Kishte dalë jashtë minibusit të cilin e kishte huazuar nga vëllai i tij i madh, për të shkuar përsëri, ndoshta për herën e fundit, afër apartamentit ku kishte jetuar deri par pak kohe. Ishte ndalë gati se saktësisht pesëdhjetë metra larg ndërtesës ku e ka, apo e kishte pasur, apartamentin.
Pas nja katër cigareve që kishte tymosur pa ndalë, përnjëherë po shquante vajzën e tij njëmbëdhjetë vjeçare duke ardhur drejt tij me një baule më të madhe se ajo. Po e bartte me vështirësi. Në fytyrën e saj të imë, hundën karakteristike si të shotës, disi si të shtypur dhe të gjerë në fund, në majë, mu sikur nëna e saj, dhe me flokët e saj të shkurta si të ushtarëve, ajo po ecte me gjithë baulen, drejt tij dhe me mundim.
Duke ndezur cigaren e pestë, derisa e priste vajzën e tij që po shihej dhe po vinte, duke e pritur pa guxuar të afrohej tutje sepse kishte një urdhërndalesë ndaj tij për t’iu afruar ndërtesës ku kishte banuar deri para një jave, apo më saktësisht për të mos iu afruar gruas së tij. Duke e shikuar vajzën e tij, dhe baulen të cilën e njihte shumë mirë, për të gjitha udhëtimet që kishin pasur së bashku, si familje, vajza e tij, dhe ai me gruan, herë në bregdet, e herën e fundit, para dy viteve, pra para pandemisë në Hungari, përnjëherë vëren një cohë të kaltër duke u varur jashtë baules. E kaltër e çeltë. E kaltër e fortë, e fuqishme, dhe krejtësisht e veçantë në këtë mbrëmje që po pret.
Nuk e kishte zgjatur shumë me vajzën.
Pse, pyetet, pse ta zgjasja, pse të flisja me ‘zgjatimin’ e gruas sime. Pse të flisja me gruan time përmes vajzës sime; në fund, mendon derisa vozitë, ndoshta edhe nuk ia vlenë më, çdo gjë ka shkuar për lesh, për harrim e dhembje të pamundësisë së harrimit. Por vozitë. Dhe vozitë, vozitë thellë në periferinë e vendit, natën dhe në mal, është duke vozitur rrugës për në shtëpinë që ia ka huazuar vëllai në një fshat të largët, duke qenë se është shtëpi për pushime vikendeve, etj.
Vazhdimisht shikon baulen në ulësen anash minibusit të vëllait derisa është duke vozitur. Në të vërtetë nuk e shikon baulen, por atë cohë të kaltër të veçantë, e të fortë që varet jashtë saj. Tanimë e di, është çorapë, është çorapë e tij, palët që kishte dashur më së shumti nga të gjitha rrobat e tij.
Ndezë cigaren e fundit të pakos që ka hapur duke pritur baulen e rrobave të tij, në vozitje e sipër, mendon, është krejtësisht i çuditur pse i pëlqenin, dhe ende i pëlqejnë ato çorapë, aq shumë. Ishin, dhe ende janë (ç’është kjo ishin! E pyet veten. Dhe kjo ende janë! Paska njëlloj humnere në këto dy netë, të djeshmen dhe të sontmen!), por sidoqoftë, vazhdon, janë prodhim krejtësisht i lirë dhe i njohur për të qenit prodhim i përhapur në masat e varfra. Pastaj dhe nuk kanë ndonjë veçanti, janë të kaltra thjeshtë dhe të pa ndonjë zbukurim apo punim. Janë të kaltra thjeshtë. Por dhe shumë shumë të dashura për atë.
Duke vozitur, tanimë ora afër orës policore, për shkak të pandemisë, ndalesës së lëvizjes, por edhe nuk jam shumë larg shtëpisë ku tanimë do të banoj, mendon, pastaj afrohet dhe i prekë. I përkëdhelë. Në prekjen e parë është i çuditur, janë disi ndryshe në material, dhe ndryshe në dizajn, por sidoqoftë, i duket sikur përkëdhelë muret e shtëpisë, për një moment ndien i kujtohet dhe aroma e esspressove të shtëpisë së tij, pastaj i duket se po përkëdhelë dhe macen e tyre të shtëpisë, dhe në fund krejt i duket se është duke përkëdhelur vetë vajzën e tij.
Sigurisht, fillon të qajë. Qanë dhe vozitë. I kujtohet dhe gruaja e tij, flokët çelur, dhëmbët tejet të bardhë dhe e folura e saj sikur duke pyetur, çkado që thotë, që e thoshte. Sigurisht, tanimë e di, tërë ajo e pyetur e saj ishte vetëm eksploatim i ndjenjave të tij, i tërë dashurisë së tij, por, por, mendon në terrin e natës derisa është duke vozitur thellë në periferi të vendit, ajo edhe më ka dashur një herë. Pastaj, thotë në vete, ndoshta?! Por vazhdon ta kujtojë, e kujton duke dalë nga tualeti, e larë, flokët e lagura, veshur me bade mantel, duke u krehur para se të binin në gjumë, e kujton dhe përnjëherë vëmendësohet ku është dhe ku është nisur në këtë terr të kësaj nate, dhe sikur, i duket sikur është duke udhëtuar, vozitur për në fund të botës. Apo, aq më shumë se ka arritur, e ka dalë jashtë botës, është tërësisht terr dhe asgjë nuk shihet, përpos një shtegu që krijojnë dritat e veturës së tij. Është mal në tërësi, është duke hipur me veturë në malin më të lartë të vendit, e prapa malit është shtëpia e vikendit e vëllait të tij ku është duke shkuar.
Kthehet, e shikon çorapen e kaltër, e kapë dhe mundohet ta nxjerrë jashtë. Por baulja është tejet mirë e mbyllur dhe as nuk mund ta nxjerrë dhe as ta lë ashtu si është. E shtrëngon edhe një herë çorapën e kaltër. Është ora gati se njëmbëdhjetë tanimë, por dhe nuk është shumë larg nga shtëpia ku do të banoj, së paku përkohësisht, së paku derisa të zgjidhet e tëra me gjyq.
“Bab, më ke lodhë shumë.” I kishte thënë vajza, Adelina, kur më në fund ishin takuar këtë natë. Kishte së paku një javë që nuk ishin parë. Kishte së paku dy tragjedi të mëdha në mes të dyve, dhe kishte shumë shumë gjëra që kishin bërë bashkë këto njëmbëdhjetë vitet e jetës së saj, por kjo ishte e tëra që ajo kishte thënë, asnjë fjalë dhe as gjest të ndonjë mungese të tij.
Çudi, mendon, çudi e madhe. E din se e njeh vajzën e tij, dhe e di se ajo ndjenë dashuri, dhe gjithmonë ka ndjerë dashuri për atë. Ç’është, mendon? Ç’është? Provon të kujtoj fytyrën e saj, tërë atë që kishte parë në vajzën e tij, në takimin para disa orësh, ndonjë gjë, pyetet, por nuk i kujtohet asgjë, asgjë qoftë që shfaqë ndonjë përdëllim apo edhe dhembje e mall të saj për atë, babain e saj, e qoftë as ndonjë frikë apo edhe qoftë kujdes ndaj tij. Ç’ është? Pyetet. Dhe se si i mbetet shikimi në një nga pemët e malit ku është duke udhëtuar, i duket i huaj, dhe në të njëjtën kohë tejet i rëndë për t’u shikuar, kujtuar dhe egjithatë i mbetet në mendje, mu sikur Adelina.
Por, i thotë vetes, ndoshta ende është nën traumën e incidentit që kishte ndodhur atë natë, saktësisht dhjetë net më parë. Nuk ishte ndonjë gjë e madhe, nuk kishte ndodhur ndonjë gjë e madhe, ai ishte fjalosur keq me gruan e tij, e të tjerat as nuk don t’I kujtoj. Pastaj, megjithatë, e kishin dënuar në me urdhërndalesë për të mos iu afruar gruas së tij më shumë se pesëdhjetë metra, as ajo nuk ishte ndonjë gjë e madhe, mendon, mendon dhe vozitë.
Pastaj i kujtohet dhe edhe një gjë e parëndësishme, njëlloj dredhie e gruas, jo për të parën herë. Në të vërtetë. Për krejtë pabesueshmërinë e ngjarjes, ajo e kishte tradhtuar me një shoqe të saj, në distancimin dhe tëhuajsimin e njërit prej tjetrit, ajo, mu sikur ish gruaja e Tajarit, kishte kaluar në marrëdhënie me femra, gjë që ndodhë ndonjëherë tanimë në gjeneratën e tij, në gjeneratën e njerëzve të moshës së tij dhe të katrahuarave të tyre. Sepse, sigurisht, mendon derisa vozitë, sigurisht kishin pasur probleme martese dhe seksi e marrëdhënie normale me njëri tjetrin. Por, e njëjta gjë kishte ndodhur disa herë, disa raste dhe disa net.
Apo, mendon duke vozitur në këtë terr të dendur si djathë, ndoshta jam gabim. Megjithëse pa rëndësi, ndoshta edhe ky e kishte ekzagjeruar, ndoshta nuk ishte tradhti, ndoshta vetëm kishte dalë dhe kishte eksploruar natën, sigurisht me shoqen e saj Anduenën. Ndoshta ajo, kishte pirë më shumë se që duhej. Ndoshta edhe ishte argëtuar më shumë se që duhej. Ndoshta edhe kishte pasur punë me ndonjë mashkull, por krejtësisht e parëndësishme, dhe ndoshta e ekzagjeruar. Dhe vazhdon të vozisë, drejtë dhe thellë e lartë në pyll. Në shtëpinë ku do të banojë përkohësisht. Ndoshta edhe ndien një lot duke i rrjedhur, ndoshta jo për gruan, tradhtitë e saj të parëndësishme, por pse ka humbur krejt çka ka mundur të humbas, etj, sidoqoftë, thotë në vete.
Pastaj, pastaj i kujtohet dhe se kjo është gjëja që e ka munduar tërë këto nëntë vite të jetës së tij, derisa gjysmë viti të martuar kishin pasur një jetë më të pranueshme, derisa kishte lindur vajza e tyre Adelina. Këto, ndoshta edhe ishin, tradhti të saj të befta, apo edhe krejtësisht të parëndësishme. Duke vozitur thellë në terr, mendon, ndoshta po e ekzagjeroj, ndoshta edhe mudn të kthehen gjërat në vendin e tyre. Prapë shikon ansah në mal, dhe tani i duken drunjtë e tij në terr si një ngatërrim, kompleks dhe njëlloj ëdnrre e pazgjidhshme.
Por, prapë i kthehet kujtimit të vajzës, zgjatet dhe e përkëdhelë prapë çorapën e kaltër, të thjeshtë, dhe mendon, çka ka këtu Adelina? Si është e mundur që dashuria e tij më e pastër ndonjëherë në jetën e tij, apo edhe më e thellë, me e kujdesshme, më e lirë, më e pakusht, më e pa ndonjë pritje për kthim prej saj, vajzës së tij… por, këtu, se si ndien se i dalin lot, dhe të tjerë, edhe më shumë, pas lotit të parë. Ajo pa-kthim disi e ka goditur, e ka tronditur, e ka thyer. Zgjatet dhe me rrëmbim mundoheta ta nxjerrë çorapën prej baules, por nuk mundet.
Shikon jashtë veturës, nuk ka asgjë përpos një nate, një terri të dendur dhe të padepërtueshëm, tani dhe i duket sikur është një ëndërr, ëndrra që e kanë futur në një ankth të pazgjidhshëm disi këto netët e fundit. Në shtegun që e shfaqin dritat e veturës sheh vetëm lisa dhe pyll, dhe aty-këtu linjën e bardhë të rrugës të fshirë nga vjetërsia.
Përnjëherë e ndalë veturën dhe del jashtë saj. Para kësaj i shuan dritat. Është një terr i tmerrshëm. Nuk sheh asgjë për disa kohë, pastaj fillon të shquajë lisa të gjatë, të gjerë e të shpeshtë në afërsi të rrugës. Asnjë zë. Asnjë veçanti. Është natë si djathë, si copë djathi e dendur në terrin e saj. Pastaj, ngadalë bëhet i vetëdijshëm për freskinë e ajrit. Të ftohtit e tij në këtë fillim të dimrit.
Për një moment i bien ndërmend çorapët e kaltra të thjeshta. Kthehet në veturë dhe i nxjerrë nga baulja. I vesh dhe del në asfaltin e pyllit ku ka qenë duke vozitur.
Niset. Pas disa momenteve duke ecur hyn nëpër pyll. Në çorapët e kaltra të tij të thjeshta. Ecë. Është ftohët dhe ajër tejet i freskët.
Ecë dhe ndonjëherë prekë me dorë lisat e gjatë të dendur të pyllit. Por nuk ndalet. Ecë. Ecë dhe qanë. Në ndërkohë, e ka kuptuar se çorapët, ajo që ishte diçka ndryshe në përkëdheljen e parë të tyre në veturën gjatë vozitjes, ai ndryshim është se ato nuk janë çorapët e tij. Janë të gruas së tij. Nuk ka rëndësi mendon, dhe vazhdon të ecë.