More
    KreuLetërsiBibliotekë"21 brenda - 21 jashtë", tregim nga Loer Kume

    “21 brenda – 21 jashtë”, tregim nga Loer Kume

    …me të kaluar gardhi do hapet zjarr ushtarak… – ta gjakos… 

    – dëgjon, – ta, ta gjakos…

    ***

    Autobusi jonë ecën nëpër kthesat e Ballshit. Një rrugë në një udhë. Një udhëtrip, nga udhetim në destinacion, drejt Athinës, dy javë pushime, në janar, në dimrin tonë mesdhetar, nga i paftohti i njomë i Shqipërisë, në të paftohtin e thatë të Greqisë.

    – Asnjë s’ikën me pushime në janar në Athinë, – i them Lorit.

    Autobusi rrotullohet nëpër kthesa. Një njësi lëvizëse shqipe, me njerëz me halle, me qejfe, me gjuhë, shqipe, e vende vende greshqipe, me radio, thelbësisht shqipe, zëri është i ngritur në volum të lartë, e tërë veshët e autobuzit, ngritur drejt.

    – Kjo protestë po bëhet shumë problem, – thotë Lori.

    – Të gjitha protestat njëlloj janë, i them, – po kësaj radhe e panë të tërë, me zë e figurë, dhe kur njerëzit panë lakuriq ate që kishin imagjinuar… njerëzit nuk durojnë dot më blloqe e me miliona. Ndërsa vetë janë në pikë të hallit.

    – Shpresojmë s’ka skenare të fshehta sot, se shumë njerëz aty, më vjen keq. – thotë Lori.

    Heshtim dhe dëgjojmë. – Ne të dy, gati një ndjesi sikur po braktisim vendin, – thotë papritur Lori.

    – Vendin s’po e braktisim, se dhe të rrinim, s’do ndryshonim botën. Por… dhe unë e kam ate ndjesi. Heshtim. Dëgjojmë.

    – Maksimumi unë do shkruaj diçka. – them. Pa ditur që do shkruaja vërtet diçka 14 vjet më vonë. Heshtim ndërsa dëgjojmë radion.

    Çdo kthesë shton një grimcë ankth, një grimcë rrotullim, një grimcë lajm, duke krijuar një lëmsh të akullt që endet nga një cep në tjetrin, brenda llamarinës kuboide me rrota, që na transporton nëpër kodrat gri, që notojnë mbi detin e naftës poshtë.

    – E vranë! E vranë! Qëlluan! Qëlluan!

    Fjalia nis nga radio nga vendet e para, e përhapet nëpër kokat tona, flakë shkrepseje, duke u shtuar e djegur neuronet Brenda kafkave. “E vranë” rrokulliset si thes plot me kocka e thika nëpër kthesat e rrepirat e Ballshit, e diku pas pak, zmadhohet në “I vranë!” “I vranë” “Po na vrasin more!”

    Ky lëmsh i ftohtë fjalësh, kockash, thikash, e akulli na bie në veshë e kokë e na peshon në shpatulla, ndërsa lëmë pas vendin tonë pas në hall e kaos. Heshtja, e përtej doganës së Kakavijës pllakos autobusin që çan përpara në tokë greke.

    ***

    Brenda qetësia është dëmtuar. Një uturimë depërton xhamat, dritaret, ushtron force mbi tapetin, tryezen, kolltuqet, tryezën tjetër, raftet, lëkurën e praruar të mobiljeve, ushtron dhunë, mbi kadifenë e butë, mbi stofin e rrobave, mbi shkelqimin e kepucëve, mbi stomakun e tij të pangrënë prej ditësh, mbi kokën e tij, depërton dhe kafkën e tij të fortë. Ka mbështetur brrylat mbi tryezë e ka hapur gishtat mbi ballë, duke peshuar kokën në duar. Nuk rri veç pak sekonda ashtu. Çohet dhe ecën nëpër dhomë. Ndalon pranë derës larg dritares. – ça po bëjnë? – flet pa kthyer kokën. Personi tjetër kupton, çohet nga vendi ku po rrinte në heshtje, dhe shkon pranë dritares. Përpiqet të shohë pa bërë lëvizje. – është katastrofë. – flet. Po shtyjnë gardhin e policëve. Nëse zgjat kështu shumë shpejt do kapërcejnë hekurat e do futen Brenda.

    – Brenda? Brenda? – bërtet ai dhe hedh një hap të vetëm drejt dritareve.

    – shef, të pregatis një plan evakuimi?

    – Pregatite, po. Të hyje njëri brenda këtu?

    – Shef, nuk kanë ardhë për ju. E kanë me bllokun dhe I.M.

    – s’kanë ardhur për mua, po janë jashtë dritares sime.

    – shef… – hesht dhe mendohet. Por, mendohet si llogaritar. Ai e sheh. Pret të flasë. – fol.

    –  Situata është e rëndë shef. Turma është shumë e madhe dhe e pakontrollueshme. Protestuesit i mbytën policët. Shefat e protestës nuk janë. Turma është lënë e lirë. Thanë që kjo është protestë e njerëzve. Është e tillë situatë. Jashtë kontrollit. Do hyjnë Brenda shumë shpejt.

    – Brenda? – foli me zë gjoksi ai. Hodhi dhe një hap tjetër drejt dritares. Personi pranë perdes pa me një ndjesi të përzier tmerri nga jashtë e Brenda, sytë e tij të çapëlyer e të kuq. – këtu brenda, në zyrën time, nuk hyn njeri sa të jem unë. Gjallë jo. Nuk ma marrin shtetin lepujt mua. Jo. E di unë ç’u bëj atyre. E di mire unë, ç’mund të bësh kur je aty jashtë e do të hysh këtu Brenda. Një mut. Kam qenë unë aty, e di mire unë. Ata të hyjnë këtu Brenda? Kur jam unë? Gjallë në botë. Ai hesht. Personi tjetër hesht. Zhurma e jashtme dëgjohet të rrjedhë nëpër perde. Ecën e sheh raftet me libra aty këtu. Kthehet befshëm nga personi. – e di ti që Ahmet Zogu bëri plan të hidhte kuvendin në erë me tërë ç’kishte Brenda? Për të ngritur një shtet të ri fare. Ia tha këtë plan Sejfi Vllamasit, mikut të tij. Por ai nuk e mbështeti. – Hesht sërish. Buza e poshtme i është njomur me pështymë. – Shko, dil, e më sill ministrin e brendshëm këtu. Dil e organizo gjërat. Mjaft më. S’ka shans njëri, gjallë jo. Do ua tregoj unë ta mbajnë mend këtë 21 janar. E di unë ç’duan ata. E di unë ç’u bëj atyre. Do hapim zjarr. Do hapim zjarr. 

    Personi hesht pak sekonda. – Patjetër shef. – flet ai.

    – Shko. 

    Personi doli jashtë duke ecur pas me shpatullat e rëna, me fytyrën nga ai, si në kishë. Dera troket menjëherë. – Futu, ulu. 

    – Po zoti kryetar. Ministri ulet dhe futet në xhaketë. – Ç’na bëri ai, – nis të formulojë një fjalë, derr, ai derri, por i del nga goja, as vetë nuk e kupton, – ai i shëndoshi kryetar! Ç’na bëri!

    – fajin e ka ai ish ministri i tij. S’ka faj ai.

    – E vërtetë zoti kryetar. Ministri hesht. Pastaj pyet. – ç’të bëjmë zoti kryetar.

    Ai ecën nëpër dhomë pa ndalim. – Ta them unë çdo bëjmë. Këtë godinë nuk ma merr njëri mua. Kjo është zyra ime. Unë jam shteti. Atë gardhin poshtë nuk e kalon njeri. Ta them unë çdo bejmë. Dil tani urgjent, lidh operacionin, dua grup zjarri. Dua tre grupe zjarri. Dua snajperat të jenë gati në pikat e tyre. Dua një grup zjarri Brenda godinës. Dhe një grup jashtë. Dua që kur të them unë, sapo të të jap sinjal unë, ti të japesh urdhër, të hapet zjarr. Ta shohëesh ti. Do ta shohësh si ikin këta. Do qëllohet. Drejt. – fytyra e bardhë e palëvizshme e ministrit behet edhe më e bardhë, ndërsa ai vetë zhytet e zhytet më thellë në xhaketën e tij. – këta i kanë lënë si qeni pa zinxhirë. U gënjen mendja. Do ta shohin këta me kë kanë të bëjnë. Këta të më marrin mua…  Dua zjarr. Kur të të them unë. Ti do i lëshosh… Do qëllohet. Pikë. Shko Brenda pesë minutash dua njerëzit në pozicione.

    Ministri nuk po çohet dot nga kolltuku. Bën të lëpijë buzët e thara, por gjuha nuk i bindet. Kërkon veten brenda xhaketës kërkon një shteg që të kapë veten e ta nxjerrë jashtë xhaketës së tij të pafundme. – shko! Bërtet ai i çakërrisur. – po si… sikur… – Mini po bën çmos, të urdhërojë trurin të dërgojë idenë e duhur drejt gojës. – po sikur … do ishte më mirë që ta drejtonit ju vetë këtë operacion, sepse askush nuk do më bindet mua, nuk e kam autoritetin tuaj unë, nuk me binden për një urdhër të tillë. – shfryn ajrin më në fund ai. Brenda xhaketës një të qintën e sekondës ai ia bën me sy trurit të tij, sa bukur!

    – Shko mor! Çohu! Shpejt! Shpejt! Bërtet ai.

    Ministri del. Dera që tërheq i kap cepin e xhaketës. E hap sërish, e mbyll sërish. Brenda zyrës zhurmat e jashtme cingërisin qetësinë absolute të përhershme. Kjo gjë e çmend. Trokitje. Hapet dera.

    … – Nuk ka mundësi… – kjo është jashtë çdo… – ata në fund të fundit po protestojnë, e kemi bërë dhe ne… – s’ka ndodhur kurrë një gjë e tillë… – jooo! Po si…

    Personi i parë futet Brenda. Mbyll derën, duke lënë jashtë zërat dhe bisedat e paradhomës.

    – Gjithçka është e rregulluar. – thotë me pëshpërimë.

    – ky idioti donte ti shmangej detyrës, s’mban përsipër asgjë.

    – I mora unë masat. Jashtë janë njerëzit. Kam komunikim me gardën. Nuk do hyjë njeri këtu.

    – Turma të linçon o ti… – flet ai.

    Nga jashtë dëgjohet një uturimë e madhe, rendin të dy te dritarja pa u menduar, një makinë ka goditur portën e hekurt. Ai fërkon kokën. Shperthen, – thirreni idiotin, jepni urdhrat, jepni urdhrat, sulm, sulm tani në sekondë! Tani!

    ***

    Njerëzit fluturojnë në qiell. Papritur.

    Po rrija në bulevard,  përballë derës së kryeministrisë duke parë çdo bëjnë ata brenda. Papritmas tërë njerëzit u ngritën lart. Shoh një, tre, dhjetë, shumë njerëz që enden qiellit gri nëpër tymin dhe erën e ndjegësirës. Njerëzit më fluturojnë mbi kokë, e më mbulojnë duke më parë ngultaz. Më duket se bërtasin. – Ziver! Ziver! – thërrasin emrin tim ndërsa tundin duart sa nga unë sa nga kryeministria e cila është zhdukur, nuk e shoh më çuditërisht. Diku larg përtej njerëzve ndonjë copëz qielli i kaltër, larg shumë larg. Pse më flasin të tërë mua? Kam ftohtë në shpinë. Më dhemb gjoksi. Mos qëlloni, mos qëlloni – bërtas, ndërkohë njerëzit më enden mbi kokë dhe bie errësirë e menjëhershme.

    Dëgjoj që thërasin mos qëlloni mos qëlloni, shoh një person që tund duart mbi trupin e një njeriu të shtrirë në tokë, palëvizshëm. Bëj një gjest dëshpërimi në ajër me dorë, në dëshirën për të parë më nga afër ç’po ngjan afër derës së kryeministrisë, kur diçka si ndonjë insekt i shpejtë më spostoi dorën vendit, duke ma lëvizur jashtë kontrollit tim. Papritmas, një dhimbje therëse e tmerrshme sikur më hoqi krejt krahun vendit. Shoh gjak. Qënka gjaku im. Qënka dora ime. Ulëras nga dhimbja, shoh përqark nga shokët prapa kamerave e mikrofonave, ata kthehen nga unë, mua më kap syri prapa tyre një zotëri të bëshëm me duar në xhepa që tund kokën, dhe rrëzohet përdhe. Dëgjoj ulërima, Hekuran, Hekuran, njerëz e kapin për shpatullash e krahësh, dëgjoj të bërtitura, na vranë, po qëllojnë me plumba të vërtetë…

    Ktheva kokën nga ulërima që bëri dikush pas meje, një gazetar ulëret dhe e ka dorën e shkalafitur e rrobat po i spërkaten me gjak. Po na qëllojnë me plumba të vërtetë, thërras, papritmas njerëzit ngrihen fluturimthi në ajër sipër kokës time, miqtë po endën në qiellin gri, e me thërrasin Hekuran, Hekuran, më dhemb koka, e dija që kjo dita sotme do më jepte dhimbje koke, unë u them po na qëllojnë me plumba të vërtetë, po na qëllojnë…

    Dëgjoj britma po na qëllojnë, kjo histori u zgjat shumë, dhe më duket se po harxhojmë kohë kot tashmë, mbase rashë në qetësi, por po më vjen si uri, kur shqyej sytë, një djalë para meje tundet, dhe përplaset në tokë, gjërat lëvizin shumë shpejt, njerëz mblidhen, e ka marre plumb në gjoks thonë, ç’bëhet kështu? Duhet ikur nga këtu, po krisma dëgjohen apo jo? Nuk dëgjoj krisma, po, sapo degjova një krismë. Tërë njerëzit në shesh ngrihen në qiell sikur pistoleta shkrep në lojrat olimpike, tërë njerëzot që shoh janë zhytur në tymin e përhapur, e kurorat e pishave  të bulevardit fluturojnë dhe ato bashkë me njerëzit… shoh ate djalin që ka rënë në tokë, qielli duket përtej vrimës së tij në gjoks… më dhemb gjoksi, mos kam infarkt? Faik, Faik, më thërret…

    Dëgjoj që thërasin një emër, Faik Faik, dëgjoj që thonë ra, ra, shoh njerëz të vrapojnë me njerëz në duar, kam futur duart në xhepa dhe po rri i mpirë në mes të bulevardit, shoh vendet bosh nga ku janë shkulur gurët, shoh makinat e djegura, gardhin, policë a ç’dreqin janë veshur me të zeza, që lëvizin brenda gardhit si në ndonjë koreografi, këtu situata u bë katastrofike, do më flasë ime shoqe në shtëpi, Aleks pse e zgjate, Aleks ça dreqin doje që ndenje aq gjatë, mendon se bllokun e zi të zv. Kryeministrit do ta zgjidhësh ti? Këta kështu janë, asgjë s’do ndodhë, e bëre tënden, kthehu në shtëpi… njerëzit papritmas me një lëvizje të beftë ngrihen në qiell të tërë, vetëm unë jam ende në tokë, më dhemb koka nga thirrjet e gruas, duhet të kishe ardhur në shtëpi, ke fëmijë për të rritur, Aleks, Aleks… s’di pse thërasin, Aleks, Aleks.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË