NATA PI NATËN
nata sonte pi natën
as nginjet as ngopet
e etur pi dhe nuk e shterrë
e vetme, e tradhtuar nga yjet, hëna,
Rruga e Qumështit
nata nxin sterrë
nxirë sterrosur
në monolog filozofon
Askush s’do t’i shihte
as yjet as hënën
pa mua të pacipën, terrplotën
në këtë dhè
pa drojë e drojtje
terrësoj gjithë botën
si e pafè
LULE PREJ ERRËSIRE
Lule prej errësire
me petale
dhe aromë terri
i shohin vetëm
lakuriqët e natës
të mbirë
nga heshtja
prej dheri
lule me bukuri
të padukshme
me petale
e nektarë
që kurrë
nuk mund
të bëhen
aerodrome
për bletët
nuk mund të jenë
busulla
HESHTJA I MBULOI
Heshtja i mbuloi fjalët hibride
prurje stuhish të vjetra
faraonike
mbarsur me erëra detare
dimërore
plazhesh memece
natyrash mortore
me veladone murgjesh
e maskuar
mbi vranësira muzgjesh
të plogshtuar
heshtja e mefshët
lëviz e ligështuar
mbi harqe manastirësh
të rrënuar
ku bujtin
me trokun dhe galopin
e braktisur
në hipodrome
kuaj të plakur
heshtakë,
pa hingëllima
nën qiejt e kalëruar
vetëm prej skifterësh
me krahë të djegur
nga vetëtimat
EPIGRAMË
Ndërzyesi virtual
ndërzen botëzën
e popullit
të rrjetit social
tufëzat dhe arëzat
fejsbukjane
ngjishen e ngjishen
prej ndërzimit
si shkalla superiore
e kulturimit
e presin me shtërzime
fejsbukjane
tufëzat dhe arëzat
ndërzyesin virtual
pa pallë por masovik
ndërzyesi dhe të ndërzyerit
kolektivizëm socpopullor,
patriotik
me zërin e shterrë,
pa tinguj,
të çjerrë
ndërzyesi agjitprop
pallon pa pallë
popullin virtual
kolkozi fejzbukian
lumturisht
i këndon pallimit
ndërzyesi prej lavdeve
këndellur
mbi kashtën e dafinave
nën sytë e zilepsur
prej lakmisë
shijon frutet e lavdisë
pa shpatë e pa pallë
ndërzyesi e të ndërzyerit
fërgëllojnë prej unitetit biologjik
nuk janë debilë
nuk janë qafirë
mendjen e kanë
plot e përplot me bërllok
që rimon përputhshëm
me popull tallava,
patriot
PËRBALLË HIPOKRIZISË
përpëlitje fjalësh gjatë një ore të mpirë
prej karficave të hipokrizisë
me stërkëmbsha resh me brirë
vizatoj me fjalë naive ato që shikojmë
si fëmijët në kopsht
fjalët kapen dorë për dorë
në fjali të shkurta plot kureshtje
unë në pritje
palos me gishta një copë heshtje
me vetulla e qerpikë artificialë
në dritën e syrit më sheh
atë që mendon e fsheh
nën fjalë të zvarritura prej bezdisë
kasnece të hipokrizisë
qerpiku më dridhet prej ftohtësisë
në shtat më shkon korrent rrëqethje
me gishta përdredh e spërdredh
një copë heshtje
sa thjeshtë ta shihnim botën
me sy të ndryshëm
pa kurrfarë ndërlikimi
se të na shtrëngojë dara
me sytë e vëngërt të hipokrizisë
prej mosbesimi
me vetulla e qerpikë artificiale
në dritën e syrit më sheh
hipokrizia një korse e ngushtë tinzare
të mbyt pa pikë droje
unë me gishta pa pikë kureshtje
palos në katërsh një copë heshtje
UNË DHE ATDHEU
Midis nesh hyn mjergulla
turbullirë mohuese
na mbështjell secilin
si embrionet
në mitrën
e dy nënave
në polet e kundërta
të planetit tokë
e përhimtë oktapod
në krahët e saj të lluqta
krater përthithës
na përfshin butas fort
na përhumb
në gjumin e harrimit klithës
pa ëndrra,
pa kujtesë në hiç
dy planete më vete
në humbësirën infinite
për mos
të larguar nga njëri-tjetri
nëpër qiej të ndarë
me mure hekuri
në kozmos
na fundos