Në tavolinë nji vazo qelqi cilindrike me lulebora të harlisuna nuk pushon tue përçue buzëqeshje fluturake në çdo kand të dhomës me mure të xhamta. Lulebora nuk ishte kryekeput si ajo e qytetit të saj të lindjes, por sa herë që vinin festat i merrte gjithsesi si detajin ma sentimental të dekorit, mbante aromë fminie shpija për festat e fundvitit. Nirvana ktheu kryet me pa vajzën e vogël, që u rrekte me pikturue në nji telajo me numra e zona të përcaktueme. Qetësi absolute, nga jashtë dëgjoheshin hapat e kalimtarëve të rrallë, që ndiqnin ritmin e valëve. Rruga “Elena”, një rrugë e vogël me sens unik, ku mbizotnojnë muret e bardha mbi të cilat sukulentet me ngjyrat e tyne të ngrohta qendisin ornamente spanjolle, tue i shkue përshtat kangjellave të perdredhuna, pllakave e oborreve mbushë me pemë të nalta, ku edhe rrezet e diellit kanë vështirësi me depërtue. Të ardhunit nuk e njihnin, dhe turistëve ndoshta nuk i binte rruga andej, por vendasit e andrrojshin me jetue diku në afërsi me shtëpinë e artistes. Papritmas u dëgjue zilja e telefonit, nji za i dashtun vinte nga larg, me shkëputje. Ra linja, sinjali nuk ishte i qëndrueshëm, kjo për shkak të kodrinave të vazhdueshme, që përshkonin qytetin e mbajtun me hatër nga nana natyrë.
“Po provoj me të thirrë pak ma vonë, nuk ka valë…” i shkroi tezes nji mesazh me tre karaktere zemre mbrapa. Ngadalë, por me padurim, filloj të ecte nëpër dhomë me telefon në dorë tue kërkue ku gjendej sinjali ma i fortë, ndërkohë pauzë, sytë i mbeten të ngulituna përtej dritares.
Çdo gja që po ndodhte përballë saj kishte ndjesinë e nji filmi me lëvizje të ngadalta, gjymtyrët i ishin atrofizue, mendja e shqisat nuk funksiononin, vetëm sytë e zmadhuem me stërmundim përpiqeshin mos me humb lidhjen me realitetin. Vetëm 4-5 metra përtej dritares, në mes të rrugës nji skuadër policie i kishin drejtue armët nga Nirvana. Iu deshtën vetëm pak sekonda me kuptue, se në fakt tytat ishin të drejtueme ndaj nji vajze të ulun në trotuarin e rrugës ngjitë me shpinë. Tue marrë frymë me vështirësi, Nirvana bani nji hap mbrapa, e u mbështet në anën e dritares me faqen vetëm disa milimetra larg xhamit. Vajza e re u dridhte, lotët i rrokulliseshin pa ndalë, vështrimin e kishte të tretun, e mbështetun në një dorë mundohej të mbarte balancën e trupit të sfilitun, në tjetrën mbante shpërfillshëm nji thikë nga ato të kuzhinave. Oficeri i fliste me nji za të ngadaltë, por me tonalitet të vendosun, ishte vetem 3-4 metra larg. Pak ma andej, në anën tjetër të trotuarit, në kambë qëndronin disa kojshi tue pa me sy të tmerruem skenën. Njena prej tyne duhej të ishte nana e vajzës, me krahë të kryqzuem në krahnor e me njenen dorë sipër gojës. Nirvanës i dukej se ia dëgjonte të rrahunat e zemrës, dëshpërimin e pafund dhe frikën për çfarë mund të ndodhte nga sekondi në sekond. Vajzën e familjen e saj nuk i njihte, ma vonë i treguen se familja banonte pak ma andej, në krye të rrugës, ishin njerëz të paqtë e intelektual. Pa britma, pa alarme, në qetësi të plotë, kjo skenë nuk zgjati ma shume se 10 minuta, vajza e perlotun u dorezue tek oficierët. Ato pak kojshi që ishin në rrugë u shpërndanë, edhe lotët në trotuar u terën mbas pak minutash. Vetëm trishtimi dhe e ardhmja e pasigurtë, mbeten aty në ajër si konture të hijes së vajzës, që vazhdonte të sillej aty rrotull.
Nirvana mbylli sytë për nji çast, mori frymë thellë, me të dy duert rregulloi flokët, por në fakt po përpiqej me sistemue mendimet që akoma i silleshin si furtunë nëpër krye. E çoroditun ktheu kryet me pa nga vogëlushja, bota e saj vazhdonte me kenë e njëjtë nën efektin e bojnave dhe penelit.
Tue i folë me ambëlsi vajzës, (as vetë nuk e kuptonte si ishte në gjendje ndonjiherë, me i mbajtë veç per vedi trazimet, pa u kuptue.)
“Mia, hajde zemra e nanës, e mbarojmë nesër pikturën.”
Te dyja bashkë u zhytën në kolltukun e butë. Tue ledhatue duert e njoma, e ndjeu aromën e ambël të vogëlushes tue i depërtue në mbrendësi të shpirtit.
Disa muej ma parë vajza ishte diagnostikue me nji sëmundje të rrallë, mjekët jepnin nji përqindje të vogël mbijetese. Nirvana ishte kthye në qenie me shpirt të plagosun. Ditën vazhdonte jetën normale për sytë e botës, e nata ishte tmerrsisht e gjatë dhe e randë, shoqni i banin vetëm lotët, që u ndalnin në flokët e verdha të vajzës, që flinte e patrazueme. Mendimet ishin të pamëshirshme, nuk e lejonin me marrë frymë, pse Mia, pse vajza me sytë ma të ambël në univers???!!!
Të moçmit thonin bota sillet rrumbullak, çka do që të bash sillet mbrapa me të gjetë. Mendonte ku kishte gabue, ndoshta kishte vra dike o dicka pa dashje, ndoshta në zemërim e sipër, por jo asgja e kësaj natyre nuk i vinte në mendje. Arsyeja kishte humbë, e keqja duket se kishte depërtue pa paralajmërim në jetën e tyne, në formë cinike dhe të përhershme. Mia kishte fjetë në prehrin e saj, e mbuloi me batanijen e preferueme. Mbylli sytë dhe provoi me shtriq trupin, që akoma ishte në gjende ngërçi. Për çudi vuni oroe, se lotët i kishin ngri, porteti i vajzës në rrugë me thikë në duert që i dridheshin nuk i hiqej nga sytë. Veshja e saj sportive, flokët që i shkëlqenin dhe sytë e pashpresë, nana e tmerrueme dhe nji zotni që i rrinte afër portretizonin nji familje perfekte, dhe përsëri në nji fragment sekondi ata mund të kishin humb çdo ekuilibër të mundshëm. E kush e garantonte, se nuk mund ta humbnin në të ardhmen?
Ndërkohë, Mia i shtriu krahët në kërkim të nji përqafimi, e rroken fort njena-tjetren. Mia me andrrat e saja të patrazueme dhe Nirvana që u dridhte lehtë, këtë herë po qante pa lot, tue mendue se çdo çast me njerëzit ma të dashtun asht i çmueshëm dhe mundet me kenë i papërsëritshëm. Nga jashtë fërfëllimat e palmave dhe mjaullitja e nji maçoku e thirrën në botën reale.
Gati natë, mjegull e hana e preme në gjysmë si me thikë u reflektonte në pjerrtësinë e guximshme të valës së përzgjedhun si dhjetëra pasqyra të argjendta. Nata i mbyllte sytë e dritës dhe zhurmat e oqeanit ishin të vetmet, që i tregonin rrugën hapave të tretun në labirintet e natës. Frymë për nji moment, mjaftueshëm sa për nji jetë!