete, mes tyre mbretër ose ish-monarkë. Të gjithë këto dhe të tjerë po ndjekin ndërkaq meshën e Rekuiem-it në Katedralen e Shën Stefanit të Vjenës, të kryesuar nga kardinali Christoph Schönborn, e cila do pasohej nga varrimi në Kriptën Perandorake.
Ky do ishte varrimi më i fundit i një Habsburgu mbretëror në Kriptën Perandorake – pas një ceremonie shekullore – ku 145 anëtarë të tjerë të Shtëpisë së Habsburgëve, mes tyre shumë Perandorë të Shenjtë Romakë dhe Perandorë Austriakë, janë varrosur që nga viti 1633.
Parshikimet e protokollit austriak të shtetit ishin se rreth 1000 të ftuar dhe 100,000 vetë do merrnin pjesë në funeralin në Vjenë, i cili gjithashtu do transmetohej drejtëpërdrejtë nga Televizioni Austriak.
Si gazetar ndërkombëtar i akredituar, më kishin lejuar që të çaja rrethimin dhe të shkoja direkt aty afër ku do bëhëj varrimi, pra tamam përballë, ku edhe gjendej kjo kafene e mrekullueshme e Vjenës së vjetër.
Dhe ja. Dëgjohet nga televizori i vetëm i klubit se një procesion mbi një kilometër i gjatë po e sjell arkivolin e Otto-s nga Katedralja e Shën Stefanit në Kriptën Perandorake. Spikeri e përsëritë disa herë se ky është «funerali i fundit i perandorit» që po ndodh në Vjenë.
Ndërkaq, e di mirë që nuk është një ndër gjërat më të bukura për të cilat mund të flasim, por të gjithëve mund të na ndodhë që të vuajmë nga diarreja, dhe për ta parandaluar një gjë të tillë, duhet të jemi të informuar mbi shkaktarët kryesorë të saj.
Duhet të dimë se diarreja shkaktohet nga viruset dhe bakteret, por gjithashtu shkaktohet edhe nga lloje të caktuara ushqimesh. Sipas dr. Shilpa Ravella, gastrointerologe dhe pjesë e stafit të Universitetit të Kolumbias, mënyra më e mirë e shmangies së këtij problemi është mbajtja e një ditari ushqimor. Sepse nëse e dini se cili ushqim ju shkakton probleme të tilla, e keni më të lehtë ta shmangni atë dhe problemet që shkakton konsumi i tij.
Sipas Institutit të Shëndetit Kombëtar Amerikan, rreth 50 milionë qytetarë amerikanë mund të jenë alergjikë ndaj qumështit. Nëse keni shqetësime në stomak pasi keni konsumuar një nga nënproduktet e qumështit, atëherë edhe ju jeni një prej tyre.
Gluteni gjithashtu mund të shkaktojë diarre te disa persona. Gjithsesi, për çdo rast sugjerohet që të mbani një ditar ku të shënoni të gjitha ushqimet që konsumoni dhe këshillohet që në shfaqjen e çdo problemi t’i drejtoheni mjekut gastroenterlog.
3.
Otto von Habsburg apo në gjermanisht: Franz Joseph Otto Robert Maria Anton Karl Max Heinrich Sixtus Xaver Felix Renatus Ludwig Gaetan Pius Ignatius, hungarez: Ferenc József Ottó Róbert Mária Antal Károly Max Heinrich Pius Sixtus Renatus i lindur më 20 nëntor 1912 ishte princi i fundit i kurorës së Austro-Hungarisë që nga viti 1916 deri në shpërbërjen e perandorisë në nëntor 1918. Në vitin 1922, ai u bë pretenduesi i froneve të mëparshme, kreu i Shtëpisë së Habsburg-Lorenës dhe sovran i Urdhrit të Qethit të Artë pas vdekjes së babait të tij. Ai dha dorëheqjen si Sovran i Qethit të Artë në 2000 dhe si kreu i Shtëpisë Perandorake në 2007.
Si djali i madh i Karlit I dhe IV, perandorit të fundit të Austrisë dhe mbretit të Hungarisë, dhe gruas së tij, Zita e Bourbon-Parmës, Otto lindi si Franz Joseph Otto Robert Maria Anton Karl Max Heinrich Sixtus Xaver Felix Renatus Ludëig Gaetan Pius Ignatius von Habsburg, i treti në linjën e froneve, si Archduke Otto i Austrisë, Princi Mbretëror i Hungarisë, Bohemisë dhe Kroacisë. Me ardhjen e babait të tij në fron në 1916, ai kishte të ngjarë të bëhej perandor dhe mbret. Meqenëse babai i tij nuk abdikoi kurrë, Otto u konsiderua nga ai, familja e tij dhe legjitimistët austro-hungarezë si mbreti i ligjshëm perandori që nga vdekja e babait të tij në 1922.
Otto ishte aktiv në skenën politike austriake dhe evropiane që nga vitet 1930, si duke promovuar kauzën e restaurimit të Habsburgëve dhe si një ithtar i hershëm i integrimit evropian; ai ishte një kundërshtar i ashpër i nazizmit, nacionalizmit dhe komunizmit. Ai është përshkruar si një nga udhëheqësit e Rezistencës Austriake. Pas Anschluss-it të vitit 1938, u dënua me vdekje nga nazistët dhe u arratis nga Evropa në Shtetet e Bashkuara.
Otto von Habsburg ishte Zëvendës President (1957-1973) dhe President (1973-2004) i lëvizjes së Bashkimit Ndërkombëtar Paneuropian. Nga viti 1979 deri në vitin 1999, ai shërbeu si deputet i Parlamentit Evropian për Unionin Kristian Social të Bavarisë (CSU). Si një anëtar i sapozgjedhur i Parlamentit Evropian në vitin 1979, Otto tregoi një interes të madh për vendet pas Perdes së Hekurt dhe vendosi një karrige bosh në Parlamentin Evropian për të simbolizuar mungesën e tyre. Otto von Habsburg luajti një rol të dukshëm në revolucionet e vitit 1989, si bashkë-iniciator i Piknikut Pan-Europian. Më vonë ai ishte një mbështetës i fuqishëm i anëtarësimit në BE të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore. Një intelektual i njohur, ai botoi disa libra mbi çështjet historike dhe politike. Otto është përshkruar si një nga “arkitektët e idesë evropiane dhe të integrimit evropian” së bashku me Robert Schuman, Konrad Adenauer dhe Alcide De Gasperi.
Otto u internua në vitin 1919 dhe u rrit kryesisht në Spanjë. Nëna e tij e devotshme katolike e rriti atë sipas plan-programit të vjetër të Austro-Hungarisë, duke e përgatitur për t’u bërë monark katolik. Gjatë jetës së tij në mërgim, ai jetoi në Zvicër, Madeira, Spanjë, Belgjikë, Francë, SHBA dhe nga viti 1954 deri në vdekje, më në fund në Bavari, në rezidencën Villa Austria. Në kohën e vdekjes së tij, ai ishte shtetas i Gjermanisë, Austrisë, Hungarisë dhe Kroacisë, pasi më parë ishte pa shtetësi de jure dhe de facto, dhe posedonte pasaporta të Urdhrit të Maltës dhe Spanjës.
Në varrimin e tij qenë veshë të gjithë me kostume kombëtare dhe të krahinave nga vinin. Kurse unë nuk di sesi isha veshur dhe as që më binte ndër mend. Në këto çaste vuajtje qeshë shndërruar edhe në numëruesin më të saktë të ëndrrave të mia të parealizuara, çka ma shtonte edhe më shumë vuajtjen.
4.
Nga brenda banjos dëgjova zërin e çambërlenit apo mjeshtrit të ceremonisë, atij që i printe karvanit me një skeptër në dorën e djathtë që po i binte tre herë derës së mbyllur të kishës. E si mund të ishte e mbyllur dera e kishës atë ditë? Nuk po kuptonte asgjë prej kësaj që po ndodhte pak metra larg tij.
Mbas pak u dëgjua një zë i mekur që dilte nga brenda kishës dhe që pyeste me një ton të pafajshëm se kush ishte.
Atëhere çambërleni foli me të madhe se ishte: Princi trashëgimtar i Hungarisë dhe Bohemisë, i Dalmacisë dhe Kroacisë, Sllavonisë, Galicisë, Lodomerisë dhe Ilirisë. Duka i madh i Toskanës dhe Krakovit; Duka i Lorenit dhe Salzburgut, Stirisë, Karinthisë dhe Karniolës e Bukovinës; Princi i madh i Transilvanisë, Margravisë dhe Moravisë; Duka i Silizisë së Epërme e të Poshtme i Modenës, parmës dhe Piacencës, Guastalës dhe Osviesimit, Zatorit dhe Teshenit, Friulit, Dubrovnikut dhe Zarës; Princi i Habsburgëve, Tirolit, Kiburgut dhe Goricies dhe Gradiskies; Princi i Trentit dhe Briksenit; Markezi i Luzatisë së Epërme dhe të Poshtme dhe i Istries; Konti i Hohenemsit dhe Feldkirshit, Bregensit dhe Sonenburgut; Lordi i Triestes dhe Kotorrit dhe Vindiç Markut; Vojvoda i madh i Serbisë…
Pastaj fill mbrapa u dëgjua sërish zëri i mekur i provincialit të kapuçinëve që nga mbrapa derës, duke thënë se ne nuk e njohim atë.
Atëhëre mjeshtri i ceremonisë apo çamberleni i bie prapë derës tre herë. Kësaj radhe, si edhe më parë, është prapë i njëjti zë i mekur që pyet nga brenda se kush ishte apo e përkthyer më saktë se kush dëshëron të hyjë?
Atëhere çamberleni duket se e ngrë zërin edhe më fort duke thënë se ai që dëshëron të hyjë është: Doktor Otto von Habsburg, presidenti dhe presidenti i nderit i unionit paneuropian; antar dhe president i Parlamentit Europian, doktor honoris kauza i shumë universiteteve, qytetar nderi i shumë qyteteve, antar i shumë akademive, bartës i shumë medaljeve të dhëna si shenjë mirënjohje për kontributet e tij për paqen dhe drejtësinë.
Por prap, edhe kësaj radhe, vjen si nga një humbëtirë zëri mjeran i provincialit të kapuçinëve që nga mbas derës: Ne nuk e njohim zotërinë.
Atëhere mjeshtri i ceremonisë, i ftilluar si duket nga dy dështimet e para i bie prapë derës tre herë, kësaj here i sigurtë se do dëgjojë prapë zërin mistik të provincialit të kapuçinëve nga mbas derës, se kush dëshëron të hyjë?
Këtë herë, çambërleni flet po ashtu lehtë, mjaft njerëzisht se ai që dëshëronte të hynte ishte Otto, një dele e Perëndisë, i vdekshëm dhe mëkatar si gjithë të tjerët…
Atëhere zëri i provincialit të kapuçinëve nga mbas derës u bë krejt njerëzor, dukë thënë: Atëhere le të hyjë!
Dhe dera u hap dhe fretërit kapuçinë dolën jashtë dhe u rreshtuan në të dyja anët me qirinj të ndezuar në duar.
Ndërkaq unë dola nga banjoja e kafenesë, krejtësisht i demotivuar. A nuk donte të thoshte e gjitha kjo se, pavarësisht se çfarë ke bërë në jetë, ti në fund do konsiderohesh thjeshtë si një dele dhe kaq? A nuk ishte kjo një thirrje për demotivim? Apo një thirrje për të ndenjur i qetë sa i takon ëndrrave të tua të parealizuara dhe dështimeve të tjera në jetë?
Palermo, 15 prill 2025