More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatbardh Amursi (Rustemi): Zbulimi i vetes si favor apo si andrallë?

    Fatbardh Amursi (Rustemi): Zbulimi i vetes si favor apo si andrallë?

    Kur lexoj skicat, etydet poetike të Alda Taçes alias Esmeralda Shpata

    Dikur bënin përshtypje kërkuesit e arit në Alaskë. Tani po tërheqin vëmendje gjurmuesit e meteroidëve. Edhe pse thuhet se të mirat nuk bjenë nga qielli, shumë nomandë i kërkojnë meteoridët në shkretëtirë, të cilat në treg kanë një çmim të leverdishëm. Për t`i dalluar nga copëza shkëmbinjësh, përdoren aparatura të specializuara, duke përfshirë dhe detektorë minakërkuesish. Kur lexoj skicat, etydet poetike të Alda Taçes alias Esmeralda Shpata, ku: “Natyra ka mprehur shqisën e saj të madhe”, më kujtohen meteoridët, sikurse më shtohet kujdesi për t`mos i ngatërruar ato me copëra shkëmbinjësh, pale cifla bombash. Jo çdo gjë që shëndrit është ar, sikurse jo çdo gjë që nxin është meteroidë. (Dikur me meteorin që digjej në qielli, krahasoheshin dëshmorët e luftës. “Qyteti im më nxori jashtë. Më tërhoqi zvarrë deri te stacioni i vjetër i trenave. U mblodhën shumë njerëz, i gjithë qyteti… Një orgji e çmendur shqyente copat e mia me një mllef të patreguar ndonjëherë. E gjithë arsyeja e praptë e botës i kishte hyrë brenda ndëshkimit tim.” Thua këto rreshta t`i ketë për Kadarenë, apo i shkojnë më shumë Driteroit? Është ajo vetë, që ndjehet e dëbuar në këtë kohë ikjesh.)

    I tërhequr nga mënyra e të shkruarit të Aldës, prej kohësh matesha të shkruaja një ese, por, mjaftohesha me ndonjë koment, në pritje ndoshta të “hapjes së qiejve”, ku dëshirat e autores të ktheheshin në “meteroidë”, se copa shkëmbinjësh në një vend malor, si yni: gjen sa të duash. Ku të qëllosh tjetrin me gurë është kthyer në hobi. “Po ky është kulmi, nuk të përgjigjet universi, edhe pse të thuhet je një mrekulli, je unike, je e papërsëritshme”, ironizon ajo gjithkënd, që mbahet për unversal, me demek se ka krijuar universin e tij. Janë të rrallë ata krijues, të cilët, qysh në shfaqjen e parë, të kenë: stil, individualitet, kur, s`mjafton një jetë e tërë për të krijuar profilin tënd. (Në një takim teatror në Lezhë, shumë vite më parë, Kadri Roshi do i drejtohej një gjimnazisteje, që shkëlqeu në rol: “Po qe se ti vjen në shkollën e arteve, unë s`kam se ç`të të mësoj më për aktrim.” Mu kujtuan fjalët e aktorit të madh, teksa hidhje këto rreshta për Aldën, ku profesorllëku të del tepër. Në art askush nuk mësohet, por, nuk mund t`ia dalësh mban, nëse nuk je i aftë të mësosh ato që të duhen me intelekt dhe intuitë.)

    Libri i parë i Esmeralda Shpatës, botim i Onufrit, titullohet: “Tregimet e një personazhi”. Edhe pse një rrëfimtar, në to nuk kemi një monolog. Edhe rrjedha e një lumi është monolog, por, sa shumë gjëra ndodhin në të. Edhe jeta e një peme është monolog, por, që nga dalja e sythave dhe rënia e qetheve historitë shtohen rrugës. Ky personazh vazhdon të rrëfejë edhe sot e kësaj dite, duke mos u humbur intersi në “përroin e ndërgjegjies”, sepse ajo është e aftë të mbajë gjallë vëmendjen e lexuesit. (Sa shumë gjëra thotë ajo, edhe pse duket, sikur s`po ndodh asgjë!) “Ndonjëherë Zoti të mbyll çdo hapësirë, por si i mençur që është e bën me kast, vetëm ashtu të bën të lëvizësh.”

    E papritura në tregimet e Aldës nuk duhet kërkuar tek subjekti, por, tek aftësia e autores, për të hetuar brenda njeriut, doemos dhe brenda vetes, ku e jashtëzakonshmja nuk shkakton bujë dhe e zakonshmmja merr atributet e saj. Në vend të teleskopit i pëlqen të përdor mikroskopin. Kozmanautët dhe polumbarët udhëhiqen nga i njëjti qëllim: njohjen e botës. “Ca të pathënave nuk u jap dot trajtë, i shpërbëj e i fsheh nëpër mendje aq thellë, saqë po të mendoj se duhen zbardhur, dridhem. Me siguri rrethanat e pafavorshme për t’i dalë faqebardhë jetës vijnë e më takojnë kur vjen rasti i pavolitshëm.” (Fantazia e Aldës përngjan me të një filmi multiplikativ, ku prej vizatimeve të ngrira ka aq shumë lëvizje.) “Jam vrojtuese e hollë, më beso. Të çarat që i pashë sot në mëngjes, para se të merrja peshkun për ty, i ke krijuar vetë, mi ke krijuar mua. Unë nuk e kam ditur ndonjëherë se në ç’probleme po të futja.” Të duket, sikur luan me fjalët, ndërkohë që, kap nuanca, zhbiron karaktere sa më shpejt të jetë e mundur, tërhequr nga të fshehtat, që, nga rrëfimi në rrëfim zbulohen duke u shtuar misteri, pa u errur kuptimi. Si fillim, nuk pretendon shumë, vetëm t`i shkosh pas, më tej i dorëzohesh plotësisht, natyrisht pa e përdorur femrën, sikurse spekulohet rëndomtë sot me gjuhën e trupit. “Turma mashkullore duartroket dhe fishkëllen instinktivisht. Secili është pjesë e një mase të madhe gëzimi. Bilbili bie. Juria s’duket, por ajo është. Gratë ndalojnë së treguari këmbët e tyre. Fotografët lodhin aparatet fotografike. Burrat ndalojnë së shikuari. Ata fshehin fytyrat, gratë nuk kanë kokë. Çmimi i parë pritet të shpallet pas heshtjes. Qepallat e ulura e kanë zgjedhur më të bukurën. Secili prej meshkujve i ka zgjedhur këmbët e hijshme.”-shkruan ajo në tregimin “Garë pa kokë”, ku, përdorimi i femrës, për qëllime pragmatiste është kthyer në një lloj manipulimi, që duke u shtuar po legjitimohet.  

    S`ka gjë tjetër që të shkaktojë më shumë dramacitet nga krisjet e befta të ndërgjegjies, sikurse nuk ka gjë tjetër që t`i deformojë karakteret nga ligjet e pashkruara, sikurse e thotë dhe ajo: “Rregullat për të të mbajtur frerët i kishin ndërtuar të tjerët, unë i ndiqja me admirim, ndihesha krenare për çfarë bëja.” Në një tjetër skicë: “Kam jetuar me një farë krenarie të paarsyeshme dhe në një vështrim të parë dukem e lumtur.” Nëse botës i duhet paqja, shpirti i një krijuesi nuk gjen kurrë rehat, i cili, në hartë: duhen shënuar si zona sizmike. “Derisa nëpërmjet ca të plasariturave të pashë ty, pashë veten time distrofike, të paushqyer, të trembur dhe të mpakur, të dhunuar dhe të torturuar nga mua vetë.” Nëse e pyet se si ndodh ky dhunim i vetes, zor se ajo arrin ta shpjegojë, por dhe unë që marrë përsipër ta bëjë këtë, nuk jam qind për qind i sigurt. Një gjë dihet: spontaniteti krijues në çaste frymëzimi, të një imagjinate ekzyberante sjellë imazhe, ku arti abstrakt nuk ndjen të shterrur. (Nga pluhuri kozmik ndodh të krijohet një yll. Nga pluhuri i harresës mbulohen vlerat.) A rrezikon që, Aldës, t`i ngushtohet rrethi tematikë, të përsërisë veten gjer në krijimin e një rrethi vicioz, të mbyllet në fshikzën e mëndafshtë, të shpenzohet si kandili që s`ka vaj, përderisa rrëfyesi që tregon mezi del nga shtëpia dhe personazhi i dytë që takon, ngujohet në provincë, si një i pashpresë? Ndoshta një arsye kjo, e shtyrjes në kohë të këtij shkrimi, ku po më pëlqente të hetoja për llogaritë e mija, duke shpresuar që përsiatjet e hedhura në ese të jenë të dobishme për Aldën dhe jo vetëm për të. Jemi në shekullin, ku me “rrymat e dobëta” po bëhen mrekullira. Turbinave u këndohej dikur.

    “Nuk njoh asnjë me emrin Kren. Nuk kam bërë asnjë veprim, përpjekje apo gjest për të takuar një njeri me këtë emër. Nuk kam ëndërruar ta takoj, as ta përfytyroj sesi mund të jetë një Kren.” Nuk e njeh, as që bën përpjekje ta njoh, e jo më ta përfytyroj dhe, në fund, e nxjerr nga anonimati, ku personazhi merr trajtë, fytyrë, karakter, ngaqë përshkrimi krijon një efekt të kundërt. Heroina vazhdimisht ndodhet para një të panjohuri, apo së panjohurës, sepse me ta ndan vetminë, e cila s`ka rrugëdalje në dukje, por, shtegu feks, edhe pse nuk e përdor kush si shpëtim. E gjithë hapsira, ku ndodhin historitë, që, nuk regjistrohen në kronikat e kohës janë: muret e një shtëpie, sikurse klasiçistët i vendosnin ngjarjet në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë, jo më shumë se 24 orë, më pas: një dalje në rrugë, ku me patjetër është një stol dhe, qyteti i vogël provincial ta ka caktuar hisen, sepse: “zbulimi i vetes është favor, është liri”. Një shembull ideal se si ngrihesh nga vetja, pa ndihmën e rrethanave. “Kren, emri i bukur, veshi këmishën duke adhuruar veten para pasqyrës, u parfumos, gogësiti tërë kënaqësi dhe, me hapa të shpejtë, e nxori veten jashtë dere…këmbët po e shpinin drejt një stoli që u lirua enkas për të… Ai vend aty ishte i përsosur. Kundërmimi i ajrit e tërhoqi vajzën që nga shtëpia dhe e solli në park, pa ndonjë qëllim. Pamja e dy njerëzve të huaj në qytet nuk i fshihet kujt, por ngjan me një kërkim pa kuptim të vetes…E nesërmja e dëboi secilin nga shtëpia e vet, e ngatërroi rrugëve, në mënyrën e saj të fshehtë. Burri shkundi supet për disa herë rresht, e shtyu përpara vetes të vetmen hapësirë ajri në atë kopsht të madh. U ul mbi stolin prej xunkthi, ngriti sytë lart si për të rrokur kuptime. “Si nuk më njeh kush, cili jam?! Si nuk u bë një veprim, përpjekje a gjest për të më gjetur mua?! Askush nuk do ta përfytyrojë sesi është një Kren, as në ëndrra. Në qoftë se dikush do ta gjente këtë, do t’ia përgatisja një sallatë me aragosta, do ta pinim dhe një shishe vere, të bardhë.” Kam pikasur situatën më tipike, ku gjenden shpesh personazhët e skicave të Aldës. Ndaj kam pritur, jo pa shqetësim, mos kushedi lodhet një ditë dhe, vlerësimet paraprake bjenë. (“Zgjatja ishte ngjarja e jetës së tij, ai harroi të rritej.”)

    Në fakt, energjia për të shkruar i shtohej dhe kjo ndikonte në rrënjosjen e simpatisë. Por, a shterrej? Më duhet të pranojë se ky rrezik ekziston. (Shkuarja në Hënë nuk kthehet më në ngjarje, tani i janë qepur Marsit. Kështu duhet të ndodh me çdo krijues pas çdo suksesi të parë.) Si mund të shterr një e palodhur? Duke konsumuar të njëjtat gjetje, po ato mënyra shprehëse, të njëjtat perceptime, duke u kthyer në një lojacake, kur dhe “deus ex machina” në skenat antike u lodh një ditë, duke i mbetur muzeut. “Derisa nëpërmjet ca të plasariturave… pashë veten time distrofike, të paushqyer, të trembur dhe të mpakur, të dhunuar dhe të torturuar nga mua vetë”, a ka të ngjarë që tek ky portretizim, të hasim rrëfyesin me mision të përfunduar?

    Alda nuk ka kulme, pasi të gjitha shkrimet kapin një lartësi, gjë që duhet të shtojë ambicjete për kuota të tjera. Dihet që sjelljet e sinqerta rrallë marrin shpërblim, sepse mund të ndodhë, të përballesh: “E akuzon unin tim për rrezen e njohjes dhe mosnjohjes, për amplitudën dhe frekuencën e mosveprimit, por kjo është absurde…Ky miku im anonim, mbase mund t’i ketë qëllimet konkrete si ai mund të jetë, mirëpo mua më duken absurde dhe të panjohura ashtu si identiteti i tij… Njeriu është pus, botës do t’i tregojë ujin e kulluar në sipërfaqe, vetes ia fsheh në fund të shpirtit se nga ku turbullohet.” Është po ajo dukuri që ndodh dhe me lulet, të cilat: për vete thithin gazin karbonik për të na dhënë oksigjenin, sikurse Alda pjesën e kulluar ua jep njerëzve, ndërsa vetes fundin e turbulluar. Meqë “njeriu është pus” shpresojmë që, ai apo jo, të mos jetë narcisti i mbytur në të. “Miku im anonim ma përkëdhel sedrën shumë deri në momentin që unë s’e njoh, përpjekjen e parë që bëj për të ditur më shumë rreth tij, më gjuan me gurë. Po i kërkoj një nder mendjes dhe mikut tim anonim: Ta bëjmë pushim sot!” Në momentin që kërkon ta njohë “përkëdhelësin e sedrës”, ai e gjuan me gur. Ndaj ajo, nxjerr në pah forcën e karakterit: “Megjithëse jam një masë e madhe dëshirash, nuk u iki dot përgjegjësive.” Të gjithë njerëzit e zotë janë të ndërgjegjshëm për talentin, që zotërojnë, ndaj ata dhe nga fundi i vetmisë, ku përgjithsisht i braktisin, ia dalin t`i imponohen shoqërisë, e cila, rrallë qëllon t`i marrë në mbrojtje. (Atë atmosferë që sjell ujvara, nuk e ofron shatërvani.) “Jam veshur me të bardha dhe po grindem me një grua të veshur po si unë. Ajo ka një çelës në dorë. Më tërheq për flokësh dhe më mbyll në një raft muri. Ngjan me musendrat që mbajnë erë tërfili të thatë. Rafti ku më kanë burgosur vjedh pak dritë ngjyrë vjollcë. Iu luta të më shkonte një kryq mbi trup më mirë. E pashë në sytë e saj që donte t’më vriste. E nuhata se ajo po përgatitej. Nuk më kujtohet mirë si munda të shpëtoj.”, shkruan autorja, duke më kujtuar “Medean” e Euripidit: “I drejtë s`është syri i njeriut,/që pa njohur mirë shpirtin e një tjetri, vetëm duke e parë/e urren këtë, ndonëse s`ka pësuar ndonjë gjë prej tij.” Urrejtja pa shkak shpesh sjellë dëme më të mëdha nga ajo e motivuara. Por, i drejti, nuk përfshihet në këtë mëkat. “Inati i njeriut qënka më i fortë nga gjykimi i tij.”-shprehet Medea e Euripidit. Duke shkruar për Medean, ku e gjithë e zezë e hakmarrjes fshihet pas vellos së helmtë, Alda luan me imazhet: “Kur të vishem me të bardha nuk do të martohem më.” Dhe në skicën “Ëndrra ime e bardhë”: “Ëndrrat e mia, asnjëra nuk ka fizionomi të qartë, të gjitha të vogla nën mesataren e iluzionit. Të lyera me gëlqere (si për t’u ruajtur nga kompanitë e insekteve).”, edhe pse: “Një dordolec që në vend të trembi, trëmbet.”  Por, përherë ka një fund dhe ty, si lexues, do të shfaqet: “Vajza e ulur përballë teje (ajo me kapele), është kuptimi yt i ri.” Përballë Aldës u përpoqa të zbuloj kuptimin e ri të skicave të saj. Shpresoj t`ia kem arritur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË