RINGJALLJA E TIJ
Vajtonin …
Tri Maritë flokëlëshuar me zemër të plagosur.
Vajtonin plot me dhimbje
Dishepujt e ngurosur.
Me një shpërthim të furishëm rrasën e varrit
ngrite.
Dhe u shfaqe përsëri
Me trup të ri prej drite.
Prill 2024
AGIMI LIND NGA MALET
Kushtuar A….
Në vendin tonë agimi lind vetëm nga
malet,
Kurrë nga deti.
Kjo ndodh në jetë,
Po për shoqen e fëmijërisë
Kishte tjetër të vërtetë.
Në hartimin e saj
hidhnin valle fjalët
Dielli dilte nga valët
Si një Afërditë e zhveshur
Me lakuriqësinë e ndritur.
Ngjyrat farfuritnin
Një bukuri e panjohur i zbulohej
Syrit të mahnitur.
Ajo të ftonte të shihje
Këtë bukuri të paparë.
Mësuesi s’guxoi të thoshte
Se kjo s’kishte të ngjarë.
Ai s’guxoi të thoshte
Fjalën e “pamundur”
Se si shtrigan atëherë do bëhej gati
për të zhdukur.
Një realitet të bukur.
Ishte një realitet që e sheh vetëm poeti.
Në vendin tonë agimi lind vetëm
nga malet.
Kurrë nga deti.
2024-2025
ZGJEDHJA
Tërë çupat e Jutbinës motra i ngjanin Halilit
Dhe mua në xixëlluesen moshë të gjelbër
Tërë djemtë që takoja më ngjanin
porsi vëllezër
Veç Halili gjeti Tanushën…..
Po unë cilin?
FLUTURIMI I FUNDIT
Margarita Xhepës
Një mjellmë e bardhë u zhduk në qiellin tërë
dritë.
Emrin tokësor ajo e pati Margaritë.
Qe e zbardhur nga vitet, po s’i humbi
shkëlqimi.
Një jetë e tërë i shkoi fluturim pas fluturimi.
Një mjellmë e bardhë u ngjit në qiellin tërë
dritë.
U shndërrua në një yll me emrin Margaritë.
Prill 2025
NJË MIKU TË RINISË
Mbaj mend që dikur ti shprehe një çudi
Sa mirë i njihja ngjyrat e ylberit dashuri
Ngjaja si borë e ftohtë, po, ja kisha kaluar
Edhe unë në ato flakë dhe isha përcëlluar.
2023
MAMASË SË SHTRENJTË
Kur ishe ti
Ishe poezi e gjallë.
Ishte njëmendësi
Tash ngjan gati si përrallë.
Dhjetra e dhjetra poezi
Që shkruaj për ty sot
Të vizatojnë,
S’të rikrijojnë dot.
Asnjë s’mbeti nga kukllat
Që sajoje për ne
Nga minigjithësia prej stofi
Plot gjallëri e hare.
Djem, vajza, bebe e nuse
Mace, gomerë, arushë
Me të cilët për ne
Shtëpinë dikur mbushe.
Të tëra ato krijesa
Të një bote magjike
Do t’ishin i gjallë kujtim
Prej teje që na ike.
* * *
Të pashë në ëndërr me flokë
Të bardha si kurorë
Ty që s’pate në jetë
Asnjë thinjë në flokë.
Ti ike flokëzezë,
Pa rrudha
E zemërflakë
Që kurrë të mos jesh plakë.
Tetor – nëntor 2024
S’ËSHTË E RASTIT
Kujtimit të mikut të paharruar Jorgo Bulo
S’është e rastit që linde në pranverë
S’është e rastit që linda në vjeshtë
Është rilindje pranvera përherë.
Rrobëflori dhe kryehi vjeshta është.
Ti rilindje buzëqeshur çdo prill.
Mua vjeshta më zhyste në mendime
Unë jetoja të vjeshtës çdo trill
Diell e shi, gaz e lot dhe ëndërrime.
Me gjak zemre një vajze i dhe jetë.
Me gjak shpirti u dhe jetë fjalëve.
Do të mbetesh i gjallë përjetë
Te jot bijë, te ajo dritë mbi valë.
Prill 2025
PËR QIELLIN
Ke qenë në shekuj altar
Për t’i rënë në gjunjë
Tani je një e kaltër, e pakufishme
Udhë.
Maj 2021