Biri
Biri im, në u lindsh nga trupi im,
Prej selvie, prej mëndafshi, siç ma tha dashuria,
Nga gjaku im, gjak i të parëve të mi
Që e ruajtën me nder e krenari
Emrin shqiptar,
Ti duhet të jesh bir, burrë me nam
Se kështu e do ky vatan – Atdheu
Biri im, në u lindsh nga trupi im
Bëju trim, e mos i’u frikëso hienave
Nëse të gjuajnë me gur, duroi plagët
Më ngjaso mua,
Si unë tim ati, e im atë të atit.
Udha e ardhjes
(Nipit tim)
I dashur,
Vërma dorën mbi ballë
Të shohësh djersë marathonomaku
Që rend shpirti drejt teje
Po qe se nuk vij sot
Në ditëlindjen tënde
Ku gëzimi merr hov – Kuptim jete
Do të vij një ditë tjetër,
Kur dielli do të ndriçoj më fortë
E retë do të zhdavariten prej përqafimit tënd.
Në sytë tanë s’do ketë lot,
Vetëm shpresë e gëzim
I dashuri im, trimi im!
Do më presësh siç të prisja
Horizonteve pa fund.
12.02.2019
Mall, deti i thellë
Njerëz të vetmuar, shëtisin brigjeve të Egjeut
Më duket se edhe ata, si unë, presin e kërkojnë diç të humbur
Në pakufinë e mallit, sa thellësia e detit
Çirrmë e një Violine gjëmon…
Mua më duket se klithmën time lëshon
Ky det merr anijet. Rrëmben ëndrra, fal shpresa
Ky det shton malle, ky det. Ky det lind e vdes rreze
Ky det merr e jep dashuri or’e çast dhe shekuj
Po mua, ky det, pse s’më merr. As ty nuk të sjell pranë meje?
Violina për kë rënkon, o Det?
Për fatin tim apo të Atij?
Fol o det!
Pulëbardhat vallen për kë e hedhin?
Psherëtimën time, pse e mbyt ky det?
Rri ballë detit e më bëhet sikur flas me dallgët e tij,
Si valë e shpirtit tim, që s’më le të qetë, pa ty.
Zogjtë në qiell, enden të shkapërderdhur nga i ftohti i këtij dimri
(unë e ndiej shumëfish, këtë të ftohtë, pa ty).
Fluturojnë e fluturojnë me qesëndi, zogjtë
Ëndrrën time nuk ma marrin dot
(për dashurinë t’jap jetën apo të tremben ty?)
Ky tërmet në shpirtin tim, të jetë nga acari
Apo nga vetmia, pa ty, që ilaç s’gjej?!
Ky mall, qenka përvëlim!
Selanik 10.02. 2024
Dashuri e papërsëritur
Vallë, u tërbove nga bota e andrallave të mia?
Si liman pa emër dhembja, buzë natës
n’ecje errësirës zhurmon psherëtima!
Ç’ u zbehën ngjyrat tek shuhet zjarr’tymi ynë
Ti që fikesh, e ndizesh me shpresën time që shtegton e hutuar
Natë pa fund, në ringun ku bëj luftë – vetmitare
Ëndrrat e frikshme më zgjojnë e m’trazojnë, në zgrip të agut pa nisur
Sa herë dënes, nga dëshira më bëhet se vjen,
Si përgjim drite hija jote
Dhe qesh si rreze dielli edhe në të ftohtin që më ka mbërthyer
Por ti, i mungon orëve të mia, e më zhdridh ankthi gjatë pritjes
E mpirë në mes të rrugëve pa emër,
Mundohem,
Që në pikën e lotit t’i gjej gjurmët,
Si ortek zbret parafytyrimi në lëngatën time
Pse nuk t’a prek psherëtimën e mallit që del mes buzëve,
As ëndrrën e bardhë, me ngjyrë parajse?!
Ta dinte bota rreth nesh se ç’është zija e heshtjes, se ç’është dhembja
Do të ndjente hidhësinë, mbase me një gllënjkë të vetme,
Atëherë do të na linin të lirë,
Do të shkriheshim përqafuar…
Por unë, unë po tretem me ikjen tënde
Në ka fuqi kjo fije shprese që rri ndezur në mua, le të më ringjall
Tani vetëm kjo psherëtimë më del nga fund shpirti:
Jeta është një, si ti!
Poezi nga libri “Vetëtimat e Heshtjes”, botuar në vitin 2024, mbështetur nga Ministria e Kulturës në RMV.