Romani “Dream House” i autorit Artur Baku, Botimet “Fishta”
Romani Dream House i Artur Bakut është një vepër komplekse që ndërthur fragmentimin dhe shtresëzimin e disa linjave narrative, duke krijuar një univers të pasur dhe sfidues për lexuesin. Në qendër të romanit është një shoqëri ndërtimi, e quajtur Dream House, e cila, pasi ka marrë një leje ndërtimi, fillon të ndërtojë një kompleks banimi mbi një varrezë mesjetare në vitin 1997, një veprim që hap një varg konfliktesh sociale, juridike dhe ekzistenciale. Përmes procedimeve letrare të realizmit magjik dhe postmodernizmit, autori mbështjell gjithë romanin me një mjegull absurdi dhe çmendurie.
Një nga elementët më dalluese të romanit është dialogu postmodern, ku narratori dhe personazhet hyjnë në ndërveprim të drejtpërdrejtë. Në fragmentin “Lupus in fabula”, një personazh sfidon narratorin, duke e pyetur për mënyrën e ndërtimit të historisë dhe duke e vendosur atë në një pozitë të vështirë përballë lexuesit dhe personazheve. Ky dialog thekson marrëdhënien e tensionuar mes narratorit dhe krijesave të tij, duke treguar se personazhet nuk janë thjesht subjekte të kontrolluara, por figura me autonomi dhe vullnet. Ky element metafiktiv shërben si një reflektim mbi artin e të shkruarit dhe rolin e autorit në botën moderne, ku lexuesi kërkon qartësi, ndërsa autori përpiqet të ruajë pasurinë narrative dhe stilistike të veprës. Narratori, i përshkruar si “muratori i kohë-hapësirës,” e pranon këtë sfidë, duke bërë kompromise, si tkurrja e sagës gjyqësore në një memo njëfaqëshe.
Linja e çështjes gjyqësore mes familjes Soka dhe shoqërisë Dream House është një alegori për burokracinë dhe korrupsionin e shoqërisë shqiptare në tranzicion. Proceset shtatëvjeçare përmblidhen në një faqe të vetme, duke krijuar një efekt grotesk dhe absurd. Ky reduktim ironizon sistemin juridik dhe krijon një tension narrativ që shmang lodhjen e lexuesit, duke përqendruar vëmendjen në çështjet më të rëndësishme të romanit. Ndërthurja e realizmit magjik me groteskun është një tjetër element që pasuron romanin. Varreza mesjetare, mbi të cilën ndërtohet kompleksi i banimit, është simbol i së kaluarës që refuzon të heshtë, duke krijuar një tension të vazhdueshëm mes të vjetrës dhe të resë, mes historisë dhe modernitetit. Duket sikur nga thellësia e tokës banorët dëgjojnë zëra, shohin imazhe nga eposi dhe hije që treten në errësirë.
Një tjetër linjë është ajo e emigracionit, që shfaqet si një narrativë e brendshme e personazhit që përshkruan arratisjen e tij të rrezikshme drejt Greqisë në fillim të viteve ’90. Këto episode, të ndërtuara me një realizëm të ndjerë, përshkruajnë kalvarin e emigrantëve të asaj kohe, duke reflektuar mbi dhimbjen dhe sakrificat që lidhen me këtë përvojë.
Historia e dashurisë midis Viktorit dhe Elenit përbën një tjetër linjë narrative që pasqyron kufijtë dhe pengesat e krijuara nga identitetet kulturore dhe sociale. Ky raport nuk është vetëm një histori dashurie, por një metaforë për përplasjen dhe bashkimin e dy botëve. Linja e verdhë që përshkruan misterin e një krimi ka një funksion të rëndësishëm narrativ, edhe pse nuk përbën boshtin kryesor të rrëfimit. Ajo përdoret si një teknikë nga autori për të mbajtur lexuesin të lidhur dhe për të injektuar tension dhe kuriozitet në strukturën e ngjarjeve.
Gjuha e romanit është e pasur, me elementë të prozës poetike që i japin tekstit një dimension të veçantë, duke e shndërruar atë në një përzierje mes narrativës dhe poezisë. Kjo qasje stilistike forcon ndjesinë e lexuesit se nuk po lexon thjesht një histori, por edhe një meditim mbi jetën, drejtësinë dhe artin. Narratori përdor shpesh groteskun dhe ironinë për të portretizuar absurditetin e situatave dhe për të nxitur reflektimin te lexuesi. Përplasja e stileve nga ligjërimi burokratik deri te figurat poetike, sfidon pritshmërinë e lexuesit, duke krijuar një narrativë që lëviz në kufijtë e njohurës dhe të panjohurës.
Romani Dream House është më shumë se një rrëfim për Shqipërinë e viteve ’90. Ai përçon mesazhe universale: përplasjen e së kaluarës me të tashmen, absurditetin e drejtësisë, të vërtetat e hidhura të emigracionit dhe betejën mes individualitetit dhe shoqërisë. Në thelb, është një vepër që sfidon lexuesin të mendojë përtej ngjarjeve të dukshme, duke e ftuar të eksplorojë shtresat e fshehta të historisë, psikologjisë dhe ekzistencës njerëzore. Në këtë kuptim, Dream House është ngrehina e tranzicionit tonë 30-vjeçar, një shtëpi ëndrrash e papërfunduar, një hapësirë ku realiteti dhe fantazia bashkëjetojnë si një gjë e vetme.