More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFatmir Minguli: E fshehta narrative e një romani

    Fatmir Minguli: E fshehta narrative e një romani

    Shën Sofia, Santa Sofia d’Epiro,

    fshat në Kalabri, provicë e Kozencës,

    banuar me arbëreshë.

    Edhe pse autor me moshë  të re dhe i ri në krijimtarinë e prozës moderne shqiptare, Pol Milo nuk bën pjesë në atë lloj shkrimtarësh që presin konfirmime nga qarqe të lidhura me pushtetin. Ai sot ka një background me shkrime dhe analiza të shumta për këtë roman të ri, në kohë  si edhe në stilin narrativ.

    Pol Milo, një modest më shumë se modestët e kohë sonë, është nga ata shkrimtarë që rrezet e diellit, alias dritës, veprojnë mbi trupin e tij edhe kur stinës konvencionale të verës i ka kaluar afati. Eshtë ky diell suplementar prej të cilit romani “Medalioni i Dyrrahut “ sheh horizonte të ndriçuara, pikërisht nga ky diell. Shkurt kemi të bëjmë me një ekspresion narrativ në zhanrin e romanit modern.

    Kjo është një arsye që shumë ndjekës të literaturës kryeqytetase nuk përputhen me antikronologjinë e këtij romani “sui generis” të autorit.

    Të kërkosh të fshehtën e “Medaljonit të Dyrrahut” në nëntokën e Durrësit, apo të kërkosh të fshehtën e Sofisë në mbitokën e tij, është njëlloj sikur të kërkosh artin narrativ të romanit “Medalioni i Dyrrahut” në narrativën e krahasuar me romanet e botuar në Shqipëri dhe gjetkë.

    Prandaj e quajta me vend të citoj konstatimin e gazetares Arjola Kondakçiu, kur shkruan për këtë roman se “enigma dhe arsyeja janë elementët bazë të nervit letrar të romanit”.

    Jo rastësisht autori Pol Milo e hap dhe e mbyll romanin me dritën e diellit, që në kontekst është drita e inteligjencës, ajo dritë që rilindasi i papërsëritshëm Naim Frashëri që na thotë se “dritë e diturisë përpara do na shpjerë”. Me të vërtetë që ky rilindas, me pikëpmjet e tij të theksuara të bektashizmit të kulluar në gjithë veprën e tij, i referohet dijes, diturisë, dritës së Sofisë.

    Astronomi Eamonn Kerins i Unversitetit të Manchester-it dhe kolegët e tij kanë konsideruar sinjalin fotometrik të mikroelementeve të Tokës ashtu siç mund të dukej apo të kapej nga civilzime të tjera potencialisht dhe teknologjikisht të avancuara.

    Këtë fakt, që lidhet me  fuqinë transmetuese të dritës, ata e argumetojnë se toka është shumë afër diellit që mundet të transmetojë një sinjal të fortë të kapshme nga obseravtorë potencialë.

    Ky argumentim s’është asgjë tjetër veç se forma iluzive që Pol Milo e konsideron Diellin si primarin e subjekteve në romanin e tij, si forma e transmetimit kuantik të dritës.

    Jo rastësisht, romani që në faqet e para hapet me konfliktet mes grupeve  mes religjioneve të ndryshme, që në të vërtetë janë konflikte mes Lindjes dhe Perëndimit, ku Dyrrahu në këtë antigonizëm ka qenë qendër e zhvillimeve, nga shekulli i parë mbas Krishtit. Ky antagonizëm fillon në romanin “Medalioni i Dyrrahut” me ardhjen e apostullit Pal në tokën e bekuar të Dyrrahut. Ky antagonizëm vazhdon e kristalizohet me paraqitjen e koncepteve lidhur me luftrat fetare, që në fund të fundit janë luftra diturish. Kujtoni kryqëzatat e templarëve! Pol Milo e sjell këtë peisazh historik në formën e narracionit të çuditshëm të tij me templarët në fshatin Çetë, pranë Kavajës. Sado i çuditshëm të jetë ky episod, Pol Milo i lidh këta templarë vizitorë dhe konstruktorë të kishës së Shën Premtes, duke na thënë se “Templarët kishin qenë mjeshtër të ndërtimit të tempujve me gurët që rezononin”. Çfarë rezononin? Dritë, dritën e Sofisë.

    Jo rastësisht romani “Medalioni i Dyrrahut” fillon që në faqet e para me simbolikën e “Sophie Caffe”, lokalet-katenë të Durrësit. Është simbolika më e gjetur në këtë roman, sepse aty ngjizen shumë dashuri, jo vetëm për dijen dhe librat por dhe dashuritë njerëzore si ajo mes Martinit dhe Ëmës, dhe kur Ana është në pritje të një templari të paparë të veshur me pelerininën e tejdukshme të dijes, të Shën Sofisë, në pritje te lokalet “Sophie caffe”. Se mos vetëm Ana…

    Këto tre “jo rastësi” kanë në fokus dritën, diturinë, Sofinë dhe ndodhì të ndryshme e përforcojnë magjishëm subjektin e këtij romani.

     Para disa javësh shumë shkrimtarë nga më në zë të Shqipërisë së bashku me ata durrsakë bënë pelegrinazhin e madh në kishën Shën Luçia të Durrësit, për imzot Vinçenc Prenushi.

    Mes përshëndetjeve përshtypje më bëri konstatimi i Dom Marjanit, i cili tha se në tokën e Durrësit kanë shkelur katër apostuj që nga Shën Pali, Shën Pjetri e deri te Shën Andrea e Shën Bartolemeu. E çfarë na thotë Pol Milo në romanin e tij? Thotë se Shën Pali, jo një herë, por plot katër herë e ka bërë udhëtimin për në Durrës, dhe pikërisht në udhëtimin e fundit ai solli medalionin e Solomonit që sot e ka emrin medalioni i Dyrrahut. E solli për ta ruajtur nga të këqinjt ashtu siç u soll në Durrës trupi i Shën Spiridhonit dhe që më vonë shkoi përjetësisht në ishullin e Korfuzit.

    Këto versione që sillen në këtë shkrim përsëri kanë në qendër fokusin e dritës, atë dritë, sekretet e të cilës do të zbulonin origjinën e inteligjencës, çka përbën dhe temën e doktoraturës së Poliandër Meles, protagonistit të heshtur dhe të ditur të këtij romani. Edhe pa e mbaruar temën shkencore, Poliandri është i bindur se sekreti i kësaj origjine gjendet te medalioni dhe se i ndodhur në nëntokën e Durrësit, ai pret të gjindet nga ata që do të kenë fatin e madh të takohen me Sofinë. Mos të harrojmë se fjala “filozofi” është bashkimi i dy fjalëve dashuri dhe dije, dashuri ndaj dijes, dhe Shën Sofia është “dija e shenjtë”, cit.f.19.

    Si një fokus shpërthimi është fragmenti i marrë nga ky roman që po e citoj më poshtë e që lindin të fshehtat e vetë narracionit të tij.

    “Thuhet se dikur, një mbret në Lindjen e Largët kishte kërkuar misterin e dijes. Ai ishte mbreti Solomon. Ishte pikërisht ai, që kishte ndërtuar një tempull mbi një mal, atje në Jerusalem, i cili ishte kthyer në mollë sherri. Ai tempull herë ishte kthyer në kishë, e herë ishte kthyer në xhami. Dhe ai që e kishte ndërtuar, Solomoni, kishte kërkuar dije. Edhe zgjurasi. Po! Në atë moment ishte shfaqur Sofia. Jo Sofia e kafesë, jo! Sofia e vërtetë, ajo e parajsës qiellore. Dhe i kishte  dhuruar Solomonit një medaljon, që të ndriconte e që të mbante tërë dijet e botës. Drita dhe dija shkëlqenin në atë medaljon, që i ishte dhënë njerëzimit…”

    Kaq ka ky paragraf vullkan idesh. Aty janë të gjitha faqet dhe kapitujt e librit. Ah, ata kapituj që vënë në siklet edhe ndonjë lexues sepse duken sikur nuk kanë lidhje me njeri tjetrin e se e dëmtojnë subjektin! Kuptohet se vetë e fshehta narrative e këtyre kapitujve është e ngjizur pikërisht nga vetë rrezatimi i medalionit, i cili edhe i ndodhur në nëntokën e Durrësit, kërkon të përhapë forma të reja jo vetëm në  stile narrative.

    Eshtë ky paragraf që na mëson edhe për historitë e shumta të objekteve të kultit në Lindje e në Perëndim të Ballkanit. Kisha e “Hagjia Sofia” në Stamboll u ndërtua mbi themelet e një tempulli pagan dhe sot ndodhet në transferta religjioze. Katedralja e Shën Pjetrit  në Durrës u përmbys në nëntokën e Dyrrahut në kohën e tërmetit të madh, dhe kisha e Shën Spiridhonit u prish nga të pafetë, e sot është vetëm nëntoka që mban themelet e saj. Filozofi dhe dramaturgu rumun Lucian Blaga shkruan se “katedralet përfaqësojnë një botë të vetëmjaftueshme e cila nuk mbështet në asgjë por thjeshtë zbulon veten… dhe… vetë ndërtesa ishte e para marrëse e rrezatimit të krishtërimit lindor”. Ishte rrezatimi i parë, ku vetë Viktor Hygo do të shkruante në Notre Damë de Paris se “libri do ta rrëzojë ndërtesën”. Ky ishte rrezatimi i dytë i medalionit të Shën Sofisë dhe i Solomonit.

    Edhe në se lidhjet direkte nuk janë në këto komente, përsëri paralelet metafizike mbeten në fuqi.

    Në roman është dhe kapitulli i darkës së fundit, një paralele-parabolë që u zhvillua në Durrës me apostullin Pal dhe ndihmësit e tij.

    Kjo darkë është një hymn për atë të kaluar të Durrësit sepse u la porosia e madhe për ta ruajtur dijen nëpërmjet medalionit. Dhe çdo gjë nuk shkoi pa trazira dhe sherre. Shën Asti, peshkop në vitin nëntëdhjetë pas Krishtit u martirizua nga romakët. Pse? Ai ndoshta e dinte mirë se ku ndodhej medalioni, por nuk e tregoi atë.

    Romani “Medalioni i Dyrrahut” është një kompleks narrativ, damarët e të cilit, ku lëvrin lëngu krijues, nuk kapen kollaj. Promovime të vazhdueshme, shkrime të tjera do të çojnë më përpara zbulimin e të fshehtave të narracionit, mënyrën e thurjes së intrigës së subjektit ku jeta reale dhe ajo qiellore janë bërë së bashku.

                                         Durrës, 20 janar 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË