Kushtuar Albert Bikajt
Çfarë fillimi i çuditshëm, çfarë nisje e pakuptueshme, çfarë misteri i mahnitshëm për ta filluar, jo vetëm një libër, por edhe tërë githësinë: asgjë më pak e asgjë më shumë se sa shfaqja e përkryer e vetë Hyut. Në këtë çast, fillmi i librit përkon me vetë fillimin e gjithësisë.
§
Dhe fillimi i gjithësisë çel nëpërmjet shfaqjes së fytyrës së bekuar të Zotit: etja që thau gurmazin e shpirtrat me shekuj u shua që në fillim. E koha u shpërbë në këtë paradoks të hyjnishëm. Njerzit kërkojnë atë që ka qenë që para tyre.
§
Nëse në fillim ishte Fjala, atëhere nuk është njeriu që kërkon Hyun, por Hyu që kërkon njeriun.
§
Fjala është nisur të bashkohet me qenien në nji njëjtësim të përsosur. Por të marrosur me një krenari të kot e madhështi të shfrenuar, të vetdënuar me një ndërgjegje të përdhosur, të zvetnuar nga vetë qenia, ne joshemi prej fjalëve: jo Fjalës.
§
Në fillim ishte Fjala, jo Heshtja. Heshtja është thjesht një parapërgatitje për shpalljen e Fjalës.
§
Misticizmi i njëmendtë është misticizmi i Fjalës, jo misticizmi i zgavërt i Heshtjes: pasi Fjala e përmbush dhe e madhëron heshtjen.
§
Poetët dhe artistët që nuk besojnë në asgjë thellësisht e si pasoj nuk kanë asgjë të rëndësishme për të thënë: për ta heshtja mjafton. Adhurimi publik i heshtjes pasqyron hiçin e brendshëm.
§
Një libër i tërë, jo, jo, një bibliotekë e tërë mund të shkruhej veç për këtë nisje: Në fillim ishte Fjala…
§
Dy gjëra janë të nevojshme për t’u përsiatur më tej, për t’u thelluar brenda kësaj fshehtësie të madhërishme: fillimi dhe Fjala.
§
Njeriu i hedhur në pafundësinë e kohës, i hukatur nga e shkuara, i pandërgjegjshëm ndaj së tashmes, i tmerruar nga e ardhmja, është përherë i etur për një fillim.
§
Njeriut të pashpresë ngaherë i nevojitet një fillim: ai është një anije e humbur. Dhe spiranca nuk lëshohet në kaltërsinë e paanë.
§
Por cilin fillim kërkojmë? Fillmin e gjërave që kanë ikur? Fillimin e gjërave që nuk kemi mundësinë as t’i shohim e as t’i prekim? Fillimi i gjërave gjithmonë do ngelet veç një hipotezë e mundshme: kush ka kohë le ta kërkojë. Por flaka e hipotezave të mundshme nuk e ngroh shtëpinë e askujt.
§
Regëtima e dobët e hipotezave nuk i zbardh dot udhët e shpirtit.
§
Shumë rrëzohen duke ngjitur shkallët e pavdekësisë.
§
A do e gjejmë fillimin tek nisja e një shteti? Tek këto qenie të brishta që vdesin e nuk ringjallen?
§
Apo do e gjejmë fillimin tek etnia e gjaku e përralla të tjera neo-pagane?
§
T’i shtrijmë kryet tek shkenca, teknologjia dhe progresi? E ta kthejmë edhe fillimin edhe fundin në një mjet? Sepse shkenca, teknologjia dhe ideja e progresit janë mjete dhe qëllime për të arritur diçka.
§
Po, ka fillime të rreme dhe njeriu bashkëkohor, i shkëputur nga vetvetja dhe Hyu, kërkon shpëtim në streha të përkoshme.
§
Historia e ateizmit është historia e idhujtarisë: ajo është më e hershme se Volteri dhe Dideroja.
§
Gjithë izmat e bashkëkohësisë, kapitalizmi, komunizmi, nazizmi, feminizmi, liberalizmi, e shumë izma të tjerë që nuk kam as kohë që t’i përmend, janë veç tratja të ndryshme të atij viçit të artë, joshës e të lashtë.
§
Në fillim ishte… Këtu kemi të bëjmë me fillimin shpirtëror të thelbit të qenies: këtu jemi duke kundruar lindjen, që lind çdo gjë. Ky fillim është lindja e pavdekësisë.
§
Në fillim ishte Fjala: ka diçka absurde në këtë shprehje.
§
Fjala? Menjëmend? Në fillim ishte Fjala?
§
Pakuptueshmëria, fshehtësia dhe misteri i shprehjes “Në fillim ishte Fjala..” ka çuar shumë të marrosur në përfundime qesharake se në fillim ishte veprimi. Nëse në fillim ishte veprimi, atëhere fundi është asgjëja.
§
Fillimi dhe fundi i Fjalës është vetë Fjala. Dhe Fjala erdhi e banoi ndër ne që t’i ngrijë gjërat brenda Fjalës e t’i japë frymë, trajtë e gjallëri qenies.
§
Në fillim ishte Fjala, jo fjalët e ideologjitë e shumta, të rëna nga kullat shumëkatëshe të Babilonit.
§
Fjala është një: ajo bashkon në trupin e saj të gjithë të përhumburit e të përzgjedhurit, mëkatarët e shenjtërit.
§
Fjala lidh qenien: ashtu edhe Hyu dëshiron të lidhet me ty sot. Tani. Në këtë çast.
§
Fjala qëndron: ajo edhe kur kryqëzohet, vetëm forcohet, rikthehet në brendësinë tënde. Por, fjalët bien e zhduken për mos të ardhur më kurrë.
§
Fjala drejton qenien. Nuk e drejton si skllav, por si një identitet brenda vetë qenies. Liria e njeriut është si marrëdhënia e Fjalës me qenien.
§
Gjërat vdesin, por Fjala nuk vdes. Ajo vetëm ngjallet nga jeta në jetë edhe kur vjen të kryqëzohet tek ti.
§
Fjala i jep prani dhe shpirt gjërave. Ashtu edhe Zoti i jep prani dhe shpirt pluhrit.