Qyteti i kujtesës që flet
Në fillimmajin e vitit 2013, me Luan Ramën, shkrimtarin dhe kulturologun e njohur dhe një nga miqtë e mi të vjetër, po ecnim në rrugën “Rishëlie”.
Kisha ditë që isha në Paris, bashkë me regjizoren Donika Muçi, operatorin Spartak Papadhimitri dhe Kenon, për xhirimet e fimit dokumentar “Marko Boçari”.
Parisi është ndoshta nga të rrallët qytete në botë, ku kujtesa merr frymë, sheh, dëgjon apo flet. Atë mund ta prekësh në çdo hap që hedh dhe me një lehtësi të pabesueshme ajo të flet.
Në Paris binte shi i qetë, nanuritës, si në romanet e Hemingueit. Dhe duke ecur nëpër shiun e qetë parisien, unë e pyeta mikun tim të vjetër për Dinot e mëdhenj nga Preveza e Çamërisë, aq të lidhur edhe me Parisin…. Ndjeja nën shiun që binte zërat e tyre e më shfaqeshin, si ëndërr portretet e Dinenjve. .. Kjo po më ndodhte në Paris e jo në Stamboll, ku kisha shkuar disa herë, ku edhe atje kujtesa historike është kudo e prekshme. Vetëm e prekshme, mendova e jo zëfolëse, siç është në Paris… Këtu në Paris, në vitin 1895, Abedin Pashë Dino ishte dekoruar nga Akademia Franceze me “Palmën” e saj. Këtu në Paris sikur më fliste zëri i Hasan Tahsinit, çamit tjetër, që ka jetuar gati 12 vjet (1857- 1869) e që ka takuar disa nga personalitetet e shquara parisian si filozofë, matematicienë, fizikantë, astronomë etj. … Kujtuam Abedin Dinon (të riun), piktorin e madh, Xhemil Dinon dhe djalin e tij, Borisin, që jeton këtu, Azis Çamin që nga Parisi niste vullnetarët shqiptar për në Luftën e Spanjës, Rexhep Çamin, një idealist të kulluar, anëtar edhe i Partisë Komuniste Franceze, xha Mahmudin nga Margëlliçi i Çamërisë, që sipas kujtimeve të diplomatit Javer Malo, vullnetarisht kishte bërë roje në hotelin, ku ishte vendosur delegacioni shqiptar më 1946…. E më pas folëm edhe për Jusuf Vrionin, përkthyesin e shkëlqyer, dajot e të cilit ishin nga Dinejt e Prevezës e që në Paris kishte kaluar rininë e ku vdiq vite më parë. .. Çuditërisht kryeqyteti francez ruante dhe fliste me kujtesën e tij për shumë personalitete nga Çamëria… Ne kishim xhiruar varrin e Pukëvilit në një pasdite me diell të ngrohtë, konsullit të Republikës Franceze, në oborrin e Ali Pashë Tepelenës në Janinë dhe dy ditë më parë metronë, që mbanë emrin e Marko Boçar Çamërisë (siç thuhet në një këngë popullore çame … Pikërisht në këtë qytet gjurmët e lavdisë së Marko Boçarit janë më shumë se të prekshme dhe zëfolëese, që nga fjalori greqisht- shqip” i arkivuar në Bibliotekën e Parisit dhe deri tek pikturat e Delakruase apo poemat e Viktor Hygoit…
Pastaj u ulëm në një nga kafenetë e shumta të rrugës “Rishëlie” dhe Luani më foli për librin e tij të fundit me një titull sa poetik, aq dhe si një trokitje në derën e një ëndrre të parealizuar: “Pranvera dy hapa pranë”. Me të folurën e ngrohtë dhe timbrin e veçantë të zërit, frazat disi të shkëputura, ai më rrëfeu për dëshirën e kahershme për të shkruar për dajon, rrugëtimin në Filat para disa vitesh në një pasdite të paqtë, pastaj për gjyshen që e kishte rritur e që kishte ruajtur derisa vdiq pardesynë e të birit( që ruhet në Muzeun Historik Kombëtar), për nënë Ildizen, që kthehej e rikthehej në Filat apo Tiranë me imazhin e të vëllait, Aliut. Mbaj mend që folëm edhe për dy botime të Nekie Demit, motra tjetër e Aliut, njeri i botuar në vitin 1963 dhe tjetri në vitin 2004, ku ajo flet për jetën e të vëllai, si dhe rënien heroike të tij. Nekie Demin e kam takuar disa herë dhe ruaj për të respekt si një zonjë e vërtetë dhe e kulturuar. Librin e saj të parë për Ali Demin e kam lexuar, që kur isha në moshën 15 vjeçare. Dhe kur dolëm jashtë, nuk e di pse rrëfimi i mikut tim më solli ndërmend teorinë, sipas të cilës shpirti mund të transmigrojë nga një trup në tjetrin dhe që e kisha lexuar në një nga esetë e shkëlqyera të Borhesit. Në këtë ese Borhesi shkruan, se cili prej nesh është, në një farë mënyre, tërë njerëzit që kanë vdekur përpara… Dhe duke ecur nëpër shiun e qetë të Parisit, nuk e di pse më dukej sikur dëgjoja në zërin e Luan Ramës, atë të Ali Demit dhe ecja në qytetin e kujtesës që flet me Ali Demin, djalin nga Filati i Çamërisë time dhe Spatari i të parëve të mi, që shtrihet” dy hapa pranë Filatit”
Pavdekësia e heroit
Libri i Luan Ramës “Pranvera dy hapa pranë” është nga më të mirët kushtuar figurave të ndritura të Antifashizmit Shqiptar, atyre që u flijuan në altarin e lirisë. Autori i ka shpëtuar pllakatizmit dhe paraqitjes baladeske apo patetiko- foklorike, që rëndon e gjejmë në publikimet e këtij lloji në Shqipërinë e para viteve 90. Në shumë syresh, por edhe në disa filma dokumetarë apo artistikë, pikturë etj të socrealizmit duket sikur heroi është ndryshe nga njerëzit e tjerë dhe sikur jeton në një realitet tjetër. Edhe kolana “Yje të pashuar”, nuk i ka shpëtuar patetizmit, deklaratizmit, duke zbehur kështu thelbin njerëzor dhe të vërtetat e atyre që dhanë jetën për liri. Do të veçoja ndoshta monografinë e Nasho Jorgaqit për Heroin e Popullit Qemal Stafa a ndonjë tjetër të këtij lloji, ku shpalosen krahas heroit edhe ana njerëzore e tij dhe që e bën këtë libër nga më të mirët në letrat shqipe.
Me të drejtë autori shkruan se “këtë libër e kisha të vështirë….” dhe se “kjo thjeshtë për t’u ruajtur nga një lloj subjketivizmi dhe për ta parë personazhin me ngjyra relaiste, për ta shikuar atë në dimensionet e veta reale historike, emocionale, pra gjithçka që përbënte thelbin e karakterit dhe të mendimit të tij, e ngjizur padyshim me kohën dhe atë trashëgimi familjare dhe historike që mbartëte brenda tij”, duke shtuar se përsëri personazhin doja ta shihja sa më tokësor dhe njerëzor. Cili ishte ai? Çfarë mendonte ai për kohën dhe njerëzit që rrethonin? Ç’mendonte për jetën në tërësi dhe të ardhmen?
Luan Rama arrin të na japë Ali Demin e vërtetë, heroin me botë të madhe shpirtërore, njeriun që jetoi jo vetëm në rrethana të caktuara historike, por që përjetoi emocionalisht dhe shpirtërisht këto rrethana. Ai është i pa qetë, gjithmonë në lëvizje dhe imbrutjur me shpirt revolte. Ali Demi në këtë monografi jepet si pjesë i një brezi nga më idealistët në histroinë e Shqipërinë, i krahasueshëm ndoshta për nga fryma, përpjekjet për ndryshim dhe sakrificat, me rilindasit tanë. Shumë prej tyre kishin studiuar në shkollat më të njohura europiane, të tjerë zotëronin një kulturë të gjerë në të gjitha fushat. E tillë është edhe Ali Demi i librit “Pranvera dy hapa pranë” i Luan Ramës.
Qiejt e fëmijërisë, adoleshencës dhe rinisë së Ali Demit, në këtë libër lëvizin në kohë dhe hapësira të ndryshme. Ai lindi në qytetin e Filatit më 18 janar 1918. Në rrafshin historik jemi pesë vite, ku pas një qëndrese historike të çamëve, ka rënë Janina dhe bashkë me të është pushtuar Çamëria nga ushtritë greke. Janë vitet më dramatike për popullisnë e kësaj krahine. Jemi pesë vite pas një masakre nga më makabret, atë të përroit të Selamit, pranë Paramithisë, ku banda e Delijanaqit pabesisht dhe mizorisht masakroi 72 burra të parisë së Çamërisë. Jemi pesë vite pas Konferencës së Londrës, e cila në vendimet e saj shkëputi Kosovën e Çamërinë nga trungu amë. Pikërisht në këto momente të zymta historike për Çamërinë dhe Shqipërinë erdhi në jetë Ali Demi. Filati mbante gjurmët e rënda të luftës. Qielli i fëmijërisë së Ali Demit, krahas grisë së kohës dhe trazimeve të saj, ka edhe magjinë e brigjeve mitike të lumi Kalama dhe të qytetit me tradita mëmëdhetare, Filatit, ditët me diell dhe gjelbërimin e përhershëm të peizashit të Çamërisë, ngrohtësinë e erërave që vinin nga deti Jon, ëmbëlsinë e dialektit çam….
Luan Rama në këtë libër përshkruan bukur Filatin, traditat e këtij qyteti, fisin e madh të Dematëve e veçanërisht disa figura emblemtatike të këtij fisi si Musa Demi, Rexhep Demi, por edhe të fisit të Sejkatëvet. Me një kolor të veçantë jepen rrugët e ngushta të Filatit, dyqanet, burrat e qetë dhe trima, vajza dhe gra të bukura, dasmat me këngët e vallet levente çame, përrallat që të çojnë thellë në muzgjet e botës pellazgjike.
Edhe qiejt e adoleshencës e të rinisë së Ali Demit kanë ngjyrën e tyre të veçantë.Ata zhvendosen në hapësira të tjera, siç është Saranda, ku ai shkon për studime në konviktin “Çamëria”, ku bashkë me fëmijë të tjerë çamë mëson gjuhën amtare. Më pas në kohë dhe hapësirë tjetër, shkon në qytetin e Gjirokastrës. Është viti 1932, kur Ali Demi hyri në gjimnazin e këtij qyteti dhe këtu, bashkë me shokun e tij të ngushtë Themo Vasi dhe kushuririn e tij Njazi Demi, organizuan revoltën e nxënësve për kushte më të mira jetese. Në këto vite më pas Ali Demi rrezaton mirësi, kulturë, dinjitet, krenari, të trashëguara këto nga rrënjët e fisit të tij. Nga ana tjetër qielli i adoleshencës dhe i rinisë së hershme i tij nis e trazohet. Në shpirtin e Ali Demit zë vend revolta ndaj padrejtësive dhe të keqes. Po të ndjekësh itinerarin e jetës së heroit, një nga karakteristikat më spikatëse është gjendja e revoltës, shkruan autori i librit. Edhe pse i përjashtuar nga gjimnazi i Gjirokastrës Ali Demi në Tiranë, në prag të pushtimit fashist do të hidhet në rrugën e protestave kundër pushtimit italian dhe më pas në protesta e demonstrata të tjera. Kjo revoltë e lidhi me komunistët e parë shqiptarë dhe e bëri pjesë aktive të Partisë Komuniste Shqiptare. Kjo revoltë do ta ndiqte në aksionet e para, si dhe në burgun e Tiranës, duke organizuar grevat e urisë, protestat e mëdha deri edhe arratisjen e numrit të madh burgosurish politikë, më 29 prill të vitit 1943.
Ali Demi i përket brezit të ëndërrimtarëve të mëdhenj, jo ëndërrimtarë “tuafë”, por atyre me këmbë në tokë dhe që ëndrrën e kanë konkrete dhe të prekshme. Këta ëndërritarë ruajnë në vetvete energji të pashtershme dhe vrulle që rrallë i gjen tek të tjerët.
Këtë ëndërr dhe vrull rinor paraqet Luan Rama në librin e tij për heroin Ali Demi. Për këtë ëndërr dhe realizimin e saj nuk është vetëm. Në këtë libër krahas Ali Demit, figurës qendrore të librit, dalin edhe emra të tjerë që nga Qemal Stafa, Perlat Rexhepi, Ramize Gjebrea, Vojo Kushi, Hajdar Dushi.
Me Ali Demin, për realizimin e kësaj ëndrre janë edhe djemtë e tjerë të Çamërisë, si Njazi Demi, Kasem Demi, Taho Sejko, Teme Sejko, Tahir Demi, Ilmi Seiti, Myfit Sejko, Muharrem Demi, Selim Islami, Qamil Buxheli etj. Në emër të kësaj ëndrre Ali Demi bie heroikisht, duke dhënë jetën në moshën 25 vjeçare, më 20 dhjetor të vitit 1943 në Kaninë të Vlorës. Në kujtimet e tij për vrasjen e Ali Demit, me origjinë nga Çamëria dhe lindur në Pandelejmon, shkruan për Sami Muratin, që në fshatin Pandelejmon, dha lajmin tronditës për Ali Demin, bir i Çamërisë, Sekretar Politik i Qarkorit të Vlorës, mbasi kishte çarë rrethimin, në një shtëpi të Kaninës, kishte rënë duke luftuar në Qafën e Dheut të Bardhë. Të gjithë ne mbajtëm një minutë heshtje në kujtim të tij dhe kënduam marshin funebër «Me dhimbje ju përcjellim në të varrit ftohtësi».
Libri “Pranvera dy hapa pranë” është ndërtuar mbi disa shtresëzime kujtesash. Pavdekësia, shkruan një nga mendjet gjeniale të botës, Borhes, është në kujtesën e të tjerëve, në veprën që ne lëmë. Përtej vdekjes sonë fizike mbetet kujtesa e përej kujtesës mbeten veprimet tona, mbeten gjestet tona, sjelljet tona. Mendoj se shtresëzimi i parë i kësaj kujtese në libër është e autorit. Kjo kujtesë nis që nga fëmijëria e Luan Ramës, e vazhdon e ndërthurur me kujtesa të tjera deri në fund të librit. Pastaj vjen kujtesa e nënës së heroit, Nazos, që ka një kolor tjetër dhe është zëfolëse. Ajo zhvendoset nga Filati, në Tiranë e më pas në Vlorë e në Kaninë. Një shtresëzim tjetër kujtese është e motrës së heroit, Ildizez, që është edhe nëna e autorit të librit. Kujtesa e saj lëviz që nga Filati, Tirana, rrugicat e këtij qyteti, shtëpia e vjetër ( ku sot është lagjja “Ali Demi”) apo burgun e Tiranës, duke ardhur deri në ditët tona. Mbaj mend, që në maj të vitit 2013, me t’u kthyer nga Parisi, me porosi të Luan Ramës shkova në shtëpi të nënës së tij, Ildizes, për t’i çuar disa libra. Shtëpia e saj ishte pas ish hotel «Pezës». Nuk do ta harroj kurrë takimin me të, sidomos bisedën që bëmë bashkë. Ajo ishte e shtrirë në krevat e paralizuar, në një krevat në këndin e dhomës. U ula pranë saj dhe duke parë fotografitë në murin përballë, sidomos ato të Filatit, babait dhe nënës së saj, atë të Ali Demit, ajo më tha, se jetonte dhe u fliste fotove të varura në mur. Kujtesa e saj ishte fenomenale. Duke më rrëfyer për qytetin e bukur të Filatit, Luftën Italo-Greke, miqtë e krishterë që kishin marrë në mbrojtje, Ali Demi, që ishte pro popullit grek, kundër fashizmit italian, rrugëtimin e gjatë për në Shqipëri në vitin 1942, shtëpinë ku u vendosën në rrugën e Shëngjergjit, burgun e Tiranës, kur shkonte për të takuar vëllanë, lajmin e kobshëm për vrasjen e të vëllait dhe nënën që vuri duart në kokë e pastaj i ra të fikët. Interesante janë kujtesat që vijnë nëpërmjet bashkëluftëtarëve të Ali Demit, si ato të Qamil Buxhelit, Kristo Frashëri, Rahman Parllakut e shumë të tjerë.
Ky është libri “Pranvera dy hapa pranë” i Luan Ramës. Ai është homazh për një nga djemtë idealistë të Çamërisë, për antifashizmin çam dhe kontributin e çamëve në Luftën Antifashiste këtej dhe andej kufirit, emrin e të cilit, pra të Ali Demit e mbante një batalion, me 500 djem dhe vajza nga Çamëria martire, pjesë e regjimentit të pesëmbëdhjetë të ushtrisë çlirimtare greke. Ali Demi i bën nder jo vetëm Çamërisë, por tërë Shqipërisë dhe libri është një homazh për një Hero të Popullit, që siç shkruan autori, i përket “i një rinie të kaluar vuajtjesh, vdekjesh dhe stuhish”.
Ali Demi është i pavdekshëm, sepse pavdekësia është privilegj i pak njerëzve, është privilegj i të mëdhenjve.
Paris – Tiranë, 2013 – 2023