More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kthemi copat e mia", poezi nga Vasko Popa

    “Kthemi copat e mia”, poezi nga Vasko Popa

    Guxo e bjerëm ndërmend
    Mendimet e mia ftyrën kanë me ta çky
    Guxo e dil para meje
    Sytë kanë me m’leh në ty
    Guxo e hape gojën
    Heshtja jem nofullën ka me ta thy
    Guxo e ma kujto veten tande
    Kujtimet e mia tokën nën shputa kanë me ta grry
    Deri këtu kemi mbërri

    1.
    Kthemi copat e mia,
    copat e gjumit të paqtë
    Të buzëqeshjes së mëndafshtë të parandjenjës vijore
    T’nervit tem të zaifët;
    Copat e mia të shpresës pikaloshe
    Të dëshirës së lustrueme t’shikimeve laroshe
    Të lëkurës së ftyrës tem
    Kthemi copat e mia
    Kthemi derisa po të lus si njeri

    2.
    Ndigjo ti lugate
    Hiqe atë shami t’bardhë
    Unë t’njoh ty
    Që prej vogëlie
    Prej të njajtës kalanicë kemi pi
    Në të njajtin çarçaf kemi ra
    Me ty ti thikë sykeqe
    Në këtë botë të gabueme kemi ecë
    Me ty ti gjarpën tinzar
    A po digjon ti hileqare
    Hiqe atë shami t’ bardhë
    Pse duhet mu mashtrue.
    3.
    Nuk do tmaj kaliquksh n’shpinë Nuk do të çoj ku t’më thush S’do ta bâj edhe ndukat me m’la
    As i lidhun në trerrotak ere
    As i zaptum me frena t’ylberit
    Mos u mundo me m’ble
    S’do ta bâj as me kambë në xhep
    As i futun n’birë t’gjilpanës as i lidhun nyje
    As i zvogluem në nji kallam të randomt’
    Mos u mundo me m’tutë
    S’do ta bâj as i pjekun as i thekun
    As gjallë i kryposun
    As n’andërr
    Mos e mashtro veten
    Asgja nuk dhezë, nuk due

    4.
    Jashtë prej pafundsisë tem t’murosun
    Prej valles yjore rreth zemrës tem
    Prej kafshatës tem të diellit
    Jashtë prej të huejit det t’gjakut tem
    Prej naltësisë tem, prej ultësisë tem
    Jashtë prej heshtjes teme të thatë
    Jashtë thashë jashtë
    Jashtë prej humnerës tem t’gjallë
    Jashtë prej trungut të zhveshun atnor n’mu
    Jashtë deri kur më duhet me bërtitë jashtë
    Jashtë prej kresë që po m`shpërthen
    Jashtë veç jashtë

    5.
    Ty të vijnë kukullat
    E unë në gjakun tem i laj
    Me copa t’lëkurës tem i pshtjelli
    Luhajë prej flokëve t`mia ju maroj
    Karrocë prej rruazave t’mia
    Avionë prej vetullave t’mia
    Ju baj flutura prej buzëqeshjeve t’mia
    Lodra prej dhambëve t’mi
    Ta ndjekin e çojnë kohën
    Po çfarë loje bâjnë ashtu

    6.
    Tu shoftë fara e fisi, e nama
    E krejt çka ke n’jetë
    Tu shoftë imazhi i etun n’tru
    Dhe ndijimi përvlues n`majat e gishtave
    Dhe secila secila pllambë
    Në tre kazana t’ujit fatëkeq
    Në tre furra të zjarrit t’shejt
    Në tre gropa pa emën e pa tamël
    E ftoftë të kjoft frymëmarrja deri n’fyt
    Deri tek guri poshtë gjinit t’majtë
    Deri tek marshi i briskut n’atë gur
    Në ferr, në varr në boshllakun e pjellë
    Në gërshantë e urituna t’fillimeve e fillimeve
    Në mitrën qiellore ne njohsha unë

    7.
    Çka u ba me copat e mia
    S’do mi kthye a, nuk do?!
    Kam me t’i djeg unë vetullat
    S’ke me kanë përjetë e padukshme
    Kam me ta përzie natën me ditë në krye
    Ke me i ra ti derës tem me ballë
    Kam me t’i pre thojtë vërshëllues
    Që mos me vizatue gjëegjëza n’trunin tem
    Kam me t’i shty mjegullitë prej eshtnave
    Me t’i thithë helmet prej gjuhës
    Ke me pa çka kam me t’ ba
    T’u shoftë kotilla e temeli e shkëlqimi
    Dhe terri dhe pika në fund të jetës tem
    E krejt çka ke n’jetë

    8.
    E ti po do na me u dashtë
    Mundesh me më ba prej hinit tem
    Prej rrënojave të qeshjes tem zanaltë
    Prej mërzisë tem të mbetun
    Mundesh bukuroshe
    Me m’kapë për nji fije harrimi
    Me ma përqafu natën n’këmishën e shkretë
    Me ma puthë oshtimën
    Po ti nuk di me u dashtë

    9.
    Ik lugate
    Edhe fërkemet po na azdisen
    Po hahen mas neve në pluhun
    Nuk jemi njani për tjetrin
    Akullnajë e ashpër shikimi yt
    Prej teje kapërcej prej fundit në fund
    S’ka mbet gja prej lojës
    Qysh i kemi përzi copat kështu
    Kthemi çka po të duhen
    Kot po të zbehen mbi supe
    Kthemi e në hiçin tand ik
    Ik lugate prej lugatit
    Ku i ke sytë
    Edhe këtu asht terr

    10.
    Gjuha e zezë, mesdita e zezë, shpresa e zezë
    Krejt t’zeza veç rrënqethja jem e bardhë
    Ujkun tem e paç n`fyt
    Stuhi e paç shtratin
    Lemeri jastakun tem
    T’pafundme i paç trazimet
    T’zjarrta i paç kafshatat e dhambët e dyllit
    E ti përtypu grykëse
    Sa të dush përtypu
    Të heshtun e paç erën, të heshtun ujin, t’heshtuna lulet
    Krejt të heshtuna veç kërcëllima jem e zhurmshme
    Fajkoi jem në zemrën tande
    Nanat ma pak me u tutë

    11.
    E kam fshi ftyrën tande prej ftyres tem
    E kam shkul hijen tande prej hijes tem
    T’i kam fashitë kodrat
    Rrafshinat n’kodra t’i kam kthye
    T’i kam shti stinët n`bela
    I kam heq krejt anët e botës prej teje
    E kam laku tanë udhën e jetës tem
    Të pakalueshmen, të pamundunën
    E ti tash përpiqu me m’takue

    12.
    Boll ma me jargitje t’ambla, boll me çikërrime të sheqerosuna
    Asgja s’po due me ndigju, asgja me ditë
    Boll, boll gjithçka
    Kam me e thanë të fundit boll
    Kam me e mbushë gojën me dhe
    Kam me i shtrëngue dhambët
    Me e pre kullimin në krye
    Me e pre njiherë e mirë
    Kam me ndejtë ashtu qysh jam
    Pa rranjë, pa degë, pa kunorë
    Kam me ndejtë tu u majtë në veten tem
    Në gungat e mia
    Kam me kanë nji shkop murrizi mrena teje
    E vetmja gja që mrena teje muj me kanë
    Në ty, ti lojëprishse, në ty, ti kotësi
    Mos u kthefsh

    13.
    Mos u tall lugat
    Thikën e ke mshef poshtë shamisë
    E ke shkelë vijën, ke marrë n`thue
    E ke prishë lojën
    Edhe qielli me u rrotullue
    Edhe dielli në tokë me ra
    Edhe copat me mu përzi
    Mos e tall lugate lugatin
    Kthemi copat e mia
    Edhe unë t’i kthej tuat!

    Përktheu: Vlora Konushevci


    Vasko Popa u lind me 29 qershor 1922 në fshatin Grebenac në Vojvodinë, dhe kishte përkatësi etnike rumune. Në vitin 1940 ai u regjistrua në Fakultetin Filozofik në Beograd, për t’i vazhduar studimet e tij në Bukuresht dhe Vjenë. Nga viti 1954 deri në vitin 1979 ai ishte redaktor i shtëpisë botuese “Nolit”. Vasko Popa është një nga themeluesit e Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Vojvodinës, e themeluar më 14 dhjetor 1979 në Novi Sad. Ai ka publikuar tetë vëllime me poezi të cilat janë përkthyer në shumë gjuhë të botës duke e bërë Vasko Popën si njërin ndër poetët më me ndikim në botë.

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË