More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Klara Kodra: Një roman-sagë që rikthen realizmin

    Prof. Dr. Klara Kodra: Një roman-sagë që rikthen realizmin

    Studiuesi Zhan Starobinski thotë me mprehtësi  që “vepra e plotë e një autori mund të kundrohet, qoftë në evolucionin e vet, qoftë si peisazhi simultan… njëri  ndërton një sonet si mikrokozmos autonom; për tjetrin një konstelacion romanesh  mezi mjafton për të shprehur një synim krijues unik. Projekti i autorit ….brenda shkruan një botë të ngushtë a të gjerë, në brendësi të së cilës sundon një ligj homogjen…”[1].

    Në romanet e Raimonda Belli Gjençajt ndihet  një shqetësim për fatin e individit në përgjithësi në  plan ekzistencial dhe shoqëror dhe të gruas në veçanti.

    Romani i saj i katërt  shënon një hap krijues, duke qenë megjithatë në vazhdimësi me tre romanet e tjerë “Epitafi i fundit”, “Butonat prej platini”, “Shtatë shpirtërat e Terezës”. Ky roman është një sagë.

    Një sagë e re në letërsinë bashkëkohëse shqiptare pranë sagës së fshatarësisë të realizuar me mjeshtëri nga Jakov Xoxa; një sagë e borgjezisë, po jo e borgjezisë triumfuese, po e borgjezisë së shpronësuar e po të përdorim një term të zakonshëm në gjysëm shekullin  e diktaturës komuniste, të deklasuar, e borgjezisë shqiptare në një kohë që s’është më e saj. Është fjala për një roman social-psikologjik me shtrirje të gjerë që ndërthur tematikën sociale me tematikën ekzistenciale  dhe ka titullin sugjestiv “Koha  në mes”.

    Nuk është një roman modernist apo  pasmodernist dhe në këtë dallohet nga shumë vepra të sotme, është një  roman që i rikthehet prirjes realiste, dëshmon për vitalitetin  e realizmit në prozën e gjatë bashkëkohore shqiptare. Ky roman e rikthen personazhin, jo më të copëzuar si në modernizëm e pasmodernizëm, po të plotë, me thelbin e vet social dhe psikologjik, një personazh me botë shpirtërore të pasur e të ndërlikuar me të cilin lexuesi mund të identifikohet.

    Ky roman spikat  për thellësi tematike  dhe problematike në krahasim  me tri romanet e mëparshëm, ka fituar, si në thjeshtësi (nuk u drejtohet gjetjeve befasuese si “Epitafi i fundit”), ashtu edhe në përmasën e thellësisë; rrok disa breza, pra, disa kohë, po edhe gërmon në fund të vetëdijes  dhe  nënvetëdijes së personazheve (këtë tipar të fundit e ka të përbashkët me romanin modernist), ka parasysh  thelbin social të personazheve, po edhe përmasën ekzistenciale, pra, zbulon njerëzoren dhe të papërsëritshmen tek ata. Kjo vepër nuk shfrytëzon mjetet formale të veprave moderniste dhe pasmoderniste, monologun e brendshëm, “përroin e ndërgjegjes”, relativizimin e kronotoposit; ndjek vijimësinë kronologjike, përdor dialogët, veprimi, ligjëratën e zhdrejtë të lirë; alternon vetën e tretë me vetën e parë gjatë rrëfimit; megjithatë në një pjesë të veprës fokusohet në optikën e ndonjë personazhi, veçanërisht të Stela  Floqi, një prej protagonistëve të veprës, një personazh i ndërlikuar që ndërthur  origjinën borgjeze  me një lloj mentaliteti komunist idealist që e bën  të pësojë një zhgënjim të hidhur që përbën dramën e saj.

    Në fakt, personazhet të vizatuar më me kujdes dhe më të goditur që shihen si nga jashtë (përmes veprimeve, dialogëve, portretit fizik), ashtu edhe  nga brenda (përmes shënimeve, ditarit, identifikimit të rrëfimtares autore me ta), janë Stela dhe i shoqi Davidi.

    Personazhi i Leonit, djali i tyre, vjen i dyti me penelatat me të cilat vizatohet, ndërsa personazhi po aq i rëndësishëm i Ninës, së shoqes së Leonit, lihet si në një gjysëm hije, ka diçka enigmatike; ndriçohet, herë pas here, papritur me disa vetëtima drite që ia zbulojnë lexuesit.

    Mandej vjen personazhi i Ludovikut, përfaqësuesit të brezit të parë që spikat për aftësi në punë, mençuri, maturi, urtësi, dashuri për familjen; përqendron  në vetvete vetitë më pozitive të shtresës së vet borgjeze, ato veti që borgjezia shqiptare i zotëronte në formë potenciale dhe, herë pas here, arriti të zhvillonte, po që  në atmosferën  e re rrezikojnë të asfiksohen dhe që personazhi arrin t’i ruajë në saje të një force shpirtërore të brendshme meqenëse tashmë ato bien në kundërshtim me luftën për mbijetesë.

    Ludoviku nuk jepet si një hero, po si një njeri që u mbetet besnik disa vlerave morale  dhe e ruan respektin për vetveten.

    Përkundrazi është kuptimplotë brishtësia  e brezit të tretë, Leonit dhe Ninës që pësojnë që të dy trauma; të shtypur siç janë midis dy kohëve, kohës që nuk arritën të jetojnë dhe kohës me të cilën nuk  identifikohen dot. Ata nuk identifikohen  dot as me kohën kaotike, anarkike që pason  shtypjen diktatoriale, bien në kompromise të cilat ndërgjegja s’ua pranon, synojnë një katarsis  që s’e arrijnë dot.  Vetëm nga fundi i romanit duket se mund të gjejnë një shteg shpëtimi  përmes dashurisë gjithënjerëzore, jo më dashurisë së dikurshme romantike-erotike që pësoi krisje tepër shpejt, po një agape-je që zëvendëson Erosin.

    Stela, personazhi më i qartë dhe më i plotë, zbulohet në disa aspekte, si  veprimtare (komandante), dashnore, nënë dhe gjyshe, nga pak si studiuese krijuese.

    Aspektet  e personalitetit të saj që ndriçohen më qartë janë në fillim aspektet e veprimtares që  shfaq mundësitë më të mira të një  gruaje të emancipuar, të aftë për luftë dhe për drejtim, gruas së dashuruar që sfidon tabutë e kohës, dallimet klasore  (tashmë të përmbysura) dhe ato  tabu që ia ndalonin gruas iniciativën  në dashuri. Më vonë, ajo zbulohet në ato veti më ngushtësisht femërore, si  nënë dhe si gjyshe, veçanërisht si gjyshe – nënë. Dashuria e saj për bijtë dhe nipat kalon përmes një flijimi të dhimbshëm, flijimit të realizimit të vetvetes si studiuese.

    Megjithatë është fjala për një dashuri, jo thjesht instinktive, as sentimentale, për një dashuri aktive që lidhet me transmetimin  e disa vlerave shpirtërore.

    Dashuria bashkëshortore që lidh Davidin me Stelën është një dashuri erotike  që shkrin fiziken me shpirtëroren, tërheqjen e natyrshme fizike me një afrim idesh, një dashuri që kalon përmes konfliktesh dhe ngrihet më lart se ato dhe rilind përmes bijve dhe nipave, një dashuri që mposht dhe vdekjen. Nuk është një dashuri e idealizuar në rrafsh romantik, është një dashuri që kalon  nëpër ndeshje dhe vështirësi dhe i kapërcen, madje bëhet  më e fortë prej tyre.

    Stela, siç thamë më lart, e  flijon  punën krijuese  për familjen. A është  ky një hap  prapa  i kryer prej saj? Në fillim ajo  nuk kishte ngurruar të flijonte familjen e origjinës, të atin, për hir të idealeve të saj patriotike dhe sociale. Më vonë kryen një flijim të dhimbshëm  për familjen e vet të re, po e bën këtë zgjedhje  me dinjitet, duke ia kushtuar veten edukimit të brezave pasardhës, djalit, mbesave, nipit dhe trasmetimit të vlerave shpirtërore atyre.

    Stela është një personazh kompleks  dhe origjinal që i mungonte letërsisë bashkëkohore.

    Te përfaqësuesit e brezit të fundit, Alina, Mirjeta dhe Kristi, vihet re çorientimi që e dallon rininë e sotme, mungesën e idealeve të qarta, megjithatë dashuria për gjyshërit, respekti për vlerat që ata u transmetojnë është një  spirancë pas së cilës ata kapen. Personazhi më i ri, Kristi, është i ndarë midis mllefit për nënën që e braktisi dhe dëshirës instiktive për ta dashur  e për ta falur që më në fund triumfon.

    Ky personazh ka më tepër  aspirata drejt së mirës se sa veti të brumosura për t’u qëndruar vështirësive, për të realizuar vetveten dhe për të komunikuar me të tjerët. Vlerat e transmetuara nga gjyshërit dhe pjesërisht nga i jati janë farëra të mira që kanë gjetur një terren të favorshëm në shpirtin e tij në formim e sipër, po djali i ri përjeton lëkundje dhe pikëpyetje që nuk di t’i zgjidhë dhe që autorja i zbulon  përmes rrëfimit në vetë të parë që e karakterizon atë (ai është i vetmi që vizatohet  përmes këtij  proçedimi dhe kjo është kuptimplotë se ai i takon së ardhmes, perspektivës).

    Rrëfimtarja është në dukje  objektive dhe e paanshme, po qëndrimi i saj ideoemocional është një dashuri e thellë për “fëmijët e saj prej letre”, një identifikim me ta  që arrin kulmin me krijimin e personazhit të Stelës që është, po e përsërisim, një personazh gruaje nga më tërheqëset e  romaneve të viteve të fundit dhe me tërheqësja  nga tërë figurat e romaneve të shkruara prej saj. Stela shkrin në vetvete më të mirën e shtresës së saj të origjinës, formimin dituror, dhe të shtresave popullore me të cilat është lidhur, energjinë, vitalitetin, iniciativën.

    Në vepër ka një personazh negativ që shpreh  përçudnimin e personalitetit nga diktatura. Sybi Zaimi që autorja e emërton me një aluzion ndërtekstual, “Uriah Hip”. Ai është një Uriah Hip i diktaturës  komuniste me veset tipike, grabitja, spiunllëku, me vese të trashëguara nga koha e patriarkalizmit si egërsia në familje; që të tëra vishen  me një maskë hipokrizie dhe mbulohen nga përkatësia formale në partinë komuniste.

    Kjo është një figurë e vizatuar përmes  patosit satirik që nuk analizohet nga “brenda”. Kompleksiteti dallon edhe ndonjë personazh episodik  si Valentina dhe Mersin Sinori; e para, më tepër e dobët se e ligë, është një vajzë koketë, së cilës i pëlqen të luajë me dashurinë, po që e lejon veten të përdoret nga i ati dhe vëllai; i dyti, ndonëse ka  pranuar t’i shërbejë Sigurimit, ruan guximin  dhe ndjenjat njerëzore; dashuria e tij ndaj Ninës, ndonëse fajtore, ka diçka të çiltër. Është kuptimplotë që këto personazhe  episodike, të sapovizatuar, luajnë një rol të caktuar në fatin e personazheve kryesore; kështu ndjenja prej adoleshenti e  Leonit ndaj Valentinës e rrezikon  seriozisht fatin e tij, ndërsa ndjenja e Ninës për Mersinin  ndikon në krizën e martesës së saj, po jo  edhe aq sa ta shkatërrojë.

    Në roman gjejmë edhe figura  personazhesh  reale historike si Musine Kokalari, Vehbi Skënderi, Natasha Lako, intelektualë të ngritur  dhe martirë  a viktima të  kohës së vet. Ato janë të porsaskicuara dhe ndodhen në sfond.

    Mendojmë se autorja  nuk është thelluar në vizatimin  e tyre që ata të mos ua marrin  dritën personazheve kryesore.

    Tërë  veprën  e përshkon besimi te vlera  të tilla si dashuria në kuptimin  e gjerë dhe në  kuptimin e ngushtë të  fjalës, dituria, etja për liri individuale e shoqërore.

    Kjo bën që, ndonëse vepra ka në bazë të vet  një patos dramatik që kalon edhe në patos tragjik, madje mund të thuhet se ky roman është një roman-tragjedi, në të mungojnë ai pesimizëm i zymtë që dallon shumë vepra bashkëkohore; në fund të tunelit të errët  të përshkruar nga personazhet ka rreze drite.

    Tepër kuptimplotë është ndarja në makrokapituj: Koha e gjyshërve, Koha e prindërve, Koha e motrave, Koha ime që kanë si intermexo Kohën e ndërmjemeKohën e turbullirave, kohën pa kohë.

    Romani, si veprat tipike realiste, ka prolog dhe epilog.

    Fabula dhe subjekti i romanit nuk dallohen nga veçori të pazakonshme, madje autorja ka ditur ta gërshetojë dramatiken me të zakonshmen. Tragjedia e Leonit  dhe Ninës ka qenë ndër  më të zakonshmet në diktaturë, me gjithë tiparet në thelb çnjerëzore. Subjekti ka një rrjedhë dinamike, karakterizohet nga  të papritura, po nga të papritura të  besueshme dhe bindëse.

    Në vepër  mungon  rrëfimtari  i gjithëdijshëm  që di më shumë se personazhet: rrëfimtari  (rrëfimtarja) nuk di më shumë se krijesat e veta, prandaj i zbulon  ngjarjet dhe veprimet, hap pas hapi me lexuesit.

    Autores i është dashur të mbruajë një lëndë shumë të gjerë, të  harmonizojë fatet e personazheve  me rrjedhën e kohës, pa e  tepruar në përshkrime, po njëkohësisht pa rënë në fragmentarizëm, duke ruajtur ngjyrën historike dhe atmosferën.

    Mund të vihet re një  një paralelizëm  midis atmosferës kaotike  të pasluftës dhe atmosferës, po ashtu kaotike  të pasdiktaturës, shkëndijave të dobëta  të shpresës për liri që  shuhen shpejt në të dyja kohët. Hans  Mangus Enzensbergeri thoshte me të drejtë se “letërsia është historiografia e vërtetë e njerëzimit dhe e vetmja së cilës ….. populli i jep besimin e vet”.

    “Koha në mes” është romani i një historie bashkëkohore, të afërt në kohë, pra, më e vështira për t’u pasqyruar.

    Autorja simpatizon klasën  e përmbysur për traditat e saj diturore dhe për dramën e përjetuar prej saj; po edhe protagonisten Stela që në emër  të një ideali ka tradhëtuar  klasën e vet dhe ka përjetuar një zhgënjim të dhimbshëm.

    Autorja ndjen empati edhe për  brezin  e indoktrinuar që ka  edhe ai dramën e vet, i përfaqësuar nga Nina, bijë komunistësh që gjendet papritur “armike e klasës”, për shkak të arratisjes së të vëllezërve.

    Këtu  vihet re  se lufta e klasës është një përbindësh që gllabëron edhe fëmijët e vet.

    Autorja përpiqet që të jetë sa më e drejtë në konceptimin e historisë. Është kuptimplotë që, në një moment  të caktuar  Stela, ndonëse e zhgënjyer nga ideali komunist, do të tregohet e paanshme për disa vlera objektive të krijuara nga pushteti i ri si arsimi dhe mjekësia falas, lufta për emancipimin e gruas dhe përpiqet t’ia thotë këtë nuses, po kjo e fundit është plagosur  tepër rëndë që të jetë e paanshme dhe Stela  e di këtë gjë, prandaj nuk ngulmon në pohimet e saj. Po ky është një çast në të cilin protagonistja bëhet zëdhënëse e autores, ndonëse pa thyerje karakteri.

    Në roman ka një motiv që rikthehet, motivi i luleve që simbolizojnë bukurinë dhe jetën dhe sjellin një rrymë të nëndheshme optimizmi.

    Në disa vende  të romanit ka përpjekje për t’i individualizuar personazhet përmes gjuhës, nëndialekteve të ndryshëm (si, bie fjala, disa të folme të gegërishtes dhe të toskërishtes), përpjekje karakteristike për  realizmin që plotësojnë portretizimin a skicimin e figurave të ndryshme.

    “Koha në mes” është një nga ato romane disashtresore që mund të lexohen në disa nivele dhe nga lloje të ndryshme publiku: nga publiku i gjerë, për intrigën tërheqëse që të befason dhe të mban në ankth; nga një publik më i ngritur, për analizën e botës shpirtërore dhe realizimin psikologjik të personazheve; gjithashtu, do të thoshim, për rikthimin e statusit të personazhit, të mishërimit nga ana e tij, jo të njeriut “valë”, jo të një ndërgjegjeje të copëzuar, po si dikur, në romanet më të mira realiste, të “dialektikës së shpirtit njerëzor”, të një individualiteti  të papërsëritshëm që mund t’i kundërvihet mjedisit e të lartësohet mbi të; nga lexuesit e nivelit edhe më të lartë, për filozofinë e historisë që shpreh dhe problemet filozofike ekzistenciale që shtron.


    [1]  Jean Starobianski, Leo Spitzer et la lecture stylistique te: Leo Spitzer, Études de style, Éditions Gallimard 1970.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË