More
    KreuLetërsiBibliotekë"S'lindëm ne princa", poezi nga Kadare

    “S’lindëm ne princa”, poezi nga Kadare

    1

    Brezi im,
    Jotja qoftë kjo këngë!
    Dhe unë qofsha kudo me ty.
    Dhe ne të gjithë të jemi
    Drurë të mbjellë në udhëkryqet e historisë,
    Tabela të kuqe përpara kohëve të vështira,
    Me mbishkrimet:
    “Kohë të shpëtuara”.
    Ne ta spastrojmë këtë planet
    Nga prangat, superfuqitë, poshtërimi,
    Që ju pas nesh, kur të vini,
    Ato mos t’ju pëlcasin ndën këmbë
    Si mina.

    Me këtë këngë s’kujtoj se po bëj
    Tablo apo përgjithësime epike gjithçfarë,
    Me këtë këngë dua vetëm t’i ngjaj
    Shkollarit që në sallën e postës
    Një plakë i lutet ngadalë
    T’i shkruaj mbi zarf një adresë,
    Ndoshta adresa e të birit ushtar.

    2

    Ne erdhëm në jetë
    Në kohëra plot duman.
    Ne erdhëm si ajo nusja e veshur me të bardha
    Që pjek në rrugë një funeral vigan.
    Ne erdhëm si manushaqe të hershme
    Mbi varrin e ushtarit.
    S’lindëm ne princa,
    Megjithatë
    Mijëra topa përshëndetën ardhjen tonë,
    Ish kohë e hekurt, kur në qiej
    Më shumë bombardonjës
    Sesa zogj fluturonin.

    Dhe qysh aherë dhe gjer tani
    Unë zogjve akoma s’ua di emrat mirë,
    Ne markat e aeroplanëve
    Atëherë si abëcënë dinim!
    Nga zhurm’ e motorëve i njihnim,
    Siç duhet të njihnim
    Zogjtë nga cicërima.

    Mëso netëve më vonë zoologjinë,
    Merr diplomën në veterinari…
    Zogjtë, po nuk erdhën me fëmininë,
    Nuk vijnë më kurrsesi.
    Kështu, pra, u rritëm
    N’atë kohë të rreptë,
    Ne të pazogjtë,
    Aeroplanmëdhenjtë!

    3

    Mirëmëngjes, Republikë!
    Ndiej frymëmarrjen tënde ritmike.
    Tek përkulesh
    Me syze të zeza
    Mbi fisat oksidrike.
    Mirëdita, Republikë!
    Këta tela tensioni të lartë që zgjaten pa kufi,
    Që si nuse me tela të stolisin,
    Janë nervat e tua të nderura,
    Nervat e tua me çelik të salduara,
    Nervat e tua të hekurta,
    Shqipëri.

    Mirëmbrëma, Republikë!
    Shoh moshatarët
    Ngjitur mbi shtylla
    Mbërthejnë llamba
    Mijëra dhe mijëra,
    Sikur montojnë
    Një qiell me yje.

    4

    Ka në jug një lumë
    Që ka tre mijë vjet
    Që buron nga malet,
    Që rrjedh nëpër Eneidë,
    Që rrjedh madje n’Iliadë
    E mes mitesh të moçme.
    Akeroni i skëterrës,
    Bistricë e sotshme.

    Mbi këtë lumë vozitën
    Turma të vdekurish
    Me qefinë të bardhë.
    Me koka të verdha,
    Të qullur nga shiu,
    Të ngrirë nga era.

    Ky lumë, që shekuj mbi valë
    Shtyu varkën e Karontit,
    Turbinat do të shtyjë
    Dhe mbi të do lëvrijnë,
    Jo më mijëra shpirtra,
    Po miliona elektrone.

    Dhe ti, xha Karont,
    Erdh koha –
    Në pension.

    Braktise varkën e vjetër,
    Vozite tre mijë vjet,
    Se erdh një kohë e madhe,
    Xha Karont,
    Varkar i lashtë sa bota,
    Xha Karont.
    (Dhe ovullat që u more të vdekurve,
    Kur i çoje në botën e amëshimit,
    Depozitoji, xha Karont,
    Në Sarandë,
    Në arkën e kursimit!)

    Po, o brezi im,
    Ne kemi punë sot
    Me Akeronë
    Dhe Karontë,
    Kjo s’është kaq e thjeshtë
    Sa të shkulësh një fletë
    Nga e lashta Eneidë.

    5

    Eja, ulu këtu,
    Xha Karont,
    O filozof i vdekjes,
    Ulu të kthejmë një gotë:
    Për të gjithë brezat nuk ka pasur
    Kryqëzor më të tmerrshëm
    Se varka jote.

    Ulu dhe më trego
    Për miliardat e shpirtrave
    Që transportove në atë botë,
    Për skllevërit, gratë e bukura, zyrtarët,
    Heronjtë, kuzhinierët, carët.
    Tregomë,
    Si me kujën
    E erërave përzihej
    Kuja e tyre
    Mes rrëmujës
    Së ujërave,
    Që rrokulliseshin
    Rrokopujë.

    I frikshëm tregimi yt, Karont,
    I frikshëm dhe i madh;
    Me këto shpatulla,
    Duke lëvizur lopatat,
    Ke tërhequr
    Një botë të tërë të vjetër
    Drejt vdekjes.

    Po tani më dëgjo mua, xha Karont,
    Të të tregoj diçka
    Nga bota jonë e të gjallëve.
    Të tregoj për brezin tim,
    Që varkën tënde
    Do ta copëtojë rrëzë maleve;
    Të tregoj për brezin tonë,
    Që, mbi tryezë, ku pleqtë lozin dominonë,
    Në vend të 4-3-shit
    Arushën e Madhe mund të zbresë!

    6

    Të shoh, brezi im,
    Sot ngjitur mbi shtylla,
    Monton ti llamba
    Mijëra dhe mijëra.

    Nesër
    Në qiej ti do të sulesh të pasosur
    Të shtrosh të ftohtat trase të universit
    Dhe i pari ndër orbita të vendosësh shenjat
    “Përpara”
    “Zigzag”
    “Kthesë”
    Po, o brezi im,
    Sot nxjerr ti në pension
    Të lashtin varkar Karont.
    Nesër në udhëkryqe, mes yjeve,
    Trafikun do t’u mësosh perëndive.

    Do të digjen semaforët e tu
    Në kozmos natë e ditë.
    I madh je ti, brezi im,
    Nesër
    Do të gjobosh perënditë.

    7

    Në këtë shekull shpejtësish,
    Më shpejt se Tu-104,
    Më shpejt se sputnikët në fluturim
    Fluturojnë vitet e tu,
    Brezi im.
    Fluturojnë vitet e rinisë,
    Ditët shkunden një nga një,
    Si pendët e shqiponjave.
    Ditët bien si rëra prej balonave,
    Që më lart balonat të ngjiten
    Në gji të pafundësisë.

    Kështu ikshim një nga një, duk’ u ngjitur,
    Duke shpërthyer tavanet plot tym duhani
    të klubeve,

    Ku pinë aranxhata,
    Dhe mezi shqiptojnë “Lumumba”.

    Ne do të ikim
    Jo të kërrusur mbi bastune.
    Po në sfonde shtyllash tensioni të lartë
    Do të erremi si silueta
    Horizonteve të lume.

    Ne do t’ikim nga kjo botë si një funeral i
    vogël
    Që pjek në udhë një dasmë të pamatë.
    Ne do t’ikim
    Siç hiqen afishet e qullura
    Pas një shfaqjeje gjigante, pas mesnate.

    1961

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË