More
    KreuLetërsiBibliotekëXhevair Lleshi: Për librin flitet e flitet pa fund dhe… bëhet asgjë

    Xhevair Lleshi: Për librin flitet e flitet pa fund dhe… bëhet asgjë

    Megjithëse gllabëronte vëmendjen e pamundur, libri, natyrisht me ato kapriçiot e tij prej fëmije, nuk arrinte të merrte vesh se ku i përfundonin fuqitë. Për më tepër i kujtohen kohët e lumtura, bibliotekat e mobiluara bukur e plotësisht, sallonet e përfunduara me tapicerinë më të pëlqyer të kohës, por ndoshta edhe stononte, tepër i zbukuruar e mjaft i rënduar. Sidoqoftë, kreditorët (!) e torturonin librin më shumë se herët e tjera, pasi nuk kishin parà të thata për t’i paguar nga shteti, gjë që i shkaktonte një habi të vazhdueshme, sepse ata i mbanin si një model ekonomie, të lidhur fort edhe me Ministrinë e Ekonomisë, Teknologjisë (Inovacionit) dhe Kulturës, po ashtu edhe me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit…

    Që prej muajsh – për t’i rënë shkurt dhe vitesh – kuptohet më gjatë, kreditorët mezi i gjenin paratë e duhura, madje me mundim të madh, ato ditë kur vazhdimisht i kërcënonte uria, se do të mbeteshin përfundimisht thatë, në qoftë se nuk siguronin dot regjistrimin në Panairin Ndërkombëtar (të Librit), nga më të mëdhenjtë në botë, atë të Frankfurtit. Fundja, le të mbetemi, pëshpëritin në QKLL apo në 1/3 e Ministrisë me tre emra ku përfshihet edhe kultura. Epo, fundja panair libri është, nuk është panair fjala vjen turizmi! Që tek e fundit ka edhe leverdi personale.

    Për sa i takon kreditorëve të rastit, që nuk gjendeshin dot kurrë, njëri më idiot se tjetri, ata nuk dinin konkretisht se çfarë jepej e çfarë dhurohej dhe askush nuk mund të zemërohej me kopracinë e tyre. Ah! Sa do të kishin dashur ta sillnin vërdallë të gjithë këta burokratë që kanë në dorë librin, por ç’e do, ata përsëritnin njëzet herë në ditë maksima për një sjellje të mirë! Shaka? Jo, kurrë! Kush arrin ta kuptojë të vërtetën e hidhur të librit, le ta kuptojë! Mirë i bën vendit, fundja! Nuk ka asnjë projekt për të bërë librat, për asgjë në botë, përveç atyre të shoqërisë së ngushtë, lidhjeve të klanit, hyrje-daljeve të përditshme në “stanin” e librit… Kjo që them nuk është as paragjykim, as përshtypje, as gjykim nga përfundimet e një studimi. Nga ana tjetër e di mirë se në vendin tonë pa biblioteka (NUK KA ASNJË BIBLIOTEKË PËR TË QENË, që ta meritojë këtë emër me kaq ngarkesë semantike e të kulturës). Ju mund të thoni se kemi një bibliotekë kombëtare! Vetë Tirana nuk ka asnjë bibliotekë të paktën as sa ajo “Vexhi Buharaja” e Beratit, që për formalitet ngjan të jetë e këtillë…

    Duhet të ishte e arsyeshme, e matur, që LIBRI të thoshte për çdo mëngjes përshëndetjen e tij të bukur, ndërkohë që është i fiksuar pas atij vizioni republikan të vetes, për ta respektuar deri në fund, i cili tashmë është kthyer gati në një imazh që thërret, duke i ngjallur besim dhe shpresë, që s’i ndahet dhe që rritet e rritet vazhdimisht, por pa u mbështetur në taban. Është ulëritëse miq! Ka mbi 30 vjet që për bibliotekat nuk blihet libër. Kjo ishte arsyeja, që, me gjithë fërgëllimën e zemërimit të papërmbajtur, libri i nënshtrohet krahut të qeverisë, duke shkuar sa tek njëra vitrinë, tek tjetra, midis njerëzve që sa vinin e bëheshin më të rrallë, derisa të mos ketë më shqiptar që të lexojë shqip…

    Kalldrëmet kanë nisur të thahen dhe një erë e freskët, e cila nis të fryjë përgjatë galerive të librit, që nuk e di pse më sjellin ndërmend galeritë e nëntokës kur dikur (jo shumë kohë larg, shkrimtarë të dënuar nxirrnin mineral!), zunë ta pastronin ajrin e ngrohtë poshtë dritareve, tronditnin fenerët ngjyra-ngjyra, llambat neon, freskoren gjigante e të zjarrtë si një fishekzjarr. Kalldrëme shëtitoresh për këmbësorë, në zonën historike të Tiranës, ku do të kishte paraqitje librash çdo javë (të paktën!) e që mbetën nëpër fletët e legjendave të reja. 

    – Oh! Sa e bukur! – thoshte një librar, i etur për të zhvilluar punën me librin, tek vitrina e fundit, (por që librat kishin avulluar, ngaqë ishte vënë reklama e filmit!) duke u kthyer disa hapa më pas për të soditur një kopertinë të hedhur në tokë.

    Ata e lanë, më në fund, shëtitjen, por kreditorët nuk deshën të ecnin në këmbë, pastaj ata nuk kishin pse të nguteshin, kështu që në këtë mbrëmje të bukur do të qe mrekulli të ktheheshin në këmbë. Pastaj, me të mbërritur tek një vend si punë librarie, librit i shkrep një dëshirë, thua se kishte uri dhe se do t’i pëlqente të hante midhje (libri, kështu!), duke i treguar se ata (kreditorët e famshëm të munguar të librit!) nuk kishin ngrënë asgjë që në mëngjes, për shkak të sëmundjes së të ngrënit.

    E vënë re të gjithë se librit nuk ia mban të kundërshtojë. Mirëpo, ngaqë ende s’ka ekspozime me ndonjë libër, kërkon një sallë të rezervuar për një bisedë letrare, duke ecur përgjatë korridoreve. Ata, kreditorët dordolecë i shkonin nga pas një libri të vetëm, me pamjen e një femre që e njeh mirë këtë mjedis dhe ata shkonin në një sallë ku një vajzë e re e bukur, e mbante derën hapur, ndërsa, prej sallonit ngjitur, nga vinin edhe të bërtitura dhe të qeshura deri në kupë të qiellit, një burrë-kreditor libri del krejt papritur.

    Ishte Drejtori i Librit në Ministrinë e Kulturës, sa 1/3 e Ministrisë ku edhe kultura bën pjesë. Domethënë LIBRI. Me shkathtësi, ky është zhdukur në një kthinë, dera e së cilës mbetet si gjithnjë gjysmë e mbyllur. Pasi zhduket kurrizi i rrumbullakët i kreditorit të mbetur ende gjallë (kreditorë sa për emër!), libri picërron sytë duke thënë pastaj, me një ton gastroleje: – Dreq o punë! Po të ecën mirë, me sa po shoh. Po i merr librat i pari, tani!

    Mirëpo libri vë buzën në gaz dhe, që ta bëjë të heshtë, ia zë gojën me gishta. Ai e sheh dhe ndihet shumë i ekzaltuar, i lumtur megjithatë, i mbuluar çuditërisht nga jargët, që po e takon aty, sepse ende ruan për këtë tregti që nuk ekziston më, një ndjenjë dashurie, me gjithë ndyrësitë e qeverisë për të mos ia varur, kur ja, e pakta në letra, puna është shumë në rregull e për së mbari.

    Dhe po ta vëresh hollë-hollë libri i gjorë ngre supet me një shprehje dhembshurie. Mirëpo ai, duke bërë shaka, vazhdon të thotë se kjo nuk është jetë, sado që të fitosh në Bankë, pikërisht aq sa t’u japësh vetëm ndonjë buqetë me lule zonjave, për të mbetur, kështu, një subjekt i këndshëm. Por as këtë nuk ia pranojnë! Atij, librit, i kanë bërë një jetë jo më të gjatë se tetë ditë në vit (pesë në panair – që panair i thënçin, dhe tri ditë nga Zoti!). Kështu, pra, ai do që të jetë praktik, të krijojë të paktën familje me një vajzë që t’i sjellë një prikë të madhe, një bibliotekë ndoshta – dhe më pas të përfundonte si përgjegjës i bibliotekës, si i ati.

    Padashur vura se libri i leqendisur buzëqeshte gjithmonë, në mënyrë mosbe-suese. Dikush i tregon sallonin (e librit!) me një lëvizje të kokës.

    – Mos ke ardhur, për të ngritur bibliotekën e re të Qendrës Kombëtare të Librit, pra të QKLL? Vërtet.

    – Oh! Jo. Atë do ta ndërtojë një bandë, – tha libri i gërmuqur, duke i harruar menjëherë planet e tij, nën një afsh dehjeje. – Merret me mend që nuk është bandë muzikore. – Dhe tregon për udhëtimin e tij në Egjipt, në Nil, por pa ethet e Nilit. Të vësh duart në kokë! Histori me klandestinë në Gjadër…

    Dhe ai nis t’ia tregojë historinë, ndërsa libri i leqendisur ia bën qejfin, duke e dëgjuar me dashamirësi.

    Por shpejt, ata përfunduan të mbështetur pas murit të korridorit, njëri kundrejt tjetrit. Libri dhe kreditori (jo i qeverisë, natyrisht!).

    Disa fenerë neoni digjeshin nën tavanin e ulët të sallonit (të librit), një aromë e papërcaktuar varej pezull mes palëve të perdeve që veç tundeshin pa pushim prej një ere që s’dihet ku e kishte burimin. Herë pas here, për të dëgjuar më mirë njëri-tjetrin, libri dhe kreditori, kur zhurma e sallonit bëhej e padurueshme, ata afronin fytyrat më pranë njëri-tjetrit. Pikërisht, në këto çaste, çdo njëzet minuta, se nga shfaqej një vajzë e re (që ruante librat) me një dëng me lule në duar, duke i mërzitur të gjithë, sigurisht pa krijuar ndonjë brengë. Mirëpo, ata, pa u shkëputur, mënjanohen për t’i hapur rrugë, dhe vazhdonin pa e prishur fillin e bisedës, sikur të qenë në shtëpi të tyre, ndonëse nuk e dinin mirë nëse kish mbetur ndonjë libër në shtëpi, megjithëse qenë në mes të poteres që bënin personat të cilët darkonin aty mes rrëmujës së shërbimit… Pse nuk qenkej sallë leximi? Jo, kohët e fundit u arratis libri i marrosur dhe mbeti të bëhej sallë ngrënieje. Madje vjen “Fund java ndryshe”, e specializuar për punë të tilla të holla, duke u dhënë drekë falas nevojtarëve! Edhe të librit

    – Pa shih pak, – mërmëriti libri i leqendisur, duke treguar me shenjë derën e sallës tjetër fqinjë ku kishte hyrë e qe zhdukur nëpunësi si lexues arkaik. Mund të ishte edhe Anesti Gjoni i pallatit tim. Më duket se është lexuesi i vetëm arkeologjik në botë. Lum kush ka fatin ta gjejë atë modem të gjallë!…

    Të dy e vështruan një copë herë. Dera bënte ca lëkundje të lehta, sikur të dridhej nga një fllad. Në fund, s’lëvizi fare, dhe kreditorët e ngrirë te porta kryesore (jo e “Fund java ndryshe”!) qeshën në heshtje.

    Libri duhet të ishte i arsyeshëm, vetëm, atje brenda.

    – Meqë ra fjala, – pyeti Anesti (lexuesi si lëndë arkeologjike!), – e lexova reportazhin tënd të fundit në “ExLibris” për Prizrenin!

    – Po, mjeshtër, – u përgjigj një nga poeteshat e atij eventi, – nuk të tregova për të se kisha frikë mos mërziteshe dhe brengoseshe.

    – Të brengosem, po përse? Ishte reportazh shumë i gjatë. Ti shkruan shumë gjatë. Nuk i bie shkurt!

    Libri i leqendisur ndihet i përkëdhelur që vetë po merrej me personin e poetes. Mirëpo, pa shpjegimet e Anesti Gjonit, i cili ia kishte sjellë gazetën, ndërsa ajo nuk do ta kishte marrë vesh që atje bëhej fjalë për të. Kreditori i fundit, edhe ai si lëndë arkeologjike, e vëzhgonte me dhelpëri, duke u zgërdhirë me atë pamjen e vet tallëse, ironike. Por, në fund, përderisa Anesti vetë ndihej i lumtur, të gjithë duhet të ishin të tillë.

    – Më falni, – thirri një gazetar, që s’dihet si u gjend aty, duke i ndarë nga njëri-tjetri, duke mbajtur me dy duar një raft të prishur librash, që ende s’dihet nga u gjend.

    Anesti kishte bërë një hap drejt sallonit të vogël, ku e priste një fëmijë, me shall pionieri të dikurshëm.

    – Eh, lamtumirë, atëherë! – tha libri i zgërlaqur. – Shko tek brinari yt.

    Libri u ndal përsëri.

    – Përse e quan brinar?

    – Sepse është një brinar, sigurisht! Pastaj nuk e ditke që unë vetëm tallem me librat që s’mund të jenë brinarë kurrë!

    Anesti, lexuesi i pallatit tim, domethënë lexuesi si lëndë arkeologjike, u mbështet përsëri tek muri, duke u treguar thellësisht e interesuar. 

    – Ah! – ia bëri dikush, ndoshta lexues, me thjeshtësi.

    Po ja, papritur ai u nda nga unë, ndërkohë që po vija për këtu dhe dyshoj fort për një takim me librin, sonte. Seç kanë sajuar një udhëtim, kështu besoj. 

    Libri mbeti pa fjalë, i goditur nga emocioni.

    – E kisha një dyshim! – tha kreditori më në fund, duke përplasur duart në tryezën e gjatë. –

    Kisha parandier diçka, thjesht vetëm duke e parë, herën e kaluar, në rrugë… Në rrugën e librit!… – Mos! Paskej ende rrugë libri, kur s’ka më libra!? Domethënë libri gëzon emrin kur e begenisin! Po qe se kjo do të ishte e mundur!

    – Kjo nuk është tentativa e parë…

    Atëherë njëri nga ata që s’dukej, shpërtheu në një klithmë zemërate: – Vërtet! Ç’njerëz! Kjo është shumë e ulët!

    – Më falni!

    Libri që nuk m’u nda gjatë kësaj përshtypjeje, e mori përpara dhe i mbajti dorën për një çast. Ai fliste me atë zërin e tij të kristaltë, një zë me nota harmonike që e bënte shumë të  suksesshëm ndër zonjat e librave. 

    – Lamtumirë, e dashur… Ti e di, të dua si gjithmonë.

    Anesti u lirua dhe, duke buzëqeshur, ndërsa gjithçka u mbulua nga një shpërthim britmash e duartrokitjesh, dhe ku dera e sallonit (jo të librit) zuri të dridhej, tha: – Kaqol, (librit!), gjithçka mbaroi… Por kjo s’ka rëndësi. Eja më tako në ndonjë nga këto ditë… Të flasim.

    Kur, më në fund, hyri në sallën e rezervuar, libri pa andej-këtej, ulur në një divan të ngushtë, i lëshuar fare, me fytyrë të zbardhur, dhe duart që i dridheshin. Ai nuk i drejtoi asnjë lloj qortimi. Ndërsa Nesti, i trazuar, ndihet i ndarë më dysh, mes mëshirës dhe përbuzjes. Ky burrë i vërtetë, ky lexues i madh, ndonëse për lëndë arkeologjike, s’ka zot që e mashtron! Librit i vjen t’i hidhet në qafë dhe ta ngushëllojë, por, sido që kjo është e drejtë, megjithatë mëshira mbizotëron për çudi.

    Libri nuk u nda prej tij, duke kujtuar që Nestit i kish mbetur të qe kreditor, edhe pasi hëngri midhjet që kishte dëshiruar, përkundrazi, ata ndenjën së bashku edhe një çerek ore në kafe dhe u kthyen në bulevard.

    Ora kishte shkuar njëmbëdhjetë, ndërkohë, para mesnatës sekush mendonte se do ta gjente një mënyrë të përshtatshme për ta përzënë.

    Si një masë paraprake, në paradhomë, libri dha një urdhër.

    – Rri në gatishmëri, do t’u thuash të mos bëjnë zhurmë, kur tjetri të jetë akoma me mua.

    – Po ku ta vendos, zonjë?

    – Ruaje në kuzhinë, është më e sigurt. Nuk e ha njeri librin.

    Një zjarr i madh ishte ndezur dhe digjej për bukuri. Ishte po ai sallon me orenditë e vjetra, me perdet dhe me ndenjëset me damask të ruajtur mirë, me lule të mëdha blu në sfondin ngjyrë hiri. 

    Libri kishte pasur vetëm një trill: për një lëkurë tigri përpara oxhakut dhe për një llambadar kristali të varur në tavan.

    Ai i bindej me atë nënshtrimin e burrit që nuk ka më frikë se mund ta shikojnë. I vetmi merak i tij tani ishte që të mos e mërziste kush, pastaj të mos e zemëronte sidomos Qendrën Kombëtare të Librit që tani do ngrinte Bibliotekën e Madhe të Librit, ende pa projekt…

    Tiranë, më 7 gusht 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË