Në fasadën e madhe të atij universiteti amerikan, dallohej qartë emri i skalitur në shkronja bronzi. Në anglisht dhe arabisht. Fakulteti i Manaxhimit-Nadeem Karari. Emri i miliarderit arab- ndërtuesit donator të godinës së re të Fakultetit të Biznesit. Njëherazi kryeministër i vendit më të lulëzuar të Lindjes së Afërme Arabe. Asifi, përndryshe Zemërbuti, djali i pestë i miliarderit dhe investitorit me emër, zgjodhi të studiojë tamam aty: në universitetin me emrin e të atit…Jo thjesht nga emri por edhe sepse ky ishte universitet i rankuar lart në klasifikimin botëror. Natyrisht ndjehej edhe krenar të studionte në një shkollë me emrin e babës në fasadën e madhe të fakultetit.
…Ishte në një kurs studentor me një përzierje interesante kombësish, ku dominonin latino-amerikanët ardhur nga Brazili, Kolumbia, Argjentina dhe sllavët e vendeve ish-komuniste të Europës Lindore. Polakë, sllovakë, bullgarë, çekë. Spikaste mes tyre maxhar-ja apo ndryshe hungarezja e bukur Eszter. Por djali e kish thirrur ndryshe që në fillim të njohjes së tyre. E pat “pagëzuar” me emrin e bukur hindu, por me origjinë arabe, Absara. Përndryshe Hyri (Nimfë). Sigurisht me lejen e saj. Se si kish ngjitur ky emër ashtu…Edhe emri hungarez pothuaj ish harruar. Shumë shpejt. Madje edhe nga bashkëstudentët e kursit. Jo më shumë se një muaj pas njohjes me djalin nga Lindja e Mesme. Ajo i ishte ulur vetë pranë në bankë, aty nga muaji i pestë i kursit. Ishte kureshtare dhe pat filluar ta pyeste për vendin e tij, fenikasit, arabët, plazhet e Damrutit… Tamam atëherë filloi edhe ai ta thërriste Absara-Hyri-Nimfë…
…Jetimja e gjorë. Pa prindër. Diku qenë vrarë a kishin vdekur të dy aksidentalisht. Ndërsa gjyshja apo edhe gjyshi sipas tregimeve të saj, ishin vrarë nga gjermanët, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një histori dramatike familjare në breza. Ajo sikur kish thithur krejt lëngun e jetës të paraardhësve ikur para kohe. Shkëlqente në pamje, finesë, inteligjencë e hire të tjera, saqë habiteshe teksa zinin vend kaq dhunti në të njëjtën femër. Thuhej se pat kryer edhe studime të tjera në një kolegj të famshëm amerikan, përpara se të vinte aty. Pat spikatur e tregonte vetë se pat qarë kur në fund të studimeve, pat parë mbi diplomën e saj të shkëlqyer, firmën e presidentit amerikan. Honor për rezultatet e studentes së paparë nga Europa lindore…
…Që nga ajo ditë e uljes së tyre të parë së bashku, s’i shihje më kurrë të ndarë. Në fillim e sodiste ajo atë, gjithmonë. Edhe kur ai s’e kishte mendjen. E ndiqte me sy pareshtur. Madje edhe pjerrtas, në profil, nga poshtë tek ulej të merrte diçka që i binte rastësisht për tokë… E ngacmonte tek ndiqte leksionin. E prekte lehtaz. I shtynte këmbën. I afronte kurmin me aromën e saj tërbuese fare pranë, ngjitur. Atij filloi ti dukej se po marrosej. S’e kish besuar të binte ashtu vetëtimthi në dashuri. Nuk arriti të kuptonte sesi frenat i pat marrë ajo në dorë që në krye. Pa urdhër. Pa teka. Pa kapricio. Me bukurinë e saj të magjishme dhe ledhat që tërbonin dhe atë që s’hante pykë. (Patën shkuar një herë më vonë, kur nisën së bashku udhëtimet ekzotike pa fund të week endeve e pushimeve semestrale, në një plazh të Greqisë a diku të Mesdheut të largët. Dhe s’dihet se nga ish gjendur një gomar që u ish qepur nga pas, i eksituar për tmerr pas trupit të saj prej nimfe, e me penisin ngrehur. Ajo kish vrapuar edhe e trembur por edhe duke qeshur si e luajtur duke treguar me gisht tek ikte organin e marrosur të gomarit mesdhetar…)
…A merrej një e tillë?… Po a lihej një e tillë? Apo pikërisht sepse ishte e tillë, prandaj nuk mbahej dot….Dilema e parë filloi të lindte kur ai nisi të bindej gjithnjë e më shumë se ajo ishte nimfomane… E çmendur për të tërhequr vëmendjen e çdo mashkulli në qindra metra katrorë po të mundej, të territorit ku mund të arrinte të rrëzëllente bukura e saj. Apo i dukej atij se ishte e këtillë, zhytur çdo ditë thellë në detin e dalldisë së ledhave të saj e që kësisoj s’i mbetej të qe thjesht dashuri e marrë. Apo ishte vërtet nimfomane, a histrionike, siç quhej në kursin e çrregullimeve të psikologjisë së personalitetit e nuk mund të mos bëje sikur s’i shihje a nuk i kuptoje ca prova që të shtynin të mendoje që në mos sot, mot, joshja e saj për meshkuj të çdo lloji, dëshira për t’i bërë të gjithë për vete, edhe pa seks, por me çdo kusht… Por edhe me seks, pse jo… kur mbetej i vetmi kusht që të ishte ajo qendra e vëmendjes mbi çdo tjetër… Apo edhe tradhëtitë s’do të kishin fund?
…Por mesa duket ai pat rënë në lak e s’i shpëtonte dot. Ishte gjithmonë e njomë e turbulluese. Verboheshe ta shihje dhe ktheje kokën mënjanë për t’i shpëtuar tundimit të djallit… që luan mendsh çdo kend… E ajo që thoshte se i përkiste vetëm atij… Kujt? Atij! I tërë djalli vetëm atij?!! Apo ai djallit.
…E si vallë nuk ngopej ajo së marruri, adhurime e komplimente nga çdo anë. E kjo e çmendte akoma më shumë Asifin… Por sidomos se qe e freskët e tunduese ditë e natë, në çdo kohë e stinë, në çdo vend a gjendje. E jo vetëm në pranverë kur aromat kundërmojnë njomështi nga një qenie e re e sidomos e bukur si ajo, por edhe në dimër, sado e veshur trashë të ishte. Në të vërtetë nuk vishej kurrë aq trashë. Linte kurdoherë me finesë të spikaste sensualja edhe nga një palë e palltos a një hedhje çapkëne e shallit mbi supet dhe qafën prej drenushe. Lëshonte ca aroma vetëm të sajat që s’kish deodorant të krahasohej me to. Saqë një herë tek ngjiteshin me ashensor për në dhomë të tij, Asifi s’pat duruar por e kish zhveshur që aty dhe e kish marrë në krahë, pa çarë kokën tek hapej dera, për sytë e çakërritur të cave aty që pris nin të ngjiteshin a zbrisnin… Dhe të mendoje se në Damrut e në familje e quanin djaloshi i ndrojtur.
Ajo u përgjigjej gjithnjë e të gjitha ndjesive. Të tijave e të sajave. Ndoshta edhe të të gjithë të tjerëve. Aty ku lindte dhe gjendej dilema. Reagonte a vepronte vrullshëm, instinktivisht vetëm mbi bazë të tyre. Një letër, një ngjarje, një përshëndetje dhe reagimi ishte si për një ngjarje sensuale që merrte një reagim dy-tri herë më seksual… Edhe më të pavëmendshmit a më profanët po e kuptonin se ajo po kthehej në një sëmundje, drogë, pasion i çmendur, adiksion për damrutasin e ri.
…“Po ç’kish bërë vallë ajo me atë fotografin çunak aty brenda, kur ajo e kish lënë të priste Asifin pak si shumë, në korridorin para studios, tek i bënte ca foto për një revistë mode e kish dalë e skuqur lehtas… ndonëse aty brenda kish qenë vapë vërtet ei pa vetë llambat e ndriçimit dhe dritën e fortë që lëshonin e pa dyshim jepnin nxehtësi… Po pse ç’u bë ajo… dhe në aq pak kohë dhe me kë, me një çunak buzëqumësht… Ai ua kish frikën më shumë ca tipave të tjerë… kish vënë re që sikur i pëlqenin më shumë të fortët plot muskuj e me fytyra paksa të vrazhda”…
…“po ai i forti, një burrë rreth të pesëdhjetave me fytyrë krimineli, që e kish marrë një ditë nga fakulteti në atë makinën ultra… ai që ngjiste si halabak e që pastaj kishin fluturuar së bashku tej suferinë… E që kur e kish takuar të nesërmen dhe kish pyetur si me ndrojtje. (Aso kohe s’qenë lidhur ende si të dashur!):
“Ç’ishte ai? Po ku e gjete atë… E ajo: “Uau pse çfarë ka bërë?” “Jo hiç, nuk e njoh”, i pat thënë. “Po dukej si tip krimineli…” “Uff se më ngrive gjakun… është një shok i xhaxhait që ka ardhur nga Ujpesti e më solli ca plaçka…merret dhe me ca punë këtu… duhet ta pinim një kafe se ka ardhur që nga Hungaria… E ashtu duket si i tmerrshëm… po është njeri i mirë… “(sikur s’hahej…shok i xhaxhait… po edhe të shkonte me një aq më të madh në moshë e për më tepër si ai, po ajo makina?… prapë sikur s’hahej…). Prapë sikur nuk i besohej… apo donte vetë ta besonte?
…Ajo që vijoi më pas mes tyre, shihej a merrej me mend qartë edhe nga më budallai. Ata bënin gjithshka dhe kudo…nëpër lulishtet pranë, në WC restorantesh, në auditor kur iknin, apo pak para se të iknin të gjithë… Nga padurimi a nga dëshira e saj e çmendur për të luajtur me riskun, për t’u eksituar prej tij. Por edhe nga çmenduria që iu ngjit edhe atij. Madje një herë, kur shkuan në Arabistan e bënë edhe në Memekë, diku pas xhamisë, ku desh i kapën e do t’i kishin linçuar… Shpëtuan paq. A donte ajo (djalli) të përdhosej Memeka… a ishte personaliteti histrionik i saj që tërbohej… E të gjitha këto episode që ai kurrë s’i kish menduar se mund t’i pranonte, por që ja, gradualisht, gjithnjë e më shumë të bëra edhe pjesë e sjelljes së tij. S’i qe besuar që do cedonte deri këtu. Me atë disiplinë e moral rrënjosur që në fëmijëri… Gjithsesi ai e dinte dhe ndodhte që ia thoshte edhe asaj, se ndonëse damrutasit e sotshëm quhen zakonisht arabë, mbi bazë të gjuhës së tyre e lidhjeve me historinë e kulturën arabe, – ata ishin në fakt një blend a përzjerje grupesh të ndryshme semitike, indigjene në atë rajon që mijëra vjet më parë, që më pas u përzjenë me arabët e ardhur aty shumë më vonë.
…Po …ai po çmendej. Të gjithë e shihnin… Kurse sa për atë, Absarën, Hyrien, e kishin ditur që më parë të gjithë. E thoshin mes tyre… e kishin të sigurt… se cila qe a pse ish lidhur ashtu si dorëzonja pas trupit të Asifit të ri… Paraja… I ati… s’kish as nevojë të thuhej se me demek ishte thashetheme…
…Në pushime, madje edhe në week-ende udhëtonin kudo nëpër botë. Paraja vuuu. Nuk iu ndaheshin episodet pa fund që provokonte bukuria e saj. Ja si njëherë në Venecia. Ishin ulur në një mëngjes të freskët në sheshin e vogël përpara njërës prej atyre kafeneve simpatike, në një nga ato pjacat e vogla pranë lagjes së vjetër së hebrenjve, kur asaj ju kujtua se kish harruar të kuqin e buzëve në hotel. I duhej të lyhej herë pas here. Buzët i donte përherë flakë të kuqe . Nuk ishte i kuq dosido. E kishin blerë tek vinin nga Parisi. Së paku aty rrotull nuk gjendej. Ai u nis me vrap për në hotelin e tyre që nuk ndodhej edhe aq larg. Teksa kthehej panorama pat ndryshuar e qe pasuruar me detaje të reja. Sikur një piktor i Rilindjes Italiane të kish hedhur në telajo portrete të reja të bukura e të kish ristolisur edhe portretin e saj me ngjyra të reja, të freskëta, të magjishme! Në të dy anët e saj, ishin ulur dy kitaristë djelmosha të bukur italianë… e kishin vënë në mes dhe po i binin kitarave e po i këndonin… pa dyshim bukurisë së saj… një serenatë e improvizuar në mes të ditës… Ajo qëndronte mes tyre rrëzëlluese, më e bukur se kurrë e njerëzia përreth duartrokisnin… Ajo fytyrë e saj, ato sytë që ngjisnin si mavi… e flokë si të gjelbëruar me ca gjethnaja në sfond, si të floçkave të liqeneve e lëkura mermer… Ajo çmendte gratë jo burrat… Si fillim u bë xheloz… u vrenjt pak e rioshët sikur u stepën… I kërkuan falje… Po pastaj sërish edhe ai u ngazëllye, u qeshi…”non fa niente” u tha me atë pak italishte që kish mësuar ato ditë e sërish ndjeu gëzim se… ishte femra e tij që po çmendte gjithë Italinë… kudo që vinin. Patën shkuar edhe në Arabinë e Madhe, në Arabistan, vendi ku u pasurua i ati. Aty ku Nadim Kararin e quajtën më vonë edhe Sorosi arab. E kish filluar duke marrë një kompani të madhe ndërtimi vendase që e kish transformuar në kompaninë më të madhe ndërtuese në vend. Atë kompani që qysh atëherë e tutje qe e vetmja për çdo porosi të familjes mbretërore të Arabisë së Madhe. Të gjitha ndërtimet madhështore, qeveritare, rezidencat private, ato të institucioneve…Kjo bëri që në pak vite Karari të bëhej multi-milioner…Pastaj u mor me spekulime në naftë, në bursë… E pastaj u fut edhe në politikë. Aty u bë miliarder, kryeministër…Një sukses marramendës.
…Ata e vizituan edhe Damrutin, takuan të atin, shkuan në plazhe e vila verimi të Kararëve, u njoh me familjen… Në një drekë Hyria vuri ferexhe, për gallatë, për sport, për t’u pëlqyer… Kërceu valle Orienti e familja e thirri Sheherazade… Sa liberalë?! E ai i shpjegoi përsëri liberalizmin e tij e të familjes, “ti e sheh, nuk e kanë problem, nuk jemi tamam myslimanë… ne jemi fenikas, grekë, armenë, përzierje e këtyre… një gjysh katragjysh… ata janë të ardhur(kish frikë mos e ngatërronte ajo me ato familjet myslimane fanatike)… Ty shpirt, të pëlqyen të gjithë vëllezër e motra… nëna… por sidomos… babai…
…Eh ç’burrë i fortë, i suksesshëm, vetulltrashë…autoritet eksitus… I pëlqente veçanërisht ai. Me atë asaj i pëlqente të bisedonte vazhdimisht (Asifi filloi të bëhej xheloz edhe për babanë), ta pyeste për gjithçka, për hobi-t e tij, vendet që preferonte më shumë, kafet ku rrinte me miqtë, deri për bodigardët… (A kish pasur të dashura? Sa? Këto ia pyeste kur s’kish njerëz të familjes rrotull…)
Shkuan edhe në shtëpitë e Kararëve në Paris, vajtën në Karaibe, në vendet më të bukura në Siri, Liban, në vila e prona pa fund të ku jetonte familja Karari…Një herë shkuan e u kthyen edhe nga Australia për katër ditë, ku harxhuan si të luajtur në kazino e lokale të shtrenjta, së bashku me më të pasurën e kursit, atë që qeshte sikur plaste një bumje, si afrikane tipike kur bien nga palma… me nigerianen Adaugo, gruan e kryeministriti më të korruptuar e më të pasur të Afrikës. E derdhur në mëndafsh e ar rrobash të shtrenjta deri në marrëzi, e që më shumë udhëtonte se sa studionte sa kohë ishte në USA… U bënë miq…
…Në atdheun e tij shkuan edhe në Blue Island e në Green Sands ku ajo sërish çmendi dynjanë. Në Arabistan shihnin rrugëve fustanet e Sheherazadeve në vitrina dyqanesh e ajo thoshte: “këtë do vesh ditën e dasmës sonë… pastaj jo… jo këtë, jo, jo atë tjetrin…
“Nuk zë karar” i thosh Karari i ri dhe e puthte sa s’i zinte frymën… dhe prapë e kuptonte se për këto ndoshta e donte në shumë. Pikërisht se ishte nimfë e nimfat nuk i zotëron dot kurrë… por ani… të zotërojnë ato ty… Po edhe sherrin me të dashurin, Amsara-Hyrie, e kish të veçantë. Sikur e fshihte pas derës. E krijonte nga hiçi, thjesht për t’u grindur, e si rregull mbante inat një javë. Nuk e takonte fare atë javë ndonëse shiheshin çdo ditë edhe së largu… e ai digjej çmendurisht për të. Ishte koha që ai dyshonte, se asaj i duhej për tradhtitë, variacionin… Pastaj kthehej dhe o Zot çfarë çmendurish bënin e si i puthte duar e këmbë duke e falënderuar ai…
…Nadeem Karari ish bërë disa herë kryeministër e së fundmi edhe president. Ishte ai që bëri marrëveshjen me hebrenjtë e pastaj e prishi po vetë duke u bërë armik i urryer i tyre. Por ishte po ai që rikonstruktoi kryeqytetin. I pari PM edhe i paqes edhe i luftës dhe mesdhetari më i pasur sa kohë qe gjallë. Karari ishte edhe një nga 100 më të pasurit e botës dhe i treti në botë si politikan i pasur. Pas largimit të tij, nëse ikte, Damruti, por edhe gjithë bota e afërt arabe do ta vuante shumë mungesën e një dore të fortë ekuilibruese, rregullatore…
…Djaloshit nuk i bëhej vonë tek i vinin në vesh se të gjithë e dinin, a e flisnin, a se ajo e donte vetëm për paratë e babës. E pastaj… Edhe sikur… I binte të paguante sado shtrenjtë një mall që nuk kish të paguar… E ia thoshte edhe asaj duke e pyetur si me shaka: “Vërtet për babanë më do? Për paratë e tij ?” …E ajo që kurrë nuk i përgjigjej drejt: “Hë si thua ti?… Ja ma thuaj ti vetë… Budalla!…” E qeshte, kukurisej…
…Si vallë po ia mbushte mendjen kësisoj vetes ai…që ajo nuk e tradhtonte, kur vetë episodet ulërinin. Një herë me një shok kursi me të cilin kish ndenjur pak, fare pak, para se të lidhej me të… e pa vetë që ajo po i hidhte atij ca vështrime që digjnin, përvëluarnga malli… (Hë mi, se ashtu duket!)… Po të tjerët që flisnin?… Hë se thashetheme janë!… Se ishte nga ato femrat e bukura, për të cilat xhelozët dhe ata që nuk i arrijnë, të gjithë thonë nën zë, se është kurvë, nimfomane… mashtruese. E vdekur për luks e parà…Ndonjë tjetër, “llafe”, një i tretë a e tretë… Po pse ishte i prirë të besonte këta të fundit më shumë?) Po kishte edhe raste ndryshe… Perversitet?… Një herë me një shoqen e saj të ngushtë, një tip ciganeje nga Transilvania… kishin qenë të tre bashkë…Atë ciganen e kishin marrë me vete në një udhëtim në Reunion, brigjeve të Oqeanit Indian. Kishin pirë deri vonë te bari i hotelit e pastaj ajo shoqja u kish ardhur në dhomë para se të shkonte në të sajën…Kish filluar t’i hidhte ca vështrime ajo cigania… ai pat kthyer sytë nga Amsara – Hyri, për të parë a e shihte… e kish parë flakën e ndezur… Iu duk apo ajo sikur i bënte thirrje me sy t’i hidhej asaj shoqes e pastaj ta bënin të tre… Jooo… Nuk bënte të tilla ai… Le që s’ishte ashtu…, ashtu i ish dukur atij… E kish përcjellë shoqen e ish kthyer… mos qe zhgënjim ai që kish parë në sytë e Amsarës… jo, jo, se, pasi kish ikur ajo, qenë hedhur në krevat e kishin bërë seks si të çmendur… (A thua edhe për shoqen?)
“Kthesa”Djaloshi Asif mendoi se e gjeti një zgjidhje për dilemat e tij. “Dëgjo” i tha një ditë i menduar Hyrisë, paksa me trishtim, “ti e di si është Lindja e Afërt Arabe. Shesh luftërash. Komplotesh, vrasjesh, atentatesh. Dhe kështu do të vazhdojë gjithnjë. Janë interesa të mëdha ato që duan ta lënë atë rajon, pra edhe Damrutin kështu. Nuk e di a e ke ditur që edhe tim atë kanë dashur ta vrasin nja dy herë… Një herë i shpëtoi vdekjes për qime. Thonë se ka lindur me fat e çdo gjë në këtë botë i ka ecur mbroth. Në Damrut thuhet se çdo gjë, po e preku Nadeemi, bëhet flori. Edhe ruajtjen e ka perfekte. Nga më të sofistikuarat… Ti e ke vënë re edhe kur ishim atje… Edhe ne kontrollohemi sa e sa herë, para se të hyjmë tek ai… madje edhe mamaja që rri çdo ditë me të… Kështu e kanë kërkuar ata të sigurisë që e ruajnë… Po unë e di që ka shumë ujq përreth. Ka dhe peshkaqenë të mëdhenj fare, këndej nga po studiojmë ne… E po u interesoi atyre, edhe fati vetë dorëzohet”… Asifi bëri një pauzë, mori frymë thellë dhe së fundmi ja tha copë: “Po sikur të ma vrasin babanë… a sikur të ma fusin në burg… ta syrgjynosin diku këtu, si ata mbretërit e drogës a liderët e korruptuar të Amerikës Qendrore që ia prishin qejfin “Perandorisë Romake”… Ti ç’do bëje… a do më doje akoma… Sikur të mbetesha pa gjë e të humbnim gjithë ç’kemi… …Si thua…po sikur të arrija të merrja diçka pa i ngjarë ende gjë tim eti… e të iknim gjëkundi në ndonjë ishull në Oqeanì a diku nga viset e largëta të Patagonisë si nazistët pas lufte… Ata formuan koloni… ti e di… nuk ja kaluan keq… kishin bankat e tyre… me familje…me fëmijë… të lidhur me njeri tjetrin…
Shumicën nuk i gjeti gjë… Amsara sikur u vrenjt pak tek dëgjonte këtë variantin e dytë, paksa fluturak…Pastaj sërish fytyra i ndriçoi si diell nga ajo buzëqeshja lozonjare gjithë hir e shqiptoi hungarisht: “Úgy szép az élet, ha zajlik”… që donte të thoshte… “Jeta është e bukur kur të ngjasin gjëra interesante, madje edhe stresuese pa le të jetë edhe jo sipas qejfit tënd…” Ishte një lloj shprehje tip “Carpe diem” në hungarisht… domethënë më pallo sa të jesh mirë e pastaj bari i mbiftë atij e ti në djall..
Asifi ngriu… “E mendo”, tha me vete “të ishin të martuar e ajo ti kish marrë edhe shumicën e pasurisë me ligjet amerikane”… dhe sa kishin filluar të mendonim për fustanin e nuses pa le…“Gëzo sa të gëzosh” me dy fjalë… “e pastaj…”
Një perde sikur i ra djalit nga sytë. Vetëm ndonjë shkundje e fortë apo rastësi të shpëton nga adiksioni. Apo kur mbushet kupa. Dhe kalon direkt në “çadiktim” e sikur të bie velloja e magjepsjes… Kaq pra paskej qenë…”
…Se si i erdhi… u thye diçka… diçka u plasarit keqas… Në nënvetëdije kish kohë që po tentohej ndryshe drejt daljes nga ai batak… (e kish kohe që gërryhej)… dhe ja papritur, u asgjësua së paku ai opsion… ai i martesës… “Nagy kő esett le a szívéről” (“Një gur i rëndë i ra nga zemra). Ju kujtua menjëherë një shprehje tjetër tipike e saj. Nga ajo pak hungarishte që kish mësuar prej saj. Sikur të ish thënë tamam për këtë rast… Ajo e përdorte atëherë kur diçka që i kish shkaktuar stres a shqetësim të madh, t’i ikte a shkulej më në fund.
…A vërtet kishte shpëtuar a? A vetëm mendoi se shpëtoi. I mbushi mendjen vetes se shpëtoi nga adiksioni e paskëtaj do bënte qejf por ca ndryshe…me mendje të mbledhur se nuk do lidhej kurrë me të, për jetë… …Gënjente veten. Po e donte gjithnjë e më shumë…e ajo përgjigja e saj sikur po zbehej e po merrte kuptim tjetër me kalimin e kohës… “…po sikur nuk e kish thënë ashtu…” po i thosh vetes djaloshi.. “po sikur kishte bërë humor…” “po sikur të mos e kujtonte më atë episode absurd që e sajoi vetë… me atë palo provokim… pastaj një jetë ishte kjo jetë dreqi… dhe jeta me nimfën ishte ëndërr…
Dashuria adiktive vepron me ndjesi dhe magjepsje. Nuk lë të shohësh minuse. Kur fillon arsyetimi, hapen plagë pa fund. Vjen një kohë, madje nganjëherë shumë shpejt, kur paguan shtrenjtë dashurinë, ose vetë magjinë. Shpëton veçse nëse ndodh diçka, e perdja e magjepsjes bie, shpejt apo jo shumë vonë… veçse me të merr fund dhe dashuria, iluzioni dhe njerëz si Asifi në këto raste, për një kohë të gjatë vuajnë pasojat. Gjithsesi një perde kish rënë e sado sido, ai ish sërish nën magjepsje…
…Aty nga ditët e para të vitit të ri, të shekullit e të mijëvjeçarit të ri, pasi kishin festuar një Christmas të magjishëm në Las Vegas e një vit të ri në New York mes turmës gjigante që përshëndeste në Times Square ardhjen e mijëvjeçarit të ri, ajo u nis për në Budapest. Ndonëse që kur ishin bashkuar, çdo gjë e bënin bashkë e ai nuk i ndahej askund, ajo nguli këmbë që kësaj rradhe të shkonte vetëm…Do të takonte farefisninë e shoqërinë e saj të vjetër, do të çmallej me Budapestin e pas një jave do të kthehej. “Promis”. Ai s’mund të rrinte më shumë pa të…
…Tri ditë pas ikjes së saj, Nadeem Karari u vra nga një autobombë në afërsi të shtëpisë së tij… Ai u vra kohë para se të bëhej i neveritshëm si shumica e politikanëve. U vra kur ende mund të ishte shpëtim për Damrutin. Njerëzia u tronditën thellë. Ish tronditur qetësia, stabiliteti e lulëzimi ekonomik që kish sjellë ai burrë. Profecia e Asifit doli…veçse e pjesshme…Tronditja ishte e madhe, por familja e tij u nderua më tepër se kurrë e nuk ju prek asnjë qime. Natyrisht nuk i shkoi ndër mend e as nuk kish se përse të prekte ndokush nga pasuesit a armiqtë e fshehur pasurinë e pamasë të Kararit, të familjes së tij… ngritur vetë me talent e me punë. As lavdinë e tij e të familjes…
…Asifi fluturoi vetëtimthi për në Damrut. Vrasja kish marrë përmasat e një tragjedie të madhe kombëtare, të paparë deri atëherë. Erdhën në varrim nga gjithë Lindja e Afërme Arabe. Populli i Damrutit madje u ngrit në protesta masive kundër vrasësve ende të paidentifikuar, por qartas të dyshuar. (Dyshohej për partinë e vogël të minoritetit hebré. Mbështetur nga shteti i tyre amë, sigurisht. Armiku shekullor i Damrutit). Armiqtë e aleatët e tyre konspirativë brenda, u fshehën e nuk pipëtinë. Edhe bota e tërë, e madhe, e nderoi jo pak Kararin e madh. Erdhën presidentë, kryeministra e mbretër nga shumë vende. Europa, Azia e sidomos Amerika që dinte më shumë. Vëllazëria Karari i priti e i përcolli me dinjitet. Pastaj Asafi e të vëllezërit ndanë pasurinë… Vëllai më i madh përveç biznesit ja hyri edhe politikës. Por e la në kohën e duhur. Të tjerët vazhduan bizneset e të atit. Asifi ndoqi vetëm bursën e biznesin e naftës. U bë miliarder si i ati. Thoshin se në biznes s’i kish lënë gjë mangët të jatit…Vazhdoi jetën. U martua me një siriane të bukur e bëri shumë fëmijë si i ati. E nderonin më shumë se vëllezërit e tjerë. U bë jo aq i madh sa i ati, por thuhej se ndër fëmijët ishte trashëgimtari më i denjë i tij.
…Kur më pas, në një nga ato ditët e zisë, Asif Karari i ri u kujtua për të, i ra ndër mend se Nimfa-Hyrija, jo vetëm nuk ish dukur as edhe për ngushëllim, por as edhe i kish bërë qoftë edhe një telefon. Një dyshim, tashmë i trishtë, jo më aq mundues si dikur, iu ringjall… U zhduk për fare!… Kush e di ç’kish kujtuar. I kish menduar Kararët të mbaruar. (Hmmm! Jo moj zonjushë, nuk jemi nga ata ne…). A ndofta ish frikësuar. Nga ndonjë risk a komplot tjetër aty rrotull tyre, që mund t’i merrte jetën edhe asaj.. E la a e braktisi, siç e pat parashikuar ai, në atë pyetjen test që i kishte bërë. “A do largoheshe ti Hyri nga unë, sikur…”. Humbi për fare Nimfa, si me magji. Nuk u pa më as në Amerikë kur më vonë ai u kthye atje për pak kohë të mbyllte hesapet me atë vit akademik. S’pati as më të voglën pipëtimë as më vonë, kur gjithë bota e mori vesh se Kararët as nuk vdiqën, e as u varfëruan… e as nuk do vdisnin kurrë… Po ajo puna e pasurisë? Nuk paskej qenë gjë? Gjithë ajo lojë a dashuri a dashuri-lojë, përse të kish qenë Po pse xhanëm as edhe një telefon? As edhe një thirrje. Njoftim. Haber. Të fala.
Epilog
Pat qenë një ditë e një ngjarje a feste të madhe familjare, të gjithë vëllezërit e motrat Karari, me fëmijë nipër e mbesa, jo më pak se 100 vetë, ishin mbledhur në rezidencën e madhe të bardhë të të atit në Damask. Ish fundi i drekës e burrat po pinin puro me gotat e wisky-t në duar, kur vëllai i madh, ai që veç biznesit u mor dhe me politikë, e mori Asifin didsi mënjanë për një shëtitje në lëndinën e madhe përpara shtëpisë.
“Nuk e di a e more vesh?” i tha ” …ishte vrarë ajo mikja jote, e vjetër, ajo që na solle këtu… ajo hebrej-ka hungareze. Hyria. Ishin një grup që tentuan të bënin një gjëmë tjetër të madhe në Egjipt…”
…Asifi u nemit. Hebreje? Ç’grup? Grup terrorist? Ajo në grup terrorist?…papritur një perde tjetër e madhe, e rëndë, ju ndje sikur binte. Si ajo atëherë, kur i pat thënë Amsarës-Hyrie: “A do më kishe lënë ti…po të më vrisnin tim atë e të humbnim gjithçka”…
…E ajo përgjigja e saj, ai Carpe diem-i i saj hungaez: “Úgy szép az élet, ha zajlik”… (“Jeta është e bukur kur të ndodhin gjëra interesante, madje edhe stresante qoftë edhe jo në drejtimin që dëshironi ju”)… Ju kujtuan prindërit e saj të vdekur para kohe a një gjyshe zhdukur diku në një kamp nga ata të shfarosjes… Fraza të turbullta treguar nga të tjerë… A mos kish qenë ajo edhe në atë grupin që rrëmbeu atë ish-nazistin plak 90 e kusur vjeçar, që po ngryste jetën, fshehur prej vitesh në shkretëtirat e Patagonisë…se si fliste për Patagoninë ngandonjëherë…
Pastaj përse t’i thosh i vëllai “një gjëmë tjetër të madhe” …Në ç’gjëmë tjetër të kishte gisht vallë ajo?! Mos o Zot… Dhe kish ikur nga shkolla, nga Amerika fare pak ditë para vrasjes së të atit…Koincidencë?!…Asifi pastaj ndjeu por ende turbull se ndofta kish qenë pjesë a kish rënë brenda një loje… E ajo lojë, kish qenë pjesë e një tjetër loje… lojë brenda një loje shumë më të madhe.
Një nimfë e vogël liqeni që çmendte odisetë e pastaj dhe atë vetë, me ledhat e joshjet e saj? Një nimfë që luante lojën e përjetshme të femrës së lindur për mëkat, për t’i marrë mendtë djelmoshave të adiktuar.
A herë-herë pasuritë e baballarëve miliarderë? Apo diç më shumë… A ca më shumë… Një nimfë brenda një deti a oqeani shumë më të madh se dashuria, se etja për parà. Një nimfë, në oqeanin e madh të pashtershëm të urrejtjes së pashuar të kombeve, popujve, racave njerëzore për njëra-tjetrën….Pat qenë, thua, jo pak, por shumë më ndryshe nga një nimfë e zakonshme. Një nimfë që hidhte në atë oqean grepin me karremin joshës të dashurisë për të peshkuar më tepër, shumë më tepër…
Ku ta dinte?…