pemë
nuk e di se si ngjau ato kohë,
kur të njoha ty, kur çmendesha për ty
kur të takova
të kisha si sy!…
gjithnjë kisha dëshirë të isha ajo krijesa,
që e dëshiroje më shumë,
e kishe të nevojshme
të ishe , të jetoje
me më shumë lumturi dhe dashuri,
prej të cilës prisja të shihja atë dritën
që të bën të gjendesh krejt ndryshe,
t’i shohësh me ngjyra të gjitha ditët!
dëshiroja të shndërrohesha në një …pemë,
duke shkuar rrugës,(ti), të mbështeshe ashtu rastësisht
(pa e ditur, se jam ajo pema )
të ndaleshe një copë herë,
ta ndjeja erën tënde të çuditshme,
mbetur në shqisat e mia gjithandej,
siç mbetet prej mbrëmjes një …ëndërr!
mbështetur ashtu tek ajo pemë, pa e ditur se jam unë
vetëm të pushosh , të ndjehesh e çlodhur,
i sigurt, se do ta kuptosh, se jam shndërruar në atë pemë,
sepse në çast do të çelja degëve lulet e mundshme,
që i bën të dukshme vetëm dashuria,
e cila vjen aq rrallë,
dhe që ne shpesh e neglizhojmë, pa shpjegim,
si një pemë anash rrugës,
prej së cilës ,(me nxitimin e pa kuptimtë),
heqim dorë të mbështetemi…
në emër të dashurisë
në kohën, kur u deshtëm
ditët e kishin qiellin në sytë e tu
në buzëqeshjen tënde shfaqej dielli!
ditët me ty ishin bashkësi sekondash,
ndërsa netët,…digjeshin nëpër ëndrra!
kot u grindëm, e dashur
kot u grindëm!
ç’është një re në qiell,
për të shëmtuar fytyrën e një dite?!
eja e dashur,
sërish t’i shkurtojmë ditët!
pakt
unë e ti jetojmë në këtë botë,
ku heshtja është …vdekje
dhe lufta është e…kotë!
mos i dorëzo armët dashuri
e ardhmja fshihet në lëvozhgën e një ëndrre!
kopsht
bota vetë është një kopsht
aty asht ajo molla ma e shijshme!
prej se e lakmojnë
rri në merak,
flej dhe zgjohem,
me zemër të ngrime!
mendim
nëpër ëndrra.
kopshtin e hireve të tua
bredh vend për vend!
kur më del gjumi
mbes pa…mend!
ndriçim
llampë është dëshira ime
me e ba të mundshme
me e pa atë,
por kur jam pranë saj
verbohem nga dashuria!
jam si i verbri,
që e ndjen Botën veçse me prekje.
inside
në heshtje,
mendoj një këngë për ty e për vete,
për kohën që më deshe,
për kohën që s’më deshe!
në heshtje,
mbetesh në vargjet e një vjershe
në një këngë për ty,
që është kënga për vete!
mot
po bie shumë shi, e dashur!
lumi mes nesh i përmbyti brigjet.
po vdes të shihem me ty!
do të mundohem ta kaloj me not këtë lumë.
nëse të thonë,
se në lumë dikush u mbyt,
dije, se jam unë.
po ti mos u merakos!
nuk është ndonjë humbje e madhe!
jam gjithnjë një ëndërr
unë…nuk jam ngjarje!
trishtim
thua,se nuk ke pasuri
por ndjehesh i pasur
në shpirt e në zemër…
ah e dashur!
po kush e fut sot,
dorën në zemër?!
mashtrimi
ajo gjithnjë më mashtronte
më thoshte, se më donte
së fundmi edhe unë e mashtrova
i thashë,
se nuk e doja.
preja
disa herë jam nis,
ta shkruaj atë letër,
në të cilën do të bëja përpjekjen ,
për të shpjeguar botën,
duke shpjeguar veten,
por më pengon dyshimi
nëse është ajo që shkruaj :
“a është …gjëja e duhur?”
në gojën e dyshimit
mbarojnë ditët e jetës
në gojën e tij të tmerrshme,
si një gojë …ujku.
ndëshkimet
gjithçka në këtë botë të hatashme, të magjishme
është një formë, përkryer nga Zoti apo natyra
Ai, pasi i gdhendi gjërat me dashuri, në pamje të ndryshme
i bëri të lëvizshme, pasi brendà trupave hyri fryma!
njerëzve Zoti u dha frymë për njëqint vite,
kështu njeriu ishte i lumtur deri vonë,
derisa Antinjeriu ndërkohë shpiku mënyra të çuditshme
t’ia hiqte, para kohe, frymën llojit tonë.
natyrisht Zoti e vuri re këto ndërhyrje
doemos mendon, si të bëj korigjimin ndërkohë,
por nëse vonohet ka një arsye.
koha nuk është njesoj si në tokë e qiej
atje një sekond është baraz me 100 vjet
i duhet të mendohet pak orë, për të bërë…ndëshkimet.
autobeteja
jemi në jetë rastësisht dhe gjithnjë,
si në një luftë gjendemi përfshirë,
kur duam diçka luftojmë ashtu pa zë,
të na kuptosh në urrejtje është e vështirë.
jeta, mundet është veçse një betejë
apo si një fat i rënë në një lojë?
jemi lojtar të fatit, balona nëpër erë.
kështu përfshihemi të gjithë në një si blojë
fshihemi brenda vetes, si në një shpellë
herë në muret e Trojës e herë brenda në Trojë.
e trishtë
ata e shemben teatrin
me fshehtësi të madhe
si hajdutët
në nxitim të shembjes së ngutshme
nuk dola dot.
ata e dinë se jam aty brenda rrënojave
dhe po…vdes!”
18 maj 2020
shetìtje pa ndodhi
trupi yt është gati të më jepet ngadalë
vetëm aq pak nga flirti më ndan
në zemrën që rreh pa thënë asnjë fjalë
daullja e mundësive bie dhe të lidhur më mban.
në ndrojtje i burgosur, zverdhur si fletë
si pema në vjeshtë dridhem pa prerë
dëshira që ndalet pas hekurave pa jetë
të një burgu pa roje, të një burgu pa derë.
dhe ti sërish je ashtu, si një vajzë
tunduese krejt si ëndrra e mëngjesit
me sharmin që ka veç dashuria e parë.
mos ngurro se çfarë më pas do të mbesi,
kur na drejton ajo që në zemër si gjak e mbajmë
ta prekin mëkatin para se të vdesim!
shpjegim pa kuptim
në shtëpinë ngritur prej teje fjalë pas fjale,
si prej gurësh të gdhendur
me dritare të mëdha,
ku hyn drita e një dielli të mençur
dhe dashuria si një magji
mbush hapësirën e dhomave plot lule
shumëngjyrëshe.
unë rri e kërkoj,
se ku mund të jem rastësisht.
trishtohem shpesh,
se kanga jote asht aq e bukur
e mue më ngjan vetja,
si një udhëtar endërrues,
lagur në shiun e dyshimit…
vetëm shpresa asht dielli që herë pas here
më ter e më ngroh,
ndërsa zhvendosem
në udhën e lodhshme plot riliev
pashmangërisht drejt hiçit.
sa lehtë është të më bësh të lumtur
pa humbur asgjë,
ndërsa më bën me u gjend
brenda ëndrrës,
si brenda levozhgës
të një fruti,
që e fsheh shijen,
pas një mbështjellje të ashpër,
vizatim i shpjegueshëm
nga krijuesi
i cili nuk jep shpjegime.
roja
Zoti shkoi me e pa pemën e mollës
në kopshtin e Tij në Eden,
ku e kishte lënë Adamin roje.
pa mollët e këputura,
u trishtua prej kësaj grabitje
iu duk, sikur kopshtit të cënuar
i vinte, një si erë.. djalli.
kontrolloi gjithandej
dhe i gjeti mollët e vjedhura
në xhepat e Adamit.
lexim dëshire
sa dua të më njohësh
ta dish se çfarë ndodh në mua!
je ajri që më përshkon tejpërtej
më ban me u ndje i magjepsur,
magjive të panumurta
nxjerrë, si nga mangët
fole të papritura bukurishë!
emri yt
më mbetet gjatë gjithë kohës në mendje,
derisa në gjumë të shkurtër
më ndalon vonë mbrëmja!
hyr brenda meje
zbuloje vuajtjen e dëshirës
që don me prek stolitë e fshehura
në burgun e lirisë, brenda teje!
peshë mëkati
jemi prej fjalësh dhe rrahje zemrash
fjalë të vërteta
hapësira ku merr frymë jeta.
fjalët na ndihmojnë me e gjet shenjën
e dashurisë drejt kopshtit të Eden – it
kur e kafshojmë mollën
mëkatin e mbajmë mbi shpinë,
siç mbajnë zogjtë mbi shpinë… qiellin!
Era dhe vela
Nëse mua më ngjan shpesh vetja
një varkë me vela,
jam i shënuar të jetoj mes detit,
ne këtë botë me pak shpresa,
ku erdha krejt rastësisht dhe u ndjeva
I dëshiruar!
Nëse unë jam ,si ajo varka
ti je shkaku,
pse fryhen velat
dhe e bëj gjumin me ëndrra,
për ta prekur tokën,
ku ma shkel syrin…e ardhmja!
ndodhi`
të humbja ty,
ish si të humbja këngën!
çfarë humba rastësisht
e gjej në ëndërr.
kur e shkruaj ëndrrën
është si të ndezësh një dritë
dhe bota e lexon
çfarë kam në shpirt!
foto
jeta asht një foto
shpesh harrojmë ku kemi dalë ashtu
harrojmë emrat, vendin, vitin…
ndërsa…vetë dashuria
asht blici!
dashuria
ai ishte i çalë.
ajo,
aq shumë e donte
sa nuk e vinte re,
se ai çalonte!
frikë në erë
nganjëherë më ngjan, se bota rrotullohet rreth meje
nganjëherë më ngjan,
se prej diku fryn një erë
dhe unë jam vetëm një gjeth në hapësirë
që vërtitem paprerë.
dridhem, kur mendoj
çfarë do të ndodhë me mua
një ditë,
kur të pushojë kjo erë?!
Shkurtima:
. . .
Lirisë
të gjithë u munduan me të dhanë frymë
dhe ta morën…frymën!
. . .
dashuritë janë si njerëzit,
herë qajnë, herë qeshin,
herë- herë …vdesin!
. . .
kështu është kjo jetë:
dikush ka uri, dikush mban dietë.
. . .
të ndiej o jetë që ikën ngadalë
muzikë pa fjalë!…
. . .
përjetësia dhe ajo… që jemi
në të cilën na përcakton rasti…
ne të lindur nga përjetësia
të mashtruar nga… çasti!
. . .
njerëz,
kur të ngjiteni në pushtete
ju lutem ruajeni zemrën,
mbajeni me vete!
. . .
ndodhesh aq larg
aq e përkryer!
dashuria ime …e kursyer!
. . .
kur ti nuk flet me mua,
duket sikur botës
i ka humbur gjuha!
. . .
nëse Zoti,
do të më kish shndërruar në një zog
ti e di,
ku do ta kisha folenë.
. . .
mos më harro,
se …fyhem!
mos më shtrëngo,
se… thyhem!
. . .
një nga një
i bën dorëzimet trupi…
po shpirti…
dorëzohet I fundit!
. . .
ti kurrë nuk mund të ikësh aq larg,
sa të mos mundem të mendoj për ty!
. . .
dashuria ime e madhe!
oh sa të vogël,
ma ke lënë dritaren!
. . .
kujtimet janë vendi i vetëm,
ku mund të “fshihemi” nga dhimbjet!
. . .
vonë më doli gjumi prej teje,
por kur u zgjova,
mbeta krejt pa gjumë!
. . .
mos u tremb
ne asgjë nuk humbim,
nëse shpirti jonë e tradhëton trupin!
. . .
dashuria…
nuk është zjarri ku digjemi,
por zjarri ku përkryhemi!
. . .
kush do ma shumë
vuan ma shumë!
. . .
jeta nuk është gjë tjetër
veçse,
hija e zbehtë e ëndrrës!
. . .
vajzë e virgjër,
letër e pa shkruar!
letër e shkruar,
vajzë e …dashuruar!
. . .
miqtë edhe mundet me të harrue ,
por armiqtë nuk të harrojnë kurrë.
. . .
gjumi është një vdekje e shkurtër,
ndërsa vdekja është një gjumë pa fund!
. . .
njeriu mund të zgjedhë shumë gjëra në jetë,
vetëm ëndrrat nuk i zgjedh dot!
. . .
vetëm vdekja…
na shpëton nga dhimbjet!
. . .
Lirinë e vranë, Lirinë e shtrinë
ne ecim mbi mermerin,
ku e varrosen Lirinë!
. . .
vetmia krijuese,
është Atdheu i vërtetë I shkrimtarit!
. . .
nderi nuk hahet!
turpi hahet me bukë!
. . .
njerëz pa zemër.
më sëmurët,
më bëtë me zemër!
. . .
dashuria,
është “shpikja : me harrue,
se jemi të vdekshëm!
. . .
pash at’ lter kishe
bëhu edhe një herë ajo që ishe!
. . .
Dashuria është “shpikja”
me harrue,
se jemi të vdekshëm!
. . .
Jam përkulë brenda vetes
ta njoh veten time
e jam ba …gjithë vëmendje,
gjithë sy…
brenda vetes të gjej vetëm …ty!