More
    KreuLetërsiBibliotekëJoyce Chua: Perandoria e zotave dhe e kafshëve

    Joyce Chua: Perandoria e zotave dhe e kafshëve

    Një. Trëndafilja e shkretëtirës

    Një errësirë e tjetërsojshme pllakosi në malin Yeli.

    Kishte shekuj sekretesh të përfshira këtu, sa të lashta aq dhe të panjohura, por malet kishin parë gjithçka, që nga luftërat deri tek uria, nga revolucionet e deri te spastrimet. Ajo mbante plagët e një mbretërie dhe të popullit të saj. Kishte histori për të treguar dhe Trëndafilja e shkretëtirës mendoi se po t’i dëgjonte mjaftueshëm së afërmi, gati-gati do t’i dëgjonte ato të përcjella nga tufanet e ftohta veriore.

    Tashmë diku aty në rrëzë të malit, ajo ia nguli sytë teksa i shfaqeshin majat e tyre të thepisura që shponin qiellin e bojatisur. Zotat shtriheshin përtej asaj që mund t’i shihnin sytë, sipas fjalëve që i thoshte matriarku i fisit të saj, Anar Zeli. Ata panë dhe dëgjuan gjithçka, madje edhe zërin më të mpakur nga zemra. Ishte një mënyrë për t’i thënë Trëndafilit të shkretëtirës që të ruante bindjen apo prirjen për të besuar se ajo nuk ishte kurrë vetëm apo e braktisur në këtë botë. Mbi të gjitha, ishte e lehtë që ajo të mendonte kështu, duke qenë një fëmijë jetim që kryefamiljari i fisit Dugur e kishte marrë në shkretëtirë dhe e kishte birësuar. Anar Zeli i kishte thënë gjithmonë të besonte se perënditë po kujdeseshin për ta, për atë dhe për fisin, pavarësisht se sa të tmerrshme dukeshin gjërat.

    Mirëpo Trëndafilja e shkretëtirës kishte hequr dorë prej kohësh nga besimi, veçanërisht te perënditë. Ishin ato që kishin lejuar që fisi i saj të copëtohej nga kombet ndërluftuese rreth shkretëtirës dhe ishin po ato që i kishin dhuruar asaj një aftësi magjike të cilën ajo nuk e kishte kërkuar kurrë. Ishte edhe dhuratë edhe mallkim njëkohësisht, ashtu sikurse dhe vetë fati i saj.

    Nëse perënditë do të mbanin vesh vërtet, ato nuk do të kishin lënë Anar Zelin të vritej nga perandori aktual i Oasis-it, Hani. Nuk do të lejonin bllokimin e babait të saj në qytetin Fantazmë në këmbim të sigurisë së fisit, apo ta linin Vein të vritej nga i vëllai, po i njëjti person që kishte vrarë Anar Zelin. Nëse perënditë do të ishin të fuqishëm dhe të drejtë, ato nuk do të kishin lejuar që shkretëtira të shkatërrohej nga mbretëritë që e rrethonin, apo që bota të përfshihej tejmase me magjinë që binte në duar të gabuara.

    Por Trëndafilja e shkretëtirës e dinte se ishte e kotë të fajësonte perënditë apo dikë tjetër. Fati i mbretërive ishte shumë më i madh se vetë ajo, fisi i saj apo mbretëritë ndërluftuese. Ajo ishte vetëm një hallkë në lojë dhe duhej të luante rolin që i kishte rënë për hise ose në të kundërt do të vdiste.

    Nuk e honepste dot faktin se mund t’i lejonte perënditë ta përdornin apo të luanin me të si të ishte një lodër.

    Ajo do ta gjente një mënyrë për të mbijetuar dhe për të hedhur poshtë profecinë. Fati i saj nuk do të varej nga duart e perëndive, por do të ishte vetë ajo që do të merrte në dorë frerët e jetës së saj.

    – Ata kanë vend, – tha Uindshadou nga mbrapa, duke mos e lejuar atë që të vijonte të mburrej. Vajza tjetër e shkretëtirës erdhi dhe e shtyu.

    – Eja.

    Ishte një marrëveshje e minutës së fundit dhe me një lëvizje të vogël fati, ata kishin arritur të gjenin një han me një dhomë rezervë për natën. Kishin udhëtuar prej dy javësh rishtas për të mbërritur më në fund në malin Yeli, duke ndërruar bujtina dhe pseudonime dhe duke bërë punë nga më të çuditshmet në këmbim të akomodimit dhe ushqimit gjatë rrugës. Duke qenë se ishin kaq larg Kryeqytetit, reputacioni i tyre nuk i kishte paraprirë. Për vendasit, ato ishin thjesht dy vajza që vinin nga jashtë qytetit këtu për të bërë punë të çuditshme dhe për të siguruar jetesën e tyre.

    Megjithatë, sa më shumë që i afroheshin maleve, dallimi në qëndrimet e vendasve ndaj tyre bëhej edhe më i dukshëm. Vështrimet e kujdesshme nguliteshin mbi to teksa kalonin; njerëzit pëshpëritnin pas shpinës së tyre. Tensioni ishte i pranishëm dhe ndihej në ajër, ndonëse vajzat u përpoqën të shpërfillnin vëmendjen e padëshiruar, duke përulur kokat dhe duke mos qëndruar kurrë në asnjë vend aq gjatë sa dikush mund t’u afrohej më shumë seç duhej.

    Trëndafilja e shkretëtirës nuk ishte e huaj për malin Yeli, kjo pasi kishte qenë aty në një mision për të gjurmuar një mercenar kohë më parë. Ajo përfundoi duke takuar gjysmë motrën e Veit dhe familjen e saj shouren[1], duke zbuluar se sa nga ata njerëz-bisha mbetën të fshehur, nga frika e persekutimit për të qenë ashtu si ishin në një shoqëri me një qasje jo tolerante ndaj magjisë.

    E megjithatë, ja tek ishte ajo me Uindshadoun, dy Elementalë pasardhës të lindur nga dy të pavdekshëm, përsëri në mbretërinë Oasis të sunduar tanimë nga një perandor i etur për luftë. Po të mos kishte qenë për faktin se Elementali i Tokës thuhej se banonte në këto male, ajo nuk do të kishte shkelur kurrë më në mbretëri.

    Të gjithë sytë ishin të fokusuar mbi ato të dyja ndërsa hynë brenda. Uindshadou dukej se nuk shqetësohej nga vëmendja, duke ecur përpara teksa djaloshi i autobusit i shoqëroi ato lart shkallëve drejt një dhome të lirë, funksionale në qoshen e largët të bujtinës. Trëndafilja e shkretëtirës mund të thoshte se Uindshadou e nervozoi djalin e ri, duke pasur parasysh mënyrën se si ai vazhdonte t’i hidhte asaj vështrime tinëz dhe u largua me vrap sapo Uindshadou bëri pagesën.

    Pasi mbetën vetëm me njëra-tjetrën, Uindshadou filloi të kontrollonte çdo qoshk të dhomës, më pas hodhi sytë nga dritarja për të vëzhguar rrethinën. Trëndafilja e shkretëtirës ishte shumë e rraskapitur për të marrë ndonjë nga masat e nevojshme; gjithçka që donte të bënte ishte të rehatohej në shtrat dhe të hiqte ankthin e vazhdueshëm për t’u kapur nga njerëzit e perandorit Han, për helmin që ende rridhte nëpër venat e saj dhe kundërhelmin që Mengu kishte siguruar për atë të mbështjellë në tunikën e saj si dhe për ndjesinë e vazhdueshme që mbretëria Oasis nuk ishte më e njëjta.


    [1]  Një ndër fiset e shkretëtirës. (Shënim i përkth.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË