KreuLetërsiBibliotekëEsmeralda Sula Nikaj: Kur mungon dashuria

Esmeralda Sula Nikaj: Kur mungon dashuria

KUR MUNGON DASHURIA

Kur mungon dashuria, 
fjalët bëhen rruazore të zeza 
dhe shkeputen nga dora e besimtarit.

Kur mungon dashuria,
s’e ke më merakun e nënes
mencurinë e babait, 
as dhembshurinë e fëmijëve,

Kur mungon dashuria 
ditet jane përsëritëse.
S’është më deti brenda nesh
me zhurmën e mëndafshte 
       nga hapesirat e tij.

Dhe lotët, me pretekstin më të parë 
   çlirohen nga pesha e mundimit, 
kaq e ligë, kur moti është i lig
bëhet jeta kur mungon dashuria, 
aq sa s’di nëse jeton
shpesh vendos dorën mbi zjarr 
për të bindur veten: a jam gjallë? 

Kur mungon dashuria 
i kemi borxh vetes oazën e palumturisë, 
që prej frikës s’qemë të zotët ta gjenim.


RRËFIMI

një ditë
në dëshperim të thellë
me emrin e shenjtë të Atit u luta
duarkryqëzuar

në botën time
kisha ngelur ngelur si bardhësia verbuese e kripës që deti lë pas
zog i hedhur nga drurët
në këmbët e tua isha unë
unë, qelqi i thyer i të gjitha fjalëve të pathëna,
nuk kaloi shumë dhe takova djallin
nuk dija si të mendoja
çfarë t’i thoja
në cilat ujëra t’i drejtoja sytë,
nëse kjo ishte përgjigja e tij
apo i ligu donte të më hidhëronte me retë?

pastaj u bë natë
por drita e mirësisë kurrë nuk u shua
me një buzagaz  çapkën gëlltisja lotët që rridhnin poshtë qafës.

në mëngjes
qielli im u mbush me ëndrra
plot hi ndërtues
tokave të mia
kopshteve të tua
njeri, që aq shumë të dua.


TE PRAGU

sa herë jam kthyer me mall tek ti  
si i mërguari tek pragu ku e priste nëna,  
udhërrëfyer nga drita e shenjtë 
mundimshëm rrugëve te shkretëtirës, 
Ti – Toka e premtuar,
disa kalimtare mbollën gjemba 
dhe pastaj u cuditën si nuk mbijne trëndafila,
jo te gjitha dhimbjet shërohen , 
disa jane aq të thella, sa mbesin aty 
por ti, ti kaq e ëmbel, 
ti di të rrëzosh kurorën 
me dafina që u kishe vendosur 
të huajve  “që të deshen “ 
e sot me lot ne sy kthehesh përsëri, 
si te pragu ku te priste nëna,
tek vetja ime 
tek shpirti im.


RRËFIME TË NDRYDHURA

(Femrave shqiptare)

Do t’i njihni ato nga e ecura çapkëne,
me një përzjerje buzëqeshjesh të fishkura
që u fërgëllon në trëndafilin e kuq të buzëve.
Xixëllonjat e kohëve të ngrohta 
     që trembin errësirën
kanë patjetër gropuar gjoksit një histori,

kujtimi i thikës së mprehtë në mish,
jastëku mbledhur zhubra-zhubra ankthi.
E kanë një tablo të bukur e të fshehtë,
të njerëzve plot dritë shpëtimi në shpirt 
që zgjatur u kanë dorën në kohë braktisjesh.
Do t’i njihni patjeter ato
kur shfaqen si mantel qëndisur me diell
mbushur me gëzim të shenjtë
si në sytë e përdëllyer të ikonave.
E qeshura vezulluese heshtjeve të thella,
ku lulja në ngjyrë gjaku 
ndrydh një rrëfim në kraharor.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË